Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Baki Ymeri: Poezi nga Toma George Maiorescu

| E enjte, 17.07.2014, 07:40 PM |


Poezi rumune

 

Toma George Maiorescu

 

SHQIPTARIA

 

Gjendet mes bjeshkëve e detit,

diku,

ku marshalloja e këmben

ngjyrën e petaleve në çdo stinë:

ku bubullimat rrokullisen nga qartësia

përmbi qetësinë e mesditës

dhe jehona nga malet ende të paprekura të tuneleve

është mbuluar nga shkëlqimi i diellit;

shtrihet mes bjeshkëve e detit

diku,

ku gratë me djepin e drurtë në shpinë

enden duke tjerrur

shtigjeve të prekura nga breshkat,

ku çdo dru ulliri

është i rrethuar me gardhe shkarpash

që ujërat mos ta shpërlajnë dheun;

gjendet mes bjeshkëve dhe detit

diku,

ku hëna mugullon ndër yje

me më pakë ditë se në atdheun tim,

ku mbi kreshta me dëbora virgjine

shqiponjat i bëjnë çerdhet

dhe turma kapronjsh të zezë ngjiten shkrepave

porsi mbi tymin e anijeve;

gjendet mes bjeshkëve e detit

diku,

një vend i banuar nga një fis barinjsh,

një vend me lumenj të bujshëm e të kulluar,

me liqenj të pasur me peshq

e male të larta;

një vend që vjen nga legjendat

e rrugëve të ashpra të historisë

me sokola të guximshëm shqiponjash,

të ashpër si shkëmbinjtë.

 

Durrës, 1959

 

 

GJENEZA

 

Thuhet për këtë vend

i vendosur diku, mes maleve e detit,

se në ditët e lindjes së botës,

kur dritat ende nuk ishin ndarë

nga hijet,

duke u endur me një thes në shpinë,

që ta ulë dheun, Zoti

u degdis në shkretëtirë

vetëm një çik duke mbetur në fund të thesit:

gurë dhe shkarpa.

Por nga lartësitë

u fanitën zogjtë e shqipeve

dhe duke iu rritur flatrat

u lartësuan përmbi humnera,

dhe e njomën sqepin në diell

dhe nga shkëmbinjtë shpërthyen

burimet.

 

Durrës, 19 korrik 1959

 

 

LINDJA E NGJYRAVE

 

Në tokën tënde, Shqipëri,

lindin krejt ngjyrat e botës.

Dhe vjollcat e muzgëtuara

të bjeshkëve tua që i përgjunjen detit,

dhe zjarri i diellit tënd mbështetur në horizont.

I pata kundruar qiejt e lartëvendosur të Orkidesë

dhe zogjtë duke e njomur sqepin në zërin e tyre.

Vrapi i zi i bushtrave

dhe kërcimet e kaltra të sorkadheve,

efloreshencën e kurorave rrugëve të Vlorës.

Dhe qeramidhat e djegura të kështjellave të lashta;

kodrinat e bakrit

pyjet e eukaliptit dhe fikut,

golfet e peruzeve

dhe shpatijet që shkëlqejnë si argjent i gjallë.

 

Në tokën tënde, Shqipëri,

lindin krejt ngjyrat e botës.

 

Durrës, 1959

Toma G. Maiorescu, autor i antologjisë së parë shqipe në gjuhën rumune (1959)

(I shqipëroi: Baki Ymeri)