Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Shpresa Jahiri: Rrugëtim i vështirë i shkollës shqipe

| E premte, 23.05.2014, 08:04 PM |


Fillet e arsimit shqip në Kosovë

Rrugëtim i vështirë i shkollës shqipe në Anamoravë

“S’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqipe, pa shkronja shqipe e pa shkolla në të cilat do të mësohet shqipja” (Naim Frashëri)

Nga Shpresa JAHIRI

Në Kazanë e Gjilanit, që nga gjysma e shekullit XIX, filloi të punonte një shkollë shqipe pranë kishës katolike, në fshatin Stubëll e Epërme. Shkolla ishte legalizuar në vitin 1905 dhe ishte financuar nga prifti i famullisë së Stubllës, Dom Mikel Tarabulluzi nga Prizreni. Kjo shkollë katërvjeçare për djem e vajza, me ndërprerje të kohëpaskohshme kishte punuar gjer më 1921. Gjatë kësaj kohe kishin përfunduar mësimin tri gjenerata nxënësish. Furnizimin me libra e bënin shoqëritë patriotike shqiptare. Shkolla në Stubëll ishte bërë vatër e rëndësishme arsimore dhe qendër e përhapjes së ideve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Për shkak të aktivitetit në rrafshin e ngritjes së vetëdijes kombëtare dhe intelektuale, mësuesi Dom Mikel Tarabulluzi ishte burgosur, torturuar dhe ekzekutuar mizorisht. Në vitin 1909 në Gjilan me rrethinë ishin hap edhe këto shkolla shqipe: Shkolla shqipe e Moravës, me mësues Rexhep Rapën, shkolla shqipe e Gjilanit, me mësues Adem Efendiun dhe shkolla shqipe e Pozhoranit, me mësues Nezir Baki Efendiun. Hapja e këtyre shkollave bëhej duke shpërndarë abetare dhe libra në gjuhën shqipe. Meritë të posaçme për hapjen e këtyre shkollave kishte Hasan Prishtina. Në janar të vitit 1910, duke ju falënderuar punës së palodhshme të patriotit dhe arsimdashësit të madh Hasan Prishtina, i drejtoi një telegram gazetës ”Sabah” të Stambollit, ku theksonte nevojën e madhe për disa mësues shqiptarë për shkollat në Kosovë. Thirrjes i përgjigjet Veli Tepelena, i cili në fund të shkurtit 1910 arriti në Gjilan për të punuar si mësues.

Kurset për mësimin e shkrim-leximit

Përparimet e dukshme të arsimit kombëtar në trojet shqiptare, ndesheshin gjithnjë e më shumë me kundërshtimin e regjimit gjonturk. Gjonturqit nxirrnin ligje me të cilat ndalonin aktivitetet dhe mbyllnin klubet dhe shkollat shqipe. Kështu në janar të vitit 1910 provokuan thyerjen e shkollës shqipe në Gjilan, ku kishin shkatërruar inventarin, librat në gjuhën shqipe u dogjën dhe kështu shkolla e Gjilanit u detyrua të mbyllej. Ardhja e mësuesve dhe veprimtarëve të tjerë për të punuar në shkollat shqipe në Kosovë ishte bërë pas apelit të Hasan Prishtinës, përmes së cilës ai i drejtohet opinionit shqiptar se nevojiteshin edhe 10 mësues “për mësonjëtoret shqipe në Kosovë”. Sipas të dhënave, në trevën e Gjilanit përveç shkollës në Stubëll të Epërme, punonin edhe tri shkolla tjera me alfabet latin. Hapjen dhe mbarëvajtjen e këtyre shkollave e ndihmonin edhe përfaqësuesit shqiptarë të pushtetit osman të kazasë, siç ishte kajmekami Xhelal Beu nga Tërrnoci, i cili ishte përkrahës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe bashkëpunëtor i patriotit Idriz Seferi. Krahas luftës për shkollat shqipe me alfabet latin, gjithandej në viset shqiptare punohej edhe në forma të tjera për ngritjen arsimore të popullit në gjuhën amtare. Njëra ndër format më të rëndësishme ishte organizimi i kurseve për mësimin e shkrim-leximit, si në fshatra, ashtu edhe në qytet, që drejtoheshin nga mësuesit vullnetar dhe hoxhallarët. Një kurs i tillë për të rritur ishte organizuar edhe në Gjilan, ku vijuan 63 persona, 21 prej tyre hoxhallarë. Ata e kishin për detyrë ta mësonin shqipen e pastaj t’ua mësonin atë fëmijëve shqiptarë në shkollat ku do të punonin. Mësimi i shkrim-leximit shqip bëhej edhe në grupe të vogla, edhe në shtëpi nga njëri-tjetri, edhe në punë. Kështu dëshmohet edhe kërkesa e shtuar për libra shqipe dhe tekste shkollore, drejtuar klubeve kombëtare dhe shoqërive patriotike në mërgim. Klubi “Bashkimi” i Manastirit në këtë kohë ishte baza më e rëndësishme nga e cila furnizoheshin qytetet e Vilajetit të Kosovës me tekste shkollore dhe literaturë të nevojshme në gjuhën shqipe. I tërë ky aktivitet bëri që brenda një kohe të shkurtër shumë shqiptarë kishin mësuar shkrim-leximin në gjuhën amtare.

