Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shefqet Dibrani: Larg pikon hëna

| E diele, 29.06.2008, 03:20 PM |


Shefqet Dibrani
Shefqet Dibrani

Nga libri “LARG PIKON HËNA”, poezi, Tiranë 1994

1. PAGËZIMI

Ditën kur linda e bërtita
Durim më pagëzuan ...
Me shpresë t’i duroj kobet
e rrebeshet,
që koha volli për mua ...

2. MOS M’I LËKUNDNI MURET !...

Mos m’i lëkundni muret, mos!
Se po zgjohen prapë gjarpërinjtë
e shtatoren time të zbehtë
Si Laookontin ta mbërthejnë,
ta lidhin
e gjakun t’ia pijnë...
Ooo, mos m’i lëkundni muret, mos!

3. ANKTHI

Herët
zemra m’u dobësua ...
Çdo ditë prehem pranë varrit
që hapën të tjerët për mua.
Mbi Urën e Fshejtit kaluan
shtegtarë të paudhë ...
Vështirë e ka Drini
t’u humb gjurmë ...

4. RA BRYMË E GJITHÇKA SHKRETOI ...

Si shpirti i lodhur po shkrihet bora,
dielli gjithçka po zgjon:
bilbili harbon,
uji gëzon,
bari thërret
dhe trëndafili qesh,
lejleku lahet në và,
qyqja thërret të vëllanë ...

(Oh, shemra po ndjell një kob të zi,
pusho ti!)

Si shpirt i lodhur bora u shkri ...
Ra nat’ e kthjellët, e ftohtë – Akull,
e nëpër ftohtësi
o zot, hëna tmerrshëm po ndrit!
Dhe një fllad brisk tëmthat t’i ngrin
e yjet xixëllojnë çmendshëm
O natë kobzezë,
ç’do të pjellësh nesër?!

Ra brymë
e gjithçka shkretoi ...

Brenda një nate u çbë behari,
u dogj trëndafili -
e mbyti zjarri ...
fusha u nxi, pylli u tha,
edhe lejleku s’lahet më në và,
u kthye kah kish ardhë ...
Me rroba dimri u riveshën fëmijët,
të kuq i kanë sytë.

Veç shemra pranë shtëpive tona -
e zezë si mortja ... Ah, tash ndërroi
melodi (!)
Po shpirti ynë ende regëtinë...

Pranverë 1981

5. NËPËR RRUGËT E PRISHTINËS ...

Gjithë ditën e ditës nëpër rrugët e Prishtinës
      i pashë
me trasta në sup
varfanjakët
kantonjereve bërllokun duke hallakatur…

Një plak i mjerë
kërkon kothere buke për kalamajtë e shkretë,
belbëzon
e mbledh në bërllok,
në kantonjerin e parë, ja e gjeti një copë,
buzëqesh,
e fshin dhe e fut në trastë…
Pastaj shtyhet në kantonjerin e dytë,
ndalet gjatë duke hallakatë, shan zot e fat,
se asgjë nuk gjet…
(U vonove, plak, aty më parë ishin të tjerë.)
Po plaku vazhdon rrugën e vet:
nga kantonjeri në kantonjer,
në njërin shan, në tjetrin qesh…

O Zot, ndihmomë në këtë fundshekulli të mjerë
    ndihmomë o Zot,
mos të shoh as në ëndërr çka pashë sot
gjithë ditën e ditës nëpër rrugët e Prishtinës!
 
Kosovë, shtator 1995.

6. MBRËM I ETUR PËR FJALËN

Jusuf Gërvalles

Mbrëmë, i etur për fjalën,
gjithë natën portretova Jusuf Gërvallën...
Nëpër vijat e holla më dridheshin gishtat,
flokët e tij të shprishur,
rrudhat e ballit që hapeshin e mbylleshin
Biseduam bashkë për Shkup e Shkodër,
gjan’ e gjatë i ramë Kosovës,
(oh, sa jemi kënaqur!)
mbrëmë me Jusuf Gërvallën ...
Një natë e gjatë me fjalë gjer në mëngjesin e ri,
sa u gdhi,
një lumë lotësh prej hokash e syve tanë u fry,
Dikur i ramë kitarës, kënduam me mall,
thamë vargje poetike me mija
e pimë kafe të zeza, pelin
e një lumë i zi prej hidhërimit tonë u fry ...

Me krye mbi portret më gjet dita e re
dërmuar prej gazavajit
Para meje ai s’ishte më me trup e me zë,
veç nëpër vijat e holla dridhej
buzëqeshja e tij
dhe një fjalë - amanet i gjallë - në buzë një fjalë:
Mjaft këtu! Kah Kosova kur po mësyni!
Mjaft këtu! Lëre mënjanë portretin tim,
atje,
atje në Dukagjin
është lokja që pret kthimin tim,
Derën e shtëpisë hapur ma la
E më tha... e më tha... e më tha     

Zvicër, korrik 1992

*Jusuf Gërvalla - poet, shkrimtar, muzikant e publicist, vrarë me atentat më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë.

7. DIKUSH MË PËSHPËRIT...

I vetmuar çapitem udhëve pa fund.
Nuk ia prish qetësinë askujt,
as mizës së dheut, për besë!

Më degdisin rrugët me krye e pa krye,
asnjërës s’kam forcë t’ia mësyj -
të gjitha më çojnë në skëterrë,
nuk dyshoj, për besë!

Asnjë fjalë në gjuhë të dheut tim,
në këtë qytet të bukur vetëmia
gjer në palcë më ka ngri
e njerëzit më shohin me xhelozi (!)

Po largohem nga ky qytet ku si shigjetë
më shpon një fjalë në vesh:
“I huaj je në këtë dhe!”

