Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Idriz Zeqiraj: Halabakët e LPK-së dëmtojnë Kosovën

| E hene, 26.05.2014, 04:59 PM |


HALABAKËT E LPK-SË PO E DËSHTOJNË SHTETIN E KOSOVËS

Thonë se toka e babës shitet lirë. Këtë e dëshmuan halabakët e LPK-së

me shtetin e Kosovës. E gjetën të gatshëm. E vranë, e gjakosën, e rropën,

e turpëruan, e përtokën me sadizmin e Neronit. Krim dhe turp i madh!

SHKRUAN: IDRIT ZEQIRAJ

Në një shkrim editorial "Bota sot" këshillon: "LDK-ja dhe Isa Mustafa nëse dëshiron të fitojë apo që gjasat për fitore t` i rris më bindshëm, duhet ta rrisë agresivitetin, duke u zotua se do të ndëshkojë vërtet krimin e organizuar, se do ta shemb atë, dhe se rendi dhe ligji janë ata që do ta përcaktojnë fatin e shumicës së politikanëve dhe jo forca e parave apo zotësia e shantazhit dhe intrigës për të shmangur ligjin".

Por, për ta lëndëzuar këshillën e artë të gazetës të zëshme e mirëdashëse të LDK-së, duhet pasur edhe infrastrukturën e nevojshme, agjitatorët militantë e idealistë, njerëz me integritet dhe të dëshmuar se për të drejtën, për konsolidimin e shtetit të brishtë dhe të prishtë, siç e kanë katandisur dhe përdhosur Kosovën tonë bandat e hajnisë zyrtare dhe të vrasjeve, gadi, legale, të grupuara në SHIK-un vrastar, janë të gatshëm të sublimohen. Dhe, të tillë LDK-ja i ka të shumtë, por edhe seleksionimi dhe bërrylimi nuk ka munguar dhe, si duket, mjerisht, do të vazhdojë.

Sa më e madhe të jetë dasma, numri i hatërmbetësve është më i shumtë, pse nuk janë ftuar në gazmend. Diçka e tillë ka ndodhur edhe në përzgjedhjen e përfolur të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e ardhshëm. Realisht, kjo përzgjedhje për Parlamentin, si tribunë e mendimit, ballafaqimit me kundërshtarët politikë, nuk premton as "agresivitetin" përgjatë fushatës dhe as ndëshkimin ligjor të mëpastajmë të krimit dhe të kriminelëve. Megjithatë, uroj të jem i gabuar!

Rrafshimi i vlerave, riciklimi fatal i gardës së fjetur dhe skajshëm të shantazhuar nga SHIK-u, ashtu si deri më tani, edhe në vijimësi, do ta ngulfatin edhe atë shtresën syzgjuar dhe energjike, me sabotimin e heshtur, për të mos prishur rahatinë e shtirur, duke vazhduar me avazin e vjetër "inshallah bëhet mirë"! Dhe, duke vazhduar bashkëjetesën me krimin dhe kriminelët!

Kryetari, shefi aktual i LDK-së dhe jo lideri i saj, siç duan ta promovojnë qejfbërësit servilë për rreth tij, Isa Mustafa, sepse ai nuk është as themelues dhe as reformues i partisë, por konsolidues i saj dhe ky shërbim është i pamjaftueshëm, për ta arritur kuotën e liderit, e ka shansin dhe mundësinë të amortizojë, zbus pakënaqësitë, të shkaktuara nga anashkalimi, morpërfshirja në listën e kandidaturave për deputetë, duke premtuar akomodim, emërim në poste të ndryshme, në rast të fitores të LDK-së.

Fushatës t`i prijnë kuadrot e guximshëm dhe me integritet

Në ekipet prijëse të fushatës, veç të tjerëve, duhet të jenë edhe veprimtarja shumëdimensionale, Donikë Gërvalla, si përfaqësuese e brezit të harruar, më sakt, të menjanuar, të viteve ` 90-a, të cilët shkëlqyen në rezistencën paqësore dhe e bënë edhe luftën, si dhe të Mërgatës gjysmë-milionshe; dr. Naser Rugova, përfaqësues i rugovistëve të rebeluar, nga devijimi i vijës rugoviane, të grupuar në LDD-e; prof.dr. Fatmir Sejdiu, kuadër i lartë dhe kryetar Nderi i LDK-së; historiani serioz dhe dinjitoz Frashër Demaj; Halil e Fadil Geci, me vëllezër, roje besnike të Presidentit Rugova, me plagë plumbash në trup, në mbrojtje të Kosovës dhe të LDK-së; vëllezërit, djemtë dhe vajzat e viktimave të SHIK-ut terrorist, me shpirt të plagosur dhe zemërplasur përjetësisht; si dhe kuadro të tjerë, rugovistë të rreshkur dhe të sprovuar në veprimtaritë e LDK-së, madje edhe në kohën e dajakut.

