Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kastriot Myftaraj: Pse duhet të arrestohet Ardian Fullani

| E enjte, 31.07.2014, 07:28 PM |


Pse duhet të arrestohet Ardian Fullani

Nga Kastriot Myftaraj

Nga mënyra se si është bërë vjedhja në Thesarin e Bankës së Shqipërisë, nuk është aspak teprim të thuhet se në këtë institucion ka ekzistuar një organizatë kriminale e drejtuar nga Guvernatori Fullani. Teorikisht nuk mund të përjashtohet mundësia që brenda një banke të ekzistojë një organizatë kriminale që synon vjedhjen e parave të bankës. Nëse brenda Bankës së Shqipërisë ka ekzistuar një organizatë kriminale që synonte vjedhjen e parave, kjo organizatë natyrisht se nuk duhet menduar si një grup njerëzish i armatosur dhe me fytyrën e maskuar, që do të provojë të përdorë forcën për të depërtuar te paratë, se ky grup do të kishte në dorë instrumentat ligjore nëpërmjet të cilëve i ishte besuar mbrojtja e parave nga vjedhja dhe grabitja e mundshme. Le të imagjinojmë se në Thesarin e Bankës së Shqipërisë do të ishte bërë një vjedhje nga jashtë, pra kur do të ishte thyer me forcë mbrojtja e Thesarit dhe do të ishte grabitur ajo sasi të parave që është vjedhur nga punonjësit e Bankës. Për të kryer një veprim të tillë kriminal duhej një grup i madh njerëzish të armatosur, të cilët Policia e Shtetit dhe Prokuroria do t’ i përcaktonin si grup i strukturuar kriminal ose si organizatë kriminale, varësisht natyrës së grupit dhe kohëzgjatjes së veprimit të tij. Në raste të tilla, organizata kriminale apo grupi i strukturuar kriminal parapëlqejnë që në masën më të madhe, ta depërtojnë sistemin e sigurisë duke pasur bashkëpunimin e punonjësve të Bankës, ndërsa forcën ta përdorin atje ku nuk arrinë të deportojnë falë mënyrave të tjera.

Në rastin e vjedhjes që është bërë në Bankën e Shqipërisë, kemi të bëjmë me një vjedhje nga brenda, nga punonjës të Bankës. Por Ardian Bitraj, njeriu i cili deri tani është përgjegjësi i vetëm, si autor i drejtpërdrejtë i vjedhjes së parave, nuk do të mund ta kishte kryer këtë krim, nëse atij nuk do t’ i ishin krijuar rrethanat e nevojshme, të cilat nuk mund t’ ia krijonte kush tjetër veç Guvernatorit Fullani dhe Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.

E thënë shkurt, nëse në hyrje të mjediseve ku ruhet Thesari i Bankës së Shqipërisë do të kishte pasur kontroll me një pajisje sigurie të llojit sensor magnetik, e cila zbulon praninë e kartmonedhave në trupin e personave që dalin nga mjediset e Thesarit, Bitraj nuk do të kishte mundur të nxirrte asnjë kartmonedhë të vetme. Sensorët magnetikë mund të programohen në atë mënyrë që të zbulojnë qoftë edhe praninë e një kartmonedhe të vetme. Dhe meqënëse rregullat e hyrje-daljes në Thesarin e çdo banke në botë, duke përfshirë edhe atë të Shqipërisë, janë të tilla që personi i cili hyn në mjediset ku ruhen paratë në ndërtesën e Thesarit, duhet të lerë që në hyrje portofolin me paratë që ka, dhe që do t’ i jepet kur të dalë, atëherë nuk kishte gjasa që nga mjediset e Thesarit të nxirrej qoftë edhe një kartmonedhë e vetme dhe jo më qindra kartmonedha, siç thotë se ka nxjerrë Bitraj.

Pohimi i të arrestuarit Bitraj se nëse nuk do të kishte vënë dorë te kutitë me kartmonedhat e veçuara për asgjësim, vjedhja e tij nuk do të ishte zbuluar kurrë, flet shumë për natyrën e sistemit të sigurisë me të cilin u mburr Fullani në konferencën e djeshme për shtyp. Kjo deklaratë e Bitrajt na jep të kuptojmë dy gjëra thelbësore për natyrën e punës dhe të sigurisë në Thesarin e Bankës. Së pari, Bitraj mund të nxirrte sa të donte nga kartmonedhat të cilat qëndronin në stok, në pritje për t’ u hedhur në qarkullim, ku del se kishte qasje të pakushtëzuar me praninë e personave të tjerë. Një qasje e tillë nuk mund t’ i ishte krijuar përveçse për t’ i mundësuar veprimtarinë e tij kriminale. Bitraj u kap vetëm se vuri dorë në fondin e kartmonedhave ku atij nuk i ishte dhënë qasje e privilegjuar, por përveç tij atje kishin qasje për kontroll edhe të tjerë njerëz. Pra Bitraj u kap se vuri dorë në ato para ku shefat e tij të organizatës kriminale nuk e kishin llogaritur që ai të vinte dorë. Së dyti, kur Bitraj foli kështu ai kishte parasysh faktin se në hyrje të mjediseve të Thesarit, ai nuk i nënshtrohej kontrollit me pajisjen elektronike që do të zbulonte praninë e kartmonedhave në trupin e tij. Tani, nëse Bitraj nuk i nënshtrohej kontrollit me sensorë magnetikë, se kjo pajisje mungonte, apo se rregullorja e brendshme ishte e tillë që ai nuk ishte i detyruar t’ i nënshtrohej këtij kontrolli, këtë çështje duhet ta zbulojnë hetimet. Në çdo rast, përgjegjësia e Guvernatorit Fullani dhe e Këshillit Mbikqyrës është përgjegjësi kriminale.

Banka e Shqipërisë, gjatë dhjetë viteve që drejtohet nga Fullani ka shpenzuar shumë milionë euro për të blerë pajisje të sofistikuara ultramoderne sigurie. E gjithë kjo është justifikuar me atë se sigurie e një banke, aq më tepër e bankës qëndrore, është diçka shumë e rëndësishme, për të cilën ia vlen çdo shumë e shpenzuar. Dakord. A është blerë një pajisje me sensorë magnetikë për t’ u vendosur në hyrje të mjediseve ku ruheshin paratë në ndërtesën apo tunelet e Thesarit? Nëse jo, arsyeja është vetëm një: Kjo pajisje mungonte qëllimisht, që të krijoheshin mundësi për t’ u nxjerrë para në mënyrë të kundërligjshme, kriminale, nga vendi ku ruheshin te Thesari i Bankës.

Kush është përgjegjës për këtë gjë? Sigurisht se përgjegjës është drejtpërdrejt Guvernatori Fullani dhe të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës, të cilët shumë herë gjatë këtyre viteve kanë miratuar blerjet e pajisjeve të sofistikuara të sigurisë dhe sistemet e sigurisë së Bankës së Shqipërisë, në të gjithë departamentet dhe degët e saj. Qëllimisht nuk është bërë gjatë këtyre dhjetë viteve as emërimi i zëvendësguvernatorit që mbulon drejtpërdrejt këto çështje, që në krye të Bankës së Shqipërisë të mungonte ai zyrtar që do ta ndjente si detyrim ligjor të drejtpërdrejtë që ta rregullonte këtë mangësi në sistemin e sigurisë. Zëvendësguvernatorin për çështjet administrative, që mbulon edhe çështjet e sigurisë duhet ta emëronte Këshilli Mbikqyrës, kryetar i të cilit është Guvernatori Fullani.

Nëse pajisja ekzistonte por Bitraj nuk i nënshtrohej kontrollit të saj, për shkak të formulimit të rregullores së brendshme, atëherë kjo është njëjtë sikur pajisja me sensorë magnetikë të mos ekzistonte fare. Edhe në këtë rast përgjegjësia është e Fullanit dhe e anëtarëve të Këshillit Mbikqyrës të cilët kanë miratuar të gjitha rregulloret e brendshme.

Çfarë provash i duhen Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme për të arritur në përfundimin se në Bankën e Shqipërisë ekziston prej disa viteve një organizatë kriminale dhe jo thjesht një grup i strukturuar kriminal, me në krye Fullanin? A mos pret Policia e Shtetit dhe Prokurororia e Përgjithshme që të gjejnë një marrëveshje me shkrim të arritur nga Guvernatori Fullani, anëtarët e Këshillit Mbikqyrës, nga njëra anë, dhe Bitraj në anën tjetër për bashkëpunim kriminal mes tyre? Një diçka të tillë nuk e ka gjetur asnjë Polici dhe asnjë Prokurori në botë, në rastin e një organizate kriminale.

Në çdo vend të botës, kur Policia dhe Prokuroria ndeshen me një grabitje banke me forcë, nga jashtë, nuk presin që të gjejnë një marrëveshje bashkëpunimi me shkrim të kriminelëve për të vjedhur bankën, që të arrijë në përfundimin se ka të bëjë me një organizatë kriminale ose grup të strukturuar kriminal. Vetë fakti që kanë vepruar një numër njerëzish, me detyra të ndryshme, për të grabitur bankën, është i mjaftueshëm që të arrihet në përfundimin se bëhet fjalë për një grup të struktuar kriminal, dhe e vetmja dilemë është nëse bëhet fjalë ose jo për një organizatë kriminale, që është shkalla më e lartë e grupit kriminal.

Fakti që ishte vetë Banka e Shqipërisë që bëri kallzim penal ndaj punonjësit të saj, nuk është tregues i pafajësisë së Fullanit, por i faktit se organizata kriminale, e gjendur në situatën kur anëtari i saj veproi për llogari të vet, duke i kompromentuar të gjithë bashkëpunëtorët, vendosi ta braktisë atë dhe të përpiqet t’ ia ngarkojë të gjithë fajin e tij. Bitraj e ka marrë përsipër fajin se ai i trembet organizatës kriminale ku bënte pjesë, e cila tashmë i ka bërë me dije se çfarë sjelljeje pret prej tij.

Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme e kanë të pamundur që të mbulojnë faktin e ekzistencës së organizatës kriminale në Bankën e Shqipërisë. Statusi ligjor i Fullanit është i tillë që ai praktikisht nuk mund të hetohet për këtë çështje pa u shkarkuar nga Kuvendi. Pse Policia e Shtetit, e cila qëkurse ka ardhur Edi Rama në pushtet, tregohet shumë e zellshme për të bërë denoncime për pallate të ndërtuara pa leje, për kazino, apo edhe për kompani private biznisi, hesht në këtë rast? Pse hesht Kryeministri Rama? Heshtja e opozitës është sigurisht kompromentuese, por vetëm nga pikëpamja morale. Përgjegjësia e vërtetë në çdo rast është e Qeverisë. Përgjegjësia e mazhorancës së sotme parlamentare është e dyfishtë se me votat e PS u bë së pari Fullani guvernator i Bankës në vitin 2004. Sot është pikërisht PS partia kryesore e mazhorancës së majtë që ka mundësi ta shkarkojë Fullanin dhe t’ ia dërgojë atë drejtësisë. Pastaj do të jetë përgjegjësi e Prokurorisë së Përgjithshme nëse nuk e arreston Fullanin. Fullani i lirë do të thotë shteti i arrestuar. Fullani dhe anëtarët e Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë duhet të arrestohen për veprën penale të krijimit të organizatës kriminale për të ushtruar veprimtarinë kriminale të vjedhjes së bankave, sipas nenit 333 dhe 136 të Kodit Penal.