Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilir Muharremi: Estetika dhe arti

| E diele, 03.08.2014, 06:04 PM |


Estetika dhe arti

Nga Dr. Ilir Muharremi

E bukura absolute sipas Platoni është si e mira apo e përsosura që i reflekton dhe ajo ekziston para nesh, pa ne e jashtë nesh në botën e tejndjeshme  të ideve. Të ideve sepse kjo kufizohet  nga vendi se ku jeton dhe nuk mund ngritur vlerë jashtë asaj që është. Idetë dhe ndjenjat nuhasin të bukurën. E bukura është shumë subjektive, por kemi edhe të bukurën objektive,  kjo subjektivja nuk mund të ketë kurrgjë të përbashkët me të jashtmen. E bukura mund të ekzistojë vetëm në ne, nga ne e për ne. Gjithçka për njeriun, dhe vetëm për njeriun. E bukura e jashtme pa njeriun nuk do kishte kuptim. Ndoshta ajo në heshtje do vdesë në formë absolute për tu ribërë përsëri me qëllim për të vazhduar. Ne e mendojmë të bukurën, dhe ai mendim vjen nga e brendshmja dhe e jashtmja. Asgjë nuk është e bukur dhe e shëmtuar, vlerat janë ashtu siç janë. Por, çfarë vlere ka bukuria për ne? Nëse shohim perëndimin e diellit, për njeriun artist do të jetë diçka e bukur, ndërsa, për një shkencëtarë diçka e saktë. Atëherë, ku qëndron përgjigja? Tek vendimi psikologjik. Marrim Kantin për të cilin bukuria nuk ka të bëjë fare me natyrën e saj, por me lojën. Kjo lojë vjen nga imagjinata e kuptimit. Kjo imagjinatë ndërmjet subjektit vendimor dhe objektit të menduar shpërfaq një problem madhështor. A duhet ndarë këto? Jo duhet të krijohet një bashkëpunim ndërmjet të dyjave. Artistët adhurojnë vlerat e harmonizuara. Piktorët veçojnë subjektin si mënyrën e të bërit të veçantë. Skulptura e konsideruar si më e madhja dhe më ambiciozja, fiksohet në tre dimensione, dhe përpiqet të kap figurën e pakapshme të njeriut, të imitojë rrëmujën e shpirtit për ta nderuar mbi bazën e stilit të madh, por asnjëherë nuk është e saktë. Shkrimtarët ndjekin stilin, fjalën, veçantinë e krijimit të mazhit duke mos abstenuar nga realiteti. “Histori e rreme e shkruar në prozë” thotë Littre-ja për romanin. Është e vërtetë. Vepra duhet të jetë shprehje e personalitetit të autorit të saj, dhe sa më personale që është, aq më e bukur del. Por, nëse mungon personaliteti, atëherë vepra është më e shëmtuar. Të gjitha këto varen nga njeriu dhe artisti, por edhe ne varemi prej tyre, meqë ato na bëjnë të dridhemi shpirtërisht dhe fizikisht.

