Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Konica, dilemat dhe ''mëkati''

| E diele, 10.08.2014, 03:16 PM |


KONICA, DILEMAT DHE “MËKATI”

Fletore koniciane nr. 3

Nga Fotaq Andrea

Siç kemi bërë tashmë të ditur në Fletore koniciane nr. 2 (Kur puqen dy male në vargmal miqësie), letrat e Faik Konicës drejtuar poetit të madh francez Guillaume Apollinaire, që ruhen në Bibliotekën Rishëljë të Parisit, përmbajnë, krahas një mori çështjesh me interes të përbashkët për dy mjeshtërit e mëdhenj të gjuhës frënge e shqipe, edhe shumë hapje zemre, si një nevojë shpirtërore për të shfaqur secili prej tyre atë intime që rrallë i besohet kujt, veç në qofsh i lidhur me një miqësi të pastër në shkallë të epërme. Ndodh kështu me Konicën 28 vjeçar dhe Apolinerin 23 vjeçar, duke filluar nga ai vit 1903, kur nisin të letërkëmbejnë së toku me besim të mahnitshëm nuhatur së largu te shoshoqi, jashtë kornizave të modestisë së shtirur. Sidomos kur në këtë mes, fjala është për çështje delikate zemre, për ndjenjë dashurie të fuqishme, atë që, te gjeniu, bëhet shpesh burim frymëzimi përsosur artistikisht në vepra të pavdekshme.

Dhe ndjenja e dashurisë, e vuajtjes dhe përvuajtjes shpirtërore, dihet që çon larg. Nuk e kemi fjalën këtu për asi qarjesh e përlotjesh, aventurizma të shpirtit me përfundime tragjike apo në të kundërt, për dashuri nga ato flakëkashtet a të rëndomtat që mbarojnë në bisht peshku. Jo, ka edhe një ndjenjë të fortë dashurie të qëruar që, në mënyrë të skajshme merr formën e mirëfilltë të mëkatit dhe që bëhet shtysë e fuqishme për vendimmarrje të reja. Sjellim si shembull dashurinë e Tat Tanushit të të mahnitshmit Kutel te kryevepra “E madhe është gjëma e mëkatit”...

Më 28 tetor 1903, në një nga letrat e para të Konicës drejtuar Apolinerit, kur të dy gjenitë e ardhshëm po gatiteshin të takoheshin në Londër, në shtëpinë e shqiptarit, Faiku bën një rrëfim tepër domethënës, që zbulon shumë anë të panjohura të jetës së tij komplekse 18-20 vjeçare.

Duket në plan të parë se kemi të bëjmë me atë vendim të famshëm të Faikut për të ndërruar fe, për t’u shndërruar nga mysliman në katolik, për t’u mbiquajtur Dominik. Por, përpara se të hyjmë në thelbin e kësaj çështjeje, për ta kuptuar e zbërthyer si duhet këtë, lypset të japim disa shpjegime paraprake lidhur me formimin e shëndoshë intelektual të nxënësit dhe gjimnazistit Faik Konica.

Është e njohur se, nga liceu francez i Kostandinopojës (Galata Saraji), ai shkoi në Francë më 1888, në moshën 12-13 vjeçare, dhe filloi drejtpërdrejt kolegjin në Lisieux të Normandisë. Zakonisht, në këtë moshë, fillohej klasa e gjashtë e sistemit arsimor francez, vit shkollor i rëndësishëm për vetë fillimin e adoleshencës që përcaktonte ndarjen nga fëmijëria dhe nga fillorja (si dikur klasa e pestë e sistemit tonë shkollor). Nga klasa e gjashtë në të tretën (me zbritje dhe jo me ngjitje si tek ne), janë katër vite shkollore në kolegj dhe më pas fillon gjimnazi me tre vjet (klasa e dytë, e parë dhe terminali apo matura). Konica përfundon kështu më 1893, në moshën 17 vjeçare (diplomë mature) shtatë vjet të sistemit të mesëm shkollor francez, kolegj dhe gjimnaz (apo lycée - lice - në frëngjisht), që do të thotë se dy herë ka kapërcyer një vit shkollor. Por mbi të gjitha, duhet mbajtur këtu parasysh që diploma e maturantit (e bashëlierit), ishte për vetë kohën e një rëndësie madhore, përderisa - mjaft e rrallë - jepej nëpërmjet saj titulli i mësuesisë për shkollat e mesme. Sa për ilustrim, në mesin e dytë të shekullit XIX, nga 1320 profesorë gjimnazi në tërë Francën rurale – që numëronte 83 gjimnaze sipas studiuesit Antoine Prust –, 1000 vetë ishin pa diplomë të lartë universitare.

