E premte, 29.03.2024, 02:29 AM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Krisma partiake me plumba qorr

E premte, 22.08.2014, 07:07 PM


KRISMA PARTIAKE

ME PLUMBA QORR

NGA KALOSH ÇELIKU

Përderisa, shqiptarët do të bëjnë arsim, kulturë dhe do të shpallin qytetarë nderi nëpër lagje të Shkupit e katunde, nuk ka kërcim gardhi matanë livadheve. Faji është mbarëshqiptar, e shumë pak i artistëve pa sherr e të lënur pas dore nga shoqëria dhe Shteti i “përbashkët” maqedonas. Historikisht, politika ditore ka manipuluar me këtë shtresë të pambrojtur të artistëve shqiptar. Partizanët e partive politike, i kanë manipuluar dje, i manipulojnë sot, do t’i manipulojnë edhe nesër krijuesit si “viktima artistike” të pakrah rrugës tyre qiellore. Në emër të tyre organizojnë Akademi përkujtimore, çmime letrare shtetërore, “vera kulturore” e shpallin qytetar nderi nëpër katunde e lagje të Qytetit. Përbaltin për çdo vjet arsimin dhe kulturën shqiptare edhe më zi se ish Partia Komuniste. Partizanët e tyre gjysëmanalfabetë, që nuk kanë haber nga arsimi dhe kultura, nuk bëjnë arsim dhe aktivitete kulturore, por zhurma kulturore për t’u dukur para kamerave televizive, sa herë që partia e tyre vjen në pushtet. Nxjerrin gazeta e “revista kulturore” duke u përpjekur t’i shuajnë ato tradicionale (Stili 97), që për kohën kanë sjellë një zë të ri në Letërsinë Shqiptare. Manifestimet tradicionale kulturore ndërkombëtare i marrin nëpër këmbë, gjoja se edhe ato dinë dhe janë të aftë të organizojnë manifestime kultuore, bindin Nënën Parti me “dasma kulturore” të improvizuara familjare. Poetë anonim, që nuk i njeh as nëna e tyre e ku më katundi, i shëtisin rrugëve dhe nëpër varre si “Nova Godina” (Viti Ri), vajzën e saj të vogël nëpër Qytet gjithë ditën e gjithë natën përdore.

