| E premte, 04.07.2014, 07:55 PM |
Të përndjekurit politikë dhe të
drejtat e njeriut
Nga Reshat Kripa
Në njerën nga frazat e tekstit të Deklaratës së Pavarësisë Amerikane thuhet:
Ne i konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se Perëndia u ka falë atyre disa të Drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe Mundësia për të ndjekur suksesin dher lumturinë.
Mesazhi i kësaj fraze është se natyra dhe jo qeveria të gjithë njerëzve u ka falur të drejta themelore dhe të pamohueshme dhe se qeveritë krijohen prej tyre me të vetmin qëllim për t’i shërbyer atij në mbrojtjen e këtyre të drejtave. Sa më e afërt të jetë një qeveri me të drejtat e popullit të vetë, aq më demokratik do të jetë vendi.
Kjo aksiomë është një tregues i qartë i shkallës së demokratizimit të vendit. Më lejoni të paraqes disa mendime lidhur me mesazhet e kësaj fraze.
Janë pikërisht këto parime për të cilat ky popull u sakrifikua për gati një gjysmë shekulli deri sa e shporri pergjithmonë kuçedrën e kuqe që e kishte zaptuar. Para syve te mi më dalin të rënët në këtë betejë të paparë në historinë e njerëzimit, më dalin mijrat e të burgosurve, internuarve, dëbuarve, më dalin burgjet dhe kampet e tmerrshme të punës së detyruar apo të internimit, më dalin qelitë e errëta të sigurimit të zi të shtetit komunist, më del humbja e personalitetit të njeriut dhe zëvendësimi i saj me të ashtuquajturin “Njeriu i ri socialist”, që sot është shndërruar në një politikan pa skrupull, në një trafikant femrash, fëmijësh, droge, në një vrasës me pagesë apo të tjerë tipa të kësaj natyre. Shkrimtari i madh amerikan Mark Tëain ka thënë:
Patriotizëm do të thotë të duash atdheun tënd gjithmonë, por të mbështetësh qeverinë vetëm kur ajo e meriton.
Praktika e këtyre njëzetekatër vjetëve ka treguar se jo gjithmonë kemi qëlluar në shenjë. Një gjë e tillë bie në sy, më tepër, në premtimet që janë berë për çështjen e kthimit të pronave pronarëve të ligjshëm dhe sidomos në trajtimin e të përndjekurve politikë dhe dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist. Lidhur me këtë, në përgjithësi, në vendin tonë është ndjekur taktika e lënies në heshtje të së kaluarës së errët, në mënyrë që ajo të harrohet Në të kundërt, kohët e fundit kanë filluar të ndihen zëra që kërkojnë të rehabilitojnë sitemin e përmbysur. Rastet e shfaqura në ditën e dëshmorëve apo në përvjetorin e Kongresit të Përmetit ku, në sytë e pushtetarëve, u shfaqën portretet e dikatorit të rrëzuar, ku fëmijë të pafajshëm ishin instruktuar të nderonin me grushtin, simbolin e komunizmit dhe ku disa përfaqësues të lartë forcash politike predikonin për të ashtuquajturën “ditë e çlirimit”.
Përse ndodhin fenomene të tilla në vendin tonë? Kjo ndodh sepse, në kundërshtim me vendet e tjera ish socialiste, nuk është dënuar ideologjia komuniste. Madje, për më tepër ajo sapo vjen dhe po propagandohet më tepër. Një gjë e tillë është në kundërshtim me parimet demokratike të Deklaratës së Pavarësisë, që përkujtojmë sot.
Në vitin 1996 Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi rezolutën numër 1096 “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve të mëparëshme komuniste totalitare”, rezolutë e firmosur edhe nga delegacioni ynë në këtë asamble. Por, çuditërisht, mungoi publikimi i saj në shtypin shqiptar. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 25 janar 2006, me nismën e deputetit suedez Goran Lindblad, Asamblea Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi një rezolutë tjetër, atë me numër 1481 “Nevoja për ndëshkimiun ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste” edhe kjo e firmosur nga delegacioni ynë. Më 30 tetor 2006 Kuvendi i ynë miratoi rezolutën përkatëse “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Çuditërisht deputetët socialist dolën nga salla në çastin e votimit të saj. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Kambanat e alarmit fillojnë të bien. Në muajin mars 2010 një delegacion i Kombeve të Bashkuara i kërkon Shqipërisë të dënojë krimet e komunizmit. Që një delegacion i Kombeve të Bashkuara të kërkojë dënimin e krimeve të komunizmit duhet që ai t’i ketë parë gjurmët e kësaj murtaje dhe kjo njëzet vjet pasi Shqipëria pretendonte se kishte përmbysur komunizmin. Përse? Askush nuk përgjigjet.
