| E diele, 24.08.2014, 07:42 AM |
Prof. SHEFIK OSMANI: LIBRI I RI,
“LIGJËRATA DHE SHKRIME TË ZGJEDHURA”
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë
1.
Tashmë, emri i pedagogut e studiuesit në fushën e arsimit kombëtar shqiptar, të ndjerit prof.Shefik Osmani, është bërë mjaft i njohur me botimet e tij. Ato janë, kryesisht të kohës, kur ai ishte ende gjallë dhe në veprimatari të pasur e të frytshme. Por, gjithashtu, lexuesit kanë dijeni edhe për disa botime, që janë bërë kohët e fundit, me kujdesin e bashkëshortes së tij, Urti Osmani, “Mësuese e Popullit”. Këta libra janë: “Përjetë me Shefikun”(Tiranë, 2013), me autore U.Osmanin dhe “Vlerësime për prof.dr. Shefik Osmanin” e “Figura të shquara të arsimit dhe të pedagogjisë”(Tiranë, 2014), që të dy këta me autor Sh.Osmanin.
Ndërsa libri i katërt i kësaj “serie” është ai me titullin “Ligjërata dhe shkrime të zgjdhura”(Tiranë, 2014). Gjithashtu, ai është përgatitur nga Urti Osmani dhe është venë në qarkullim, para pak ditëve, nga Shtëpia Botuese “Filara”, Tiranë.
2.
Libri, për të cilin folëm më lart, ka redaktor prof.dr. Tomorr Osmanin,”Mësues i Popullit” dhe përmban gjithësej 397 faqe. Ai është i ndarë në pesë kapituj: “Ligjërata në tubime të ndryshme”, “Një ashkël e shkëputur nga vargani i abetarave shqipe”, “Universiteti i Tetovës, me “gjak arbër” në themele dhe shkrime të tjera”, “Vlerësime për vepra, libra shkollorë dhe historikë” e “Nëpër Diasporën Shqiptare”.
Siç vërehet lehtë, tematika e shkrimeve, që janë përfshirë në këta kapituj, është e gjërë. Një vend me rëndësi zë pasqyrimi i udhës nëpër të cilën ka kaluar shkolla kombëtare shqipe. Për kët gjë, autori Sh.Osmani ka folur në disa shkrime, si: “Arsimi dhe kultura në trevat e Myzeqesë”. “Kongresi kombëtar për problemet e arsimit dhe themelimi i Shkollës Normale të Elbasanit(1909)”, “Kongresi Arsimor i Lushnjës dhe çështjet didaktike që diskutoi”,””Herbartianizmi” dhe shkollat e hapura nga Drejrtoia e Arsimit në Shkodër, gjatë viteve 1916-1920” etj.
Është i njohur roli shumë i madh e i pazëvendësueshëm i abetareve shqipe, për mbarëvajtjjen e arsimit në gjuhën tonë amtare. Prandaj, prof. Shefiku e ka trajtuar me përparësi udhën e përshkuar në këtë fushë. Për këtë qëllim, ai shkroi e publikoi shkrime të tillë, si: “Nga Abetarja, te Lexim I”, “Abetarja, teksti që lidhë tre shekuj” e “Teksti që u përket tërë shqipfolësve”. Po kështu, me interes janë shkrimet, që dëshmojnë rolin e “abece”-ve të Kumanovës, Jovan Terovës, Anastas Kulluriotit etj.
Në vazhdimësi, autori ka bërë vlerësime për disa libra shkollorë e historikë, që nga “Çeta e Profetëve”(1685), “Dituritë” e Naimit” dhe tekstet mësimorë të Sami Frashërit. Me vlera janë dhe shkrimet kushtuar historikëve të shkollave shqipe në disporën shqiptare, si në Gjermani e SHBA, në Bukuresht, Zvicër etj.
…Pa
treguar më shumë për këtë botim të ri të prof. Shefik Osmani, dëshirojmë që përsëri
të shprehim këtu nderimin dhe respektin për punën e tij të përkushtuar, gjatë tërë
jetës, për ndriçimin e udhës së ndritur të shkollës shqipe dhe të arsimit tonë kombëtar, në përgjithësi.