Gjithë kjo zhurmë kulturore, zgjatë për aqsa është partia e tyre në pushtet. Vetëm Mbrëmjet e Poezisë Strugane kanë jetë të gjatë në këtë shtet të “përbashkët”, pa marrë parasysh se cila parti politike maqedonase vjen në pushtet. Aspak, nuk e vrasin mendjen se, shqiptarët me forcat e veta manifestimet kulturore tradicionale i kanë mbajtur dhe i mbajnë gjallë plotë vështirësi me vite, që nga koha e egër komuniste. Trurin dhe pasurinë e kanë vënë në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare. Qesharake është, në Ditën e sotshme me shqiptarët, zhurmë bëjnë edhe për Mbrëmjet e Poezisë Strugane (2014). Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar, që falë edhe shqiptarëve këtë vit shënon 53 vjetorin e mbijetesës artistike. Mbrëmje të Poezisë Strugane, në të cilat: kurrë, deri më sot nuk ka qenë i ftuar dhe s’ka shkelur këmba e Ismail Kadares. Patjetër, kësaj radhe, kur manifestimin kulturor do ta bojkojtojë Komuna e Strugës, do të gjëndet ndonjë poet anonim të cilin vështirë e njeh nëna e tij, e ku më katundi nga Shqipëria, Kosova, ose IRJ e Maqedonisë, i cili do ta prezentojë në “nivelin e arrirë artistik” mbi urë edhe poezinë mbarëkombëtare shqiptare. Njollosin vargun shqip të Naim Frashërit me shokë, Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Frederik Reshpjes, Dritëro Agollit, Teki Dërvishit, Azem Shkrelit, Rrahman Dedajt, Ali Podrimes, Sadudin Gjurës, Mehmedali Hoxhës, Abdylazis Islamit, e Murat Isakut. Manifestim Kulutror Ndërkombëtar, në të cilin Partia politike shqiptare në pushtet ka pasur të emëruar edhe Drejtor shqiptar të manifestimimit, por kurrë deri më sot gjuhën shqipe nuk e ka nxjerrë në dritë si gjuhë të barabartë në Shtetin e “pëbashkët”. Punë tjetër është ajo se, gjuha shqipe në këtë qytet të poezisë me shumicë shqiptare, nëpërkëmbet vite me radhë nga organizatorët, gati një gjysëm shekulli e përçudi, shqiptarëve sot u ka dalë gjumi?!  Manifestim kulturor, që sivjet e bojkoton edhe Kryetari i Komunës Strugës, z. Zijadin Sela, por nuk e bojkotojnë “poetët” shqiptar. Hap historik, të cilin duhet ta bëjnë krijuesit shqiptar anembanë Atdheut. E pamundur, më përgjigjesh ti si shqiptar mes këtyre rreshtave: kur, “akademikë” shqiptar e poetë oborri i ke gati për çdo vjet në këtë “manifestim kulturor” me fjetje, darka e honorare marramendëse. Miljona euro derdhen për këtë “manifestim kulturor” edhe nga djersa e shqiptarëve, kur në Shtetin e “përbashkët” shqiptarëve për një manifestim të këtij niveli kulturor ndërkombëtar nga Ministria e Kulturës në IRJ të Maqedonisë, u mbyllet goja me një “ndihmë sociale” prej 70.000,oo den. (rreth një mijë euro).

Imzot, kujt i them dhe i çaj dërrasa në Ditën e sotshme, kur zjarr na digjet mbi krye si shqiptarë: Cungut të shelgut në livadh. Dru, të cilit më lehtë e ke t’ia vësh zjarrin, sesa sëpatën ta gëdhendësh tra shtëpie, mbajë mbi shpinë nëpër shekuj çatinë me tjegulla e baxhë dhe oxhakë që e përcjellin tymin drejtë qiellit, matanë mjegullave. Pykës së tij sakate të shelgut, që më shumë e ka për t’u dukur dhe bërë zhurmë politike e kluturore, për përfitime personale, familjare e klanore, sesa për ta çarë cungun me nyje në mes të Lëmës. Prirje ka për t’i ngulfatur Manifestimet Kulturore Tradicionale Shqiptare me themelimin e atyre “nëpër ferra” të dasmave politike, sot për nesër” e të veshura me petka njëpartiake. E, sidomos kur nuk arrijnë t’i fusin dot në dorë këto Manifestime Kulturore Tradicionale nën kthetrat e tyre “ushtarake” partiake. Rast konkret, psh: “Flaka e Janarit”. Manifestim Tradicional Kulturor, të cilin dikur mezi e themeluam me shokë para syve të policisë letrare, sot e kanë uzurpuar e politizuar deri në palcë partizanët e partive politike. Organizatorët nderojnë me mirënjohje e çmime letrare edhe djemtë e komunistëve, por kurrë nuk u teket të ndajnë ndonjë çmim letrar për krijuesit që i kanë kaluar kufinjt e Atdheut. Risi kulturore sjellin si organizatorë, herë pas here edhe rrufjanët i stolisin me këto çmime letrare. Pavetëdije, e kanë banalizuar e nëpërkëmbur këtë manifestim kulturor historik duke themeluar gati në çdo qytet nga një “Flakë Janari”. Nateditë i shpërndajnë mirënjohje e çmime letrare të hurit e litarit. Partizanëve të partive politike, familjarëve dhe klaneve të tyre që vijnë pasmesnate në shprehje, pse jo edhe t’i “zbulojnë” këto dudukë të artit dhe stolisin edhe me kurora artistike. Punemadhe, që jeta e tyre ka jetë “patriotike - artistike”, aqsa është në pushtet partia e tyre politike, ose kryetari i komunës shqiptare nga radhët e tyre partiake. Interesant është, kohën e fundit: gati të gjitha komunat shqiptare merren me organizimin e “Javëve e Verave kulturore”, e pak vlera të arrira nxjerrin në dritë, sipërfaqe. Nateditë u kënaqën me koncerte muzikore, përurime të librave, “Tinguj Çarshie” e fishekzjarre nëpër rrugë e livadhe me bërllokun deri në fyt para dere. Përmëkeq, këto “Javë e Vera kulturore”, zgjasin aqsa zgjatë jeta politike e Nënës Parti në pushtet argati, ose Kryetarit të Komunës shqiptare.

