Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frrok Vukaj: Drejtuesi i jep tonin shkollës

| E hene, 01.09.2014, 08:05 PM |


Drejtuesi i jep tonin shkollës

Nga Frrok Vukaj, Akademia Pedagogjike e Tiranës

Në vitet e tranzicionit kanë ndikuar negativisht ndërhyrjet e politikes me gjykime jo objektive në emërime, shkarkime, transferime e vlerësime të punës. Qysh këtu nis goditja më e rëndë për arsimin. Një drejtues i paaftë e i pamerituar për detyrën, qysh pa ardhur në shkollë, krijon alergji e shije të keqe për kolektivin ku do të punojë. Gjithkush di të vlerësojë aftësitë e tjetrit, aq më shumë, kur një drejtues është në epiqendër të opinionit mësues-prindër-nxënës. Duke i munguar profesionalizmit e shumë cilësi morale të domosdoshme, ai zgjedh për moto e metodë pune armën më të keqe : imponimin e drejtimin me dorë të hekurt. Pa filluar mirë, shkërmoqet autoriteti i tij e  ravijëzohen dy pamje: gjallojnë servilët , dembelët, militantët partiakë, lidhjet farefisnore, shoqërore e krahinore, por pjesa dërrmuese e më e shëndoshë bojkoton në mënyrë të heshtur apo të hapur qëndrimin e paaftësinë e tij. Krijohet ajo ftohje drejtues-vartës, por edhe konturohen dy a më shumë grupe në shkollë duke u shtrirë edhe tek nxënësit e prindërit. Detyra e parë e drejtorit, pa të cilën nuk mund të ketë sukses, është krijimi i besimit. Duhet luftuar praktikat e deritanishme sikur drejtori mban shkollën, është shteti, është gjithçka, është zot e shkop e të tjera koncepte që çmobilizojnë, ulin ritmin e atrofizojnë punën e shkollës. Kjo praktikë të ngjan me një tërheqje litari a garë tjetër sporti ku në njërën anë është drejtori me ca servilë e në anën tjetër kolektivi. Drejtimi duhet të jetë profesional, bindës, transparent, i drejtë e i ndershëm, por patjetër gjithëpërfshirës, pa përjashtuar edhe centralizmin. Mund edhe të mungojë profesionalizmi i duhur në kuptimin shkencor, por kjo rikuperohet me frymë bashkëpunimi, me kërkesat e vlerësimet korrekte (me një standard për të gjithë) me shembullin personal, përkushtimin në punë, afirmimin e vlerave të individëve, formimin e shëndoshë të kolektivit , por edhe njohjen e halleve të secilit. Pjesa më delikate e domethënëse është shembulli personal e qëndrimi korrekt ndaj rrethit të afërt shoqëror, farefisnor, zonës e krahinës, e atyre me të cilët ka pikëpamje partiake, fetare, shije e praktika te njëllojta apo të përafërta. Hatret e favoret cenojnë rëndë frymën e shëndoshë. Shpeshherë për hir të një uniteti të shtirur, shoqëria e shteti fshehin edhe disa plagë të trashëguara nga e kaluara. Mosmjekimi i përditshëm i tyre, mahisin e sëmurin keq trupin tonë. Me gjithë arritjet pozitive, gjallojnë në mënyrë të fshehur, por edhe të hapur, favoret e hatret, diskriminimi i maskuar fetar, krahinor, racor, hierarkik, trashëgimor e të tjera shfaqje që janë  minë me sahat. Lypset një kurim i kujdesshëm, i vazhdueshëm dhe profesional. Qëndrimet e drejta e korrekte rritin shumë besimin e ulin stresin në punë. Njohja sociale-ekonomike, e psiko-pedagogjike e nivelit të secilit përbën një kërkesë tjetër që ndikon pozitivisht në punën e shkollës. Mbështetja tek mësuesit me përvojë, respektimi i personalitetit të secilit e afirmimi i arritjeve e vlerave ,janë disa faktorë që na sigurojnë suksese në punë. Qëndrimet negative e hakmarrëse shtojnë dukshëm gjendjet stresuese, jo vetëm tek mësuesit, por edhe tek nxënësit dhe prindërit. Veprime të tilla ekstreme tek drejtues të veçantë vërehen gjatë “ndihmës” e kontrollit, në kërkesën e llogarisë, në mosvlerësimin objektiv të punës, në heshtjen apo mosafirmimin e vlerave pozitive që janë pasuri e bazë e shëndoshë për suksese në rritje. Mohimi i punës e përkushtimit, është një ndër shfaqjet më të shëmtuara për çdo shoqëri. Konkluzionet e pamenduara e të pabazuara mirë, me vëzhgime të rastit, të pathelluara e të pastudiuara, paragjykimet ,opinionet e sëmura e denigruese, deri në mohimin e tjetërsimin e arritjeve, shtojnë gjendet stresuese e depresive e cenojnë jo vetëm personalitetin e mësuesit, por edhe punën e shkollës.