Më 1893 dhe1894, brenda dy vjetësh, Konica merr dy diploma universitare në Monpëlie dhe Dizhon (edhe sot e kësaj dite mund të marrësh diplomë universitare në Francë për çdo vit studimor që bën) dhe me këto diploma në xhep, si dhe me titullin e mësuesisë dhe çmimet e nderit, ai shkon ballëlartë në verën e vitit 1894 në Shqipëri e vendlindje. Janë vitet më të rëndësishme e më të lumtura për të, jo vetëm për formimin e tij të lartë intelektual e botëkuptimor, por edhe për aromën e këndshme të rinisë që mbart mosha 18-19 vjeçare. Pikërisht në këtë moshë, Konica njeh dashurinë e parë të zjarrtë me ojonaksen Hugon Sophie Josephine Annette. Vasha bukuroshe 15-16 vjeçare i ndihte të atit berber (është e njohur që nga ajo kohë simpatia e Faikut për zanatin e berberit) në lokalin e tij si parukiere, ku me sa duket i riu Faik shkonte për të ujdisur e bindur floknajën e tij të gjatë (“prej filozofi”, siç shprehet ai tërthorazi në një shkrim). Ishte për të viti universitar 1894-1895, kur ai, jo vetëm i qepej me ngulm provimeve që kalonte një pas një me sukses, por edhe u bindej, përmes tallazesh shpirtërore, ndjenjave të epshme të dashurisë e cila, ndryshe nga sa mund të pritej (të bëhej pengesë), e bënte çuditërisht me krahë, i jepte atë forcë shpërthyese që tek ndoca njerëz të veçantë e shton edhe më shumë dozën përvetësuese e vepruese të intelektit dhe shndërrohet në frymëzim për ngadhënjime të reja. Por ama do të ndodhte që, para se të merrte vendim për të shkuar në Paris (1895-1896) dhe më pas në Bruksel (ku jo vetëm çel Albanian e tij në mars 1897, por bëhet edhe baba me djalë tre muaj më pas), tallazet shpirtërore, me luftën e të kundërtave në vetvete, ndjenja e mëkatit prej djaloshi në dashuri të parë, një lloj fanatizmi subkonshient i trashëguar, si dhe vetë trysnia patriarkale (kur familja e mbante me të holla për shkollim, e “jo për dashuriçka”) – të gjitha këto do bënin që, në një çast të dhënë të rinisë së tij të bukur, ai të merrte një vendim aq të veçantë e të papritur: konvertimin e tij në fenë katolike, siç do ta shohim konkretisht më poshtë në rrëfimin që i bën Apolinerit.

Nuk është e vështirë për të bërë lidhjen midis dashurisë djaloshare të Faikut, ndjenjës së mëkatit dhe vendimit të tij për të ndërruar fe, e mbi të gjitha për t’u bërë murg në moshën 19 vjeçare. Shënojmë në parantezë se është e kotë të spekulohet këtu me tezën e imoralitetit siç bënë kundërshtarët e tij të kohës që ai i stigmatizoi e i lipsi aq bukur, apo siç duan sot të denigrojnë figurën e tij ndoca antikonicianë të tërbuar, që shohin përherë vetëm bardhë e zi dhe me dogma veshoke në kokë. Po ashtu, për mendimin tonë, çdo interpretim i sotëm për “largpamësinë” e Faikut me konvertimin e tij në fenë katolike, si shembull e si paralelizëm historik që u dashka ndjekur, - me emrin e Europës katolike në gojë! - është thjesht spekulim apo moralizim patriotik i rremë, utopik dhe irreal për një çështje tepër delikate e shpirtërore siç është ajo e fesë.

Shqiptarë të fesë katolike, vitet 20 të shek. XX. 

