Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Poezia si testament gjaku e lirie

| E enjte, 07.08.2014, 07:35 PM |


Analizë libri

POEZIA SI TESTAMENT GJAKU E LIRIE...!

(Adem Zaplluzha: “Kur era teshtinë”- poezi, botoi: Shoqata e Shkrimtarëve “Fahri Fazliu”Kastriot-2014)

NGA SEJDI BERISHA

Edhe nëse shkruan e krijon, ndijimi poetik asnjëherë nuk mund të vi i thatë, pa lëng mendjeje, lumturie por edhe dhembjeje, pa ditarin e rrugëtimit jetësor e historik. Kur është kështu, atëherë çdo varg ka mesazhin dhe peshën e mendimit si sublimë e zërit të krijuesit, e zërit poetik. Në këtë aspekt, mund të veçohet edhe mendimi për librin më të ri me poezi, “Kur era teshtinë”, të autorit, Adem Zaplluzha.

Nëse mësojmë e lexojmë për biografinë e këtij poeti, atëherë, në shikim të parë, sikur na krijohet përshtypja se ai “nxiton” për të “radhitur” sa më shumë tituj veprash të tij, dhe kështu, automatikisht zvetënon mendimin për aq shumë libra. Deri me tash, A. Zaplluzha ka botuar 106 tituj, që janë një bagazh interesant krijues me tema nga më të ndryshmet, të cilat nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e jetës së autorit, pjesë pasqyre e periudhave kohore dhe historike, të cilat ndrisin rubikonin dhe pikturën e jetës të sajuar ashtu siç di të këndojë poeti.

Vargu, pasqyrë e rrugëtimit nëpër kohë e periudha

Me librin “Kur era teshtin”, Adem Zaplluzha,, edhe më shumë e sforcon mendimin poetik, peshën dhe rëndësinë e vargut, i cili, nganjëherë, pothuaj se shndërrohet në dokument, i cili pastaj provokon për të biseduar dhe elaboruar lexuesi me secilin varg me secilën poezi. Thënë shkurt, “Kur era teshtinë” është pasqyrë e rrugëtimit nëpër kohë e periudha, të cilat, tani  autorin e bezdisin dhe i sjellin kujtime me peshën e mallit, të dhembjes por edhe të mendimit hidhërak.

Në këtë kontekst, vargjet dhe poezitë e sajuara në tri njësi ciklike: “Ishte një tjetër lloj bryme”, “Kur teshtinë era” dhe “Të kujt janë këto duar”, janë tërësia, nëse mund të thuhet,  e një rebelimi mbase shekullor, i cili shndërrohet në pelegrinazh aq karakteristik dhe me shumë ngjarje, me shumë drithërima, me shumë të arritura dhe të paarritura, të cilat poeti dëshiron t’i vë në një vrap të detyrimit filozofik, por edhe të ndërgjegjësimit, urtisë, të forcimit, kujtimit dhe të shprushjes së rrëfimit historik, në mënyrë që çdo gjë të merr formën njerëzore, duke u ndriçuar përjetësisht, ashtu siç mendon poeti se është më së miri. Kjo, ngase, në ecjen me dritë, me plagë, me vendosmëri, me trimëri por edhe me etjen e shpirtit për lirinë e njeriut dhe të kësaj toke, poeti na ligjëron, sepse, të gjitha këto edhe ai vetë i ka bartur në shpirt e zemër, por edhe secili njeri. Për këtë arsye, ai, që në poezinë e parë tërë këtë ngarkesë mbase edhe shpirtërore, e vë në binarë të rrugëtimit poetik, që e konsideron si rrugë të cilën duhet trasuar e ndërtuar mirë e sinqertë:“Sonte duhet të pezullohen mëkatet/Nuk kemi kohë/Të ecim nëpër mjegull/Eja ulu këtu/Kjo sofër ka bukë për çdo kë”. Pra, poeti, këtë libër na ofron si sofër, në të cilën mund të hasësh, prekësh e të shijosh të gjitha bereqetet dhe të mirat e jetës, por edhe trakullimat e saj, që janë dëshmi e kohërave, janë thesar e qëndresë me nderë e me besë, të njeriut të këtij nënqielli.

