Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Leon Duhanaj: Vëllezër dhe motra shqiptarë

| E merkure, 06.08.2014, 07:56 PM |


Vëllezër dhe motra shqiptarë

Nga Leon Duhanaj

Ju lutem për hatër të Zotit dhe të shqiptarisë, mos lejoni që karremi i interesave ditore qofshin ato ekonomike apo fetare  të na shndërroj ne bashkëpunëtor në terrorizëm, dhe në shkatërrues te kombit shqiptar, si pjesëmarrës aktiv apo edhe si përkrahës në heshtje përmes indiferencës ndaj së keqes.

Nuk ka Zot që thërret njerëzimin të bëhen vrasës. Nëse të gjitha fetë monoteiste flasin dhe besojnë në të njëjtin Zot, atëherë si ka mundësi që nga “i njëjti”, pranohen apo kuptohen mesazhe kaq kundërthënëse, saqë të luftojmë dhe vrasim njëritjetrin për bindjen dhe dashurinë e shpallur ndaj po të “njëjtit Zot”.

E di që nuk jam ndonjë faktor  i madh dhe ndikim im është minimal në këtë shoqëri, por e di që shpëtimi i kombit shqiptar nuk mund të vije përmes besimeve fetare, por përmes ngritjes së vetëdijes kombëtare, e këtu vlen të përsëritët  slogani i Pashko Vasës  “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.

Ishte ky slogan të cilin rilindësit tanë e kthyen në motiv jetësor dhe i cili bashkoj të gjitha forcat në shërbimin dhe shpëtimin e qenies sonë kombëtare. Prandaj sot, prapë qenia jonë është e rrezikuar seriozisht, nga armiq të kombit të veshur më petka të llollijshme fetare, e të financuara nga armiqtë shekullore të kombit me qëllimin e zhbërjes sonë përfundimtare.

Sot me shumë se kurrë me parë, shqiptarët nga njëra anë jetojnë të lirë edhe pse të ndarë ne disa shtete, por sot më shumë se kurrë qenia jonë kombëtare është  e rrezikuar, si rezultat i injorancës , si rezultat i besimit në vlera të rrëme, si rezultat i shkatërrimit sistematik të vlerave të mirëfillta qytetëruese njerëzore e kombëtare.

Mos harroni se fajin me të madh për këtë gjendje e ka politika, e cila udhëhiqet nga një kastë harbutesh e hajdutesh, të cilët zhvatjen, hajninë, korrupsionin, mashtrimin, krimin  ekonomik e kulturor e kanë shndërrua në vlerë shoqnore, duke shkatërruar dhe luftuar me çdo kusht e me çdo mjet vlerat e mirëfillta kulturore politike e kombëtare.

Është politika dhe bashkëpunëtor institucional të cilët  duke varfëruar popullin ekonomikisht e shpirtërisht në atë masë sa që e ka shndërruar  në preh e lehtë dhe e gatshme për cilindo lloj ekstremizmi antikombëtar e antinjerëzor.

Sot bota është e trazuar me llojlloj ngjarjesh , nga me të çuditshmet, të cilat i shohim çdo dit. Sot prapë bota na mundëson të marrim shembuj të mirë dhe të këqij, të cilët mund t’i adoptojmë tek ne. Është patriotizëm nëse marrim shembujt e mire të cilët shërbejnë në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe assesi shembuj të cilët i shërbejnë shkatërrimit kombëtarë.

Shqiptarët janë komb i vogël dhe i papërfillshëm që të merren më politika globale. Nuk e kemi nevojën as luksin  të armiqësohemi me kombe të ndryshme si rezultat i interpretimit dhe percepcioneve të gabuara të politikave të globit. E jona duhet me qenë vetëm që të shfrytëzojmë çdo mundësi që na ofrohet për të ndërtu ura paqeje me popujt tjerë dhe ruajtjen e miqësisë me kombet e mëdha të cilat kanë në dorë të ndikojnë fatin e botës e në këtë rast edhe fatin tonë si komb.

Patriotizmi shqiptar duhet të jetë dashuria për kombin dhe atdheun, dhe respekti për kombet tjera, pa e shfaqur dashurinë për asnjërin nga to, ngase asnjë komb mbi këtë dhe, nuk ka nevojë për dashurinë tonë, por për respekt e partneritet serioz  të ndërsjellë  dhe nuk do të na respektoj si komb nëse ne nuk dashurojmë dhe respektojmë në radhë të parë  qenien tonë.

Patriotizëm do duhet me qenë, që çdo qytetarë, çdo politikan, çdo klerik fetar , çdo intelektual, të dëshmoj në radhe të parë vet dashurin për kombin dhe atdheun, me shembullin e tij, duke i shërbyer kombit pa hile.

Kombi shqiptar është i vogël, i shtypur e persekutuar shekuj me radhë, ne duhet të shikojmë mundësinë e konsolidimit e jo në asnjë mënyrë të bëhemi mish për top, duke pretenduar të merremi me politika globale dhe duke pretenduar ta ndryshojmë boten. Do të na mjafton që  ta ndryshojmë veten  për të mirë, duke i bërë secili vetës në radhë të parë analizë objektive e me pastaj edhe rrethit dhe mbar shoqërisë, pa qenë të ndikuar as nga interesi ekonomik as nga ai ideologjiko-fetar.