Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Selimi: Djemtë e dëshmorit investojnë në Kosovë

| E marte, 08.07.2014, 08:03 PM |


Djemtë e dëshmorit Avdullah Bugari afarist të suksesshëm në Austri

Patjetër, do të investojmë në Kosovë!

Jetimët  e dëshmorit patën vështirësi për të mbijetuar, ata emigrojnë në perëndim ku rriten dhe bëhen afarist, tani duan të kthehen dhe investojnë në Kosovë.

Nga Ramiz Selimi

Gjatë një vizite që i bëra dy kompanive shqiptare  për servisimin e automjeteve “Auto Nuri” dhe “Adri Bugari” pata kënaqësinë të bisedojë  me vëllezërit Nuri dhe Adri Bugari. Ishin njerëz shumë punëtorë që rrallë kam njohur në Linz. Njerëzit e tillë që janë punëtorë e të suksesshëm janë edhe të integruar  mirë në shoqërinë austriake.  Vëllezërit  Nuriu dhe Adri janë prej atyre shqiptarëve, që më jetën dhe veprimtarinë  e tyre i bënë shqiptarët që jetojnë e punojnë në Austri  të ndihen krenarë. Këta vëllezër  janë një shembull i shkëlqyer i integrimit, të cilët punojnë dhe jetojnë me kohën, por nuk harrojnë asnjëherë vendlindjen.

Si Nuriu ashtu edhe Adri  me një qetësi prej xhentëlmeni dhe papërtueshmëri në punë, tregojnë për jetën dhe biznesin e tyre. Ata janë të kënaqur dhe të lumtur me punën që bëjnë. “ Patëm kohë të vështira, nëna kujdesej për mbijetesën e familjes kur ne ishim të vegjël. Pasi përfunduam profesionin e Auto Mekanikut dhe punës disa vjeçare në kompani austriake, duke parë kërkesat e bashkatdhetarëve themeluam kompaninë tonë. Tani kemi pesë punëtorë dhe një numër të madh të klientëve nga të gjitha nacionalitetet, jemi në rritje e sipër” . Tregon me krenari Nuriu

Përderisa Nuriu merret me riparimin e makinave dhe kontrollimet teknike, Ardi bënë ngjyrosjen dhe riparimin e pjesëve të jashtme. Ata janë shumë të saktë në punën e tyre, kjo vërtetohet edhe më rritjen e numrit të klientëve .

Ata thonë se ne jemi bijtë e dëshmorit të kombit  Avdullah Bugari, të cilin e kujtojnë me mall dhe dashuri. Tregojnë me krenari për betejat dhe veprimtarinë e të atit. Kush ishte Avdullah Bugari?

Abdullah Bugari ishte njeri nga luftëtarët e njohur të komunës së Rahavecit dhe fshatrave të Anadrinit. I takon gjeneratës së djelmoshave të cilët qëndronin në krye të detyrës, i  përgatitur mirë moralisht në shumë dimensione të rrafshit kombëtar, për ti dalë zot atdheut  në ditët më të vështira. Ai ishte emëruar edhe komandant i shtabit lokal të Rahavecit. Pasi zhvillojë shumë beteja të suksesshme  në anë të ndryshme të Kosovës, në betejën e fundit të tij për qytetin e Rahavecit me 17 korrik të vitit 1998 bie dëshmorë për të mos vdekur kurrë.

Pas vdekjes së tij bashkëshortja me dy djemtë Nurin, Adrin dhe vajzën Arjetën kishin hasur në vështirësi të shumta ekonomike në sigurimin e ekzistencës. Ajo me kalamajtë e saj ishte detyruar të marr rrugën e mërgimit, në kërkim të një jete më të mirë. Austria ishte destinacioni i tyre, vendosja  Linz rezultojë të ishte fatlume për ta, pasi ata mund të bënin një jetë normale, kurse fëmijët vazhduan shkollimin. Nuriu dhe Adri që nga fëmijëria treguan interesim të madh për makina. Ata vazhduan shkollimin për profesionin e Automekanikut ku edhe u certifikuan me diploma për këtë profesion.

Kjo nuk është Kosova për të cilën ra dëshmorë babai ynë!

Shpeshherë ata i karakterizon modestia gjatë bisedës, por me një vizion të qartë për rritjen e biznesit të tyre.  Dashuria për atdheun dhe vendlindjen është e ngulitur në shpirtin e tyre. Si shumë shqiptarë  ata vizitojnë vendlindjen rregullisht, disa herë gjatë vitit, janë jashtëzakonisht mirë të informuar për situatën ekonomike dhe politike. Shprehin shqetësimet e tyre për zhvillimet e vendit tonë, për hallet e njerëzve të Kosovës, që i donë aq shumë.

„ Edhe babai ynë si të gjithë dëshmorët tjerë ja falen jetën vendit për një Kosovë të lirë, ku të gjithë kanë shansa të barabarta, për një Kosovë ku fëmijët e tyre  mund të jetojnë me dinjitet në të, ku familja nuk është e detyruar të emigrojë, për shkak të mbijetesës. Kjo nuk është Kosova për të cilën ra dëshmorë babi ynë. Ai na fliste për një Kosovë të mundësive, për një Kosovë me zhvillim e prosperitet, për një Kosovë ku asnjeri nuk do të ndihej i rrezikuar se nuk do të mund ta ushqejë fëmijën e vet. “ tregojnë vëllezërit për shqetësimet e tyre.

Ata thonë se do të bëjnë të pamundurën që biznesin e tyre ta themelojnë edhe në Kosovë. Malli për vendlindjen nuk i hiqet edhe sot e kësaj dite dhe është pikërisht ky mall që i shtynë të ketë jo vetëm interes dhe dëshirë për të investuar në Kosovë, por edhe për mundin dhe amanetin e prindit që sakrifikojë jetën për atë tokë.

„ E dijë që është i vështirë riatdhesimi, por ne për asnjë moment nuk e kemi hequr nga mendja kthimin dhe investimin në Kosovë. Kjo shpresë na jep forcë akoma më shumë që të punojmë dhe të kursejmë në mënyrë që kthimi të realizohet sa me shpejt. Jemi thellë të bindur se brenda pak viteve do të realizohet kjo dëshirë. Çfarë kuptimi ka që babi të vdesë për Kosovë e ne të asimilohemi diku nëpër botë. Kjo nuk do të ndodhë kurrsesi , pasi ne jemi thellë të bindur në kthimin tonë. Shpresojmë që edhe ata që po e vjelin Kosovën të jenë ngopur  dhe më në fund do të rregullohet situata.” thotë Ardi.  Ata shpresojnë gjithashtu që edhe shqiptarët tjerë në botë kursimet e tyre t’i investojnë në Kosovë sepse Kosova ka nevoje për investimet e të gjithë mërgimtarëve. Të dy njëzëri pasi me falënderuan për vizitën,  vazhduan punën e tyre.