Vërtet, nëse fushatës të LDK-së do t`i mungonte "agresiviteti", ajo do të ishte një fushatë e shtirur, fallse; një fshehje e së vërtetës, tashmë, sa e hidhur, aq edhe faktike, siç është korrupsioni, pra, hajnia zyrtare, një heshtje e krimeve të bandave të SHIK-ut dhe e haraçit, fillimisht, zyrtar dhe pastaj gjysmë-legal, të cilat identifikohen me dy partitë e krimit.

Në Kosovë është ushtruar gjenocid dhe terror nën komandën e "komandantave" të vetëshpallur. Ata, LPK-ja e djeshme, PDK-ja dhe AAK-ja e sotme, nën instruktimin e SHISH-it, Sigurimit të Tiranës zyrtare social-komuniste dhe në koordinim me UDB-në srbo-sllave, themeluan organizatën kriminale, vrastare SHIK-un, me qëllim të sabotimit të luftës, likuidimin fizik të kundërshtarëve politikë, pra, të kuadrove të LDK-së dhe të ushtarakëve të lartë të FARK-ut, për ta krijuar boshtin ideologjik komunist: Beograd-Prishtinë-Tiranë, në këmbim të dhënies të një autonomie të zgjeruar për Kosovën, për çka ata ishin pajtuar gjatë luftës, por, Amerika mike ua prishi panet ogurzeza! Në këtë lojë të ndyrë e kriminale ishin përfshirë edhe francezët, si miq tradicional të serbëve, të cilët, tashmë, Hashimin e kishin peng, të tyrin.

Bandat ekzekutuese të këtyre dy partive realizuan, të paktën, 1.800 vrasje, të konsideruar si kundërshtarë politikë. Vjelja e reketit, haraçit, gjobave nga bizneset e vogla, të mesme dhe të mëdha, ishte dhe vazhdon të jetë e përgjakshme. Vrasjet e shumta, si shkak dhe rrjedhojë haraçin, që nga nisma e luftës e deri tek rasti i freskët në Miloshevë, e shumëfishojnë shifrën e viktimave të lartshënuar. Hetimi, hulumtimi i pasurive të "komandantave" milionerë, të cilët rezultojë më shumë se sa ushtarë që kishte lufta në Kosovë, rrjedh, pikërisht, nga haraçi i përgjakur, i vjelur nga bandat e këtyre "komandantëve të UÇK-së"!

LDK-ja, krahas dënoncimit, kallximit të krimeve përgjatë fushatës dhe të zotimit për vendosjen e rendit dhe të ligjit, që janë bazë e konsolidimit dhe të funksionimit të shtetit, për neutralizimin dhe ndëshkimin e bandave, të krijuara nga "komandantët e luftës, të UÇK-së", duhet të kërkojnë ndihmën e ndërkombëtarëve. Tribunali, Gjykata Speciale duhet mbështetur, sepse ajo është ngritur për ta mbrojtur shtetin e Kosovës, për ta konsoliduar atë dhe për këtë shtet bota demokratike ka derdhur miliarda para, shtet të cilin po e dhunojnë dhe dështojnë halabakët e LPK-së, hafije dhe bashkëpunëtorë të vjetër dhe të rinj të Serbisë.

LDK-ja të kërkojë nxjerrjen jashtë ligjit të partive të krimit

Lidhja Demokratike e Kosovës duhet ta dënoncojë, kallxojë krimin e dy partive banda, duke i akuzuar për gjenocid e terrorizëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës si dhe kërkesën e vendosur për nxjerrjen jashtë ligjit të këtyre dy partive të krimit, njësoj si partitë fashiste, të cilat i nxori të jashtëligjshme Gjykata Ndërkombëtare e Nyrnbergut më 1945.  Këto parti fashizoide, të organizuara në banda ekzekutive, mbollën frikë e terror, duke rrahur, maltretuar, përdhunuar dhe vrarë njerëzit e pafajshëm shqiptarë. Kosovës i shtuan shumë qindra varre dhe mijëra jetimër. Dje i vranë me armë etërit, sot i luftojnë me bukë fëmijtë e tyre jetimër.

