| E marte, 27.05.2014, 08:04 PM |
Dëshnica para
dhe pas Shpalljes së Pavarësisë
Nga Kujtim Mateli
Viti 1912 e nxori Dëshnicën në ballë
të krahinave që luftonin për pavarësinë e Shqipërisë. Dëshnicarët e kishin
kuptuar mirë se pa luftë dhe përpjekje nuk arrihej asgjë. Ndaj ata rrëmbyen
armët dhe të gjithë fshatrat e saj kishin njësitë e tyre luftarake. Udhëheqësi
apo prijësi i këtyre çetave u bë Mehmet Pavari, kontributi i të cilit kishte
tërhequr me kohë vëmendjen e qarqeve politike në hapësirën e trojeve shqiptare.
Është një nga periudhat më të vështira në historinë e Shqipërisë, është momenti
kur Shqipëria duhej të shpallte Pavarësinë, ndryshe mund të kërcënohej me
zhdukjen përfundimtare si komb. Këtë e kishte kuptuar mirë Dëshnica, këtë e
kishte kuptuar mirë Mehmet Pavari, i cili në prag të Shpalljes së Pavarësisë e
ngriti në këmbë Dëshnicën. Çdo dëshnicar që ishte i aftë të mbante fizikisht
një armë e mori atë për të krijuar kushtet që Shqipëria të shpallte pavarësinë
e saj. Ja si e përshkruan këtë lëvizje dëshnicare dhe kontributin e prijësit të
saj, Mehmet Pavarit, njëra prej gazetave të asaj kohe:
Gazeta “Korça” 31 gusht 1912
Shkrimi: Nga Përmeti.
I
dëgjuari atdhetar dhe luftëtar z. Mehmet Pavari, i cili kurdoherë e ka treguar
me punë patriotizmin e tij, kështu edhe këtë mot (vit), me të çelur (filluar)
kryengritja, vrapoi për t`i shërbyer atdheut të tij me pushkë. Z. Mehmet Pavari
kishte si qëllim që të formojë çeta në të gjitha viset ku shkelte, prej burrash
shqiptarë.
Në Nahije të Beratit formoi një çetë me 30 shpirt nën kryesinë e z. Mehmet
Osman Zeza.
Në Dëshnicë të Përmetit, tjetër çetë me 30-40 shpirt nën kryesinë e z. Mete
Topojani.
Në Zhepovë me 50 shpirt nën kryesinë e z. Çuli nga Malëshova, si dhe çetën e
tij me më shumë se 100 shpirt, të cilët i kishte të gjithë burra të zgjedhur
dhe me ndienja thjesht atdhetarie. Nuk dimë se qysh ta përgëzojmë këtë atdhetar
për qëllimet e larta që tregoi, përveçse mund të themi që mundimet e tij iu
bëfshin të mira paskëtaj”.
****
1- Lakmitë e fqinjve rrezik për Shqipërinë.
Për shqiptarët nuk ishte vetëm perandoria osmane rrezik në udhën e saj
për shpalljen e Pavarësisë. Një tjetër rrezik, akoma më i madh na vinte nga
fqinjët tanë. Sërbët dhe grekët kërkonin ta zhduknin fare Shqipërinë nga harta
e Europës. Në këtë ndërrmarrje ata mbështeteshin edhe nga disa fuqi europiane,
të cilat i shkëputën vendit tonë qendra të rëndësishme të saj duke ua dhënë
grekëve, sërbëve dhe malazesëve. Gazetat shqiptare u ranë këmbanave të alarmit
për këtë rrezik të ri që i kanosej Shqipërisë.
Liri e Shqipërisë, Sofje 10 nëntor 1912
Shkrimi: Prapë z. Pashiç.
“ Kryeministri i Sërbisë z. Pashiç ka folur
dhe po flet liksht për Shqipërinë dhe kombin shqiptar. Një korespodenti i pat
thënë këto fjalë:
‘ Shqipëri nuk ka patur ndonjëherë, ato vende kanë qenë të Sërbisë dhe Greqisë,
komb shqiptar s`ka, ata janë të ndarë në disa filira e me disa fe, vriten e
priten me njëri-tjetrin dhe kjo gjë ka qenë tërë jetën, s`kanë një gjuhë të
përbashkët, s`kanë shkronja të tyret, as bashkim, as qytetërim dhe as ka
shpresë që të bëhen ndonjëherë të ditur e të vetëqeverisen’ etj.”.