Mbretëria Jugosllave i mbylli mejtepet

Me konsolidimin e Mbretërisë Jugosllave pas Diktaturës së 6 janarit 1929, u ashpërsuan masat ndaj BI, e cila e humbi autonominë formale, ishte bërë centralizimi i plot i institucioneve arsimore dhe ishin ashpërsuan masat ndaj sibian-mektebeve. Gjatë këtij viti ishte miratuar ligji për shkolla popullore me të cilin ndërpriteshin të gjitha shkollat private, pra edhe ato fetare, të mejtepeve pranë xhamive në Rrethin e Gjilanit e në vende të tjera, me motivacion se përhapnin librin shqip te popullata shqiptare, andaj veprimtaria e shkollave fetare islame ndër shqiptaret do të hasë në pengesë nga organet qeveritare, prandaj do të ketë ndërprerje të kohëpaskohshme të tyre, mbyllje të plot, pushim nga puna e mësuesve të fesë islame me kërkesën e mbikëqyrësit të shkollave shtetërore. Mbyllja e këtyre shkollave nga organet qeveritare kishte karakter politik, sepse te nxënësit e këtyre institucioneve “po zgjohet me të madhe vetëdija kombëtare, ndërsa mësuesit e tyre janë njerëz të rrezikshëm“. Nisur nga parimi themelor që feja gjithnjë dhe me të gjitha mënyrat duhet t’i shërbej popullit dhe të jetë përkrah tij, udhëheqësit fetarë, atdhetarë ishin me problemet dhe hallet e popullit dhe problemet e fesë e besimit i panë të lidhura ngushtë me të popullit. Në bazë të raportit të mbikëqyrësit të shkollave serbe ne rrethin e Gjilanit, të 14 prillit 1919, dërguar Ministrisë së Arsimit në Beograd shihet se në këtë rreth ekzistojnë vetëm 5 shkolla fillore zyrtare për fëmijët shqiptarë, si shkolla shtetërore në gjuhën serbe, dhe ato ishin: një shkollë në Gjilan dhe në fshatrat Hogosht, Koretin, Rogoçicë dhe Cërrnicë. Në shkollën e Gjilanit formohen 3 paralele të klasës së parë për fëmijët shqiptarë, në të cilat do të punojnë tre mësues serbë dhe tre imamë, si kryes shtetëror të detyrës së mësuesit, në mesin e të cilëve ishte edhe mësuesja Binaze Dauti-Kacabaqi (Hoxha Hanëmi). Më 1922, në rrethinën e Gjilanit kishte 673 nxënës të regjistruar shqiptar, ndër të cilët 39 vajza. Më 1924, fëmijët shqiptar mësimet i vijonin në 13 shkolla fillore të rrethit. Në Gjilan, në 5 paralele kishte 220 fëmijë shqiptarë, kurse gjithsej në rrethin ishin 725 nxënës mysliman shqiptarë. Në këtë kohë në shkolla punonin nga një mësues serb dhe nga një mësues i fesë islame. Në vitin 1924 ishin shkarkuar nga detyra mësuesit e fesë Bajram Rashit Rexhepi, Binazi Dauti, Hysen Hajdari nga shkolla e Gjilanit, Ruzhdi Mehmeti nga shkolla e Rogoçicës dhe Raif Halimi e Isuf Ibrahimi nga shkolla e Mogillës. Sipas regjistrit të arsimtarëve për vitin 1925/26 në shkolla ishin edhe 18 mësues të fesë të cilët përveç mësimit fetar dhanë kontributin e tyre edhe në mësimin ilegal të shkrim- leximit shqip dhe ngritjen e ndërgjegjes kombëtare shqiptare.

