Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kim Berisha: Ferexhja e mbulon edhe Cicciolinën!

| E marte, 22.07.2014, 07:48 PM |


Ferexhja e mbulon edhe Cicciolinën!

Nga Kimete Berisha

Që në rendin e parë të xhamisë i gjen ish- komunistët ateistë, armiqtë më të tërbuar të religjioneve, e dimë.

Ama, që vjen dita e i shohim 'cullaket' e playboy-it shqiptarë, kah 'shesin' moral e gjejnë vend në xhami gjatë muajit të Ramazanit, në teravi, ato të njejtat që gjatë gjithë vitit ia kanë kthy' prapanicën cullake çdo gjëje mbi këtë dhe, këtë s'e ka marrë me mend njeri i gjallë, përveç këtyre 'llokicave', që tash po i thyejnë edhe tabutë e fesë islame.

Pra, gjatë gjithë vitit, për shembull Shkëndija me shoqe, ia kanë treguar prapanicat e tyre krejt Kosovës, e për teravi, e veshin mantelin e zi, mbulohen me ferexhe dhe u bashkangjiten njerëzve normal.

Pra, mjafton ferexhja e shamitë që ato t'i fshijnë 'mëkatet' njëvjetore, kur një herë në vit, teravive, e mbulojnë 'turpin' me uniformë religjioze.

Lëre që e 'demokratizuan' xhaminë, e lëre që edhe xhamia i trajton si Maria Magdalena mëkataret e papenduara, por xhamia po shfrytëzohet edhe si panoramë e peisazh për fotografi drejtpërdrejt nga vendi i ngjarjes.

Nëse nuk të kanë parë njerëzit në xhami- ti nuk ke qenë në xhami.

Kështu, ka ndryshuar bota, tash ndodh vetëm ajo që e shohin njerëzit në fotografi!

Prandaj, narcisizmi botëror ka arritur katarzisin, e kështu me një 'selfie' nga ambientet e xhamisë, i fshinë një numër të konsiderueshëm të mëkateve personale, në sytë te njerëzve (se tash është me rëndësi çfarë mendojnë njerëzit për ty, jo çfarë mendon Zoti. Se, Zoti të njeh, dhe nuk mendon pë ty, pasi që i di të gjitha).

Pra, luan rol që njerëzit fillojnë të të shohin për një muaj me sy normal, pastaj të harrojnë, se i kanë problemet e tyre. Plus që kur je njeri normal, s'je as interesant, askush s'merret me ty. Dhe, pikërisht ky është mallkimi më i madh pse shumë veta duan të bëhen të 'jashtëzakonshëm' e interesant, vetëm e vetëm mos me qenë 'normal'!

Kur shkon në xhami apo në kishë për veten dhe për Zotin, nuk fotografohesh.

Pas Bajramit, prapanicat kthehen në skenë përsëri, deri në teravitë e radhës, vitin tjetër, për Ramazan!

Pra, mund të jesh mashkull, e të futesh me një ferexhe në mesin e grave në teravi. Rrezik. Gjithkush mund të fsheh gjithçkah në ferexhe. Mund të fshehet një prostitutë, një aktore e filmave pornografik, një homoseksual, një transeksual, një hajneshë, një vrasës.

Gjithkush.

Ferexhja është si letra, mbulon gjithçka.

facebook.com/kimete.berisha