Liri e Shqipërisë Sofje 16 gusht 1912.
Shkrimi: Morea kundër autonomisë së
Shqipërisë.
“ Shkruajnë nga Athina që qeveria e Moresë protestoi tek Fuqitë e Mëdha për
qëllimin e tyre që kanë për t`i dhënë Shqipërisë autonomi, se shqiptarët
kërkojnë dhe Epirin. E kjo gjë është kundër traktatit të Berlinit.
*****
2- Institucionet fetare në mbështetje të
qeverive të tyre.
Në këtë mbështetje antishqiptare të qeverive të këtyre vendeve, u vu
edhe feja. Institucionet fetare ishin të pandara nga shteti dhe ishin vegla në
realizimin synimeve grabitqare që këto qeveri kishin ndaj vendit tonë. Këto
veprime të këtyre institucioneve fetare u demaskuan nga shqiptarët. Megjithatë
ndikimi i tyre ishte i madh. Ja si e jep këtë ndikim njëra prej gazetave të
kohës.
Gazeta “ Bashkimi i Kombit”, 3 qershor 1910,
Shkrimi: Gjuha shqipe në Universitet të Athinës
“ A nuk punon Patriarhia pas urdhërimeve që merr nga qeveria greke? Per ne
Patriarhia dhe qeveria greke janë një trup me një shpirt, me një mendje, me një
ndjejnë dhe punojnë vetëm pas një programi”.
Shqiptarët e të gjitha besimeve e kishin kuptuar që herët rrezikun që u vinte
nga një bindje fetare e verbër. Këtë alarm e kishte dhënë vite më parë poeti Pashko
Vasa me vargjet e tij lapidare se feja e shqiptarit asht shqiptaria. Besimet
fetare, duke qënë se kishin në drejtim të tyre shtetas jo shqiptarë, synonin të
realizonin në Shqipëri interesat e vendit prej nga vinin. Klerikët grekë
luftonin të vinin në jetë synimet e qeverisë greke, ata osmanë atë të
perandorisë osmane e kështu me radhë.
Liri e Shqipërisë, 31 maj 1911
Shkrimi: Propoganda fetare e turqve dhe e grekëve kundër kombësisë sonë.
“ Nuk do të harroj pa numëruar dhe
propogandën fetare të krishtërimit që kanë bërë grekët dhe austriakët me qëllim
që të na ndajnë vëlla me vëlla, sikundër deshën dhe duan të na ndajnë dhe
turqit e të na humbin kombësinë për jetë”.
********
3-Dëshnica në ditët e Shpalljes së
Pavarësisë
Protestonin fqinjët tanë, grykësit më të pangopur, për të gëlltitur
pjesë të Shqipërisë. Po fati e desh që patriotët shqiptarë me në krye Ismail
Qemalin, të merrnin vetë në dorë fatet e Shqipërisë dhe më 28 Nëntor 1912, në
Vlorën heroike, e shpallën Shqipërinë të lirë dhe të pavaruar. Nga Dëshnica, në
ditën e ngritjes së Flamurit, shkuan disa qindra. Ishte momenti historik që e
bëri Shqipërinë shtet të Pavaruar. Për arritjen e kësaj dite, Dëshnica kishte
një kontribut të veçantë. Në prag të Shpalljes së Pavarësisë, në Dëshnicë
vepronin rreth 15 çeta, duke u bërë kështu një nga vatrat më të rëndësishme të
lëvizjes shqiptare për liri dhe pavarësi. Përmeti dërgoi në Vlorë, për ta
përfaqësuar zyrtarisht, Veli Këlcyrën. Por, në mbledhjen e parë të Kuvendit të
Vlorës, delegatët e Gjirokastrës nuk arritën dot. Këtë e konfirmon
proces-verbali i kësaj mbledhjeje:
Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”
datë 31 janar 1914.
Mbledhja e parë e Kuvendit
Kombëtar 28 Nëntor (të vjeshtës së tretë) 1912.
Nga Përmeti na erdhi telegram në të cilin thuhet se, nëqoftëse delegati i saj,
z. Veli Bej Klisura, nuk ka arritur ende në Vlonë, vendin e tij ta zërë z.
Syrja Bej Vlona e Midhat Bej Frashëri”.
Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”
datë 11 shkurt 1914.
Mbledhja e katërt e Qeverisë më 3. 11 1912.