Të përcaktosh një të bukur dhe një të shëmtuar përfundimet gjithnjë do të jenë absurde. E bukura ekziston në mungesë të shëmtuarës, dhe e shëmtuara në mungesë të së bukurës. A janë të vërteta? Unë më shumë do ta rrokja qëllimin e përsosjes ngaqë bota është bërë e përsosur falë dashurisë, dhe bukuria qëndron prapa këtij fenomeni. “Çdo përsosmëri dhe bukuri vepron si kujtim i pandërgjegjshëm i asaj gjendje shpirtërore të dashuruar dhe i mënyrës së saj të të parit” thotë Nietzsche. Këtu përsosmëria, tërë bukuria e gjërave, rizgjon lumturinë afrodiziake nga shoqërizimi i ideve. Menjëherë aktivizohen termat fiziologjike të instinktit artistik i cili shpërndanë këtë fenomen në gjak. Unë më shumë do të flasë për bukurinë e veçantë. Instinkti estetik futet në punë, dhe një sasi përsosmërie rrjedh nga vende të ndryshme, ngjitet rreth bukurisë së veçantë. Kontakti me ngjyrën, ngjyra zgjon emocionet. P.sh Van Goghu përdorte ngjyra të forta, duke përdorur bojën e trashë, shpesh direkt nga tubeti. Për të, bojërat kishin kuptime simbolike. Tek lulet e diellit, që ai pikturoji për mikun e tij Paul Gauguin, ai ka përdorë harmonizimin e portokallies me të verdhën për të shprehur ndjenjat e miqësisë , partneritetit dhe estetikës. Edhe këtu e bukura shpreh natyrën personale të artistit. Ai kur përzien ngjyrën me pjesën psikologjike e ngadalëson ose e hulumton, derisa instinkti përshtat gjendjen mendore ndaj ngjyrës. Këtu e pavetëdijshmi nuk gjen fjalë për ta konceptuar të bukurën, por bënë vetëm përzgjedhjen e nuancës. Por, ajo thelbësorja është e përafërt me objektiven dhe rrjedhojat janë të  afërta njëra me tjetrën. Roli i veprës është gjithmonë të krijojë një mendim dhe të dallohet nga ajo që ekziston. Marrim botën realiste. Ajo është vetëm një fiksion në art. “Të bukurit është madhështi e rrejshme e së vërtetës” thotë një Neoplatonist. E bukura është madhështi e gënjeshtrës që mbështetet mbi irealen. E bukura bashkëvepron me të vërtetën duke mos abstenuar, ajo heq pluhurin, duke i dhënë shkëlqim shpirtëror. Njeriu ndjehet mirë kur krijon kontakt me të. Nga vetë ajo që ndjehet mirë, shpirti harmonizohet me organet tjera, dhe logjika jep vendimin. E bukura nganjëherë na bënë të ikim nga e vërteta, por kjo ikje ngarkohet me të vërtetën duke krijuar lojë. Kanti insistonte në këtë mosinteresim, e Spenceri, pas Shillerit, kërkonte që artin ta përmblidhte në lojë superiore. Është loja ndërmjet njeriut dhe veprës, por njeriu është vepra dhe ekzistojnë me distancën e cila menjëherë shpallë gjykimet për pamoren. Marrim më në brendësi gjykimet për të bukurën dhe të shëmtuarën. Ato gjithnjë kanë intelektin kundër vetës. Intelektin e vetës, por shpesh edhe kundërshton. Bindja arrihet në shkallën më të lartë. Të dyja bëjnë thirrje instinkteve tona vendosen shpejt në përzgjedhje para se intelekti të përcaktoj. Përcaktimi diktohet nga objektivja, por më e qenësishme është të kapet para intelektit. Ajo nuk ka përcaktim, por ndjenjën e së mirës. Shumë shpesh artistët në vend të asaj që në vepër të vendosin atë që ekziston,  e vejnë atë që mendojnë, dëshirojnë të jetë, atë që nuk mund ta kapin, apo frikën. Gjithmonë duhet të jetë njeriu dhe vepra. Distanca ndërmjet. Aty kemi kohë të gjykojmë për të dyja.

Përse çdo vepër artistike bëhet tërheqëse kur posedon kujtesë të veçantë e të hollë të dehjes. Kjo kujtesë zbret brenda shpirtit i cili na kthen në botë të largët ikanake, me plotë ndjenja. Nostalgjia për diçka që është mjegulluar dhe që e dimë që ka ekzistuar krijon bukurinë fëmijërore naive. Vepra artistike nuk u takon të gjitha kohërave, por përcaktohet nga koha e saj. Vetëm e bukura ik nga çdo kohë në kohë të re. E bukura nuk e do imagjinatën, por jetën. Jetën e krijon nga artisti i cili bënë që ajo të jetë mbretëreshë e të jetuarit. Qëllimi i bukurisë qëndron te absolutja. Por, prapë pangopësia me të bukurën krijon rrjedhojën. Gjithnjë do të jetë kjo.