| E marte, 24.06.2014, 07:59 PM |
Nekrologji
Bedri TAHIRI
Krenaria e Gjimnazit dhe Vushtrrisë
(Sot, më 3 qershor 2014, në Vushtrri iu dha lamtumira e fundit profesorit, veprimtarit dhe atdhetarit Fadil Beqiri)
E nderuara familje Beqiri!
Të dashur nxënës, kolegë e bashkëpunëtorë të prof. Fadil Beqirit!
Të nderuar të pranishëm!
Sot fati më ka ngarkuar një barrë që mezi po e mbajë. Kolegët ma besuan fjalën mortore për shokun, pedagogun e veprimtarin e palodhur të çështjes kombëtare, i cili, dje, papritur, kur filizat e njomë e prisnin në klasë tu ligjëronte e tu jepte fuqi mendore, vajti në përjetësi. Iku shpejt, pa na thënë lamtumirë, gjë që bie ndesh me çiltërinë e tij shpirtërore. Kumti i djeshëm ra si kambanare mbi Gjimnazin tonë. Mirëpo, megjithatë, po e përballojmë, meqë krenaria qëndron mbi dhimbjen.
Fadil Beqiri erdhi në këtë botë më 18 maj 1950 në shkrepat e Kaçanollit, që qëndron si nyje lidhëse midis Shalës, Përmalinës e Llapit. Rrjedh nga një familje atdhetare e arsimdashëse. I ati, Sadriu, shkrim- leximin e mësoi si autodidakt, dhe, si atdhetar i flakët, përkrahu çdo lëvizje çlirimtare. Gjatë LDB ishte sekretar i Ahmet Selacit e më vonë pjesëtar i dalluar i NDSH, për çka edhe u dënua me pesë vjet burgim në kazamatat e Nishit.
Edhe i biri, Fadili edhe të tjerët në këtë familje, u frymëzuan në rrugën e nderit. Shumë i rrokën armët e lirisë e trimi Faruk Beqiri ra në Altarin e pavdekësisë.
Djaloshi entuziast, me emrin Fadil, mësimet fillestar i mori në vendlindje e në Kërpimeh, Normalen në Mitrovicë e Fakultetin e Matematikës në Prishtinë. Profesionin e mësimdhënies e ushtroi me profesionalizëm dhe me një përkushtim të pashoq, duke i qëndruar gjithmonë besnik idealizimit dhe mbëltimit të atdhedashurisë tek brezat e ardhmërisë.
Pra, krahas mësimit, ai u bë edhe mbrojtës i denjë i të drejtave të popullit të vet. Më 1981, kur ngjau Pranvera studentore, Fadili u gjend në radhët e para të demonstratave të përgjakshme. Atë vit, pasi bëri përvojë nëpër disa vende e shkolla tjera, erdhi përfundimisht në shkollën tonë, ku qëndroi deri dje, kur mordja tinëzare e rrëmbeu vjedhurazi.
Që nga viti 1996 angazhohet edhe në KMDLNJ në Vushtrri, ku me shumë kolegë bashkëpunëtorë, përcolli dhe shënoi me pedantri e besnikëri të gjitha llojet e krimeve që regjimi pushtues i Serbisë ushtroi mbi shqiptarët në Vushtrri. Më 22 maj 1999 arrestohet dhe dërgohet në burgun e Smrekonicës e prej andej në Shqipëri, ku nuk qëndroi duarkryq, por edhe atje dha mësim e zhvilloi aktivitete te shumta kombëtare.
Fadili u tregua i pathyeshëm gjatë gjithë sfidave që kaluam si mësimdhënës nëpër periudhat më të rrezikshme që përjetoi arsimi ynë kombëtar, atëherë kur çdo gjë jona ngulfatej e ne lëshonim dëftesa me mbishkrimin Republika e Kosovës. Atëherë e më vonë, nga dora e tij dolën shkencëtarë e intelektualë me nam.
Guximi i tij qe mahnitës edhe pas luftës sonë çlirimtare, kur hapur e pa hezitim përmendi me emër e mbiemër të gjithë kriminelët serbë që pamëshirshëm ushtruan barbari e egërsi mbi vushtrriasit me rrethinë. Një mal faktesh, deklarata, shënime, statistika e raporte, të përpiluara ekzakt e me akribi fanatike, ngelur në dorëshkrim, paraqesin një ekzemplar unikat në gjithë dokumentacionin tonë kundër dhunës serbosllave në kohën e luftës së fundit çlirimtare.
Fadil Beqiri ka qenë dhe do të mbetet krenaria e Gjimnazit dhe nderi i komunës së Vushtrrisë.
Lavdi për jetë e mot veprës dhe jetës së profesorit, veprimtarit dhe atdhetarit Fadil Beqiri!
Gjimnazi “Eqrem Çabej”- Vushtrri, 3 qershor 2014