| E marte, 24.06.2014, 07:22 PM |
Zë nga varri Çam*
Nga Ukshin Zajmi
Shtatë dekada,
Varri ynë heshti
-nuk priti lule nderi
e nuk iu fshi pluhuri.
Jemi shumë ketu,
disa u krijuam
nga natyra
disa nga dreqi Z,
në Paramithi e Filat,
e që n’ Gumenicë ka shtat.
Zëri, vie edhe nga Parga
Margëliçi, Konispoli
e nga shumë vende të tjera:
-Ejani o njerëzit e mij
ne po u presim
të çmallemi
për jetën e ndarë
70 vjeçare,
të flasim
për nipër e stërnipër
e të mësojmë
për fatin e fëmijëve tanë.
U tradhtuan
edhe vëllezërit tanë
“se feja krijon komb”,
e dikur
zotit i luteshim shqip.
As ata
te varri nuk na vijnë
por, shetisin bri nesh.
Bota ecën përpara:
-vëllëzërit do t’pendohen
dreqin Z do ta vras rryfeja
siç e vrau koha.
E miqtë,
do të kthejnë
në vend të vet
të përndjekurit,
për t’i vizituar varret
e për t’ua lehtësuar dhembjet.
…..
* Në bazë të statistikave që jep shoqata “Çamëria” në Tiranë, gjatë goditjeve që janë bërë në vitet 1944-1945, në fshatrat çame janë vrarë gjithsej 2771 civilë shqiptarë dhe konkretisht si më poshtë: në Filat dhe rrethinat 1286, në Igumenicë dhe rrethinat 192, në Paramithia dhe rrethinat 673 dhe në Parga 620. Janë plaçkitur dhe djegur 5800 shtëpi në 68 fshatra. Në një listë të hollësishme të humbjeve materiale përfshihen 110.000 dele, 24.000 bagëti të trasha, 250000 kv grurë dhe 80.000 kv vaj ushqimor, të cilat arrijnë në 11 milionë kg grurë dhe 3 milionë kg vaj ushqimor. Si rezultat i këtyre goditjeve, llogaritet që 28.000 çamë të jenë larguar për në Shqipëri, ku u vendosën në periferi të Vlorës, Durrësit dhe Tiranës.