Në fakt, kur bën “rrëfimin” për moshën e tij 18-20 vjeçare, vetë Konica 28 vjeçar i vitit 1903 (në atë kohë kryeredaktor i një gazete me emër për kohën siç ishte Albania e tij, dhe me një mision të lartë fisnik e patriotik në shpirt) e shmang kryekëput motivin e dashurisë dhe “të mëkatit” në shpjegimin që jep vetë ai për idenë që “i shkrepi në kokë” të ndërronte fe që në moshë të re. Sigurisht që ai do nxirrte në pah në këtë mes, përpara Apolinerit, idetë mistike që ushqente nga leximi në atë kohë i librave filozofikë, e mbi të gjitha vetë ndjenjën e urrejtjes ndaj pushtuesve osmanë turq të dheut të tij. Sepse ai, fare mirë mund të konvertohej në katolik sikundër veproi, por pa u bërë aspak murg. Përse pikërisht murg? Të jetë kjo ide e tij thjesht një “kokëkrisuri” për t’u mbyllur në katër muret e qelës, kur krejt dyert e së ardhmes dhe të lulëzimit intelektual i kishte tejet të hapura? Nuk besojmë. Në shpirtin e tij djaloshar, me siguri duhej të jetë zhvilluar një luftë e egër ndjenjash të kundërta, me siguri duhet të ketë ndjerë sikletin e parë apo “turpin” për vetë pasojat e dashurisë, gjer në revoltë dhe hakmarrje ndaj vetvetes, e mbase edhe ndaj të tjerëve (presioni i familjes së Sofisë apo ndoshta edhe i familjes së tij). Për këtë, mjaft t’i referohemi këtu një prej shkrimeve të tij nga më të bukurat, “Lulja e Maleve” (1897). Hollë-hollë, ashtu si në mjaft shkrime të tjera të tij, të dy personazhet kryesore të tregimit Toskua dhe Moskua shfaqin, në antitezë, njëfarë dyzimi të vetë Faikut djaloshar arsimuar jashtë: i pari, i dhënë me mish e me shpirt pas traditës, që fatin e tij e lidh pas fatit të vatanit dhe që dashuron vashë vendi (Shegën), me të cilën njeh lumturinë dhe lufton me armë në dorë për çlirimin e atdheut; i dyti, që mendjen e kishte andej nga Parisi, nga studimet e ardhshme, nga modernia, nostalgjitë dhe dashuritë e zemrës. Vërejmë këtu kalimthi se shfaqja e vetvetes në formë të dyzuar, ashtu siç është vetë qenia njerëzore, do kërkojë te Faiku jo vetëm forma letrare të stërholluara, por do shkojë tepër-tepër larg, në forma më të sofistikuara dhe nga më të habitshmet, që do jenë objekt i një numri të ardhshëm të Fletore koniciane, gjithnjë në zbërthim të enigmave të tij të pafundme...

Por theksojmë se do të ishte paksa e pavend dhe e paradokohshme të thuhej në mënyrë të prerë se më 1894, kur shkoi në Shqipëri për pushime e u rikthye në Dizhon, Faiku e kishte gjetur tashmë udhën e shpëtimit shpirtëror dhe të arsyes madhore që do ta drejtonte drejt vendimit për veprimtari patriotike konkrete. Sepse në fakt, gjithçka do ndodhte në mënyrë graduale, të natyrshme. Për më tepër që ideja e veprimit patriotik do kërkonte kohën e vet të pjekurisë dhe do shpalosej hapur vetëm kur ai do shkonte në Paris më 1895. Aty ai, jo vetëm që ra në kontakt të drejtpërdrejtë me idetë e vrrullshme të kohës, por u lidh nga afër edhe me miq të mirë që do t’i çelnin sytë e mendjes. U lidh (i rekomanduar që nga Dizhoni) me gjuhëtarin e moshuar franko-hebre Louis Benloew, ish dekan i fakultetit të Dizhonit dhe miku i Dora d’Istrias e i De Radës, që kishte bërë studime madhore për shqipen dhe shqiptarët. Me atë “gjysh” të mirë,  ai iu fut edhe mësimit të sanskritishtes dhe të gjuhëve të lashta hindu e veda. U lidh e u miqësua me historianin po franko-hebre Léon Cahun, zv. Konservatori i Bibliotekës Mazarine. Dhe do të ishte “baba” Cahun-i, autori i “Hasan Jeniçerit shqiptar të vitit 1516”, i Thrank Spiros, ai që do t’i ndihte të botonte në dhjetor 1895 në gazetën “La Libre Parole” artikullin e tij të parë “Shqipëria dhe Turqit” me pseudonimin Tepeleni (artikull të cilin e kemi përkthyer dhe botuar tashmë). Në fakt, kjo gazetë politike e rëndësishme e Parisit ishte e njohur për frymën e fuqishme polemiste dhe për përkrahjen që i bënte ideve socialiste të kohës, duke demaskuar skandalet e rënda, si çështjen e famshme Dreyfus, masakrat e Armenisë në Turqi dhe skandalin e Panamasë.