“ Sot erdhën delegatët e Gjinokastrës, emrat e të cilëve janë këta : Myfit
Bej, P. Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjinokastra dhe Veli Bej Klisura”.
Duhet shtuar se Veli Bej Klisura ka qenë aktiv pas Shpalljes së Pavarësisë. Kjo
konfirmohet nga vetë gazeta e qeverisë së Vlorës “Përlindja e Shqipërisë” e
datës 16 gusht 1913.
Në Gjirokastër ishin mbledhur krerët e Jugut të Shqipërisë, nën drejtimin e
ministrit të drejtësisë z. Poga i cili lexoi telegramin që i drejtohej z.
Berchtold, ku flitet për kufijtë e Jugut të Shqipërisë. Në këtë mbledhje
“ u vendos të formohet një komision dhe zgjidhen zotërinjtë: Eqrem Bej Vlora,
Ali Efendi, Rauf Fico, Thoma Papapano, Veli Bej Klisura, Bedri Bej, Abdyl Bej
Ypi, Xhavid Leskoviku, Koçi Leonidha Frashëri, M. Grameno, Stavre Karoli, Qani
Bej Dishnica, Qemal BejVrioni, Jan Minga dhe D. Berati.
Pastaj komisioni zgjodhi tetë veta për të vajtur në Evropë, ku të përpiqen për
t`ia arritur qëllimit. Në këtë grup prej tetë vetash ndodhet edhe Veli Bej
Klisura.( Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”
datë 16 gusht 1913)
* * * *
4- Ministri turk: ky vend është një copë
Shqipërie
Gjithë vëmendja e shqiptarëve ishte drejtuar tek Vlora dhe Qeveria e
Vlorës. A do të mundej ajo t`i mbronte kufijtë e saj nga lakmia e fqinjëve
tanë. Kongresi i Berlinit i kishte dhënë Sërbisë dhe Malit të Zi, gjysmën e
territoreve shqiptare. Ky kongres i kishte dhënë të drejtën Greqisë ta vendoste
kufirin e saj verior deri në lumin Kalama.
Liri e Shqipërisë, datë 27 prill 1912.
Shkrimi: Letër nga Janina.
Aty pas mesit të Prillit 1912, në Janinë vjen
për vizitë ministri turk i punëve të brendshme.
“ Me rastin e ardhjes së Haxhi Adilit, grekët deshën të fitonin dëshirën e
tyre dhe zunë t`i luten ministrit që nëpunësit në Vilajetin e Janinës të jenë
të gjithë grekër, gjuha zyrtare të jetë greqishtja dhe ky vend nga Preveza e
deri në Vlorë të quhet Ipiros. Po Haxhi Adilit i bënë përshtypje të ligë këto
kërkime dhe iu përgjigj: ‘ Kjo nuk bëhet kurrë, në doni të hyni nëpunës mësoni
turqisht, në mos, s`mundet. Ju mos padehni se ky
vend është i grekërve. Ky është një copë Shqipërie, dhe në mos besoni hapni
historitë e Evropës dhe do të shihni se shënohet Albani dhe jo Ipiros”.
Kështu thoshin hartat europiane para kongresit të Berlinit, ku deri në
Artë shënohej Shqipëri e Poshtme ose Albani. Po Europa kishte shelur mbi të
vërtetat historike dhe kishte hedhur një hap të gabur. I kishte shkëputur
Shqipërisë gjithë territorin shqiptar nga Arta deri në lumin Kalama. Ismail Qemali mendonte se Europa nuk do ta
përsëriste gabimin që bëri më 1978.
Liri e Shqipërisë, Sofje 22 prill 1913.
Shkrimi: Kufijtë e Shqipërisë.
“Ismail Qemali thotë se grekët nuk mund të marrin më tepër se përtej lumi
Kalama, të cilin vend ua ka dhënë dhe traktati i Berlinit”.
****
5- Rënia e Janinës dhe pushtimi i Shqipërisë së
Jugut nga ushtria greke.
Po Janina nuk u mbajt dot dhe ra në duart e grekëve. Humbja e Janinës qe një
humbje e rëndë për shqiptarët. Ja se si e përshkruajnë këtë humbje të rëndë që
la pasoja të hidhura për kufijtë e Shqipërisë:
Liri e Shqipërisë Sofje 3 prill 1913.
Shkrimi: Humbja e Janinës.
