| E diele, 31.08.2014, 07:04 PM |
Poezi fosforishente me rrënjë fjale që lind nga kocka e poetit
Nga Xhevahir Cirongu
Të shkruash diçka për poetin Kosovar Adem Zaplluzha, në radhë të parë duhet që të kalosh nëpër filtrin e mendimit e të fjalës së shkruar prej tij. Çdo fjalë e rresht që ka shkruar në libra me poezi Ademi, sigurisht ai e ka ‘’matur e peshuar’’ mirë brenda vetes mendimin e fjalës, pastaj e shkruan në letër. Ai gjurmon si skifter mes skutave të fshehta të mendimeve dhe i përpin ato brenda shpirtit. Pastaj, si një hekurpunues dredh ujvarën e shpirtit në letër. Me krijimet e tija, poeti Adem Zaplluzha ka formuar ‘’liqenin’’ e vet me fjalën e bukur shqipe. Unë do ta quaja këtë poet, si një poet i shekullit të ri të 21-të, sepse kush si ai s’ka krijuar e botuar kaq libra me poezi,(ka edhe botime të tjera përveç poezisë). Ai dallohet për varg ‘’Naimian’’, ‘’Çajupian’’ ,’’Migjenian’’ etj.
Pse e quajmë kështu këtë poet?!
Takon personalisht poetin e befasohesh për fjalën e ëmbël që derdh nga shpirti me një dashamirësi që është tërsishtë njrëzore.
E si mund të mos krenohesh për këtë njeri, sa njeri edhe poet!?
Ecën me
kohën, ka shkelur mbi kohëra të symta e të trishta, por kurrë s’është përkulur
para vështirësive. Ai ka thyerë çdo
gurzi që i ka dalë para, pra, me simbolin e fuqishëm si një mal alpin ngarkuar
me borë, por gur zjarri brenda shpirtit të derdhur me aq dashuri në letra
fjalën shqipe. Edhe libri i fundit që pret botimin të titulluar ‘’Fluturojnë
zogjtë e verbër’’ , na jep plot figura letrare dhe forcën e shprehjes filozofike
të vargut poetik. Te poezia me titull ‘’Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës’’ aty
gjallojnë të fuqishme figurat letrare. Poeti është treguar i kujdesshëm jo
vetëm te ky vëllim, por edhe në treguesit e përmbajtjeve të titujve dhe të
brendisë që kanë gjithë vëllimet e botuara të mëparshme. Ai asnjëherë se ka
përsëritur vetveten në poezitë. Të gjitha janë të ndryshme e dallohen lehtë nga
vëllimi në vëllim,por edhe nga poezia te poezia. Ne shkëputëm për ilustrim këto
strofa nga poezia ‘’Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës’’. Autori e barazvlerson
fjalën e shkruar me peshën e gurit, me dritën e yjeve, me ngrohtësinë e rrezeve
të diellt, por edhe të larë me vesën e
mëngjeseve. Fjala është ajo që të ngroh më shumë se zjarri ,- thotë poeti Adem
Zaplluzha. Por kur ajo është e gatuar me baltën e vendlindjes.Poezia e poetit Kosovar Adem Zaplluzha ka dritë fosforishente me
rrënjë burimore që
‘’ Sa herë që deshën të parët e mi
Nëpër xhepat e erës,
E gjetën vetveten.
Thonë se kur nuk kishin grurë
Në copa rrasash gatuanin dashurinë.
Kështu mësuam nga gjyshërit
Ta ndjejmë ekzistencën e fjalës,
Nuk ishte aq lehtë
Të kapërcehet përtej vetvetes.
(………………………………………………….)
Nuk na u deshtë shumë kohë
Mësuam shpejt,
Dhe nga ne mësuan të tjerët
Se si ruhet dhe ndizet zjarri’’.
Vet poeti
është dashuruar pas letrave.Të shkruash një letër nuk është aq e thjesht sa
thuhet. Letra është e bardhë në formën e saj ku mbi atë shkruhet me penë e që
derdhet boja që formojnë shkronjën e më pas fjalën. Kur lexohet dëgjojmë
tingullin e saj, ëmbëlsinë, dashuri fjale që pasqyron botën e atij që e shkruan.
Ai është si një margaritar i gjithëgjendur te fjala e vargu i shkruar në letër. A s’është fakti që ky poet me një moshë mbi 70 vite mbi supe, shkruan e krijon mbi tastierin e kompjuterit, që i cili fal energji krijuese për poezinë e dashamirsit e letrave shqipe kaq botime!?
Në poezinë e titulluar ‘’Të lutem më shkruaj një letër’’ ai shprehet qartë dhe me një ekuvalencë të fuqishme letrare.Rryma e të shkruarit, metafora e krahsimet që përdor poeti janë të mbështetura edhe te poetët e tjerë shqiptarë, si te vargu i Naimit, Çajupit, Migjenit etj.
Dhe më konkretisht:
‘’Më shkruaj një letër
Ku nuk dëgjohet britma e Ot’hellos;
Le të jetë me ngjyrë meneksheje
Po me atë ngjyrë
Që i përngjan dashurisë tënde’’.
Poetët nuk i tremben vdekjes. Ata e shohin si një pjesë të vazhdimit të jetës. E pse t’i trembemi vdekjes, -thotë poeti në një poezi?! Të jetosh jetë, duhet që të bësh diçka të dobishme në këtë botë, jo vetëm për veten por e për të tjerët, për gjithë shoqërinë, pra kështu s’ka edhe vdekje, por s’ke edhe frikë nga kjo vdekje që dikur ajo do na trokasi në pragun e jetës sonë.Atëherë, pse të kemi frikë nga kjo vdekje?
Ta konkretizojmë me disa rreshta që poeti ka shkruar te ajo poezi ku thotë se, ‘’s’duhet të vdes kurrë!’’ .
‘’Vdekja nuk është vdekje
Po që se ke kohë,
Të rrëfehesh
Përpara pasqyrës se mendjes tënde.
(……………………………………….)
Për të mos vdekur askurrë
Mbille pemën tënde,
Të shenjtë mbille
Në rrëfyestoren e shpirtit’’.
Te poezia e poetit Kosovar Adem Zaplluzha gjen vetveten, gjen forcën e mendimit, aty rrjedh e kristaltë fjala e shkruar me petalet e luleve shumëngjyrshe, tingëllon si valë deti mendimi, vargu merr freskinë e erës së malit e gatuhet me brumin e pjalmit të pemëve, dëgjohen cicërima zogjësh në fluturim, e mbi të gjitha ka dashuri njerëzore me rrënjë te atdheu, te vendlindja,poezi fosforishente me rrënjë te kocka e vetë poetit. A na lejohet të themi se: Poetët s’kanë vdekje?! Gjykimin bëheni vetë ju lexues nëse kemi të drejtë apo jo për këto fjalë zemre që po themi për poetin Kosovar.
Suksese e jetë , i dashur mik!