Pjesë e punës së paaftë të një drejtuesi dhe e burokratizmit pedagogjik janë kërkesat ekstreme, mbingarkesa e programeve dhe teksteve të pastudiuara mirë, me kuptime evazive dhe zgjatje të panevojshme, mendimet imponuese e pa argumente shkencore, kriteret preferenciale në vlerësimin e punës, fryma mbytëse e alternativave, kapja së tepërmi pas anëve formale, duke mos qenë të aftë të futen në përmbajtjen e punës mësimore-edukative e të tjera gjëra që minojnë punën e shkollës. Aq më keq kur kontrolli është sipërfaqësor, me opinione , pa platformë, me çfarë t’u dalë përpara. Luftë formalizmit e spontanitetit.

Brenda linjave kryesore të kodifikuara duhet të gjallërohet mendimi i lirë, alternativat e iniciativa, fryma krijuese e kritike, duke u çtensionuar nga disa rregulla të rrepta. Kështu çdo mësues e nxënës e ndjen veten më komod, më të motivuar e realizues. Kjo ndikon shumë edhe në harmoninë e kolektivit, në ngjalljen e dëshirës për dijen e shkencën e rritjen e rendimentit në punë. Shembuj të mësuesve e të drejtorëve të aftë e me besueshmëri morale e shoqëror janë të shumtë. Ata janë të përkushtuar për punë, kanë krijuar marrëdhënie të shëndosha me kolektivin e komunitetin e për rrjedhojë kanë rezultate bindëse e të qëndrueshme. Krahas modelit pozitiv, kemi drejtues që nuk e meritojnë dhe këto raste të pajustifikuara kanë qenë relativisht të larta në këto vite të tranzicionit. Për të shmangur gjykimet subjektiviste e emërimet klienteliste, duhet të shfrytëzohet përvoja pozitive e  nxjerrë mësime nga defektet e trashëguara. Mendoj se nga ekspertë të njohur të kësaj fushe mund të hartohet një bazë të dhënash ku të përfshihen përbërësit dhe kërkesat kryesore të shprehura në pikë ku të pasqyrohen meritat dhe vlerësimi i çdo mësuesi apo drejtuesi. Disa nga këta tregues mund të jenë shkalla e arsimimit, nota mesatare, kualifikimi, vjetëria në punë, profili, rezultatet e vlerësimet, përgatitja shkencore, aftësitë organizative dhe mobilizuese, komunikimi, cilësitë morale, persekutimi para viteve ’90,njohja me ligjet, me TIK etj. por edhe vlerësimi i limituar i titullarit, i cili nuk duhet të marrë pjesë në vendimmarrje. Pranë ZA e DAR mendoj se duhet të funksionojë realisht një organizëm i pavarur dhe vendimmarrës që të shqyrtojë e të vendosë për emërimet, lëvizjet, masat disiplinore e shkarkimet, pasi kandidati të jetë intervistuar. Emërimet apo lëvizjet e shpeshta e të pamotivuara në prag apo pas fushatave zgjedhore, është një dukuri që i duhet dhënë fund.  Kjo nuk do të thotë të qëndrojnë me dekada në një vend pune duke rënë në monotoni e duke e quajtur veten të pazëvendësueshëm.  Duke u mbështetur në argumente bindëse, mund të themi se ka rënë përkushtimi për punë, i cili ka ndikuar edhe në procesin mësimor e edukativ. Në këto vite janë zbehur kërkesa e llogarisë e përkushtimi. Korrupsioni përmes notave efektive e diplomave të pamerituara kanë ulur nivelin e përgatitjes shkencore e profesionale. Një pjesë e këtyre mësuesve të dalë nga bankat e universiteteve ndikuan në kolektivat pedagogjike për uljen e ritmit në punë e kërkesën e llogarisë. Roli i drejtorit është i gjithanshëm e jo thjeshtë  si një administrator, siç e quajnë disa. Ai drejton e organizon gjithë procesin mësimor-edukativ në përshtatje me Kushtetutën e dispozitat në fuqi, por është edhe përgjegjësi kryesore për zbatimin e tyre; bashkëpunon e koordinon punët me organet e pushtetit vendor, me institucione e shoqata shtetërore e jo shtetërore. Drejtuesi duhet të jetë një administrator i mirë i buxhetit duke zbatuar me korrektësi edhe transparencën e duhur.