Megjithatë, e gjejmë me vend këtu të vërejmë se nuk mendojmë dhe nuk e përkrahim tezën e parashtruar prej kohësh se Konica djaloshar u lidh në Paris me idetë socialiste të epokës. Si trashëgimtar dhe përfaqësues i feudalizmit, nga derë e madhe me emër, ai asnjëherë nuk ka shprehur simpati dhe nuk i ka zënë në gojë idetë socialiste, madje as kur këto ishin tepër në modë. Edhe vetë termin “revolucion”, aq shumë të lakuar në atë kohë, ai e përmend tepër rrallë dhe gjithnjë ka qenë kundër kasaphanës klasore dhe formave terroriste.

Në fakt, te organi La libre Parole, ai thjesht botoi artikullin e tij Shqiptarët dhe Turqit. Madje, duke pasur parasysh se nuk ishte dhe nuk është e kollajtë të botohet një shkrim në një organ kryesor të Parisit (sidomos në moshën 20 vjeçare!), hamendësojmë se duhet të ketë qenë kunati i Leon Cahunit, George Schwob (në atë kohë kryeredaktor i organit Le Phare de la Loire) ai që duhet të ketë ndërhyrë për botimin e artikullit të Konicës te e përditshmja parisiane La libre Parole. Fakt është se artikulli i parë i Konicës djaloshar Shqiptarët dhe Turqit u botua i gjymtuar, në një kolonë e gjysmë gazete, kur ishte paraqitur në redaksi si studim i plotë me shumë krerë. Jo vetëm kaq, por artikulli i Tepelenit do të shoqërohej edhe nga një shënim kritik përmbyllës i redaktorit H. Vernier, ku nuk përkrahej plotësisht (me sa duket për arsye diplomatike) qëndrimi antiosman e i prerë i autorit të shkrimit. E mbështesim këtë hipotezë tonën edhe me faktin se poshtë artikullit të Tepelenit, në të njëjtën faqe të gazetës është botuar edhe një shkrim i Raphaël Viau Les égouts de Schwob (Gjirizet e Schwob-it). Pra ndihma e Cahun-it dhe ndërhyrja e Schwob-it (babait të simbolistit të ardhshëm të famshëm Marsel Schwob) duhet të kenë qenë vendimtare edhe për fillimin e aktivitetit botimor të të riut Konica. Këtu atij duhet t’i ketë lindur edhe vetë ideja që të botonte sa më parë organin e parë të shqiptarëve, në shqip e në frëngjisht, kryeveprën Albania. Me siguri, ai e ka përpunuar prej muajsh në kokë këtë mendim, e ka rrahur e stër-rrahur me “baba” Cahun-in, i cili, me përvojë të gjatë botimore duhet ta ketë përkrahur e nxitur djaloshin patriot dhe erudit shqiptar.

Nga ana tjetër, po ta shohim nga afër Faikun në Paris në ato vite (kur i ati ia kishte prerë çdo të ardhur financiare, për të arsimuar tashmë me shkollë të lartë djalin e dytë, Mehmetin), do vëmë re se ai jo vetëm ishte i përkushtuar pas mësimit të gjuhëve të rralla, pas hulumtimit në Bibliotekat Mazarine dhe të Institutit të Francës, por edhe pas kurseve që ndiqte në Akademinë franceze. Vëmë re kështu një veprimtari të ethshme shumëpërmasore nga ana e tij, si e si të gatitej mirë për t’i hyrë botimit të periodikut të ardhshëm konician. Sepse, duke hequr dorë nga ideja për t’u bërë murg apo për të vazhduar studimet në Universitetin e famshëm të Ienës në Gjermani, duke i hyrë Albanias në Bruksel dhe duke marrë me vete edhe Sofinë shtatzënë me të cilën bashkëjetonte, Konica djaloshar do të zgjidhte paralelisht tri punë të mëdha: do përcaktonte me pjekuri të plotë të ardhmen e tij patriotike, do zgjidhte fatin e jetës familjare me vashën që donte dhe më në fund, do zgjidhte problemin e të ardhurave financiare për jetesë.