Më 14
dhjetor 2010 me anën e një letre të nisur nga
ana e ministrave të jashtëm të Lituanisë, Letonisë, Bullgarisë,
Hungarisë, Rumanisë dhe Çekisë, me nismën e Ministrit të Jashtëm Lituanez,
zotit Audronius Azubalis. drejtuar Komisares Europiane për Çështjet e
Drejtësisë, zonjës Vivian Reding, letër që Komisioni i Be-së, të cilit i ishte
drejtuar ajo, kishte marrë përsipër shqyrtimin e saj me seriozitetin më të
madh. Letra në fjalë përmbante propozimin për ngritjen e një gjykate
ndërkombëtare për dënimin e krimeve të komunizmit. Për fat të keq, në këtë
dokument mungonte firma e Ministrit tonë të jashtëm. Ministër i Jashtëm ishte
Ilir
Ç’duhet bërë? Përgjigja është një e vetme, ajo që përmendëm më sipër, zhdukja e pasojave të rregjimit komunist. Për sa më sipër shtroj pyetjet e mëposhtëme:
1. Kur do të organizohet konferenca kombëtare me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të parlamentit, qeverisë, partive politike, shoqatave të të përndjekurve, akademikëve, historianëve si dhe ekspertëve të OJQ-ve, për krimet e kryera nga komunistët? Aq i vështirë qenka organizimi i kësaj konference, kur në vendin tonë organizohen me dhjetra të tilla për çështje që nuk mund të krahasohen me ato të të përndjekurve politikë si për shembull mbrojtja e të drejtave të romëve apo homoseksualëve?
2. Kur do të fillojë puna për gjetjen e të vrarëve dhe të zhdukurve me ose pa gjyq për arsye politike? Kur familjarët e tyre do të kenë një varr ku të vendosin një tufë me lule apo të derdhin dy pika lot?
3. Kur do të dënohet diktatori Enver Hoxha si ideatori, frymëzuesi, dhe ekzekutuesi i sistemit më diktatorial të Europës Lindore?
4. Kur do të rishikohen datat dhe simbolet e sistemit komunist që shënojnë instalimin diktaturës komuniste? Kur do të hiqen këto data nga protokollet zyrtare shtetërore? Sa do të vazhdojë të qëndrojë në varrezat e dëshmorëve të kombit ylli komunist në një kohë kur gjembat e atij ylli vranë edhe martirët tanë që prehen atje? Dhe të tilla simbole, për fat të keq, i gjen në çdo skaj të atdheut tonë.
5. Kur do të hapen dosjet e ish bashkëpuntorëvë të sigurimit të shtetit për politikanët, drejtuesit e institucioneve kushtetuese, atyre të sistemit të drejtësisë, të administratës qëndrore apo lokale, si dhe të mediave audio-vizive apo të shkruara?
6. Kur do të bëhen publike dokumentat që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, përfshirë edhe dosjet e krijuara në ish institucionet e përndjekjes dhe dënimeve politike si Sigurimi i Shtetit, Gjykatat dhe Prokuroritë dhe Komitetet e Dëbim- Internimeve?
7. Kur do të bëhet rishikimi i historisë dhe i teksteve të librave shkollore, në mënyrë që të mos helmohen më nga propaganda komuniste fëmijtë tanë? Kur do të hapen muzeumet, kthehen në muze burgjet e tmerrshëm, ngrihen memorialet në nderim të shqiptarëve që u vranë nga regjimi totalitar?
Të gjitha këto kërkesa janë pjesë të rezolutës së miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2006 që, për fat keq, ende kanë mbetur në letër. Atëhere çfarë pritet që të zbatohen? Mendoj se, sa më parë, duhet të gjenden rrugët për zbatimin e tyre. Ne sot paraqitemi në prokurori dhe në gjykatë për ndonjë problem dhe nuk janë të rralla rastet që para të gjejmë hetuesit tanë apo bijtë e tyre. Një fenomen i tillë ndodh edhe në disa institucione të tjera, ku ndeshim njerëz të këtij kallëpi. Madje farsa ka arritur deri aty sa një pjesë e tyre janë dekoruar nga presidentët e republikës për “merita të veçanta”.
Shoqata e
jonë është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të të Burgosurve Politikë dhe
Viktimave të Komunizmit me qendër në
Të nderuara zonja dhe zotërinj!
Sot jemi
mbledhur për të përkujtuar 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë
së SHBA-së. Në këtë ceremoni do të donim të kishim prezent ambasadorin e
SHBA-së, zotin Alexandër Arvizu, por ai na njoftoi se agendën e kishte të zënë.
Donim edhe ndonjë përfaqësues tjetër të asaj ambasade, por asnjë nuk u paraqit.
Luftëtari i shquar i të drejtave të njeriut, në mënyrë të veçantë i njerëzve me ngjyrë, Doktor Martin Luter King, ka thënë:
Ajo që është më e rrezikshme nuk është vetëm njeriu i keq, por dhe heshtja e njerëzve të mirë.
Ndaj ne nuk duam të heshtim më.
Kumtesë mbajtur në konferencën shkencore mbi 238 vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së SHBA-ve.