8. ZEMRA IME QËNDRO

Si tambluca nëpër mure u bëra... o Zot!
I dërmuar bredh nëpër botë,
gulçimat s’më lënë të ec e
një thes
plot kujtime më rëndon, zemra ime,
Zemra ime, qëndro!
Me shpresë se nuk vonohem tepër
nëpër botë duke bredhur
i nënçmuar sa s’ka më...
kujtoj... dhe s’bëj zë, shpirti im,
Shpirti im, ki guxim!
Me një ëndërr t’ëndërruar,
me një lakmi të tepruar
të pi ujë te burimi
e tanëzat të më zënë.

Oh, Nënë!
e largët më je si hënë!
E ndjenjat rrinë atje,
atje ku zemra rreh, zemra ime,
Zemra ime qëndro!
E shpirti dridhet si gjeth
në erë, shpirti im,
Shpirti im, ki guxim!
Si tambluca nëpër mure u bëra... o Zot!

9. VETMI

U bezdisa nëpër botë ... Tëmthat m’u ngrinë!
Fillikat mbi këtë dhé... dhe heshtje, heshtje,
Heshtje!

E duart plot me kakusha
nga kazma e huaj, që s’më ndahet; veç në gjumë
     s’ kam me vete.
Në mbrëmje vonë pi në tavernën e ndyrë
t’i harroj të gjitha:
edhe bezdisjen,
edhe duart me kakusha
e mbi të gjitha heshtjen - që më kall tmerrin.
Shpesh më marrin halucinacionet,
me duar të padukshme më prekin
e me ditë s’e ndiej veten...

Ooo, jeta ime e pa prehje e dërmuar,
jeta ime plot kakusha nga kazma e huaj...
Veç kur dehem harroj pak,  prehem,
e vras heshtjen ...
E edhe atëherë gota e zbrazur
më lidh pas qerres së vet...
Ku ta fus kryet ? As tëbanë nuk kam
e qeprat e shtëpisë kalbur janë.
Thonë: shtëpia pa njerëz shpejt rrëzbitet,
në sofër as hithërnik nuk kam.
E vetmia më ndjek si hije (Veç vetmia,
askush tjetër...)
me një sy të fshehtë ciklopik
në lule të ballit, që emrin e ka heshtje ...

10. NË DHEUN TIM

Edhe duart m’i mpiu vetmia
me fjalë në vesh, me fjalë në vesh...
Po zemra te dheu im rreh,
shpirti te dheu im digjet...
Eci e nuk rri se mund të shtangem.
Ky dhé i huaj fort ma ka mëri.
Unë e di, atje do të kthej,
atje ku më dha nënëlokja gji.
T’i këndoj këngët e mia bjeshkë më bjeshkë
e vërri më vërri
e t’i vesh ato tesha bardhezi
si dhëndër i ri,
të qesh, të flas e frymë të marr në liri

11. LARG...

Larg të afërmve, në perëndim,
jeta ik e unë ndiq,
unë këtu e malli atje
Atje... tek uji i ftohtë i Llapit,
që s’e shuan vullkanin e mallit.
Po gjer kur, gjer kur
larg do të më jetë vendlindja?
Sytë e mi mbetën kah Dardania.

12. LLAPI...

“Llapi nuk kalohet në këmbë...”* As me ajrore
nuk i bihet Llapit.
Në zemër të Dardanisë e keni Llapin.
Llapin – palcë e Kombit.

Kurrkush nuk e gjeti fjetur Llapin,
Llapin – kockë që të mbetet në fyt,
Llapi shtrihet përgjatë Ilirisë,
Llapi – zemra e shqiptarisë.

Nga Mollë e Kuqe gjer në Qirez  shtrihet Llapi,
Llapi me yje lirie – Elfete Humolli e Afrim Zhitia,
në shtatin e Llapit e falën gjakun Aliu e Fahria...

Llapit ik barbari kah ka ardhur,
Llapit del fushës djalli i zi me shtatë sy,
Llapit pylli rritet rreth shtëpisë,
Llapi – shpirt’ i Dardanisë.

Në dritare Shaban Shala ia mat shtatin Llapit,
te Moll’ e Kuqe ngul bajrakun -
shtatë shekuj ëndrra lirie...
E në veri të Llapit rri barbari i zi me shtatë sy

*Varg i poetit Ali Podrimja

13. EJA DASHURI!

Në sytë e tu shoh një ditë
që lind e lind...
Eja, dashuri
muzg të mos kem!

Shëtis me ty krejt rrugët e qytetit
gjer vonë...
Nuk dua kurrsesi të mbyll në dhomë
hapësirën që ndiej,
dritën që shoh

Eja të kapemi për dore si fëmijë,
    eja, dashuri,
të qeshim e të qeshim
sa ta trandim qytetin
e sonte kurrkush të mos mbyllë sy,
eja dashuri!


14. HABER...

A      
R   Z        A
B   A   I   G
Ë   N   D   I
R   A   A   M 

Të nderuar miq, ju përshëndes!
Nga mërgimi ju çojmë haber;
ditën e dytë të javës,
muaji qershor, moti i sivjetmë,
u shtuam me fëmijë

Donikë i thamë bukurisë së parë
ëndrrës së parë,
shpresës së parë,
që Zoti na e fali.

S           F
H          E
E    D    X
F    O    H
Q    N   R
E     I     I
T     K    J
I      A    A

Zvicër, qershor 1992


15. AMANETI

Nëse vdes pa lënë amanet
me ujë Drini më lani,
më mbuloni me këngë Llapi
dhe mos më qani!...
Se halli e malli lot
s’më panë kurrë,
Jetën në sy e pashë -
si burrë