Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gollopeni: Pamjet mbi masakrën e civilëve në Irak

| E enjte, 31.07.2014, 07:40 PM |


Pamjet mbi masakrën e civilëve në Irak dhe paragjykimet mbi bazë të përkatësive etnike dhe ideologjike

Nga Besim GOLLOPENI, Sociolog

Ngjarja e dy ditëve të fundit mbi masakrën e civilëve të ndodhur në Irak, e të prezantuara përmes fotografive në rrjetet sociale dhe më pas të botuara nga mediat e ndryshme, ku shihen duke u prerë në qafë civil, janë nga ngjarjet më tmerruese, kundër çdo vlere njerëzore, primitive, e çka jo më keq. Ngjarje të kësaj natyre kemi hasur edhe në të kaluarën, të këtilla ngjarjesh kemi hasur edhe në Kosovë para një dekade të shkaktuara nga pushtuesi serb, por me një këndvështrim dhe diplomaci tjetër, por le të lutem që këso ngjarje të ndalen ku do në botë dhe të mos përsëritën.

Shikuar këtë ngjarje në këndvështrimin sociologjik, nuk do të duhej dhe nuk e besoj se ka qenie njerëzore të shëndosh (psikike) e që nuk është absolutisht kundër këtyre krimeve monstruoze çfarë po na ekspozohen kohëve të fundit, pavarësisht bindjeve ideologjike, përkatësive etnike etj. I shoh dhe i kuptoj drejt emocionet e përziera të individëve të caktuar në njërën anë, të dhimbjes për viktimat dhe në anën tjetër, të përfshirjes në këtë situatë të një shqipfolësi mirëpo, kujtoj që ngjarjet si këto e veçmas kjo e fundit, nuk do të duhej që kulminacioni i kësaj ngjarje të ishte përfshirja e një anëtari të një përkatësie etnike apo fetare X apo Y, por ngjarja monstruoze si e tillë. Në të kundërtën, që në start po krijohen paragjykime e gjykime të pa drejta dhe diferencime shoqërore e të një anshme, të cilat për pasoj krijojnë urrejtje, diskriminime etj. Për të thjeshtësuar këtë që u tha më lartë, si thonë në popull; ‘’nuk ka mal pa ujk’’ ose ‘’nëse një lis është i kalbur, nuk donë të thotë se i tërë pylli është i kalbur apo bjeshkët na qenkan të kalbura – jo të mira’’. Në mënyrë që të shpëtohet një pyll i tërë, atë do të duhej ta mirëmbajmë dhe të distancohemi nga ajo e keqe që mund të marr përmasa më të mëdha në dëm të pyllit.

Për vepra të kësaj natyre dhe të tjera, jepen dënime të merituar për secilin individ veç e veç apo/ose organizatë të përfshirë në te - sipas dëmit të shkaktuar por, kurrsesi nuk duhet gjykuar e dënuar mbi baza të përkatësive etnike apo ideologjive të caktuara.

Sa i përket përfshirjes në këtë situatë tmerruese të një shqipfolësi, është e rëndësishme që institucionet përkatëse – vendore, të hulumtojnë shkaqet e përfshirjes së shqiptarëve në këso situata tmerruese, gjenocidale në vende të huaja, në mënyrë që të ndërmerren të gjitha masat parandaluese, e të cilat do të mund të sjellin pasoja shumë të mëdha për shoqërinë dhe vendin.