Arsimi shqip në periudhën e LDB

Gjatë Luftës së Dytë Botërore sistemi i arsimit në Anamoravë, sikurse edhe në trevat e tjera të Kosovës gjatë të kaluarës historike pati një zhvillim të ngadalshëm. Këtë e kishin kushtëzuar rrethanat e ndryshme nga e kaluara historike, pushtimet, okupimet etj. Mësimi deri në vitin 1941 është zhvilluar në gjuhën serbe. Në vitin 1941 filluan të hapen shkollat shqipe që deri më atëherë ishin të ndaluara. Pas mbarimi të Luftës së Dytë Botërore, arsimimi vazhdoi në gjuhën amtare, por me programe mësimore të përpiluara në bazë të ideologjisë të pushtetit aktual. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Kosova ishte ndarë në tri zona okupuese: gjermane, italiane dhe bullgare. Gjilani me rrethinë ishte nën administrimin ushtarak italian dhe bullgar. Pjesa më e madhe ishte nën administrimin italian, zonë okupuese e cila lejoi hapjen e shkollave fillore në gjuhën shqipe, kurse në atë bullgare nuk u lejua të hapet asnjë shkollë shqipe. Pjesa më e madhe e mësuesve të angazhuar në shkollat shqipe kishte ardhur nga Shqipëria Në këto shkolla procesi mësimor organizohej vetëm në gjuhën shqipe. Ministria e Arsimit të Shqipërisë, e udhëhequr nga Ministri i Arsimit Ernest Koliqi, kishte marrë masa gjegjëse përgatitore për fillimin e punës së shkollave në gjuhën shqipe në Kosovë . Kursi i gjuhës shqipe në Gjilan ishte hapur më, 1 korrik 1941, drejtues i kursit ishte Mahmut Kraja ndërsa mësues Kasem Gera. Ernest Koliqi, Ministri i Mbretërisë Shqiptare të Arsimit, për t`u njohur më detajisht dhe realisht me nevojat arsimore dhe shkollore në Kosovë qysh në fillim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë e dërgoi një mision shkollor të jashtëzakonshëm. Ky mision kishte për detyrë që ta studionte gjendjen e arsimit fillor dhe të mesëm në Kosovë dhe përgatitet për fillimin e kurseve verore për gjuhën shqipe, për të mëdhenj dhe të vegjël, të konstatojë numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve në këto shkolla dhe të definohet gjendja e ndërtesave shkollore. Pas konstatimit të gjendjes së përgjithshme arsimore të Kosovës me Dekret të posaçëm