Po ashtu, në këtë përmbledhje poezish, sikur insistohet që lexuesit t’i servohet edhe përjetimi poetik, edhe pesha e çdo rrjedhe, të cilën rrjedhë e rëndojnë por edhe figurativisht e stolisin mjegullat nga më të ndryshmet, duke bërë përpjekje që të krijojë pamje e pejsazhe nga kohërat ndryshme, që kanë lënë gjurmë për t’i kujtuar e kënduar edhe poeti, dhe kështu për t’i sjellë tek opinioni si madhështi kohërash të përplasur, të zgjuar e të fjetur, të rehatuar e të çmenduar, gjëra që bashkë autorit ia bëjnë me vlerë vargun, gjithnjë duke e begatuar atë me “kalldrëmet” dhe shikimet jo rrallë të zymta për çdo gjë e për gjithçka.

Andaj, vargu i poetit, ndoshta edhe pa vetëdijen e tij, shpeshherë shndërrohet në melankoli, që ai thotë se është e vjetër, por mund të jetë edhe e re, e cila luhatët e pedatet nëpër stinët e vitit, nëpër gjelbërimin dhe ngjyrën lulëse të vjeshtës. Kjo nuk është gjë tjetër, veçse kallëzim poetik i furtunave që jetën e njeriut e bëjnë lapidar, mbase edhe spirancë për të qëndruar vertikalisht dhe i papërkulur dot.

Autorit, nuk është që i përvidhet dhembja që ka peshën dhe tharmin e moshës, por ai vetë ka atë dallgën për të thënë e treguar se jeta ecën dhe është edhe e pamëshirshme: “Ishte një tjetër lloj bryme/Pak e bardhë/ E më shumë e murrme/ Hingëllonte si shiu në binarët e trenit/Ikën udhëtarët e mëngjesit/Askush nuk mbeti/ Në këtë stacion të vetmisë”. Mirëpo, gjithnjë është i kujdesshëm që të këndojë lirshëm për ta “shfryer” mllefin e mendjes e të shpirtit, por edhe për dëshmuar përgjegjësinë e përjetësisë te të gjitha rrjedhave, që ndonjëherë rrinë apo mund të qëndrojnë kacavjerrë në pritjet për zbardhjen e historisë. Për këtë arsye, ai na sjell ndërmend shumë gjëra, të cilat duan koment dhe shqyrtim të drejtë, sepse, në të kundërtën: “Mbi pergamenën e kujtesës/Pikojnë shirat”.

Pesha e lashtësisë dhe rrjedhat kohore nuk janë flluska sapuni...

Në këtë kontest, autori, jo pa qëllim, na sjellë ndërmend peshën e lashtësisë, duke e begatuar atë me shumë kujtime komentuese në vetë vargëzim, por edhe me qortimin se rrjedhat kohore nuk janë flluska sapuni, që sa mbyllë e çel sytë tretën pa ditur se ku. Përkundrazi. Ato janë përgjegjësi, e cila gjithnjë troket me detyrim tek arsyeja dhe mendja e secilit prej nesh. Diçka të ngjashme, autori sikur thekshëm vë në spikamë tek poezia “Te kroi i Kalasë Ilire”: “Pak nga pak/Ky qytet/ Nëpër shkallët e trishtimit/Po zbret/ Buzë Lumëbardhit ku dehen myshqet/Fëmijët lozin një lojë arkaike/Te Kroi i Kalasë Ilire/Kanë dalë vashat/I mbushin shtambat/Me ujin e bardhë/Që ngrinë lotin në sy/Çunat si pa sherr gjuajnë me fjalë/ Xhelozinë e erës”.

Përveç kësaj, nganjëherë, krijuesi di të hy aq thellë në botën e vetë poetike, saqë, ose nuk di të dalë nga ajo, apo edhe e “humb” rrugën, dhe gjatë kësaj ecjeje sjellë edhe frymë të re të këndimit, apo një shkrirje të vetvetes në tërë atë ngarkesën shpirtërore që ka, dhe, po ashtu, edhe në atë etjen aq të madhe që ka për shtruarjen e vargut, për këndimin, krejt sikur duke pasur frikën se një ditë do të ikën fjalët, do të zvetënohet kujtimi, e atëherë mund të “çmendet” fjala e pathënë. E, të nesërmen mund të takohen eklipset e fjalëve!

Mirëpo, tek ky libër, tek “Kur era teshtinë”, hasim dhe bindemi në universin poetik dhe intelektual të poetit, i cili gjatë tërë këndimit është tejet i ndërgjegjshëm që të mos harrojë edhe më të voglin përjetim apo ndijim poetik që ai ka dëshirë të na ofrojë edhe si formulë jete, por edhe si copë leximi pedagogjik për kompletimin e intelektit, për të ditur, për ta kapur dhe për ta komentuar çdo këndim poetik. Në këtë aspekt, sikur na bëhet, se autori krijon, apo dëshiron të ndërtojë obelisk, në të cilin, përmes vargjeve përjetësohet, komentohet dhe lartësohet njeriu, toka, dheu e atdheu. Kjo veçanti, nuk ndodhë vetëm për hir të vetëdijesimit, por edhe për të ngelur përherë zgjuar për atë që është e shenjtë tek secili njeri. Ndoshta, këtij konstatimi i puthitet edhe këndimi poetik i autorit tek poezia “Guri i stralltë qohej peshë”: “Sa herë që ndizeshin mallet/Shndërroheshim/ Në flakadan lirie/E nga gurët e atdheut/ Ndërtonim kala/…Më pastaj/ Sërish ishim po ata burra/Që i rinovonim/ Shpirtrat e shkëmbinjve/Pa i grithur fytyrat/Pa asnjë pikë loti/ I vazhdonim ecjet/ Nëpër trupin e një shekulli/I cili çdoherë/I përngjante njerkut shpirtzi”!

Poeti, duke prekur vetë çdo fjalë, duke peshuar çdo mendim, shpeshherë përballet me vetminë, të cilës di dhe ka forcë t’i përgjigjet, edhe pse nganjëherë, krejt normal, si të gjithë, përmallohet, i dhemb diçka: Herë qaj si zogjtë e pikëlluar/E herë/ Fluturoj hapësirave/Deri sa zhbëhen meteorët me bisht/Në zhgjëndrrën e heshtjes”...

Duke lexuar tutje këtë vepër, vërejmë se krijuesi, i cili e di peshën e jetës dhe të rrugëtimit, shpeshherë përmes vargjeve i frikohet lashtësisë dhe harresës, duke vënë në spikamë mykun, si simbol të harresës dhe i mosinteresimit, të rrënojave dhe gjurmëve të saj, si dëshmi e peshës së robërisë mbase edhe të shtypjeve jo vetëm fizike. Të gjitha këto, në këtë vepër duken si në pasqyrë, e cila reflekton edhe anën e prapme të saj, respektivisht, të kohërave të shkuara, dhe u druan atyre që do vijnë:” Muret e mykura/ Me qindra vite s’marrin frymë/Tavani nga lagështia i qullur/ Me formë arkaike/...Këtu/ Në këtë vetmi/Çdo gjë nga heshtja rri e mbërthyer/ Ku vetëm myshqet e murrme/ I zë gjumë i trishtuar”!

Kur poeti kërkon edhe diçka përtej fshehtësive dhe mjegullave kohore

Dhe, poeti, gjatë vargëzimit, sikur shndërrohet edhe në pelegrin, i cili kërkon diçka edhe përtej kohe, përtej, fshehtësive dhe mjegullave, që e kanë shoqëruar njeriun e tij, mbase edhe vetë atë. Andaj, këtë, pothuaj fenomen, e hasim në çdo varg e poezi si zë apo këshillë, krejt njësoj. Andaj, pikërisht për këtë arsye, ky libër ka peshën e vështrimit dhe të analizës jo vetëm të vargut, jo vetëm të këndimit, jo vetëm të thellësive të metaforave dhe të mesazheve si pjesë të rëndomta të poezisë.

Në anën tjetër, autorin e vërejmë se si nëpër vargje, ndoshta kushtuar vetvetes, përbirohet si për birë gjilpëre për të rrëfyer për jetën, e cila asnjëherë nuk i ngjanë drejtëzës, por gjithnjë një vije lakadredh dhe me hije gjembash. Edhe kjo formë këndimit në “Kur era teshtinë”, dëshmon për zmadhimin e bebëzave të syrit për të depërtuar në fshehtësitë e shikimit, sepse, pranë njeriut, ka ngjarë e mund të ngjajë që të mbyllen portat që shpijnë drejtë dritës dhe lumturisë. Për këtë arsye, ndoshta edhe ditën “një flutur e kaltër/I ndizte qirinjtë e natës”...!

Në këtë formë, pothuaj se frymojnë të gjitha apo shumë poezi në këtë libër, por ka edhe të tilla që begatohen me tharmin e mallit dhe të dhembjes për motet dhe vitet e shkuara mbase edhe të kohës së rinisë, të cilat, patjetër se kanë lënë gjurmë edhe tek autori, Adem Zaplluzha. Ka disa poezi të tjera, të cilat autori i shtron aq fuqishëm që ua dedikon më të dashurve, por që, ato reflektojnë më thellë dhe kanë mesazh e kuptim shumëdimensional, siç është poezia “Je e vetmja shpresë”, në të cilën therë malli e dhembja për nënën. Por, ajo që vërshon për dashurinë ndaj nënës si madhështi, vërshon edhe për atdheun, si shenjtëri: “...Nëno moj/Gjaku dhe fryma e atdheut tim/Ti e mbajte me xhelozi/Sa fortë e shtrëngove/ Në duart e tua të brishta/ Zanafillën e jetës”! Është një mesazh, i cili, po të analizohej mirë e mirë, nga ai do të dilte një roman ose i çuditshëm, ose, padyshim roman me peshën e historisë.

Por, poetin e ngufasin edhe shumë gjëra e dukuri të tjera, jo vetëm të një kohe të caktuar. Duke pasur parasysh, rëndësinë e dëshmisë historike dhe të respektit ndaj vendlindjes, atdheut, mbase edhe të kombit, poeti në këtë vepër na shpie “telasheve” për të analizuar edhe shumë gjëra, të cilat populli ynë moti i ka si “bashkish” pikërisht edhe nga vetvetja. Këtë këndim karakteristik e hasim tek poezia “Në Atdheun tim”: “...Pakëz më ndryshe është qielli/I atdheut tim/Atje zogjtë kanë tjetër emër/Të vdekurit/ Respektohen më shumë se të gjallët”...!

Dhe, ndoshta si sublimë e kësaj analize libri, del se autori, Adem Zaplluzha, gjerdanit të 106 veprave të tij, po ia shton edhe një vepër, pra librin “Kur era teshtinë”, qëkësaj radhe,  ndoshta duke e identifikuar më fuqishëm edhe poezinë si testament gjaku. Prandaj, kujtoj se ky shkrim e ka peshën e vetë kur themi se, autori na bën me dije se i tërë ky bagazh krijimtarie reflekton mëvetësinë e krijuesit, kur ligjëron: “Në ëndrrën time/Zgjohem fillikat vetëm/Kur zgjohem/ Thellësisht e ndjej kafshimin e ëndrrës/Po që se dalë nga ëndrra ime/Do marr me vete/Kronikat e të gjitha netëve/Dhe si një deve karvanësh pafund/ Do kërkoj azil/Në shpirtin e dehur të oazës/Ngase s’dua të zgjohem më/Fillikat vetëm”…?!

Dhe, krejt në fund. Libri “Kur era teshtinë”,  padyshim se begaton edhe opusin krijues letrar të Adem Zaplluzhës, por edhe vlerat letrare kombëtare.