Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Halil Haxhosaj: Valët e jetës në vargje poetike

| E enjte, 31.07.2014, 07:33 PM |


VALËT E JETËS TË SHFAQURA ARTISTIKISHT NË VARGJE POETIKE

Kristina Rrasi: “Valëzimet e jetës””, poezi, botoi “LULU”, SHBA.

Nga Halil Haxhosaj

Kristina Rrasi është krijuese e re, që ka filluar të shkruaj vargje që kur ishte e vogël. Them kështu sepse ajo është e lindur në fshatin Kusar të Gjakovës, shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen dhe studimet i kreu në Luzern të Zvicrës. Kjo e re e deshi shumë poezinë, sepse duke lexuar vepra të kësaj gjinie në gjuhën shqipe, por edhe në atë gjermane, ia arriti që edhe vet të shkruaj vargje, por në gjuhën e saj amtare, shqipe.

Dhe më në fund, pra në vitin 2013, kjo autore e botoi librin e saj të parë poetik me titull paksa metaforik me elemente përjetuese “Valëzimet e jetës”. Libri ka strukturim njëlinear dhe nuk është i ndarë në qerthuj apo cikle, por poezitë shtrihen njëra pas tjetrës, në radhë të parë, sipas tematikës, por pse jo edhe të motivit. Dhe kështu zinxhiri i strukturimit poetik del pak i ngjeshur e i padefinuar, por që nuk çon peshë. Libri përbëhet prej 73 poezish që kanë vargje të lira e të shtrira në masë të caktuar dhe të shprehura sipas tematikës, motivit, por në përgjithësi, ato rrjedhin e frymojnë sipas frymëzimit të autores Kristina Rrasi. Andaj, shpesh në to hasen gjendje, motive, dromca, përjetime, por edhe valëzime të jetës së autores, që, fatmirësisht, përgjithësohen dhe absorbohen te lexuesi., sepse mbase ndonjë valëzim të jetës së tyre e hasin në këto vargje poetike, gjegjësisht diçka përkon me ndonjë element nga jeta e tyre. 

Të gjitha poezitë e këtij libri janë të veshura me ngjyrimet e jetës. Poezitë e fillimit të librit janë lirika intime të dashurisë, ndërsa të tjerat kanë jehona dhe përjetime artistike nga historia e jonë kombëtare, kushtuar figurave të ndritura të trashëgimisë tonë të lavdishme. Autorja nuk e lë anash sidomos plagën e saj të thellë të mërgimtares, e cila e përcjellë çdo ditë.

Poezitë me vargje intime të lirikës së dashurisë zënë vendin kryesor dhe shtrohen në pjesën më të madhe të librit. Në qendër të kësaj lirike është dashuria e mbushur plot ndjenja, përjetime, përshkrime, peizazhe, ëndërrime dhe bukuri të tjera. Subjekti lirik i shpreh të gjitha këto nëpërmes autores duke përdorë formën, veten madje edhe gjininë. Dhe kështu bëhet një përkujdesje nga autorja që këto vargje të kenë ngrohjen dhe përjetimet e afshit të dashurisë pa ndonjë hiperbolizim apo mashtrim të tepruar. Dashuria qëndron në qendër të vargëzimet dhe me figura poetike bëhet lapidar i jetës së dashuruarve, të cilët për të japin gjithçka, madje edhe jetën. /Dashuria shpaguan çdo gjë/ Ndaj të gjithë dorëzohen para saj/, thuhet në këto vargje të poezisë “Koha shëron me melhemin e dashurisë”. Pothuajse në të gjitha vargjet me këtë tematikë dhe motiv shprehet edhe forma e strukturimit që është një formë e monologut dhe dialogut poetik. Kjo formë është tepër e ndejshme ngase është lirikë përjetuese, madje edhe e mbarsur me frymëzime artistike. Figurat e përdorura këtu janë shprehje e ndjenjës dhe përkojnë me rrjedhën e vargëzimit. Mu për këtë, autorja në disa poezi përdor formën e monologut poetik për ta lartësuar dashurinë si ndjenjë, metaforë, sinonim, simbol, e pse jo edhe si figura të tjera. Kjo shihet në strofën e parë dhe të fundit të poezisë “Unë fle në sytë tu” ku thuhet: /O dashuria ime,/ Kur mendoj për Ty,/ Nata dhe dita më bëhen një!/.

Motivi i lirikës së dashurisë në vargjet e poezive të librit “Valëzimet e jetës” të Kristina Rrasit, përkojnë me moshën e re, andaj janë përkushtuese dhe shprehëse për këtë moshë. 

Edhe poezitë me tematikë historike e patriotike zënë vendin e vet meritor në këtë libër të Kristina Rrasit. Në këto vargje poetike këndohet për atdheun, flamurin kombëtar, 28 Nëntorin-Ditës e pavarësisë, Dedë Gjo Lulin, Kosovën, Çamërinë, Shqipërinë, dëshmorët Mon Balaj dhe Arben Xheladini të vrarë në demonstratën e shkurtit të vitit 2007, Gjakovën, e tjerë. Madje të gjitha këto vargëzime frymojnë mirë artistikisht dhe nuk përmbytën në pellgun e realitetit të veçantë historik, por shkrihen dhe bashkëdyzohen artistikisht. Për flamurin shkruan: /Nëpër shekuj s’u përkule/ O, Flamuri ynë kombëtar/ Ngjyra e jote na ka frymëzuar/ Mbi armiq dhe mbi tradhtarë!/, ndërkaq 28 Nëntori është ditë madhështore e pavarësisë, e çlirimit, e gëzimit të cunguar, sepse mbetën të ndara trojet tona. Kjo plagë ende kullon, andaj në këto vargje del kërkesa për shërimin e kësaj plage shekullore.  Ndërkaq / Dedë Gjo Lulit, birit të Hotit/ Pa iu tremb syri aspak/ Ai nip i Kastriotit/ Në Deçiq ngriti bajrak/ janë këto vargje të poezisë “Strallit të Shqipërisë etnike” kushtuar trimit tonë legjendar e të paepur, Dedë Gjo Lulit. 

Edhe plaga e mërgimit zë vend të vargjet e poezisë së Kristina Rrasit. Meqë shumë e re shkoi në mërgim, kjo plagë ende kullon mall e nostalgji për vendlindjen, për shokët e shoqet, për miqtë e farefisin dhe për Kusarin e Gjakovën, sepse: /Në fëmijërinë time,/Nga shtypja dhe mjerimi/ Më larguan nga ty/ E dashura ime Gjakovë/ I bëra kaq vite në mërgim/ shfaqet ky mall nëpërmjet vargjeve të poezisë “Gjakovës sime”. Mërgimi pasqyrohet edhe në disa poezi të tjera si plagë e rëndë për mërgimtarët tanë.

Poashtu hasen edhe vargje me tematikë humori e satire që janë burime të përditshmërisë njerëzore në përgjithësi, por edhe të asaj shqiptare në veçanti. Dukuritë negative të njeriut, pastaj veset dhe dobësitë e tjera, kjo autore, i vargëzon kryesisht në vargjet e poezisë me titull “Çka s’ka”, në të cilat me pak humor e me shumë satirë, edhe i kritikon. Madje njerëzit që i bënë të gjitha këto janë budallenj, që nuk ecin në tokë, por duke shikuar në hava, sepse asgjë nuk dinë e shtirën të ditur e të mençur, e të tjera.

Ekzistojnë edhe elemente të tjera të rëndësishme në poezitë e këtij libri të Kristina Rrasit. Një veçanti që dominon është sepse autorja përafërsisht në fund të të gjitha poezive shënon datën e shkrimit të tyre dhe vendin. Kjo gjë është e rëndësishme, sepse kjo është vepra e parë e botuar e kësaj autoreje, në njërën anë, kurse në anën tjetër pasqyrohet edhe koha e shkrimit apo e botimet të tyre.

Sido që të jetë më librin “Valëzimet e jetës”, Kristina Rrasi dëshmon talentin dhe dashurinë për poezinë. Këtë me siguri do ta trasojë, e pse jo edhe do ta avancojë, duke e vazhduar krijimin artistik e poetik të vetin në të ardhmen.


Gjakovë, 30. O7. 2014