E tillë pra, paraqitej gjendja shpirtërore dhe botëkuptimore e Konicës 18-20 vjeçar në Dizhon e në Paris, para se të çelte Albanian dhe para se të bëhej baba që në moshë tepër të re.

Më në fund do thoshim se, pa i hyrë çështjes së fesë te Konica, që kërkon një studim më vete, ai me kohë do fitonte pozitat e ateizmit, të objektivitetit shkencor, por duke respektuar thellë idenë e fesë gjatë gjithë jetës së tij, sidomos çështjen e fesë tek shqiptarët. Për më tepër që ai vetë mishëronte në origjinë të katër fetë kryesore në Shqipëri. Ishte, të themi, i katërfishtë harmonik sepse: ishte mysliman i lindur (Faik), në mjedisin ortodoks të vendlindjes (Konicë), kishte të trashëguar në gjak bektashizmin e Ali Tepelenit (nuk mungoi të firmosë te Albania me emrin Një bektashi), e më tej, njohu katolicizmin në Shkodër e u konvertua në katolik në Francë më 1895, me emrin Dominik. Pikërisht, me këtë emër të fundit ai krijoi edhe personazhin e tij të mrekullueshëm (vetveten), gjithë virtyte të admirueshme, te romani ende i pabotuar i tij Sotiri e Mitka.

Drejtues fetarë në Shqipëri, kartolinë e vjetër.

Po japim më poshtë letrën e plotë të Faikut drejtuar Apolinerit, duke i kërkuar falje lexuesit për komentin tonë të gjatë parahyrës, të cilin e gjykuam të domosdoshëm për të kuptuar objektivisht dhe dashamirësisht figurën madhore të gjeniut Konica, mendimtarit modern shqiptar.

Letër e Faik Konicës drejtuar poetit dhe shkrimtarit të shquar francez

Guillaume Apollinaire

Londër, këtë 28 tetor 1903.

Oakley Crt., City Rd., E.C.

Dashuria, i dashur Zotëri, është një dhembje dhëmbësh nga të zemrës, në mund të shprehem kështu, dhe një dhembje dhëmbësh që zgjat ndonjëherë për shumë kohë. Po kjo një fjalë goje është. Shekspiri ka vënë në dukje se “asnjë filozof, qoftë edhe sikur të shkruajë në gjuhën e perëndive, nuk mund të përballojë me durim një dhembje dhëmbësh”: “For there was never yet philosopher / That could endure the toothache patienty,/ However the have writ the style of gods”.

Unë kam vuajtur së tepërmi dikur nga kjo dhembje, kështu që ju kuptoj shumë mirë. Aq sa arrita të ndjej rrahje të forta të zemrës dhe të gjej prehje vetëm me klorat, shndërruar në pluhur gjithë mjeshtëri nga një mjek mik dhe që, tek e pija me karar, më mbante në një gjumëndjellje të vazhdueshme, të përafërt me trallisjen. Por ishte thjesht një ilaç qetësues. Ilaçi rrënjësor, që thoni ju, është përsëri homeopatia: “Similix similibus...”. Të përpiqesh të zëvendësosh një dashuri me një tjetër, ja shërimi i sigurt.

E gjithë kjo, natyrisht, është më e lehtë për t’i dhënë këshillë tjetrit, e di...

***

E tani, mendoni një çast që Landor Road* lidhet me City Road nëpërmjet një “tubi” apo, siç thoni ju në Paris, me një “metropolitan” tepër të shpejtë. Kështu që mjaft t’i hipni metrosë dy hapa larg shtëpisë sime për të zbritur, brenda dymbëdhjetë minutash, në Landor Road. Propozoj me këtë rast këtë program: do vij çdo ditë t’ju marr në hotel rreth orës dymbëdhjetë, do drekojmë tek unë dhe pastaj, do shkojmë të vizitojmë çka do ta gjykojmë me interes gjatë kohës që do jemi duke shijuar ëmbëlsirën. Në çdo rast që do doni të shkoni për të parë zonjën e mendimeve tuaja, shpejtësia e komunikacionit do t’jua mundësojë një gjë të tillë menjëherë.

