| E marte, 10.06.2014, 06:49 PM |
NJË MALËSORE KONKUROI PËR MISS
Nga Frank Shkreli
Më 8 maj, në qytetin Baton Ruzhë të shtetit Luiziana të Shteteve të Bashkuara u mbajt konkursi i bukurisë për të zgjedhur nga 50-konkurentet më të bukura të vendit -- një përfaqsuese nga secili shtet i Amerikës -- për Miss USA 2014. Njëra nga këto konkurente ishte edhe Elizabeta Ivezaj, bukuroshja shqiptare me origjinë nga Malësia e Madhe, e cila përfaqësoi shtetin e Miçigenit në konkursin mbarë kombëtar amerikan të bukurisë. Elizabeta Ivezaj nuk fitori konkursin kombëtar të bukurisë, pasi juria në atë konkurs zgjodhi përfaqsuesën e shtetit Nevada, por megjithkëtë Elizabeta bëri histori, si e para bukuroshe me origjinë shqiptare që kishte siguruar titullin Miss të një shteti të Amerikës, siç është shteti Miçigen me 10-milion banorë, gjë që ia bëri të mundur asaj të konkuronte në festivalin kombëtar të bukurisë për vitin 2014.
Shqiptarët
në Amerikë kanë arritur sukesese të dukshme në shumë fushë e aktivitete të
jetës dhe veprimtarisë së tyre në këtë vend, por me sa di unë, në fushën e
bukurisë, Elizabeta Ivezaj është e para shqiptaro-amerikane e cila ka konkuruar
me sukses për të arritur në nivelin e përzgjedhjes si më e bukura e një shteti,
e pastaj si e tillë të përfaqësojë atë shtet në nivelin kombëtar të
përzgjedhjes së Miss USA. Për ata që
ndoqën të djelën mbrëma programin televiziv të konkurencës për emërimin e Miss
USA, duhet të kenë parë zonjushën Elizabeta Ivezaj dhe të kenë dëgjuar
shqiptimin e qartë të emërit të saj para miliona shikuesve në Amerikë dhe anë e
mbanë botës. Krenari kjo për për vet
Elizabetën dhe për familjen e saj, por edhe për Malësinë e Madhe dhe kombin
shqiptar. Ky vlerësim që i është
akorduar asaj, nuk është vetëm për
bukurinë e saj, por edhe për arritjet e saja deri tani. Ajo është modele, e cila aspiron të bëhet
aktore, ndërsa vazhdon studimet në Universitetin Oakland, me përqëndrim në
degën e psikologjisë dhe të studimeve për çështjet e grave. Ajo ka thënë se ka zgjedhur këtë degë
studimesh me shpresë për të punuar në të ardhmen, për të sjellur vëmendjen mbi
të drejtat e grave kudo në botë.
Elizabeta Ivezaj ka lindur në shtetin Miçigen të Amerikës, por familja e saj rrjedhë nga Malësia e Madhe, nën Mal të Zi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës disa ditë para konkursit për Miss USA 2014, Elizabeta tha se është krenare për origjinën e saj dhe se madje kishte përfshirë elementë të origjinës së saj shqiptare në fustanin e saj që kishte veshur për konkursin kombëtar. Ajo shtoi se ishte "shumë e lidhur me njerëzit tanë dhe se duhet të jemi admiruesit e parë të njerzëve tanë." Elizabeta Ivezaj tha gjithashtu se kishte vendosur t'i hynte konkursit të bukurisë në Amerikë, ndër të tjera, edhe për t'u thënë vajzave shqiptare që të bëjnë diçka ndryshe nga e zakonshmja, dhe njëkohësisht duke shërbyer si shembull për to, theksoi ajo, që të "ndjekin realizimin e cilësdo ëndërre që kanë". Ajo i tha Zërit të Amerikës se krenaria e saj për prejardhjen e saj e bën atë të jetë edhe më shumë e lidhur me njerëzit tanë dhe njëkohsisht, tha ajo, duhet të jemi edhe admiruesit e parë të njerzëve tanë.
Elizabeta
Ivezaj, si përfaqsuese e bukurisë së shtetit Miçigen është shprehur se ka patur
një mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptaro-amerikan si dhe nga Shqipëria
dhe më gjërë dhe se nuk i ka munguar përkrahja nga shqiptarët dhe se kjo ishte
diçka që e ka motivuar atë edhe më tepër të vazhdojë për të shkuar
përpara. Ajo shpreson se me shembullën e
saj, ajo do të inkurajojë vajzat e reja shqiptare në Amerikë dhe më gjërë që të
ndjekin realizimin e ëndërrave të tyre dhe të mos heqin dorë nga pasioni që i
shtynë ato për të bërë diçka ndryshe nga e zakonshmja.
Konkurenca për bukurinë e rrallë të femrës shqiptare, sidomos të atyre nga Malësia e Madhe ka qenë një traditë ku femërat malësore kanë shpalosur bukurinë e tyre natyrore por edhe kanë mbajtur gjallë kulturën dhe traditat shekullore të atyre anëve, nepërmjet veshjes dhe karakteristikave të tjera të kulturës dhe zakoneve. Andaj, qoftë Elizabeta Ivezaj Miss Miçigen e cila duke konkuruar për Miss USA vuri në dukje bukurinë e saj të femrës shqiptare dhe krenarinë e prejardhjes së saj, ose qofshin vajzat e Logut të Bjeshkëve në Kelmend të cilat edhe ato në atë mënyrën e vet për çdo vit – në të dy rastet – femërat shqiptare nga Malësia e Madhe i paraqesin kombit dhe botës atë bukuri njerëzore të femrës shqiptare, bukuri kjo që njëherazi harmonizohet edhe me bukurinë natyrore të Malësisë së Madhe.