| E shtune, 02.08.2014, 04:50 PM |
Radikalizmi dhe ekstremizmi fetar
në Kosovë lindi, u rrit dhe gufoi në mandatin e Presidentes Atifete Jahjaga,
Qeverisë Thaçi, dhe KFOR-it.
Nga Kimete Berisha
'Shqiptarët' vetëvrasës e mazohistë e 'zbuluan' një manjak, një psikopat sadist, e 'zbuluan' Lavdrim Muhaxherin që pozon para foto-aparatit me kokë të prerë në dorë, dhe tash s'kryhen mediat, nuk ngopen pa e bërë punën që të duket Kosova shtet i dështuar dhe terrorist!
Për nasihat, non-stop e citojnë, ia publikojnë dhe ia shpërndajnë krejt idiotizmat që thotë ai, ia përhapin porositë dhe mesazhet e tij, e trajtojnë si mesengjer, e trajtojnë si njeri normal që ka çfarë të thotë, si Avicena ia interpretojnë 'ëndrrat' e tij!
E kështu, mediat tash janë bërë ushtarë të terroristit Lavdrim Muhaxherit, i cili ka siguruar për vete, propagandë gratis, nëse në të gjitha rastet është propagandë bash-bash gratis!
E, në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë, e them nga përvoja personale, është zor të depërtosh (falas, pa honorar), edhe me ese dhe me tregime letrare, nëse nuk je 'i tyre'!
Ka njerëz kanibalë, që i hanë shokët dhe familjarët e tyre;
ka njerëz që kërkojnë dhimbje, në mungesë të neuroneve të dhimbjes, që ofrohen publikisht dhe vullnetarisht kërkojnë për vete në rrjete sociale kanibalë që t'ua hanë mishin për së gjalli;
Ka prindër që dhunojnë fëmijët e tyre;
fëmijë që vrasin fëmijë,
fëmijë që vrasin prindërit e tyre.
Ka ushtarë të misioneve paqësore që i kemi parë në video-fotografi kah i pëshurrin viktimat e tyre, pasi që i kanë vrarë barbarisht.
Por, këto raste individuale nuk bëhen çështje kombëtare në asnjë shtet.
Dhe, pastaj dalin disa deputetë thellohen edhe më shumë në primitivizëm dhe e ftojnë Kosovën që të distancohet nga krimineli Lavdrim
Muhaxheri, thuajse Kosova është identifikuar ndonjëherë më të.
Distancën e krijon ligji e jo aforizmat. Deri tani është dashur të 'rrotullohet' shtëpia e këtij terroristi me pagesë, dhe të arrestohen të gjithë fansat e tij, duke filluar nga Facebook- u. Të arrestohen të gjithë ligjeruesit që predikojnë terrorizmin.
E jo të luftohet terrorizmi me mesele!
Jo vetëm Lavdrim Muhaxheri që punon për interesat e Serbisë, dhe e publikoi fotografinë e tij kriminale bash ditën kur Clint Williamson e publikoi raportin për trafikime të organeve njerëzore, por sot, edhe mediat po duken si bashkëpunëtore të ngushta të Serbisë, që po e bëjnë Kosovën të duket kriminale, për shkak të një kanibali antishqiptar të Sirisë!
Lavdrim Muhaxheri ia bëri punën Presidentes që brenda dy ditëve t'i thërras në takime Institucionet e sigurisë kombëtare për të biseduar lidhur me parandalimin e radikalizmit, në Siri.
Sepse, në Kosovë nuk ka luftë, dhe për sigurinë është përgjegjës KFOR-i, që pardje u bë shok me Ushtrinë serbe, të cilën e ktheu edhe në Kosovë, sa për fillim, për të luajtur futboll, e pastaj, dikur më vonë, e thërret në ndihmë për ta gjetur folenë e qyqes Lavdrim
Muhaxheri, midis Kaçaniku, e cila për asnjë çast nuk i ra në sy Bajram Rexhepit!
Siç nuk i ranë në sy Kryeministrit Hashim Thaçi, xhamitë pa minare, midis Prishtine.
E këta të dy tash Presidentja i fton ta parandalojnë radikalizmin, pasi që radikalizmi e ka bërë të veten.
Tash duhet luftuar radikalzmin, e jo të bëhet llaf për parandalimin e radikalizmit, të cilin 'Zonja me fat', nuk e ka parë kur ditë'm' drekë lindi, u rrit e gufoi, bash në mandatin e saj, të Qeverisë Thaçi!
Dhe të KFOR-it!