të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë u dërguan në Kosovë afërsisht 300 mësues nga Shqipëria, të cilët u pritën me entuziazëm dhe dëshirë të flakët në Kosovë. Pos mësimit të zakonshëm në to vepronin edhe kurse për të rritur dhe forma të tjera për përhapjen e shkrim-leximit shqip në popull. Përmes klubeve bëhej furnizimi i shkollave me tekstet mësimore, siguroheshin mësuesit etj. Në Regjionin e Anamoravës (Gjilan, Kamenicë e Viti) punonin mbi 22 shkolla fillore serbe me gjithsej 2502, ku përqindja e nxënësve shqiptarë ishte shumë më e madhe. Madje kishte shkolla ku numri i nxënësve ishte qind për qind shqiptarë, si për shembull në shkollat në Hogosht dhe Hodonovc, në Budrik - 80%, ndërsa në shkollat në Bresalc, Cërnicë, Pozhoran, Terpezë, nxënës shqiptarë kishte 70 %. Në kuadër të prefekturës së Prishtinës në regjionin e Anamoravës në vitin shkollor 1941/1942 ishte hap shkolla fillore “Bogdani” në Gjilan dhe katër shkolla në rrethinë edhe atë, në Hogosht, Strezovc, Bresalc dhe Cërnicë, ndërsa gjatë vitit shkollorë 1943/1944 ishin hap shkolla të reja fillore edhe në fshatrat Pozhoran, Sllatinë e Epërme, Verban, Livoç, Kmetoc dhe Koretin. Shkolla e parë shqipe në Gjilan gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte hap më 8 dhjetor 1941. Në këtë shkollë ishin të regjistruar 235 nxënës, prej tyre 191 meshkuj dhe 44 vajza, në klasën I, II, III dhe VI fillore dhe pranë kësaj shkolle vijonin 75 fëmijë të moshës parashkollore në foshnjore. Në vitin shkollor 1941/1942 nuk ishte hapur ende klasa V fillore. Shkolla quhej ”Shkolla fillore e përzier” në Gjilan, ngase pranë shkollës fillore punonin edhe dy paralele parashkollore. Në vitin shkollor 1943 – 1944 “ Shkollën Fillore të Përzier” në Gjilan ishte hap edhe klasa e V dhe ishte bërë shkollë e plotë pesëvjeçare. Objekti shkollor e kishte ndërtesën e Gjimnazit ”Zenel Hajdini” e cila ishte djegur në vitin 1977. Kjo ditë ishte dita e parë e fillimit të mësimit të Abetares shqipe në Gjilan dhe rrethinë. Mësuesit punuan në kushte tejet të vështira dhe ishin ballafaquar me probleme të shumta. Më 28 nëntor 1942 shkolla fillore e Gjilanit pagëzohet me emrin”Bogdani”.

