Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Arbana Xharra: “Luftë” kombëtare apo fetare

| E hene, 07.07.2014, 07:13 PM |


“Luftë” kombëtare apo fetare

Nga Arbana Xharra

Serbia tashmë e ka të qartë se e ka humbur Kosovën, por Beogradi e ka problem t'i shohë shqiptarët e evropianizuar. Kundërshtarët tanë, nuk mund ta përballojnë faktin se shqiptarët janë Evropë, këtu qëndron problemi.

E gjithë "lufta" bëhet që shqiptarët të prezantohen si antievropian, të paemancipuar, në mënyrë që të bëhen të papranueshëm për Evropën. Këtë konstatim e kisha lexuar disa herë në veprat dhe shkrimet e shkrimtarit të madh shqiptarë, Ismail Kadare, por pata rastin ta dëgjoja edhe nga goja e tij.

Javë më parë në një nga lokalet e Tiranës, teksa bisedonim për çështjen shqiptare, rrugëtimin tonë dhe shansin e mijëvjeçarit që e kanë shqiptarët të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian, derisa fliste për regresin shqiptarë më riktheheshin në kujtesë detaje nga libri i tij, "Mosmarrëveshja", ku prezanton aq shumë argumente dhe shtron dilemat se kush kujt i bëri më keq, të tjerët-shqiptarëve, apo shqiptarët vetvetes.

Shfrytëzova rastin ta pyesja për sheshin “Skënderbe” në Francë nëse e kishte dërguar ende Shqipëria bustin e Skënderbeut. E kisha mësuar nga libri i tij se shqiptarët e lanë të zbrazur sheshin, madje e penguan dërgimin e tij.

Sheshi ende kishte mbetur pa Skënderbeun, aty po qëndron i shënuar vetëm emri i tij. Fatkeqësisht, shqiptarët kundërshtarë të tij dhe antiperëndimorët çdo ditë e më tepër po shtohen.

Projekti i hershëm i serbit famëkeq "Drafti i Çubriloviçit", siç e quan Kadare, po jetësohet, qëllimi i të cilit ka qenë armiqësimi shqiptarëve me Evropën. Ai ka parashtruar rrugën për të tërhequr në kurth shqiptarët. E synimi i tij po trashëgohet lehtësisht nga sllavët në momentet më kyçe për shqiptarët.

Pak kohë pasi që Shqipëria mori statusin Kandidat për në BE, në momentin kur shqiptarët marrin sinjalin se një derë për ta po hapet drejt Evropës dhe të gjithë kthejnë sytë drejt nesh, shpërthen vëmendja tek "ekstremistët shqiptarë të Maqedonisë". Kurthi duhet nisur diku e ai fillon aty ku terreni është më i lehtë për t’u kapur.

Vrasja e pesë maqedonasve shfrytëzohet për shpalljen e shqiptarëve "islamistë radikalë të rrezikshëm". Tash kemi të bëjmë me fokus ndaj "shqiptarëve ekstremistë" si rrezik potencial për perëndimin dhe jo vetëm dënimi për vrasjen.

Shqiptarët e manipuluar në vend, se të dëshmojnë të kundërtën, protestojnë haptazi në mbrojtje të çështjes fetare. Bartja e flamujve me mbishkrime arabe në protesta shqiptare dhe thirrja se "Islami do të dominojë botën", mjaftojnë për të argumentuar konstatimin e maqedonasve se nuk kemi të bëjmë me çështje kombëtare, por fetare.

Këto pamje i mjaftojnë kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, e gjithë atyre që duan t’i dërgojnë mesazh perëndimit se shqiptarët qenkan antiperëndimorë për të kërkuar refuzimin e integrimit.

Më shumë se kaq, kundërshtarët duan që t'i thonë Evropës dhe SHBA-së se gabuat kur shpëtuat një popull gjysmë të humbur për të penguar çdo integrim të shqiptarëve, për të na shpallur mosmirënjohës ndaj miqve ndërkombëtarë.

E gjithë kësaj kauze antishqiptare më shumë se kurrë po i kontribuojnë grupet antiperëndimore mes shqiptarëve.

ZERI.INFO