Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Alma Lama: Zgjedhjet, një nyjë gordiane

| E merkure, 02.07.2014, 07:24 PM |


Zgjedhjet, një nyjë gordiane

Nga Alma Lama

Zgjedhjet e 8 qershorit, u zhvilluan për t’i dhënë zgjidhje ngërçit të krijuar në Kuvendin e Kosovës, para pak muajsh, ku si pozita, ashtu edhe opozita nuk e kishin shumicën e numrave, përkatësisht për të qëndruar në pushtet ose për ta rrëzuar Qeverinë. U ngrit shpresa se një qeverisje e degraduar dhe e korruptuar deri në fyt duhet të ndërpritet për të zëvendësuar me një qeverisje më të mirë.

Me një fjalë zgjedhjet u panë si zgjidhje e nyjës gordiane të krijuar muajve të fundit. Por, a ishin me të vërtetë të tilla?E vërteta është se ato jo vetëm që nuk e zgjidhen këtë nyjë, por e krijuan një edhe më të pazgjidhshme. Dhe për këtë situatë, për mendimin tim, faji është tërësisht në anën e partive opozitare. Këto subjekte dështuan ta fitojnë betejën me elektoratin, sepse dështuan ta bindin atë se oferta e tyre është serioze, është bindëse; dështuan ta bindin se qeverisja e tyre nuk do t’i ngjajë as përafërsisht qeverisjes së PDK-së.

Kjo ndodhi sepse subjektet i çuan në kufirin më të lartë interesat e tyre partiake. Shikoni fushatën elektorale. A nuk ishte e zbehtë, pa gjak, pa alternativa? A pa dikush ndonjë betejë demokratike ku konkurruan idetë dhe programet bindëse? Me pak përjashtime, a pa dikush personalitete që i mbushën mendjen dikujt se po, këtij duhet t’i besohet?

Kjo ndodhi edhe për një arsye tjetër, sepse individët brenda subjekteve i çuan në kufirin më të lartë interesat e tyre individuale. Lufta e brendshme, që u zhvillua në secilin subjekt, veçanërisht bërrylat e mediokërve ishte shkatërrimtare për shpirtin e fitores. Sado që elektorati nuk i sheh nga afër këto, ai i nuhat dhe reagon nëse e sheh se vota e tij mund të bëjë ndryshim ose abstenon nga dëshpërimi. Të dyja kanë ndodhur në ditën e 8 qershorit.

Zgjedhësit nuk janë budallenj. Ata e nuhasin kur kandidatët interesohen vetëm për të marrë dhe mbajtur pushtetin. Në këtë situatë ata shohin kosto-benefitin e tyre, bëhen zgjedhës racionalë dhe vendosin se çfarë drejtimi do të marrin. Në radhë të parë e do të shkojnë drejt kutive të votimit.

Nëse po, cili do të jetë subjekti tek i cili besojnë se mund ta bëjë ndryshimin?Faktet janë kokëforta, vetëm 43% e zgjedhësve shkoi pranë kutive, gjë që do të thotë se ata kanë nuhatur diçka që neve si parti opozitare s’na pëlqen aspak, por ama duhet ta pranojmë se s’kemi rrugë tjetër: ata kanë nuhatur se partitë politike nuk duan t’i fitojnë zgjedhjet për të bërë politikë në interesat e atyre, por duan t’i fitojnë zgjedhjet thjesht për të marrë pushtetin. Programet e formuluara prej tyre, show mediatik që u ofrua, pa e mohuar një lloj kreativiteti ditëve të fushatës ishin tërësisht në funksion të këtij qëllimi.

E kjo e bëri indiferent zgjedhësin racional, i cili duket se në Kosovë është gati gjysma e elektoratit. Ky është elektorati homo economicus, siç e cilësojnë studiuesit, elektorat i cili në politikë, ashtu si në ekonomi luan një rol të vetëm: atë të konsumatorit që gjykon në mënyrë të arsyeshme dhe që mendon për kostot dhe përfitimet.

Partitë në opozitë pra ishin ai tregtari që nuk ia mbushi dot mendjen konsumatorit racional, edhe pse ai tregtari tjetër përballë për 7 vjet më radhë kishte pasur ofertën më të keqe të mundshme.

Ai elektorat që votoi, ishte militant, ishte elektorati që voton me afeksion dhe nostalgji, ishte elektorati që voton në sajë të lidhjeve familjare e shoqërore, ndërsa zyrtarët partiakë u angazhuan që partitë e tyre të dalin fituese, duke llogaritur në përfitimin e posteve zyrtare. Natyrisht e gjitha kjo është brenda logjikës demokratike të konkurrencës, mirëpo është krejtësisht e pamjaftueshme për të garantuar fitoren në zgjedhje.

Beteja do të duhej të fokusohej në elektoratin racional, apo të fjetur siç e quajnë disa. Mbase më e përshtatshme do të ishte fjala “të irrituar” me politikën aktuale në Kosovë. Natyrisht, këtu pesha më e madhe i bie LDK-së si partia e vetme serioze që kishte potencial për ta përmbysur situatën.

Megjithatë partitë, që ne mandatin e kaluar ishin në krahun e opozitës, të marra si tërësi nuk dështuan që vullneti i dalë nga lufta konkurruese të jetë vullnet i shumicës. Por, pikërisht kjo e krijoi nyjën gordiane.

Një skenë shumëpartiake siç është kjo në Kosovë e vështirëson jashtëzakonisht krijimin e shumicave kushtetuese, të nevojshme për të marrë pushtetin. Subjektet, në modele të tilla, janë mjaft larg njëri-tjetrit për sa iu përket programeve, janë në pika ekstreme të një boshti linear ku do të shtrihej e majta dhe e djathta. Shto këtu edhe karakteristikat e tjera të partive politike në Kosovë, të cilat nuk janë aspak ideologjike, por kanë të bëjnë me moralin.

Ka parti me prapavijë kriminale, për shkak të numrit të madh të personave të inkriminuar që bëjnë pjesë aty, ka parti që edhe pse në demokraci ende veprojnë me logjikën e ilegales, ka parti që ende bëjnë dosje për kundërshtarët politikë, që përdorin metoda staliniste për linçimin e tyre, ka parti me individë të korruptuar, të cilët do të duhej të ishin në skanerin e drejtësisë.Të mos lëmë anash minoritetet, 20 votat e të cilëve kanë peshë domethënëse për krijimin e Qeverisë, që ja shtojnë disa lidhje nyjës gordiane. Mundësia pra për t’u bërë bashkë këto parti është e vogël. Hapësira e veprimit është e ngushtuar.

Partia që doli fituese në këto zgjedhje, falë patericave jo parimore që mori pas vetes, kurrsesi nuk mund t’i fërkojë duart në këtë situatë ku duket se askush nuk është i fituar, por humbësi më i madh është sërish populli i Kosovës. E nyja nuk zgjidhet siç ka dëshirë ky subjekt, duke shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme, me shpresën se kundërshtarët politikë do t’i gjejë në pozita më të dobëta.

Për mendimin tim nyja zgjidhet, nëse subjektet politike do t’i harrojnë kalkulimet personale siç po bëjnë dukshëm këto ditë, por do të bashkohen vetëm rreth një boshti: interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

(Autorja është deputete e LDK-së. Qëndrimet janë personale)