Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Besim Gollopeni: Situata politike pas zgjedhore

| E merkure, 16.07.2014, 09:01 PM |


Analizë sociologjike mbi situatën politike pas zgjedhore

Nga Besim GOLLOPENI, Sociolog

Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme politike në Kosovë (08 qershor 2014), të zhvilluara në frymën e  demokracisë, doli koalicioni pas-zgjedhor i formuar nga partitë opozitare (LDK, AAK, NISMA dhe fillimisht e përkrahur edhe nga VV por për të mos u pajtuar më vonë për ca çështje si: çështja e dialogut me Serbinë dhe çështjen e privatizimit ne vend) të cilat humbën zgjedhjet politike. Një koalicion i kësaj natyre është i pari i këtij lloji në vend (pas ’99 - ës) por, gjithsesi është në frymën e demokracisë.

Situata e krijuar pas zgjedhore, sikur krijoi një mjegulli (paqartësi) se kush (nuk) ka të drejt për tu thirrur grupimi më i madh parlamentar (koalicioni parazgjedhor apo koalicioni pas zgjedhor), të marr timonin për zgjedhjen e krye-parlamentarit dhe kryetarin e qeverisë e kështu me radhë, duke bërë që të sfidoj presidencën e vendit në një mënyrë ose tjetër, gjë që, bëri që kjo e fundit ti kërkoj (drejtohet) Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e neneve të veçanta kushtetuese, përkitazi me këtë çështje - për daljen nga kjo situatë e krijuar politike pas zgjedhore.

Pas kësaj rrodhi, Gjykata Kushtetuese e dha mendimin e saj në atë se kush ka (nuk) të drejtë për herë të parë, e të dytë të nominoj kandidatin për kryeministër të vendit. Megjithëkëtë, shikuar nga pikëpamja sociologjike, mendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk jep qartësime definitive se kush, çka dhe si duhet vepruar. Në këtë situatë më shumë i hidhet përgjegjësia presidentes së vendit, duke vënë në një pozicion jo edhe aq të volitshëm kur kihet parasysh se vendi mund të shkoj në ri-zgjedhje të përgjithshme (zgjedhje të jashtëzakonshme) e që pasojat financiare do ti vuajmë të gjithë ne (qytetarët) por jo vetëm kaq, pasojat do të ishin shumëdimensionale, ndër të tjera do kishim një stagnim dhe mund të kemi edhe regres të zhvillimeve të përgjithshme shoqëror, ekonomike dhe politike në vend gjë që, mund të bëjë që ky vit (2014) të mbahet gjatë në mend.

Pas kësaj, rrodhi që të kemi dilema të tjera legjislative, siç është rasti me propozimin për zgjedhjen e kandidatit për kryetar kuvendi (koalicioni para apo ai pas zgjedhor ka të drejtën të propozoj), gjë që, edhe kjo çështje tash më është mjaftë senzitive dhe se, njëri apo tjetri koalicion mund të qoj për interpretim në Gjykatën Kushtetuese pra, edhe kjo është çështje mjaft komplekse.

Zgjedhjet e përgjithshme politike në vend pothuajse tash e tre muaj e mos edhe më shumë,  janë bërë pjesë kryesore e debateve qytetare, mediave elektronike dhe të shtypura, rrjeteve sociale etj., gjithnjë duke ngritur pyetje dhe marrë përgjigje më shumë hipotetike se çfarë do bëhet?, kush me ke do bëj koalicion?, sa është i qëndrueshëm ky apo ai koalicion?, sa i duhet vendit njëri apo tjetri koalicion?, sa janë parimore këto koalicione?, e shumë pyetje të tjera të ngritura nga ky aspekt.

Megjithatë, ka edhe shqetësime rreth asaj se vendi mund të shkoj në zgjedhje gjë që, një situatë e tillë është e pa dëshirueshme për shumë arsye të cekura si më lartë dhe të tjera. Por, ka edhe alternativat tjera të mundshme të debatuara gjatë kësaj periudhe kohore siç janë: formimi një qeverie teknike me mandat 2 vjeçar, e që nuk do ishte e favorshme edhe kjo alternativë për vendin, kur kihet parasysh fakti se, vendi ndodhet në një situatë të ndjeshme karshi zhvillimeve që na presin, ku edhe qytetari më i thjeshtë mund dhe do të duhej të jap kontribut të madh në shtyrjen përpara të proceseve integruese. Megjithatë, si thonë në popull ‘’kur s’ka shi bën edhe breshër’’ pra, më e mirë prapë se prapë do të ishte alternativa e dytë se sa ajo e para, për faktin se, gjatë këtij mandati do të mund t’u dekodoheshin (partitë) që të bënin veçmas disa intervenime në kushtetutë e ligje të tjera, në mënyrë që situata të pa volitshme të mos na përsëriten përsëri. Natyrisht se, varianti më i mirë për formimit e qeverisë së ardhshme do të ishte sikur kjo të ndodh nga njëri apo tjetri koalicion (koalicioni para ose ai pas zgjedhor) dhe të shmangen alternativat e sipërpërmendura (shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme apo krijimin e qeverisë teknike).

Si përfundim, tash më kur dihet edhe zyrtarisht se konstituivi i Kuvendit të Kosovës do të bëhet nesër (dt. 17.07.2014), besojmë se klasa politike kosovare do të dëshmoj një kulturë të lartë politike, duke u sjellë gjithnjë në frymën e demokracisë dhe duke shmangur çfarëdo situate të pa dëshiruar në dëm të vendit dhe shoqërisë.

Prishtinë, 16.07.2014