Nesër, vjen Tata e Madhe. Nëna tjetër e stolisur me lulelale e duvak në kokë. Cucat dajren e bëjnë copë-copë në Lëmë. Gratë brez për brezi hyjnë në valle me këngë: Nusja jonë me limona,/ a ma mirë te na a te Nona. Babai, hudhë struken krahëve në mes të oborrit, e nxjerrë mauzerrin nga hatullat. I biri alltinë nga brezi. Lodraxhiu çmendet në dy gjunj mes Lëmës e këndon alltia. Fisheku i zbrazur kushton sa një libër. Merreni me mend, sa fishekë harxhohen në një dasëm familjare, kur i zoti i dasmës nuk e ka as edhe një libër për farë në shtëpi, së paku një libër këndimi për fëmijët. Eurot e dollarët fluturojnë mbi kokat e këngëtareve si fluturat mbi livadhe. Partizanët e Nënës Parti, kur i shohin kaq të përmalluar për Atdhe (Mëmëdhe), ndizen zjarr, i përveshin duart deri në bërryla t’u ngrisin përmendore “dëshmorëve” të Nënës Parti, në Katund. I vizitojnë partizanët partiak dhe familjarët e tyre me kurora të luleve duke u fotografuar krah për krahu para kamerave televizive. Fjalime maratonike e lotë krokodili duke derdhur mbi varre. Gojën plot demagogji, pothuajse shqiptarët vetëm në kohën e tyre “çlirimtare”, kanë dhënë dëshmorë e heronj lufte. Historia shqiptare, fillon dhe mbaron me këta kalorës të arratisur.  O Imzot, po ku të lë ty ore Skenderbeu, Bajram Curri, Ismail Qemali, Shotë Galica e Kalosh Zajazi me kaçakë ta bësh Histrinë Shqiptare livadh me ferra?! Naimi me Rilindasët shqiptar. Fishta me Lahutën e malëcisë e Mrizin e Zanave.

Shekuj më parë, shqiptarët sipas tyre kanë qenë të vdekur, nuk e kanë bërë asnjë luftë historike?!  Fjalën, tashti do t’ua japin atyre “akademikëve” e dudumëve, që për sa kanë qenë gjallë artistët, jo vetëm që nuk i kanë përkrahur si krijuesë shqiptar, por edhe  i kanë përndjekur me rrufjanët e tyre këmba – këmbës duke i luftuar si të “rrezikshëm” për Shtetin e “përbashkët” dhe Zotin e Madh, që ende nuk e mësoi Gjuhën Shqipe.

Interasant, përndjekësit e djeshëm, sot i dalin zot edhe artistit të “vllazërim - bashkimit” dhe piktorit me famë botërore, Omer Kaleshit. Përmëtepër, e shpallin publikisht pa fije turpi para mjeteve të informacionit se, babën e ka pasur shqiptar e nënën “maqedonase” nga Sopi, afër Kërçovës. Fshat, i djegur dhe zhdukur sot me themele nga forcat shoveniste serbe. Cuca e vogël asaj kohe, mezi shpëton gjallë me dy-tre bashkëfshatarë dhe e merr në mbrojtje si viktimë lufte, e më vonë si grua hoxha i Katundit, babai i Piktorit. Fare, “burrat e kombit” nuk merren me vlerat artistike të Piktorit, por me përkatsinë nacionale e fetare të nënës tij dhe babait.