Mësuesit e parë

Në Gjilan dhe rrethinë, si mësues për luftimin e analfabetizmit gjatë verës 1941 kishin punuar këta mësues: në Gjilan: Halit Isaja, Hajrullah Ismajli, Shaban Zeqiri (Halimi) dhe Binaze Dauti (Hoxhë Hanmi); në Strezovc: Ferid Berisha dhe Engjëll Zefi dhe në Bresalc: Ajetullah Femiu. Në shkollën fillore “Bogdani“ në Gjilan gjatë vitit shkollor 1941/1942 kishin punuar këta Elez Gashi (kryemësues) si dhe Muharrem Qollaku, Isuf Zekaj, Elefterie Zekaj, Filip Gashi, Zeçile Gashi, Ganie Baçi, Halit Isaja, Shaban Zeqiri e Thanas Xhufka (mësues). Ndërsa në shkollat fillore të fshatrave të rrethinës së Gjilanit kishin punuar këta mësues: Ataullah Fehmiu (Bresalc), Shaban Zeqiri (Cërnicë), Fadil Haxhi Hoxha (Hogosht), Ferid Berisha (Strezovc, Koretin). Mësimet në shkollën fillore të qytetit në Gjilan i vijonin edhe nxënësit nga fshatrat e afërta të Gjilanit si nga Përlepnica, Shillova, Malisheva, Velekinca etj. Më 19 tetor 1942, për Gjilan dhe rrethinën e tij ishin emëruar këta mësues: Miltiadh Apostoli dhe Selami Ibrahimi (Hallaqi) në Gjilan, Refik Palloshi në Strezovc, Xhevat Alia në Hogosht, Mehmet Turhani në Desivojcë, Hilmi Rexhepi në Livoç,  Muhabi Nuhiu në Sllatinë të Epërme, Shinasi Ibrahimi (Hallaqi) në Pozhoran, Nazmi Mustafa në Koretin, Xhemaludin Ahmeti në Bresalc, Halil Bejta në Cërnicë dhe Dilaver Haliti në Përlepnicë. Në vitin shkollor 1943/1944 shkolla e Gjilanit gjendej në pozitë të vështirë për kuadro, ajo kishte vetëm gjashtë mësues edhe atë të gjithë kursist dhe asnjë mësues nuk kishte të kryer shkollën normale. Në fillim të këtij viti shkollor u paraqitën në punë këta mësues: Hasan Dylgjeri, Halit Isaja, Shenazi Ibrahimi Hallaqi, Hilmi Rexhepi, Malo Beci dhe Mehet Turhani, ndërsa në shkollat e rrethinës së Gjilanit ishin paraqitur në punë : Shaban Zeqiri, Halil Bejta, Abdullah Ukshini, Hilmi Ejupi, Muhabi Nuhiu dhe Jetish Vishi.

Shkolla shqipe pas LBD

Pas Luftës së Dytë Botërore (1945 ), ishin hap shkolla në tërë territorin e komunës së Gjilanit, në qytete dhe fshatrat Bresalc, Pogragjë, Përlepnicë, Zhegër, Cërnicë, Livoç i Epërm, Shurdhan dhe Dobërçan. Një vit më vonë shkolla fillore vepron edhe në fshatin Llashticë. Në vitin shkollor 1948/49 shkolla të reja fillore çelën në fshatin Llovcë, Vërbicë e Zhegovcit, Uglar, Vërbicë dhe Bukovik. Në këtë vit çelën shkollat në Makresh të Epërm, Malishevë dhe Sllakovc të Poshtëm, në vitin 1949/50 shkolla në gjuhën shqipe çelet në fshatin Kishnapolë, kurse në gjuhën serbe në Velekincë. Në vitin shkollor 1945/46 në shkollat fillore katër klasë ishin të përfshirë gjithsej 2.888 nxënës. Në gjuhën shqipe kishte më pak nxënës edhe pse struktura e popullatës ishte në favor të shqiptarëve. Prej 2.888 nxënësve, në gjuhën shqipe ishin 1.280 nxënës apo 44.32 %, kurse në gjuhën serbe ishin 1608 nxënës apo 55.68 %. Deri në vitin shkollor 1952/53 në Gjilan me rrethinë kishte 44 shkolla fillore katër klasëshe dhe 9 shkolla të plota - tetëvjeçare me gjithsej 4.269 nxënës. Në vitin shkollor 1954/55 në kuadër të Komunës së Gjilanit ishin inkorporuar edhe shkollat fillore të Kamenicës dhe Vitisë, ku për tri vite shkollore ishin nën juridiksionin e Gjilanit. Numri i shkollave dhe i nxënësve në Gjilan me rrethinë shtohej vazhdimisht. Në vitin shkollor 1969/70 e deri në vitin shkollor 1979/80 Komuna e Gjilanit kishte 58 shkolla me një numër të nxënësve prej 17.788. Mirëpo kishte lëvizje të numrit të nxënësve. Gjatë viteve të 90-ta u aplikuan masat e dhunshme, u uzurpuan objektet e shkollimit, u pengua procesi mësimor thënë më ndryshe pati presione të llojllojshme. Megjithatë procesi mësimor në gjuhën shqip, me gjithë vështirësitë që ishin, u orhanizua.

----------------

(Autorja vijon studimet master për Histori).