| E merkure, 09.07.2014, 06:06 PM |
URTI OSMANI-“MËSUESE
Nga Prof. Murat Gecaj
1.
Në janar të ktij viti, publikova një shkrim informues për një libër, me autore Urti Osmanin-“Mësuese e Popullit”. Pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të bashkëshortit, prof. dr.Shefik Osmani (shkodër, 20 maj 1923-Tiranë, 21 korrik 2013), në kujtim të tij, ajo shkroi e publikoi librin e parë, me titullin “Përjetë me Shefikun”, Tiranë, 2013. Ndërsa, pas një konference përkujtimore, organizuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 4 mars 2013), temat e paraqitura ty, por dhe punime të tjera, ajo i mblodhi e i botoi në librin tjetër, “Vlerësime për prof.dr. Shefik Osmanin”(Tiranë, 2014).
Por meraku e kujdesi i kësaj bashkëshorteje shembullore, studiueseje dhe botueseje të disa librave, nuk mbaroi me kaq. Me përkushtim e durim, megjithëse vetë është në moshë të thyer, e vazhdoi më tej punën për të mbledhur shkrime e studime, ende të pabotuara në ndonjë libër, që ishin lënë nga prof. Shefik Osmani. Kështu, pas një pune të lodhëshme e këmbëngulëse, ajo tuboi e bëri gati për botim librin e tretë. Ai ka dalë këto ditë nga shtypi dhe e ka titullin “Figura të shquara të arsimit dhe të pedagogjisë”(Tiranë, 2014), me autor prof. dr. Sh.Osmanin (pas vdekjes).
2.
Sigurisht, ky botim i ri meriton një shkrim të zgjaruar e analitik. Ndërsa këtu po japim vetëm një informacion të shkurtër për përmbajtjen e tij, i cili ka redaktor prof.dr. Tomor Osmanin-“Mjeshtër i Madh”. Libri ka gjithësej 400 faqe dhe është venë në qarfkullim nga SHB “Filara”-Tiranë. Është i ndarë në këta kapituj: “Shkrime të hershme:1940-1943”, “Figura të shquara të arsimit dhe të pedagogjisë shqiptare”, “Nga trashëgimia e mendimit pedagogjik botëror”, “Recensione, kumtesa e artikuj” dhe “Kumtesa e shkrime etnokulturore”.
Në pjesën e dytë të këtij libri, flitet për: Pjetër Bogdanin, Muhamed Çamin-Kyçyku, Hsan Tahsinin, Kristoforidhin, Naim Frashërin e Sami Frashërin, Dora D’Istrian, Pandeli Sotirin, Petro N.Luarasin, Motrat Qiriazi, Luigj Gurakuqin, Hasan Pishtinën, Aleksandër Xhuvanin, Vehbi Dibrën, Simon Shuteriqin, Gaspër Beltojën, Mati Logorecin, Ahmet Gashin, Luigj Marlekajn, Migjenin, Lasgush Poradecin, Siri Shapllon, Kolë Kocin, Henrik Lacën, Stefan Priftin, Kahreman Yllin, Fatbardha Gegën, Faik Lulin e Hysni Myzyrin.
Ndërsa në pjesën e tretë, siç është e kuptushme, prof.Sh.Osmani ka shkruar për figura të njohura të mendimit pedagogjik botëror, si El Gazaliu, J.A.Komenski dhe zvicerianen Jacqueline Cornez Besson. Në pjesët e fundit të këtij libri janë përfshirë shkrime të tjera, që paraqesin interes dhe që i kushtohen përfmbajtjes së disa librave, nga Shqipëria dhe vende të tjera.
Duke e përgëzuar dhe uruar sinqerisht Urti Osmanin-‘Mësuese e Popullit”, për këtë punë mjaft të çmuar, që ajo po bën, shprehim kënaqësinë, nga pohimi i saj, se këto ditë dërgoi në shtyp edhe librin e katërt, me shkrime të tjerë, që kanë autor bashkëshortin e paharruar, prof.dr. Shefik Osmanin-“Laureat i Çmimit të Republikës”.