Mosdija, apo individë partiak për karrierë politike, edhe sot si dje bredhin dhe manipulojnë me personalitete shqiptare. Nëse, është dashur dikushi të flasë për nivelin e këtij kalibri të piktorit me famë botërore, ai ka qenë Ismail Kadare edhe si mik i Piktorit. Dihet, rruga e tij artistike nga Tirana deri në Shkup kushton si personalitet i letrave shqipe me famë botërore dhe kandidat për Çmimin Nobël. E jo, Luan Starova si ambasador i ish Jugosllavisë socialiste që në këto trumbetime njëpartiake kulturore të politizuara deri në palcë, vjen për rehabilitimin e vetes edhe pa pare. Ngushëllime “në pamje” shqiptarëve, që sot më së paku ka nevojë populli i përndjekur shqiptar me shekuj. Që, ma merr mendja se, në atë kohë si ambasador jugosllav dhe shkrimtar maqedonas nuk ka pi as edhe një kafe me Piktorin shqiptar, në Paris.

Shpallja e piktorit si Qytetar nderi i një lagjeje të Çairit, vetëm ia ka ulur nderin dhe famën një piktori të madh shqiptar, i cili mezi e fitoi nëpër botë dhe ia nëpërkëmbi vendlindja. Faji, nuk është i Piktorit, por i këtyre partizanëve të dalldisur pas karrierës politike, që për ta shpëtuar veten nga hurdha e Lumit të Zajazit, manipulojnë personalitetet kombëtare për një post politik. Mendja i rren se, do të dalin mbi sipërfaqe të ujit me pak shpirt si “shpëtimtarë” të arsimit dhe kulturës shqiptare. Djersën e popullit shqiptar do ta harxhojnë për biznese private: shtëpi, banesa familjare, makina luksoze e libreza kursimi nëpër bankat e vendit dhe atyre botërore. Padashtas, ma përkujtojnë atë anekdotën popullore shqiptare: Burri dhe gruaja, ditën e shtunë kur shkojnë në Pazar. Rrugës, mes fushës e shohin një arë të kositur me dertelinë (jonxhë). Gruaja  i thotë burrit: Sa bukur e paskan kositur gratë me gërshërë jonxhën! Jo, i përgjigjet burri. E kanë kositur burrat me kosë. Budallai, ia pret gruaja plumb: unë them e kanë kositur gratë me gërshërë, e ky mjerani burrat me kosë?!

Zënka vazhdon rrugës për në pazar mes gruas dhe burrit: jo e kanë kositur me gërshërë gratë - gruaja, jo me kosë burrat - burri. Mosmarrëveshja arrin deri te ura e lumit në hyrje të qytetit. Burri, dikur nervozohet dhe ia ngrenë këmbët në “hava” gruas, bythekrye nga ura e hudhë në mes dallgëve të lumit. Përsëri, gruaja duke u fundosur mes valëve të rrëmbyeshme me dy gishtat e dorës lartë mbi ujë imiton gërshërët, ngulë këmbë se: Arën e kanë kositur gratë me gërshërë.

Burrit, dikur i dhimbëset xhadia, delë disa metra mbi urë dhe e pretë të dalë në sipërfaqe. Kalimtarët e rastit e shohin dhe e pyesin: çka bënë, o burrë në breg të lumit? Përgjigjet burri: e fluka gruan nga ura dhe e pres të dalë mbi ujë. Mirë bre burrë, i thotë një kalimtar rasti, po ti e hudhe nga ura në ujë dhe e pret të dalë në anën e kundërt të rrjedhës së lumit?! Lumi ecën teposhtë për në qytet, e nuk shkon përpjetë shtratit?! Eheheee, i përgjigjet burri: Nuk e di ti çfarë xhindihallje ishte ajo xhadi, ti e hudhë nga ura në ujë ta bartin me vete dallgët, e ajo delë në rrjedhën e kundërt të lumit. Ngjarja, gati e njëjtë si mospajtimi im në shkrimet publicistike me Hoxhën e Allahut.

