| E marte, 22.07.2014, 08:00 PM |
Pse na duhet arti?!
Nga Dr. Ilir Muharremi
“Arti
është krijuar që të përjetohet e jo të kuptohet” thotë Drajzeri. Ja kjo është
fjala më e duhur për ndonjë nocion të gjerë artistik. Të përjetohet, krijon
kontaktin e drejtë me shpirtin para se të kuptohet. Kuptimi ngritë budallallëqe
të pakufishme. Këtu mund të diskutojmë për muzikën për artin më universal, herë
i quajtur absolut duke liruar kufijtë e imagjinatës me rëndësi të veçantë ndaj
vullnetit individual me një përfytyrim dhe interpretim. Tek ne nuk vjen si objekt, por si valë zanore që na
s’poston nga realiteti i përditshëm, duke na dërguar në simfonitë e idealizmit.
Shopenhauer deklaronte se “aspirata e të gjitha arteve është të bëhen si
muzika”, mendim ky i mbështetur më vonë nga Nietzsche në “Lindja e tragjedisë
nga shpirti i muzikës”. Ndërsa, Pater thotë se “të gjitha artet në mënyrë
konstante përpiqen të arrijnë gjendjen e muzikës”. Të gjitha gjendjet kërkojnë
atë thellësinë e ngjashme me harmoninë e shpirtit. Nuk është e rëndësishme të
thuash atë që ndjen, mjafton të harmonizohesh pa ditur kuptimin. Harmonizimi
ndodh me ndërgjegjësimin e shpirtit duke e pleks ashtu si është. Por, arti si
një impuls në të njëjtën kohë mbledh nga shpirti, por edhe mohon. “Të flasësh
dhe të shkruash të vërtetën është arti më i rëndë nga të gjitha artet” thotë
Gorki. Por, asnjë artist nuk e duron thellësisht realen dhe nuk përpiqet
tërësisht ta anashkaloj pa e vërejtur. Pa e vërejtur, ngaqë e vërteta objektive
ngulmon mbi atë subjektive, kështu artisti krijon në emër të asaj që i mungon,
por ajo që i mungon është shërbesë e
asaj që është dhe kështu vazhdohet të rrokulliset brenda refuzimeve, mohimeve,
kënaqësisë dhe unitetit mbi vullnetin e veçantisë. Pra, arti hap perspektivën e
përmbajtjes së veçantë, jo të mohuarit për t’u ngritur, por pafajësisë së ndodhur
e cila jeton në shpirt dhe pa u korrigjuar
Rruga e artit është një rrugë drejt lirisë. Liria arrin në shpirt duke u harmonizuar. Shumë besojnë se arti ka të bëjë vetëm me idetë. Të tjerë preferojnë ta shijojnë atë. Impresionistët debatonin për artin me pasion. Disa prej tyre mendonin se e rëndësishme ishte të pikturoje pamje jetësore të kohës së tyre, e disa kulmonin mbi efektin e dritës. Shpesh artistët kur kuadrojnë pikturën, vendosin shenja të fshehta, apo simbole të caktuara me qëllim ta kuptojmë atë. Këto shenja ndonjëherë përfaqësojnë ide të përgjithshme. Kemi “Vizionin e një kalorësi” të Raffaello Sanzio. Kalorësi po fle dhe sheh një ëndërr që të duhet të bëjë mes detyrës. Ka shumë mundësi që piktori ta ketë pikturuar heroin romak, Scipio, i cili patë përshkruar një ëndërr të tillë. Këtu kemi përcaktimin e artit në mes kohërave. Kjo pikturë nuk i takon të gjitha kohërave, përkundrazi përcaktohet nga vetë koha e saj. Këtu kemi bukurinë si pjesë të artit dhe historinë si përpjekje kundërshtuese racionale. Bukuria është absolute dhe radhitet mbi motivin e kësaj pikture. Piktura ka strukturë tri-këndore, ndarë në mes nga pema. Vështrimet e grave bashkohen, sipas dy linjave, mbi kokën e kalorësit.