Zgjedhja e stilit të drejtimit është një fushë tjetër shumë e rëndësishme. Stili ka të bëjë me veçoritë themelore të drejtimit, me format e organizimit, me sjelljen e mënyrat si vepron. Themelore është parimi bazë që zgjedh e kjo pasqyron edhe personalitetin e tij. Parimet kryesore janë: ai demokratik e jo demokratik. Shembulli i parë nuk nënkupton anarki e amulli, por një filozofi të re bashkëkohore. Prof.as.dr. Jetmir Alickaj kur flet për artin e drejtimit thotë “Një filozofi që kërkon delegim kompetencash, ndarje ngarkesash, përgjegjësish, autoritetesh. Një filozofi që e konsideron çdo anëtar të grupit një fitues dhe të gjithë grupin një fitues potencial. Një filozofi ku të gjithë ndjehen si partner të barabartë midis të barabartëve”. Kjo në mënyrë të ndërsjellët kultivon mendësi e praktika bashkëkohore mësues e drejtues. Më efektiv është stili bashkëpunues e racional, kundrejt stilit burokratik, direktiv, jo direktiv, irracional, partiak e populist. Nga formimi e personaliteti i secilit varet zgjedhja e stilit dhe etika e drejtuesit. Pa mohuar edhe një tip të ndërmjetëm, dy janë tipat kryesorë. I pari është punëtor i palodhur, bashkëpunues, i thjeshtë, komunikues, i vëmendshëm e vlerësues ndaj këshillave e kritikave, human, zemërgjere e korrekt, principal, këmbëngulës, i ndershëm , transparent e luajal që di të harmonizojë frymën demokratike me centralizmin, e të tjera cilësi pozitive.

Një drejtues i paformuar e i paaftë zgjedh rrugën burokratike e moskokëçarëse, “autoritetin” fals, shkëputjen nga kolektivi e komuniteti, arrogancën, mendjemadhësinë e fudullëkun, frymën e grupazhit e të presioneve, përçmimin e kolegëve e servilizmin ndaj eprorëve...një stil tashmë i dështuar e i neveritshëm. Drejtimi është art e drejtuesi duhet zgjedhur me shumë objektivitet e përgjegjësi, sepse i jep tonin gjithë shkollës.

-Per ZSH-në, nga Tirana, 1 Shtator 2014-