“ Shqipëria humbi më të bukurin dhe më të famshmin qytet të Jugut, Janinën
e ndjerë, të cilën e përmendin e kurrë
nuk do ta lënë pa kujtuar këngët trimërore e popullore labërishte e gegërishte.
Janina, e cila pat qenë e ujitur me gjak të shtrenjtë të shqiptarëve, ky qytet
i cili pat mbajtur lart shpresat dhe idealet e shqiptarëve, ra në duart e
armikut të Shqipërisë, më 6 mars, ditën e ënjte të këtij viti”.
Pas kësaj ranë njëra pas tjetrës qendrat kryesore të Shqipërisë jugore: Konica
e Kolonja, Korça e Gjirokastra, Saranda e Përmeti, Tepelena e Skrapari. Kudo,
ushtria greke kreu mbi popullsinë e pushtuar vrasje e masakra. Arrestoi patriotët shqiptarë për ta gjunjëzuar
popullsinë. Këtë bëri dhe me njërin nga patriotët me emër të Dëshnicës,
komandantin e njërës prej këtyre çetave patriotike, Riza Xhungën. Ushtroi mbi
të dhunë për ta bërë pjesë të masakrave të tyre. Por kur e panë se trimi nuk u
gjunjëzua, e goditën gjersa i shkaktuan vdekjen.
Liri e Shqipërisë, 22 korrik 1913.
Fq. 1
Mësojmë nga Përmeti se Riza Xhunga nga Pavari u zu prej autoriteteve greke
të Përmetit. U hodh në burg dhe u shpu (dërgua) në Janinë ku vdiq që atë natë.
Dihet me siguri të madhe se të ndjerin Riza e kishin rrahur në burg të Përmetit
dhe pastaj e mbytnë në Janinë.
****
6- Fillimi i barbarive greke.
Ushtria greke bënte herë pas here kontrolle mbi popullsinë e
pushtuar. Këto kontrolle i shërbenin për të kryer masakra. Dëshnica i ruan ende
këto kujtime të hidhura. E ilustrojmë me një shembull që është pasqyruar në
shtypin e atyre viteve:
Gazeta “Përlindja e Shqipërisë”
datë 22 shkurt 1914.
Titulli” Një ligësi greke.
“ Njerëz që erdhën nga Tepelena na treguan një fëlliqësi të ushtrisë greke.
Duke kujtuar se është mirë të përfitojnë sa më shumë në ato ditë që u mbeten
për të ndenjur në Shqipëri, oficeri grek që gjendet në Shalës (kaza e
Tepelenës) i urdhëroi një natë ushtarët që të venë në Bubës, katund në kazanë e
Përmetit, por fort afër Shalësit, e të kërkojnë armë ndër shtëpitë. Kërkimi i
armëve, ky është një shkak i pafundmë me të cilin grekët kanë shumicën e
ligësive që kemi treguar në shtyllat e kësaj gazete. Ushtarët hynë në fshat pa
gdhirë duke bërë rrëmujë të madhe. Katundarët e mjerë u ngritën të trembur e u
sulën secili nga të mundëte. Edhe grekët këtë donin: të iknin të gjithë që,
pastaj, të mundnin të pastronin (kontrollonin) mirë shtëpitë e fshatit Bubës.
Prej burrave u zunë 45 veta, të tjerët u larguan për të mbrojtur mallin dhe nderin
e vet. Ata që mund të zihen janë:
Emin Ali,
Muhtar Isa,
Zenel Mehshas,
Xhevahir Ali,
Kamber Nuçe,
Xhaferr Hasan,
Shero Ratka,
Meta Shuaipi,
Hasan Nuçe,
Gani Meçani,
Hazbi Telha,
Hysen Malka,
Adem Kota,
Sulo Paja,
Rexhep Kasa.
Pothuaj që të gjitha gratë e fshatit, që të shpëtojnë nga thonjtë e përgëra të
grekëve, kanë ikur në Lavdar, Kaza e Beratit”.
Grekët nxorën në dukje një tjetër veti të dinakërisë së tyre. Liruan nga
burgjet greke mijëra të dënuar, në këmbim të shfarosjes që do t`i bënin
popullsisë së Shqipërisë së Jugut. Këtyre të burgosuar u shtuan edhe qindra
grupe të tjerë dhe i nisën për të përmbushur misionin e tyre. Bashkë me ta, me
dashje a pa dashje, rreshtuan ndonjë shqiptar që të krijonin përshtypjen se kjo
ishte një kryengritje që bëhej nga shqiptarët, të cilët kërkonin bashkimin me
Greqinë. Këtë deshën të bënin dhe në Përmet, por këtu gjetën vendosmërinë e
përmetarëve për të mos u bërë pjesë e këtyre agresorëve:
Liri e Shqipërisë, Sofje, 22 korrik 1913. Fq. 1
“ Në Përmet Greku ka kërkuar vetëdashës për Greqinë, sikundër bëri në anë të
Janinës dhe gjetkë, por vetëm dy veta qënkan shkruar. Edhe këta të gjorë
çuditemi pse gënjehen dhe me ç`mendje venë. Pse e lyejnë veten dhe ç`sy do të
dalin nesër përpara shqiptarëve kur të hiqet greku prej atyre viseve”.
Pasi i krijuan këto formacione,
nisën rrugën e masakrave më të pashembullta në histori. Dogjën në masë gjithë
Shqipërinë e Jugut. Një nga këto krahina që ndjeu dorën gjakatare të këtyre
kriminelëve ishte dhe Dëshica. Kosta Papa Tomorri ka qenë dëshmitar në disa nga
këto masakra që ndodhën në Dëshnicë. Dëshmitë e tij i përmblodhi në librin
“Barbaritë greke në Shqipëri”, i cili u botua në ShBA, në vitin 1917, pra vetëm
4 vjet pas këtyre masakrave. Nga ato që ky autor ka pasqyruar në këtë libër
shohim se vetëm 75 viktima i patën fshatrat Kuqar dhe Pacomit të cilët u
therrën dhe u hodhën në një përrua. Shtoi këtij numri dhe gratë e fëmijët që u
therën në këto dy fshatra pasi kishte ndodhur masakra me 75 burrat. Autori na
dëshmon për vdekjen e dy grave në mënyrën më çnjerëzore në fshatin Seniçan dhe
Fratar. Në libër gjejmë edhe dëshminë e tij për vdekjen e tre burrave nga
fshati Toshkës në Ballaban. Në libër jepen dhe masakrat mbi qytetin e Këlcyrës,
Katundishtë e fshatrat rrotull, duke vrarë në mënyrën më barbare njerëzit që
mundnin të kapnin, po pa na e dhënë numrin e saktë se sa ishte. Nëse do t`u
shtojmë këtyre viktimave edhe ato që ndodhën në fshatin Zhepovë, për të cilën
thuhet se numri ishte 33 (15 gra e fëmijë dhe 18 burra), numri është shumë më i
madh se 100.
****
7- Dëshmi tronditëse nga Papa Kosta Tomorri
Po japim më poshtë disa nga dëshmitë e autorit Kosta Papa Tomorri, marrë
nga libri i tij “Barbaritë greke në Shqipëri”.
Kosta Papa Tomorri, “Barbaritë greke në Shqipëri”,
Kapitulli: Masakrat e para të grekëve.
Dëshmia e parë: Masakra mbi fshatrat Kuqar dhe Pacomit.
“ Më 25 të shkurtit, ditë e hënë në mëngjes, andartët hodhën ca batare, se
gjoja panë ca shqiptarë që hynë në Pacomit. Pas batareve u sulën të gjithë në
këto dy fshatra dhe mblodhën të gjithë burrat sa qenë, i shpunë në Kosinë dhe i
mbyllën në një katua. U kthyen prapë katilat në këto fshatra, fëmijët që kishin
mbetur në fshat u therën, pastaj u sulën nëpër shtëpitë për të plaçkitur.
Muarën 1500 krerë dhen e dhi dhe 100 krerë lopë, pastaj u vunë zjarrin
shtëpive, i përvëluan, i bënë hi. Si mbaruan këto, katilët u kthyen në Kosinë.
Nxorën burrat që kishin mbyllur dhe i shpunë në një përrua të fshatit, ku i
lemerisën me thika, disave u prenë hundë, veshë, këmbë, duar. Të mjerët e dhanë
shpirtin me lemerira që, edhe Neroni të ishte, nuk do t`i mundonte kësisoj.
Numri i tyre qe 75 veta. Si dhanë shpirt, i lanë në atë përrua të zbuluar.
Dëshmia e dytë: djegia e Këlcyrës dhe e fshatrave përreth.
Andartët që ndodheshin në Brezhdan “ u hodhën nga ura e Muço Hysës dhe i vanë
Këlcyrës. Si ujqit u sulën nëpër shtëpira dhe ai që pati fatin dhe ndenji, u therr
si berri. Masakruan gra, foshnja dhe burra. Gumëzhinte Grykë e Këlcyrës nga
blegërimat dhe ulërimat. Pasi mbaruan masakrat, plaçkitën shtëpitë, morën gjënë
e gjallë që gjetën dhe pastaj u vunë zjarrin shtëpive. Si shkretuan Këlcyrën,
iu sulën fshatrave që qenë afër Këlcyrës: Katundishtë, Beduqas, Fratar dhe
Varibop. Në këtë kapitull tregohet se si e masakruan një grua nga Fratari
bashkë me foshnjën e saj.
Të tjera dëshmi:
Kosta Papa Tomorri, “Barbaritë greke në Shqipëri”,
Kapitulli: Ofensiva kundër Kolonjës dhe Frashërit.
Ofensiva kundër Frashërit filloi më 23
prill , ditën e diel. Pasi u shkatërrua plotësisht Frashëri dhe fshatrat Pagri,
Alipostivan e Sevran andartët grekë hynë në në Dëshnicë ku shkatërruan fshatrat
Seniçan dhe Fratar.
Kosta Papa Tomorri, “Barbaritë greke në Shqipëri”,
Kapitulli: Onfesiva kundër Këlcyrës dhe Çepanit.
Në këtë kapitull ka një tregim tronditës ku vetë autori i librit, Kosta Papa, e
kishte parë vetë kishte shkuar në Seniçan. Fshati ishte i djegur plotësisht.
Vetëm në antë të fshatit, ishte një shtëpi e padjegur, ku gjetën një plakë që i
kishin vrarë djalin dhe vëllanë. Në dhomën ngjitur ishte nusja e djalit e
vdekur. Tregimi është tepër tronditës.
Më datën 29 maj ishte planifikuar një goditje tjetër kundër Këlcyrës dhe
fshtrave të saj deri në Çepan të Skraparit. Trupat që ishin planifikuar për diegien e Dëshnicës
hynë në Këlcyrë dhe u vunë zjarrin fshatrave Topojan, Beduqas, Zhepovë, Kajcë,
Toshkës e Vinokash.
Fshatrat u shpërngulën duke shkuar në Vlorë dhe Berat.
Në këtë kapitull tregohet se si morën Ahmetin nga Vinokashi si dhe dy të tjerë
dhe i vranë në Ballaban.
*****
8-Dëshmi tronditëse nga autorë të tjerë.
Bazuar në burimet e shtypit të atyre viteve dhe në ato që tregojnë
vetë dëshnicarët, për një ngjarje që tashmë po mbush 100 vjet, autorë të tjerë
kanë dhënë dëshmi për këto masakra.
Stilian Adhami, Përmeti dhe përmetarët…., Tiranë 2001. Fq 463
“Më 29 maj katilët sulen kundër
fshatrave të Dëshnicës: Topojanit, Zhepovës, Kajcës, Toshkësit, Vinokashit,
Ballabanit, Mazhanit etj., të cilët i plaçkitën dhe u vunë zjarrin. 300 barrë
bakërre me mijëra bagëti vanë në Janinë, kurse 15 gra të Zhepovës i therën me
gjithë fëmijët dhe 18 burra i vranë”.
Kurse një tjetër autor dëshnicar, banor i fshatit Toshkës shkruan:
Murat Murataj, Toshkësi dhe banorët e tij në rrjedhë të historisë, fq 61.
“ Në Toshkës vranë 4 burra: Ali Mukën, Muço Ismailin dhe dy djemtë e
Muharrem Veizit dhe në të gjithë krahinën e Dëshnicës dogjën 957 shtëpi, kurse
në Toshkës 39…”
****
9-Dëshmi tronditëse nga shtypi i kohës
Përballë andartëve grekë, gjatë gjithë kohës, vepronin trupat shqiptare,
të cilat u jepnin goditje duke u shkaktuar dhe dëme në njerëz.
Liri e Shqipërisë, Sofje 7 mars 1915.
Shkrimi: Barbarizmat greke në Shqipëri.
