| E enjte, 26.06.2014, 07:22 PM |
Zog Hysenaj
Dielli i Ali Ramës
E shpesh e thashë se atje...
Atje, e
bash atje ku pëlcet e
prej sysh e gojëve të shkëmbit,
aty në amën e Përrojzve
në Përrojz te mullini, ky përrua,
ose më mirë të them, ky krua mahnitës,
që shpërthen si një shpanik te shpia e Uk Manit
e më posht i thonë Përroni i mullinit,
dirgjet rrëmbimthi asaj lugine të thellë
drejtë e në Valbonë.
Kësaj Valbonës unë ia paskam ngjitë këtë emër
I thash Ali Ramës në Kalbë.
Edhe po të ishte gjallë
Prapë aty do ta gjej atyre stomijeve
e atyre arave që u jepte tërë atë hijeshi
Dhe po kaq hijshëm do të fliste Naimi:
“Punë punë natë e ditë”
Se kur shkrepte dielli i mëngjesit
Ali Rama e përshëndeste atë nga Ara e Gatë
Herë nga Kodra e Gjytetit
E herë në Log takohej me ato rreze
Dalë prej syrit të diellit
E nuk kthehej deri në darkë
Në atë darkë që e përcillte
Sa të kapërcejë përmbas majës së Kores
A thua se e kishte bërë më fjalë me të
Ta priste përditë e ta përcillte përnatë
Sa me thënë e nxori syrin dielli i Alisë
Perëndoi dielli i Alisë
Dielli i Ali Ramës së Hysen-makajve..
Aiiii, ma morën Avdylin !
Kurrë më ngusht nuk e ndjeva veten
Se atë ditë,
Atë ditë shiu, apo, ndoshta ishte diell,
Kur ia vunë prangat Avdylit
“Në emër të popullit”?!
O zot!
Për fajin më të madh që mund të bënte një njeri,
Nuk e përbinë dot bukën e zezë
Të përzier e të nxirë nga undi.
Tha: “është e keqe”,
Dhe vetëm ishte,
Po fliste me vete,
Që me paratë e veta e pat blerë në dyqanin e shtetit,
Më duket se u err në atë mesditë
Kur prangat (ndoshta nga shtrëngimi)
Në duar aq shumë kërcitën e aq shumë zhurmë bënë…
E morën!
E vendin bosh e lane...
Jo, jo, ishte diell, dielli si pisha
Sepse pashë që deri në bisht i djerësitur isha
Eeee, po, po. Dielli më duket që ishte
Por nuk mbeti njeri aty
Veç panik e bishta duhani…
Unë nuk mbeta vetëm, jo
Avdylit i thanë: “do të japim bukën e bardhë”
E, thashë se shpëtoi,
Ai Avdyl Zeza që s’e pashë më, sot e kësaj dite,
Pasha atë Zot!
Në vend të bukës së bardhë
Pranga të zeza,
I dhanë …