Për më tepër, pak vuajtje dashurie sikur shkon për moshën njëzet e tre vjeçare, madje edhe më vonë, dhe është e një dobie të madhe për pjekurinë e mendimit. Unë jam shumë pranë të tridhjetave, por aventurat e shpirtit tim më kanë mbushur me përvojë dhe gati mund të them se ndjej dyfishin e moshës që kam.

Krejt i ri, një urrejtje e guximshme ndaj turqve dhe islamizmit, e detyruar nga vetë këta për pjesën më të madhe të shqiptarëve, si dhe leximi i librave mistike më vërvitin në katolicizëm. Nuk vonon dhe ndërpres çdo studim, për të mos u marrë veçse me teologji. Në moshën nëntëmbëdhjetëvjeçare, më shkrep në kokë të bëhem murg. Në moshën njëzetvjeçare – domethënë para nëntë vjetësh – nisem për në Grande Chartreuse** dhe, me të mbërritur në Grënoblë, shkoj në këmbë në manastir, more medii aevi.*** Atje, më pret një zhgënjim. Kush vjen të më përcjellë drejt një qele? Një kamerier me përparëse! He dreq! Misticizmi im u hallakat disi. Në mesnatë vijnë e më thërrasin, ashtu siç kisha kërkuar, për të shkuar në kishë të dëgjoja atë të përzishme dhe (siç më dukej mua në atë kohë) të mrekullueshme këngë liturgjike, e posaçme për murgjit shartrëzë. Kush erdhi të më thërrasë? Përsëri një kamerier. “Po këtu, hotel na qenka? – thirra në brendësi të vetvetes. – Ku është ashensori, ku është shërbyesja bukuroshe?” Hoteli është i kategorisë së katërt. Iki që andej. Në fakt, nuk pashë as “gjeneralin”, as kurrfarë murgu, por në orën tetë të mëngjesit, ia mbatha nga ato male, pasi i dhashë një bakshish kamerierit të kafenesë.

E merrni lehtë me mend se kjo aventurë as që do më shëronte. Ndjenjat e fuqishme e mbajnë fort lidhur zemrën. Dhe pak nga pak do ecja drejt rrugës së lirisë, derisa një ditë, pas njëmijë papastërtish morale që i vura re te klerikaja, u ndjeva tërësisht i lirë. Ka shumë të ngjarë që pa këto incidente në jetën time, do kisha shkuar në Universitetin e Ienës, për t’u vënë pesë a gjashtë vjet nën drejtimin e Ernst Haeckel-it. Por nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe misticizmi fitova njohurinë e teologjisë, një mrekulli e mendimit njerëzor, në gjininë e vet, pa qenë vetë gjini e mrekullueshme. Pra, e shihni se çfarë incidentesh kanë karakterizuar jetën time gjer më sot. Dhe nuk është veçse një kapitull i shkurtuar, po kjo, midis nesh.

***

Ah po, i ndjeri Léon Cahun ishte njeri i mrekullueshëm! Bëra në mënyrë të posaçme udhëtimin nga Brukseli në Paris për t’i bërë vizitë. Më kishte ndihmuar shumë për të gjetur tek kronikasit e lashtë frëngj dokumentet që vërtetojnë se kalorësia e lehtë është një koncept strategjik shqiptar dhe është futur në Francë nga shqiptarët. Mbajta me të gjatë tre viteve një letërkëmbim plot dashuri për krejt llojet e çështjeve. Pasandaj, befas, e ndërpreva të shkruarin. Nuk iu përgjigja një a dy letrave të tij. Dhe kjo është tek unë një sëmundje e tmerrshme: të shkruaj letra, është për mua një angari, dhe më duhet të bëj përpjekje të madhe për t’ia arritur njëfarësoj. Po qe se e vonoj për disa javë përgjigjen, atëherë nuk i vihem më të shkruarit. Njerëz të mi të afërm kanë qenë detyruar të interesohen për mua nëpërmjet policisë së lokalitetit për të mësuar ku ndodhesha. Me shumë dijetarë, veç kur e kam ndërprerë letërkëmbimin. Me një udhëtar danez, Age Benedictsen, që më kishte kërkuar dokumente për një konferencë, i mori ato pas nëntë muajve të mbajtjes së konferencës. Dhe është mrekulli që nuk m’i ktheu mbrapsht. Pra, mendova të shkoj edhe një herë në Paris për t’i bërë vizitë atij njeriu për të cilin kisha aq dashuri e admirim, dhe që kishte treguar ndaj meje një miqësi aq prekëse kur, tek u sëmura unë vetë në atë kohë, mësova se ai kishte vdekur tashmë që prej gjashtë muajsh. Ndoshta ka menduar për moskokëçarje nga ana ime; – por sa larg së vërtetës që është. Një mani e marrë epistolofobike më kishte bërë fajtor shkujdesjeje ndaj tij, – dhe vdekja që e mori, më preku seriozisht. Cahun e njihte Orientin më mirë se kushdo; me dhjetë fjalë, ai ndërtonte një skenë të Oborrit të Dehlit apo të Samarkandës në kohërat e shkuara; një anekdotë e treguar prej tij ishte shumë më e dobishme se lëçitja e një in-folio. Është e habitshme që nuk u ngarkua me drejtimin e një katedre orientale në Kolegjin e Francës!...