Gjithashtu, LDK-ja, përgjatë fushatës, duhet të potencojë dhe të akuzojë bazueshëm krerët e Shoqatave të Veteranëve të Luftës, të cilët jo vetëm që nuk ishin pjesë e luftës, por e kanë sabotuar luftën dhe janë implikuar në vrasjet e kundërshtarëve politikë, gjatë dhe pas luftës. Janë këta krerë dhe këlyshët e tyre, nëpër shoqatat lokale të komunave të Kosovës, të cilët, me porosi të Serbisë, organizuan sulmet në kishat dhe shtëpitë serbe, në mars-prillin e 2004-ës. Me këto ngjarje dhe akte të turpshme dhe shumë armiqësore, në dëm të Kosovës, Serbia realizoi decentralizimin në Kosovë, duke krijuar fshat e enklavë serbe! Kosova doli e humbur, duke iu vrarë një duzinë djemësh të mashtruar nga krerët horra dhe hafije të Serbisë; e fikur, sepse u detyrua të riparojë, paguajë dëmet e shkaktuara; e koritur dhe e turpëruar para botës, sepse po sulmonte kultet fetare dhe njerëzit e pambrojtur.

Shembulli i fushatës "agresive", por, krejt faktike, që bëri kryetari i komunës të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ishte domëthënës dhe dha rezultatet e pritura. Peja, nga një lule e Dukagjinit, u kthye në një zonë krimi. Tej 348 të vrarë! Dënoncimi i krimit të haraçit nga kryetari aktual i Pejës ka qenë i saktë dhe heroik, por qëndrimi i Kryesisë Qendrore të LDK-së, për rastin konkret, ka qenë hipokrit, i lig. Të thuash se "ai problem është tejkaluar", kur padia për "shpifje" kundër kryetarit të Pejës ishte depozituar në Gjykatë, nga partia e akuzuar për haraç, është tendencë për heshtje të krimit dhe "lënie në baltë" të kryetarit Muhaxheri, duke e braktisur që ai të përballet i vetëm me bandat agresive të Dukagjinit! Ndërkohë, duhej të ndodhte e kundërta. LDK-ja ka qenë dhe është e bindur në vërtetësinë e dënoncimit, deklarimit të kryetarit. Andaj duhet të qëndronte përkrah kryetarit, ta ripohonte akuzën, të grumbullonte të dhënat e bollshme, të hidhej në sulm, për t`i shkuar deri në fund problemit, për ta lakuriqësuar të vërtetën, sepse kryetari fliste në cilësinë e kandidatit për kryetar të komunës të Pejës, i  nominuar, emëruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Hashim kryeministri peng i SHIK-ut, peng i krimit

Skandalet në vijimësi, përfshi edhe këto të fundit, kur të akuzuarit e "Grupit Drenica", për krime numerike, kushtëzojnë shtetin dhe EULEX-in, se ku do të hetohen, dëshmojnë qartazi rrënimin, me fund. të këtij palo shteti, tashmë inekzistent. Përvoja e gjatë personale në burgjet politike, por edhe ajo kolektive, është përjashtuar mundësia për të mësuar transferimin, bartjen, në një burg tjetër. Me trastën (strajcën) në dorë, në mes sendeve të pakëta personale, edhe pjata klasike e aluminit, e cila shërbënte për gjellë dhe urinim, me pore, vrima, gadi në shpim, nga urinimi në të ndër vite, për vetëm pesë minuta duhej të hypje në "autoburg", (kështu quhej makina bartëse e të burgosurëve), me karoseri tërësisht të hekurt, me errësirë të brendshme, pa dritare fare, udhëtonim me orë të tëra dhe vetëm kur takonim burgaxhinjtë e tjerë, brenda dhomave të burgut, mësonim se ku ndodhemi.

Rasti i grupit kriminal të Drenicës dhe plot raste të tjera paraprijëse, e përligjin plotësisht Tribunalin, Gjykatën Speciale, të themeluar enkas, posaçëm, për krimet në Kosovë, sepse askush, madje absolutisht askush, brenda Kosovës, nuk ka as mundësi teorike të hetojë dhe të ndëshkojë kriminelët numerikë dhe faktikë të Kosovës mjerane. Ata janë të kudondodhur: në institucionet lokale dhe ato qendrore të shtetit; ata janë të pasur, profiterë të luftës, edhepse nuk kanë luftuar. Përkundrazi, e kanë sabotuar luftën, sepse atë mision kishin nga padronët e tyre.

