Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kim Berisha: Arrestoni imamët që i krijojnë terroristët

| E hene, 11.08.2014, 09:42 PM |


Gjeni e arrestoni imamët që i krijojnë terroristët

Nga Kimete Berisha

Xhihadistët shqiptarë i paskan do veçori që i dallojnë nga kolegët e tyre arab të 'idealit'.

Dyzet xhihadistët e sotit nuk i rezistuan policisë kur u arrestuan!

Policia e Kosovës mundka të jap kontribut masiv në luftën botërore kundër terrorizmit, se paska taktika t'i gjejë në gjumë terroristët, pa pasur nevojë t'i vrasë, dhe pa rrezikuar të vritet prej tyre!

Dhe, paska mundësi t'i urtojë ata, t'ua bëjë punën të dorëzohen qetësisht para prangave të ligjit, pa kundërshtuar për asnjë çast!

Kosova sot po duket e gjallë, sikur papritur u rilind.

Për një çast po dukemi shtet perendimor.

Lajm i mirë që u arrestuan 40 armiq të shtetit, por urgjentisht të mbyllen edhe të gjitha xhamitë ilegale, pa minare, ku mësohet urrejtja dhe ku stërvitet lufta e muxhahidëve kundër të gjithë atyre myslimanëve dhe shqiptarëve të besimeve të tjera që s'janë ekstremistë si ata!

Të arrestosh xhihadistët, e të lësh hapur 'xhamitë' e tyre, është njësoj sikur të arrestosh të droguarit nëpër bodrume të braktisura, por të lësh të hapur tregun e drogës për zgjerimin e rrjetit të narkomanëve!

Apo edhe të arrestosh prostitutat e të mos i mbyllësh shtëpitë publike.

Gjeni e arrestoni imamët që i krijojnë terroristët, i motivojnë, i frymëzojnë, që u kanë bërë magji deri në delirium!

Terroristët janë të cektë dhe injorantë të mëdhenj, sipas informatave më të reja nga psikologjia, por këta 40 terroristët shqiptarë paskan qenë shumë më të mençur sesa kolegët e tyre arab.

Këta u dorëzuan sot para ligjit, si qytetarë të rëndomtë, duke injoruar për një moment ideologjinë e xhihadit, që thërret për luftë dhe vdekje të jobesimtarëve dhe për vrasjen e gjithkujt që e kundërshton ideologjinë e tyre barbare!