***

As unë nuk e shkoj nëpër mend mundësinë e përshtatjes së një gjuhe ekzistuese si instrument intelektual ndërkombëtar. Z. Rémy de Gourmont nuk llogarit armiqësitë kombëtare. E megjithatë, ato janë aty. Luftojini, por pranojini së pari që ekzistojnë. Asgjë nuk mund të bëhet me anë konventash apo kontratash shoqërore; gjithçka është rezultat i një lufte dhe i një domosdoshmërie. Mirëpo, kam përshtypjen se njëmijë rrethana ndihmojnë në grupimin e veprimtarive përreth tri gjuhëve: franceze, angleze dhe gjermane. Studimi i tyre nuk është i karakterit përzgjedhës, por i detyrueshëm. Mendoj pra se zgjidhja është këtu, dhe se e mira është përpjekja për ta përforcuar këtë prirje, në vend të sforcimeve për ta zhdukur. Por ne do bisedojmë për këtë.

***

Po mbledh shënime për një studim të psikologjisë humoristike që do mbajë titullin “Skicë metodike për t’u duartrokitur nga ana e borgjezëve”. Besoj se do t’ju pëlqejë për le Festin d’Esope. Do t’ju flas për artikujt që kam ndër mend të shkruaj dhe ju do më thoni se kë do pëlqeni në mënyrë të veçantë. Këtu po ndalem – (dhe siç e shihni po filloj të shërohem paksa si shumë nga epistolofobia), – dhe kam shumë besim t’ju shoh në Victoria Station javën e ardhshme.

Shumë përzemërsisht i juaji,

Thrank-Spiroberg.

P.S.

Duke qenë se më hapët zemrën për dashurinë tuaj dhe duke kuptuar se dëshironit të dinit nëse është vërtet një spital në vendin e përcaktuar në adresën e  rrugës Landor, shkova pra në Clapham dje në darkë, dhe kam keqardhjen t’ju mësoj se jeni në gabim. Vërtet ka në Landor Road një spital, një godinë e tërë, The South Western Fever Hospital, por ai ndodhet në n° 106.

Në n° 76, ndodhet një tregtar frutash; në n° 72, ndodhet The Avondale Hall, një sallë që është marrë me qira nga një kongregacion fetar dhe nga një shoqëri baleti, kështu që disa ditë, me sa duket, salla shndërrohet në kishë dhe disa ditë të tjera në sallë balloje. N° 74 nuk është i shënuar, por natyrisht që gjendet midis të dyjave. Është një bakallishte që ndodhet në mes, e që mban emrin “Thomas Hayward Baker”.

Një hollësi që mund t’ju interesojë: pashë kalimthi, pikërisht në n°74, një grua të re rreth të njëzetave, ose më pak, një esmere, me shtat mesatar, që më ngjau më shumë me një skoceze se një angleze.

 * Rrugë e Londrës ku banonte Annie Playden, guvernantja angleze që Apolineri njohu në Gjermani dhe me të cilën ra në dashuri për herë të parë. Më 1904, Apolineri shkroi poemën e mirënjohur Emigranti i Landor Road, në të cilën ai anasjell në njëfarë mënyre dështimin në dashuri në dështim të një udhëtimi.  
** Manastir i famshëm katolik në masivin e Shartrëzës (Chatreuse) themeluar më 1084, që i përkushtohet tërësisht heshtjes dhe lutjes së murgjve.
*** Latinisht: sipas mënyrës mesjetare.