Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Florim Zeqa: Kush do të merret me pasojat?

| E shtune, 24.05.2014, 06:03 PM |


Kush do të merret me pasojat e qeverisë në ikje ?!

Nga Florim Zeqa

Këtyre ditëve të parafushatës na ka rënë të dëgjojmë lloj-lloj premtimesh nga ana e liderëve partiak, por nga asnjëri (me prjashtim të Isa Mustafës) deri më tani nuk kemi dëgjuar  gadishmërinë për sanimin e pasojave politike të shkaktuara nga qeveria në ikje,...thuajse nuk ka ndodhur asgjë në këtë vend!

Dëmet dhe pasojat që i shkaktoj vendit qeveria në ikje për këto shatë vite janë të shumta, të  shumëllojshme dhe të panumërta; politike, ekonomike, sociale, kulturore,...etj.

Riparimi apo sanimi i dëmeve duhet të filloj nga aspekti politik,...të fillohet nga 17 shkurti i 2008-së, pranimi i pavarësisë në pako të mbyllur (plani i Ahtisarit), himni dhe simbolet antikombëtare, shtrirja e sovranitetit në tërë teritorin e vendit (nga veriu deri në jug), pasojat e bisedimeve me Serbinë, fusnotat e shtetit, barrikada mbi Urën e Ibrit,...deri të sistemi i bankrotuar i drejtësisë.

Janë këto dhe shumë probleme të tjera me të cilat do të përballet jo vetëm qeveria e ardhshme por edhe shumë të tjera pas saj.

Bisedimet e Brukselit legalizuan edhe "de jure" ndarjën e sovranitetit të vendit në dysh; në atë të shqiptarëve në jug dhe serbëve në veri të vendit.

Këto dhe shumë probleme të tjera si këto, disa liderëve partiak nuk ju duken shumë të pëlqyeshme të mirren me to gjatë fushatës zgjedhore. Jo pse pajtohen me to, por pse zgjidhja e tyre është me plotë sfida dhe të panjohura të shumta për ta.

Madje disa liderëve partiak, nuk ua lejonë e kaluara e tyre (e korruptuar) politike të mirren me pasojat e politikës së tyre, ngase bien ndesh me vet-veten apo në kundërshtim me partnerët e tyre politik.

Andaj më e preferueshme për ta, është të "mirren" me aspektet zhvillimore të vendit, të zgjidhjes problemeve socio ekonomike të vendit,...me çka mundësia e premtimeve është më e madhe dhe më e larmishme.

Dikush premton miliona e miliarda euro, tjetri dhjetëra e qindramijëra vende pune, ndërsa dikush tjetër projekte afatshkurtëra zhvillimore,...vetëm e vetëm të përfitojnë zemrën e qytetarëve të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në këtë vend.

Duke harruar (me qëllim) parakushtet e zhvillimit ekonomik, siq janë; siguria e investimeve, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe dukurive të shumta negative të akumuluara tani e 15 vite në vendin tonë.

Përdrisa të jenë shkaqet politike (politikanët servil dhe të korruptuar) shkaktar të gjëndjes së vështirë ekonomike, është iluzive të mendohet për zhvillim ekonomik pa zgjidhjen paraprake të problemeve të sipërpërmendura.

Kandidatët që pretentojnë të marrin besimin e qytetarëve dhe të ngarkohen me pushtet (ministra apo deputet) duhet të jenë të vetëdijshem për sfidat që i presin.

Luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, në radhë të parë kërkonë guxim, vendosmëri dhe përkushtim deri në përmasat e vetëflijimit.

Ndalimi i të keqës në vendin tonë nuk arrihet vetëm me ndërrim pushtetesh apo rrokadash politike të stilit monist, por duke bërë ndryshime rrënjësore dhe përmbajtësore të pushtetit, duke ndërruar mentalitetin qeverisës nga ky i ditëve të sotme.

Me forcimin dhe konsolodimin e sistemit të drejtësisë ngritet edhe vetëdija qytetare në vend, kur të gjithë ndihen të barabart para ligjit dhe drejtësisë, praktikë kjo e të gjitha vendeve të zhvilluara dhe demokratike të botës.