Porosia bazë e Evropës dhe e botës demokratike, çlirimtare faktike e Kosovës nga pushtuesit serbo-sllavë, ishte spastrimi i listave të kandidatëve për Parlamenntin e ardhshëm, nga të dyshuar të bazuar për krime. Për çudinë e të gjithëve, shefat e partive në përgjithësi, ai i PDK-së në veçanti, jo vetëm që nuk kryqëzuan asnjë nga emrat e deputetëve kriminelë, përkundrazi, shtuan edhe disa të tillë, duke rrumbullakosur një Parlament super kriminal të legjislaturës së re, me kriminelë të vjetër. Nëse për Parlamentin e kaluar zyrtari i lartë gjerman numëronte 27 deputetë kriminelë, tashmë, ky numër do të shënojë rritje.

Shtrohet pyetja: Pse Hashim kryeministri nuk përfilli porosinë e Evropës dhe të Amerikës, çlirimtare faktike të Kosovës, për lista të pastra, për emra kandidatësh për Kuvend të painkriminuar?! Dhe, përgjigja është e thjeshtë, e gatshme: Krimet e bëra në Kosovë janë, kryesisht, politike dhe të haraçit. Haraçi është levë mbështetëse, furnizuese e politikës kriminale. Edhe vrasjet, edhe haraçi janë krime mirë të organizuara. Të dyja këto nuk janë as individuale dhe as grupore, por zyrtare dhe me organizim hierarkik, kupolë, me shtab drejtues, ku janë projektuar dhe hartuar listat e likuidimeve fizike, duke filluar nga Presidenti dr. Ibrahim Rugova, profesor Fehmi Agani dhe përposhtë me radhë, kuadro të LDK-së dhe ushtrarakë të FARK-ut.

Në krye të këtij shtabi vrastar ka qenë, pikërisht, Hashim keyeministri i sotëm. Prandaj Hashimi është peng i SHIK-ut, peng i krimit. Ai, dikur, ishte epror i bandës të SHIK-ut, sot është vartës i kësaj bande.

Dhe, kështu do të veprojë deri sa ky popull, një pjesë e konsiderueshme e të cilit po e inkriminon vetën, me votën e tij dhënë krimit dhe kriminelëve, përkatësisht, partive të krimit. Mjerisht, këtë e favorizon edhe pjesa e inkriminuar e opozitës, gjegjësisht, krerët e saj dhe mëfshtësia, plogështia e LDK-së, AKR-së, për ta dënoncuar, kallxuar me forcë dhe për ta luftuar atë në fushatë, media dhe në Parlament.

Koalicionet e LDK-së duhet të jenë parimore

LDK-ja duhet të përcaktohet dhe të pozicionohet qartë për koalicione, pa shkelur parimet demokratike. Është shqetësuese deklarata e kryetarit Isa Mustafa, i cili e ka thënë dhe përsëritur deklarimin e tij: "Koalicion me të gjithë ata që duan ta heqin qafe këtë keqqeverisje"! Kjo deklaratë ka shqetësuar anëtarësinë e LDK-së, sepse me këtë rehabilitohet, falet krimi i pandëshkuar, duke injoruar gjakun e shumë qindra viktimave të pafajshme, duke lënduar mijëra familje, të cilat lidhen me gjak e miqësira me familjet e viktimave.

Formulimi ndryshe, p.sh. - koalicion me të gjithë, por jo me partitë e krimit - , do të ishte i pranueshëm dhe parimor. Pikërisht këtu është irritimi i veprimtarës Donikë Gërvalla dhe mospranimi i saj për të kandiduar për deputete. Dhe, qëndrimi është shumë parimor: Nga njëra anë lufton një parti të krimit dhe, nga ana tjetër, përqafon një parti tjetër, që është po aq kriminale sa ajo në pushtet, me arsyetimin se ajo është në opozitë, është qëndrim makiavelist, për të arritur një qëllim, duke shkelur rëndë parimin demokratik.

Kryetari Isa Mustafa e përçmon "Lëvizjen Vetëvendosja", si të vogël për ta pasur partner në koalicion. Kësaj i thonë mani e grandomanisë, madhështisë. LDK-ja është parti serioze, parti akademike. Inati në politikë është humbës, andaj duhet pasur kujdes. Partitë e vogla apo partizat, zakonisht, përdorën për kusuritje të partive të mëdha. Dhe, ndonjëherë, janë dëshmuar vendimtrare për fitoren apo humbjen e partive të mëdha. Një shembull i till, mjaft domëthënës, madje përcaktues në humbjen e Bashkisë të Tiranës e ka provuar Edvin Rama. Ai, me fodullëkun e tij të gjithëmonshëm, injoroi për koalicion shokun tim të klasës, në Universitetin e Tiranës, Hysni Milloshi, kryetar anakronik i Partisë Komuniste të Shqipërisë, pasuesi më besnik i ideologjisë të mykur e marroçe sllavo-ruse të Enver Hoxhës. Dhe, Hysni Milloshi, nga Macukulli i Burrelit, Matit, konkuroi i vetëm për kryetar të Bashkisë të Tiranës. Ai fitoi tej 1.000 (njëmijë) votave, duke ia siguruar humbjen Edvin gjatoshit. Hysniu kishte elektorat fanatikë komunistë dhe më parë do t`ia jipnin votën Putinit apo Daçiçit, se sa Lulëzim Bashës.

Inskenimet e "Vetëvendosjes" për djalin e kryetarit Isa Mustafa, Besnik Mustafën, i kemi demantuar bindshëm në shkrimin: "Zallamahia" e promovimit të Albin Kurtit". Besniku dhe vëllai i tij Arbeni ishin pjesë e Emergjencës të luftës dhe punuan me përkushtim, për gjithë kohën sa zgjati lufta. Besniku as nuk bleu dhe as nuk shiti vota, siç kanë bërë partitë e krimit. Provokimi dhe filmimi i "Vetëvendosjes" ishte praktikë tipike komuniste. Mëritë partiake, nuk duhet të shërbejnë për denigrime familjare. Megjithatë, kjo nuk përbën arsye për ta mohuar një koalicion të mundshëm me "Vetëvendosjen", ndonëse është interes i përbashkët i të dy subjekteve, për ta mundur partinë kriminale, partinë e SHIK-ut vrastar, PDK-në, e cila i bëri gjëmën Kosovës, me qeverisjen fatalisht profane, të paditur dhe pazarllëqet kundra-kombëtare me Serbinë.

LDK-ja nuk duhet ta këtë inatin e Shpend Bullgarit ose Bugarit, siç i thonë Malësia e Gollakut, përkatësisht, Prapashtica dhe Dabishevci, ku bandat bullgaro-serbe, më 1920, kryen masakra të tmerrshme. Themi Shpend Bullgari apo Bugari, sepse nga student i Harvardit, rezultoi të ishte student i një fakulteti amerikan në Bullgari. Dhe, ai, me "yryshin" e tij për heqjen e fotografisë të Presidentit Historik, dr. Ibrahim Rugova, qysh në promovimin e tij si kryekomunar i Prishtinës, dëshmoi xerrësinë, hiçësinë dhe provincialitetin e tij prej bullgari primitiv. Pra, Shpendi ka formim ideologjik tipik stalinist kolkozian bullgar.

Por, LDK-ja, si parti akademike, pa u ndikuar, për të keq, nga stalinizmi i Albinit dhe i Shpendit, si bijë të etërve komunistë, duhet të mendojë se në atë parti militojnë shumë të reja dhe të rinj, natyrisht, militim anakronik për kohën dhe moshën e tyre, të cilët mendojnë ndryshe nga shefat e tyre të ideologjisë rusofile. Andaj, duhet të koalicionojë madje edhe t`i privilegjojë në poste, në rast të fitores, sepse rinia është e ardhmja e vendit dhe ndihma e LDK-së për këndelljen e tyre është detyrë kombëtare

Partitë dhe partizat e spektrit të djathtë, duhet të jenë preferencë për koalicione të LDK-së. Në AKR-në e Pacollit janë, kryesisht, të zhgënjyerit nga politika klanore në LDK-e, pas shuarjes të dr. Rugovës. Andaj, është një anëtarësi e pranueshme dhe e dëshirueshme. Dhe, një koalicion i suksesshëm aktual, do të shërbente si bazë e lidhjes të qendrueshme, në ecjen së bashku të gjithëmonshme.

Urojmë dhe shpresojmë që LDK-ja të koalicionojë pranueshëm edhe për anëtarësinë e saj. Shansi historik për ta mundur të keqen, krimin e organizuar ekonomik dhe politik, ka ardhur dhe LDK-ja akademike, besoj, se do të dijë ta shfrytëzojë gjithësesi, për të mirën e saj dhe të popullit të Kosovës në përgjithësi.