“ Në anët e Dëshnicës e Skraparit, kufiri provizor shqiptaro-grek ishte:
Kur arriti ushtria shqiptare, që do të shkelte Përmetin (!?), në rrëzë të malit
Trebeshinë, në atë mal të veshur me drurë dhe me bar, në bregoren Kiçok, zuri
të valonte flamuri ynë kuq e zi. Na dukej një tjetër jetë … që qysh të them,
nuk rrëfehet me pendë ay gaz e ajo lumturi e asaj kohe, ajo kohë që herë na
sillte gazin e herë hidhërimin, sot na duken ëndërrim.
Ato dy a tri ditë posa
Të nesërmen, unë me disa shokë, me petka të ndryshme (tebdil) duke shkuar nëpër
rrugë të fshehta, nëpër monopate ( si mos më keq, o Perëndi) arritëm në fshatin
Kuqar, ku ende s`ishte shuar zjarri, akoma s`ishin bërë hi muret gjigande të
shtëpive.
Takuam në një kasolle disa plaka, çupa, djem dhe gra, të cilat nga duhija e
thikave kishin ngrirë, ishin zverdhur dhe në pyetjet që u bënim s`mund të
jepnin përgjigje, goja u ishte kyçur, mendja dhe gjaku u ishte trumbulluar,
pothuajse u kishte rënë pika.
Më poshtë gjetëm tek pragu i shtëpisë së tij, të mjerin Hasan Bej, i cili me
hanxharët e elinëve ish ndarë më katër: një këmbë më një anë, një krah në anën
tjetër… lërë lërë s`e nuk tregohet kjo mënxyrë.
Si kontrolluam tërë ato shtëpi të djegura, u ulëm në një shesh të atij fshati…,
ja ku po na vjen një plakë me kokën të çarë, duart grirë dhe me fytyrën të
mbytur në gjak. Qëndroi para meje në këmbë. I thamë të ulej dhe ajo ndenjti.
- Përse moj mëmëzë je bërë kështu?- e pyetëm.
Ajo duke hequr një ah prej shpirti dhe duke larë gjakun që i kishte mbuluar
fytyrën me lotë hidhërimi, me një zë vajtues që na këputëte shpirtin, u
përgjegj:
- Të mjerën! Fatzezën! Mua korbën që më
Në mbarim të këtyre fjalëve ra e vdekur në duart tona, gjaku i trupit të saj të
pafajshëm ka bërë njolla dhe petkat tona, të cilat duhet t`i mbajmë për kujtim.
Pastaj vajtëm në fshatin Pacomit ku gjetëm të shtypur me gurë dhe të shpuar në
disa vende me bajonetë Islam bejnë, më tej gjetëm afro 20 foshnja- djem dhe
vasha- ca të therur e ca të shpuar me bajoneta.
Vajtëm dhe në fshatra të tjerë që ishin djegur, po atje nuk gjetëm asnjë të
gjallë, që të gjithë e kishin dhënë shpirtin me tmerr, në majë të dyfekut grek.
Por a mundet të shkruhen të gjitha këto? Për të mbledhur e për të botuar
barbarizmat greke, u dashka të jemi të ngeshëm që të mbushim volume të mëdhenj.
Skrapar, 14 II 1915. Taronini.
*******
10- Tragjedia e Dëshnicës në këngët e popullit.
Kjo është një pjesë e asaj panorame që ndodhi në Dëshnicë në ato
ditë e muaj ku andartët grekë kërkonin ta zhduknin Dëshnicën. Ia rrafshuan
pothuajse të gjitha shtëpitë me anë të zjarrit , pasi u grabitnin sendet me
vlerë që kishin. Nga gjëja e gjallë shpëtoi vetëm ajo që mundën të merrnin me
vete në ikjen e tyre për në Vlorë, Mallakastër e Berat.
Kjo masakër e pashembullt në historinë e njerëzimit, mbi popullsinë e
Shqipërisë së Jugut ku bën pjesë dhe Dëshnica, është e përjetësuan në disa
këngë popullore.
Dola në një mal
dhe pashë me dylbi,
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.
Që nga Pacomiti
Gjer tek Ujt e Zi,
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.
Është djegur vendi,
Është bër` shkrumb e hi.
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.
Po i therin njerëzit,
Porsi bagëti,
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.
Tek Ullinjtë e Vlorës
Mbledhur mizëri,
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.
Mallkuar qofsh, o grek,
Na le pa shtëpi.
Si t`ia bëj i varfëri,
Si t`ia bëj s`e di.