| E premte, 08.08.2014, 07:54 PM |
Një libër për fshatin Stubëll dhe
shkollën e parë shqipe (1584-1905)
Nga Tefik Selimi
Shkolla
është drita e jetës. Pa shkollë, si pa sy. Kur e ke shkollën, i ke të gjitha.
Ai vend që nuk ka shkolla, nuk njihet si vend i qytetëruar. Pra, është vendi
varfër me dije. Lum kush ka shkolla! Aty fitohet dija, aty është jeta dhe aty
është historia e popullit. Nuk ka shkrimtar shqiptar që nuk ka shkruar për
shkollën, dijen e njeriut. Shkolla e arsimon dhe e edukon popullin. Dija e
kultura dalin nga shkolla. këtë libër të Sarë Gjergjit “Stublla
me shkollën e parë shqipe 1584-1905”, ka shtuar me sa vijon: “Sarë Gjergji,
doktorant në letërsi, është studim monografik, që i kushtohet shkollës shqipe
në Stubëll, që është themeluar, sipas studiuesit në fjalë, por edhe sipas
studiuesve dhe burimeve të ndryshme, në vitin 1584. Libri në fjalë i botuar me
rastin e 430-vjetorit të themelimit të shkollës shqipe në fjalë është
strukturuar kështu: Parathënia: Në vend të hyrjes, Stublla në
shek.XV,Vizituesit apostolike-kolegji i vitit 1584 dhe libri në gjuhën
shqipe,Tradita dhe toponimi: Ara e Kishës, Shkolla shqipe në shekujt
XVII-XVIII, Shkolla në Stubëll në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, Librat e
përdorur dhe lëndët mësimore, Rreth objektit të kishës-shkollës ku është
mbajtur mësimi, Ndihma e Austro-Hungarisë për shkollën shqipe në Stubëll,
Dokumentet arkivore, Në vend të përmbylljes, burimet dhe literatura. Kjo
pasqyre e lëndës reflekton dhe dëshmon më së miri për vlerën dhe rëndësinë e
këtij libri qe, sipas mendimit tim (I. Ahmeti), Stublla përkatësisht Zyra e
Famullisë do duhej ta botonte sa më parë edhe në gjuhën angleze. Vlen të
theksohet se nga të dhënat e burimet e shqyrtuara e të trajtuara në këtë libër,
edhe sipas studiuesit në fjalë, u përfundua se viti 1584 shënon kohën e
themelimit të shkollës së parë shqipe në Stubëll. Siç e dëshmojnë studiues e
burime të ndryshme, shkolla ishte e rangut të një kolegji dhe aty, përveç
teologjisë, mësohej filozofia e studioheshin klasikët.Themelues të kolegjit
janë Aleksander Komulloviqi e Tomasso Raggio, dy ndër diplomatët e prelatët më
të shquar të Selisë së Shenjtë, të cilët ishin dërguar nga Papa Gregori XIII
për një vizitë apostolike në Shqipëri e me gjerë në Ballkan. Krejt në fund
mendoj se ky libër studimor i Sarë Gjergjit do duhej të ishte si një Abetare në
shtëpinë e çdo stubllasi, por edhe tek të tjerët! Autorit i urojmë suksese të
reja!” Ndërsa, Nuhi Ismajli, studjues i letërsisë, por edhe njohës i mirë i
kësaj fushe të dijes, lidhur me librin në fjalë ka shtuar: “Ky libër flet për
historikun e vjetër të arsimit shqip. Ky është një kontribut i rëndësishëm në
fushën e arsimit tonë kombëtar shqiptar. Qasja e tij shkencore është e
mbështetur në dokumente e fakte të qëndrushmse historike. Për historikkun e
shkollës së parë të Stubllës është marrë më parë Isak Ahmeti, studjues dhe
krijues nga ky lokalitet. Ky autor, pastaj, që në fillim është marrë me
përkushtim dhe ka arritur të bëjë një pasqyrë edhe më të plotë për historikun e
arsimit shqip të zhvilluar në këtë pjesë të Kosovës”. E, autori, S. Gjergji
shton se, “Historia e rrugëtimit dhe gjallimit të shkollës shqipe ndër shekuj është pjesë
përbërse dhe tejet e rëndësishme e historisë sonë të gjithmbarshme kombëtare”.
Ai më tej në librin e tij dokumentar, vazhdon: ”Dihet mirëfillimi se pushtimi
turko-otoman solli natën më të gjatë e tmerrëshit të egër për Shqipërinë. Në të
vërtetë, sulltanët turq provuan me çdo kusht zhbërjen e etnisë sonë. Në kushtet
e rënda të pushtimit, populli shqiptar iu hoqën mundësitë për një zhvillim
normal të jetës kulturore. U prishën qendra dhe vatrat e kulturës mesjetare
shqiptare, u ndërpre me dhunë shtjellimi i saj. U dogjën
biblioteka,
dorëshkrime e akte. Me këto u zhdukën edhe monumentet e shkrimit shqip të shek.
XIV-XV e më përpara,(f.10). “Ajo që është e rëndësishme dhe domethënëse, është
fakti se këto burime flasin ndër të
tjera për mbështetjen e shkollës shqipe dhe për shpërndarje librash(f. 20).
Kështu, autori mbështetet në referencën e
fortë J. Rexhepagiqit e studjuesve të tjerë, kur shton: “Sidomos Stublla
(afër Gjilanit), fshat që flet gjuhën shqipe ku qenë i përshtatshëm për
hapjen e një kolegji të këtill katolik”
f.(24). Mandej shton: “Me shumë gjasë (duke gjykuar nga të dhënat që disponohen
deri më sot) shkolla e parë shqiptare ka qenë ajo e Stubllës në Kosovë,
themeluar më 1584”, (f. 25). Sarë Gjergji i referohet edhe studjuesit Sh.
Osmanit, i cili, duke shkruar për ekzistimin e shkollës shqipe, ai shton: “Në
vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshahurazi në ato pak
shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në Stubëll (1584),
Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632, Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë
(1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (1665)” etj
f.26). Por, për kolegjin në fjalë flet edhe Dhimitër Shuteriqi, studjues e
romanisier, i cili shton se: “Që më 1584, në Letnicë të Shkupit, më pas edhe në
Shtumbulla (lexo: Stublla) të Gjilanit, dy fshatra shqiptare, kanë funksionuar
kolegji fetar” (f.26). Po kështu, autori i librit shton se, kolegjet e kohës
kanë qenë edhe shkolla të larta, ku përveç teologjisë, mësohej filozofia dhe
studjoheshin klasikët” ka shtuar Dh. Shuteriqi shih, (f. 27). Pra, ky libër i
Sarë Gjergjit e plotëson një kënd të kësaj fushe, e cila jo vetëm që është i
një rëndësie të veçantë për të gjithë, por shënon një gur themeltar të ekzistimit
të shkollës sonë kombëtare shqipe. Libri i autorit është i mbushur me qindra
dokumente, fotografi e argumente të shumta, të cilat studjuesi ka hulumtuar
nëpër arhiva të ndryshëm për ta ndriçuar
këtë rrugëtim të shkollë së parë në Stubëll të Malësisë së Karadakut. Libri
ka167 faqe dhe është i botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, 2014.