Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Lama: Lufta e errët për pushtet

| E hene, 21.07.2014, 07:56 PM |


Lufta e errët për pushtet

Nga Alma Lama

Qytetarët e Kosovës patën rastin të shohin një shfaqje të rrallë. Këtë herë ishte Kuvendi i Kosovës që ua servoi, në ditën e parë të të tij, atë të konstiutimit. Filloi me uzurpim karrikesh e mbaroi me zgjedhjen e kryetarit.

Personazhi kryesor ishte drejtuesja e séances, e cila u keqpërdor në mënyrën më të keqe të mundshme nga partia e saj.

Keqardhja ime ishte e dyfishtë, sepse një grua pranoi të luante këtë rol. Ne gratë ende kemi nevojë të dëshmojmë se dimë të sillemi ndryshe në politikë.

Disa media patën paralajmëruar grushta, dhe mezi prisnin që deputetët të jepnin edhe një shfaqje të tillë, por së paku në këtë pikë treguam pak maturi. Të tjerat, skandal.

Duke qenë se isha aty, nuk mund ta mohoj se disa herë mu acaruan nervat nga loja e ulët që u bë. Qëllimi ishte ta detyrojmë kundërshtarin të bëjë gabime procedurale në mënyrë që të anullojmë krejt proçesin. PDK-ja e parapërgatitur me lloj-lloj skenarësh djallëzorë, e detyroi kryesuesen ta shkelë rregulloren me dy këmbët dhe në fund ka dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese duke u ankuar se është shkelur rregullorja.

Nuk do të merrem më tutje me çështjet proceduriale dhe me atë se kujt i takon kryetari, por me një aspekt të errët të gjithë kësaj situate.

Ky aspekt i errët është mbajtja e pushtetit me çdo kusht, pra “o ne në pushtet, o zgjedhje të reja.” Mbajtja e pushtetit duke tentuar të shfrytëzohet çdo gropë e vogël ligjore, ndonjë nen konfuz në Kushtetutë apo ligje, për të cilat janë mburrur me vite të tëra si arritje të tyret; duke rrënuar çdo praktikë demokratike e institucionale.

Të bëjmë një krahasim. Britania e madhe funksionon fare pa kushtetutë, prej shekujsh. Pra asgjë e shkruar dhe e kodifikuar e ngjashme me dokumentin që kemi ne, por vetëm respektim i praktikave dhe traditave. Dikush mund të thotë se Britania është rast i veçantë.

Është shumë e vërtetë, por gjithashtu parlamentet e vendeve të tjera, e kanë ndërtuar një kulturë apo praktikë parlamentare, të cilën në rast se deputetet do të provojnë ta sfidojnë nen për nen, me siguri do ta rrënonin të gjithë sistemin.

E ajo çfarë po ngjet në Kosovë është pikërisht kjo. Sfidimi praktikës parlamentare, sfidimi nen për nen i Kushtetutës, krijimi i konfuzionit të plotë institucional deri në arritjen e qëllimit: mosdorëzim i pushtetit dhe zgjedhje të tjera.

Pse gjithë ky hezitim për mosdorëzim të pushtetit, nuk është i vështirë të merret me mend. PDK-ja është në pushtet që pas përfundimit të luftës. Ajo ka futur njerëzit e saj nëtë gjitha institucionet, dhe kontrollon pothuaj çdo pjesë të jetës institucionale dhe ekonomike.

Ata tani nuk mund të heqin dorë nga projektet shumëmilionëshe që kanë bërë shumëkënd milioner. Ata e kanë futur plotësisht shtetin nën kthetra dhe mendojnë se ky shtet ju përket atyre.

Ata e shohin si pronë edhe Kuvendin, edhe qeverinë, edhe television publik, edhe institucionet e pavarura, edhe gjyqësorin, edhe prokurorinë, pra gjithçka.

Ata bënë fushatën më të shtrenjtë pasi këto para ia kishin vjelur qytetarëve në mënyrë të paligjshme; ata janë gati të shkojnë sërish në zgjedhje sepse para kanë.

Kosova u cilësua para pak kohësh nga Freedom House vend pjesërisht i lirë. Kosova është kthyer në një lloj autokracie, apo një lloj erdoganocracie (sipas modelit të kryeministrit turk Erdogan) ku edhe pse mediat kritikojnë, efekti i tyre mbi autokratët është zero. Ata vazhdojnë agjendën e sundimit, refuzojnë llogaridhënien, vazhdojnë abuzimin me pushtetin të cilin nuk duan ta lëshojnë.

PDK ende e përdor logjikën e forcës. Një ditë i nxjerr veteranët e luftës të djegin libra (meqë ra fjala aq shumë i ka keqpërdor veteranët e UÇK-së për interesa politike sa askush nuk i respekton më) ditën tjetër uzurpon ulëset në Kuvend, flitet se në të shkuarën frikësoi dhe akuzohet se eleminoi kundërshtarët politikë nëpërmjet një organizate ilegale e quajtur SHIK, më pas vonoi shpalljen e pavarësisë për gjashtë muaj, vetëm pse donte Hashim Thaçi që ta lexonte vetë deklaratën e pavarësisë; tani kërcënon se o ata në pushtet o bëhet hataja.

Ajo që nuk kupton Hashim Thaçi, me klikën e tij është se janë duke shkatërruar gjithçka që është ndërtuar në këtë vend, pas lufte.

Janë duke fundosur Kosovën të cilën sot në saj të politikës së tyre renditet krahas disa shteteve të dështuara afrikane, janë duke përdhosur demokracinë e brishtë, e cila nëse futet në binarët e së keqes, nuk mund të dalë më kurrë prej tyre.

Fatkeqësisht, jo vetëm e shkuara nën regjimin serb ka ndikuar në mungesën e respektit ndaj ligjit të shoqërisë kosovare, por edhe e sotmja, nga logjika e papërgjegjshme e atyre që drejtuan politikisht gjatë këtyre 15 viteve.

E nëse shoqëria nuk ka respekt për ligjin, skena politike është e kriminalizuar pothuajse tërësisht. E kjo e bën të errët të ardhmen e Kosovës.

Seanca e 17 korrikut pra kurrsesi nuk duhet kuptuar si luftë procedurale për të marrë një post, e që është kryetari i kuvendit. Ajo është një luftë e errët e Hashim Thaçit për të mos dorëzuar pushtetin.

Injorimi I vullnetit të shumicës nuk është më vetëm shenjë, është gjendje alarmante që duhet të ngrejë në këmbë krejt shoqërinë. Ndryshe diktatura është duke trokitur.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)

ZERI.INFO