Gabimi më i madh tragjik, ende nuk është berë me Omer Kaleshin. Komuna e Çairit ditë më parë e shpalli qytetar nderi të Çairit. Javë, muaj ose vite me radhë do t’ia themelojë edhe një Galeri Artistike Kombëtare në emër të Piktorit, në Bit- Pazar. Përgëzime, ideatorëve! Kërçova, edhe ajo do t’ia themelojë një Shtëpi - Galeri Piktorit me famë botërore në vendlindje. Problemi është se, ende nuk mund të merren vesh partizanët e Nënës Parti, a do t’ia ngulin themelet kësaj shtëpie artistike në Zajaz te “Nëna Shqiptare”, apo te një odë e Shtëpisë së Kulturës, në Kërçovë.

Edhe atë, në Ditën e sotshme: kur shtegdaljen, shqiptarët e kanë para dere. Punë tjetër është ajo se, a e shohin Portën e Madhe të hapur krah më krah, apo jo në mes të Kërçovës: ish Shtabin ushtarak me ndërtesa moderne e pishinë turistike, në mes të Qytetit. Garnizonin e dikurshëm ushtarak, që me tërheqjen e Ushtrisë jugosllave në këtë kohë ka mbetur i shkretë e pa zot, në mëshirën e krimbit të kohës. Ditë historike, kur shqiptarët nuk kanë shtëpi kulture, institucione kulturore, bibliotekë moderne e as seli të shoqateve kulturore - artistike me çati të përhershme mbi kokë. Hera e dytë gjatë një shekulli, që Kërçova e ka Kryetarin e Komunës shqiptar. Momenti është, t’i lënë anësh dalldisjet e “verave kulturore”, por t’i përveshin duart deri në bërryla dhe t’i futen punës. Pasurinë e patundshme, që na e la si trashëgim sistemi komunist, sot ta përvetsojnë për vete dhe strehojnë shoqatat kulturore - artistike nën çati.

Problemi artistik: partizanët e partive politike nuk i kanë këto rrugëdalje të kaçakëve të malit nga oxhaku, baxha mbi çati,  ose “kapixhiku” pas Shtëpie, po si ta grabisin djersën e popullit shqiptar. Fundekrye janë kaçakë fushe me një mauzerr përqafe pa fishekë. Ditëve të verës me partizanët e tyre të na organizojnë edhe “kënaqin” popullin me: “Vera kulturore”, fundekrye të veshura me petka njëpartiake e fishekzjarre. Shpenzime të panevojshme, para me të cilat do t’i sigurinin daljen e revistave për fëmijë në dritë, lektyrat dhe tekstet shkollore të fëmijëve të tyre këmbëzbathur, të cilët pritet edhe këtë shtator ta shkelin pragun e shkollës me çantat e zbrazura pa libra mbi bangë.

Amani, së paku e leni rehat sot arsimin dhe kulturën shqiptare! Gati një shekull e nëpërkëmbi Partia Komuniste, tashti edhe ju duhet t’ia jepni hakun?! Në vend t’i bini me thupër samarit, i bini gomarit. Krismat partiake me plumba qorr, sot janë larg majave malore me borë, nën nivelin artistik të “kohës artë” të Partisë Komuniste. Sharri plak, është larg. Baba Tomorri i Çajupit, edhe më larg.

Dhe, kurrë me këto mendë në kokë, nuk do të na nxirrni si popull shqiptar matanë gardhit politik. Livadhin me lule duke e rrethuar përditë me thupra shelgu…



(Vota: 30 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora