Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kostaq Duka: Loti i nënës

| E marte, 12.08.2014, 07:33 PM |


Kostaq Duka

 

Loti i nënës

 

Djeg e përvëlon

një lot në sytë e nënës.

Një lot

që nga shpirt i vrarë dhimbje nxjerr.

Oh mos e lini të bjerë përdhe

lotin

shkaktuar nga mungesë e dashurisë

së pjellës së vet.

 

 

Vdekja dhe jeta

 

Nëse vdekja

herë, herë

s’do më shfaqej ashtu tinzare, pa u ndjerë,

përtej të zakonshmes

jetës s’do i jepja të paçmuarën vlerë.

 

 

Vetja

 

Shpesh na duhet veten ta kërkojmë.

Veten që humbet diku

vitrinave llamburitëse,

qetësisë së remë,

errësirrës thellë.

Vetja na ik

e na lë pa trajtë e tingull

braktisur, jetimë.

Dhe ndodh

edhe një dritëz e trembur

pas një stuhie të gjatë

veten e kthen

të malluar, të drithëruar

si  një dashuri tmerrësisht munguar.

Pas kësaj

rifillime kërkojmë

për ecje të tjera të mëdha.

 

 

Hiret e vërteta

 

Burrë!

Qoftë edhe njëherë

joshu, lajkatohu,marrosu, poshtërohu,

nga një profesioniste koketë,

për të kuptuar

vlerën e gruas që pranë teje qëndron

pa nxjerrë në treg

hire të remë.

Gusht 2014