Kemi artin e shekullit 19, natyra e qetë iu largua ngjashmërisë me realitetin, pasi artistët filluan të eksperimentojnë me të, për të shprehur ndjenjat e tyre. “Një piktor, vetëm me fruta apo lule, mund të shprehë gjithçka” thotë Eduard Manet. Por, ato fruta dhe lule mund të jenë vetëm simbole auto-portreti të tij, nëse i reket ndjenjave dhe imagjinatës, e cila përpiqet ta lakoj të vërtetën duke marr nga ajo. E vërteta subjektive shprehet përmes çdo objekti duke ju kthyer prapë vetes. Kështu kemi vetëm një përsëritje të jashtme të vetës të shndërruar në objekt, dhe dritë. Këto objekte kanë domethënie të veçantë për jetën e tyre. Shpesh artistët fshehin kuptime brenda telajos. Librat nënkuptojnë dijen, instrumentet muzikore simbolizojnë kënaqësinë, kafkat, apo frutat e kalbura, na kujtojnë vdekjen. Këtu kemi kuptime alegorike. Aq u bënë të famshme saqë disa piktorë pikturonin të tilla. “A është arti një rrjedhojë e pakënaqësisë nga realiteti” pyet Nietzsche. Arti është pasqyrim i realitetit, qoftë objektiv apo subjektiv. Arti shpesh shpreh mirënjohje për një lumturi. Piktorët e renesancës hyjnizuan pamjen e interpretimeve të krishterë të botës. Ata u bënë mirënjohës të ekzistencës së tyre vetëm aty ku u liruan nga fetë. Por, bota me këtë interpretim moral bëhet e padurueshme. Arti është një kahe tjetër. Krishterimi ishte si një përpjekje për të sunduar nëpërmjet artit, por jo veç krishterimi, por çdo fe përdorë artin për përfitim dhe sundim. Këtu nuk më intereson të flas për fetë në raport me artin, por artin si nevojë të ekzistencës dhe botës. Në radhë të parë ekzistencës nëpërmjet së cilës kuptohet bota. Arti i përket individit, por të dobëtit e përdorin për fuqizim dhe mbledhje të kolektivit. Artin e përdorën edhe në praktikë si atentat të çmendur, atentat i një tejngritje të njeriut në raport me botën që qoji drejtë errësimit, zvogëlimit dhe varfërimit njerëzor. Arti skllavërohet nëse me të përfitohet. Njerëzit më shumë do ta pëlqejnë një copë djathë sesa Kadarenë. Ky proklamim i rrënimit të vlerave estetike në dobi të atyre pragmatike materializon artin duke krijuar ushqim të ri për të. “Më shumë do të dëshiroja të isha një këpucëtar rus sesa një Raphaël rus”, përdorë Camus citatin e Pisarev-it te “Njeriu i revoltuar”. “Më të vlefshme janë një palë çizme sesa Shakespeare”, krahason Camus. Mjerimi duhet të largohet nga këto imazhe të dhimbshme të cilat materializojnë shpirtin duke krijuar nevojë për ushqim. Bukuria nuk duhet të jetë kalimtare, edhe pse në esencë është ashtu. Bukuria artistike gjithnjë është e bukur për ne. Pyetja mbi bukurinë është e pa definuar. Përse grekët ende janë tërheqës dhe veprat e tyre rilexohen. Eskili, Sofokliu, Eripidi ende janë të bukur për ne. Sipas Marxit, kjo bukuri greke shpreh fëmijërinë naive të një botë të shkuar, midis luftërave të të riturve ne kemi këtë nostalgji. Arti nxjerrët nga kjo fëmijëri naive, dhe çdo gjest, veprim, ndjenjë, është fëmijërore-artistike. Gjithnjë do të kemi nostalgji. Por, pse kryeveprat e rilindjes, impresionizmit, pse Klod Mone, Van Goghu, pse romanet evropiane dhe ato amerikane, pse kinematografia amerikane ende mund të jenë të bukura për ne? Pak ka rëndësi. Artistët e kohës sonë u ngjajnë bujarëve të revoltuar.