| E merkure, 21.05.2014, 08:00 PM |
DREJTËSI PËR GRATË E DHUNUARA
GJATË LUFTËS NË KOSOVË
Nga Frank Shkreli
Të martën më 20 Maj, 2014, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga kryesoi mbledhjen e dytë të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës. Takimi inaugurues i këtij Këshilli u mbajt Marsin që kaloi gjatë të cilit u përcaktuan detyrimet dhe angazhimet e pjesëmarrësve të institucioneve qeveritare dhe jo-qeveritare për të ndihmuar dhe për të mbështetur njërën prej kategorive më të ndjeshme të viktimave të luftës në Kosovë. Është ky, më në fund, një angazhim i shtetit dhe i institucioneve të Kosovës, i cili duke marrë parasyshë seriozitetin e këtij krimi çnjerëzor e barbar, duhej të trajtohej në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, shumë vite më parë. Por siç tha edhe Presidentja Jahjaga gjatë takimit të posaçëm të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës në Kosovë, ky angazhim i ri i institucioneve dhe i shoqërisë civile u bë i mundur si përfundim i miratimit nga Kuvendi i Kosovës , Marsin që kaloi, të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.
Por megjithëse kanë kaluar 15 vjet nga mbarimi I luftës, më në fund të pakën po bisedohet për këto krime dhe siç thotë fjala e vjetër, më mirë vonë se kurrë. Natyrisht se shteti dhe shoqëria kanë obligimet kryesore ndaj kësaj kategorie të viktimave të luftës. Dhe si rrjedhim nevojitet angazhimi i intitucioneve shtetërore, që siç tha edhe Presidentja e Kosovës Jahajaga, për të zhdukur tabutë dhe njëkohësisht e doemosdoshëme është njohja e këtij krimi të fshehur të luftës duke dërguar -- nga nivelet më të larta, "një mesazh të qartë tek secila viktimë se ato nuk janë të vetme dhe që ne, si institucione dhe si përfaqësues të shoqërisë, do të përmbushim obligimet tona për t’ju ofruar atyre, në radhë të parë, njohjen ligjore dhe më pas qasjen në shërbimet e nevojshme psiko-sociale, ekonomike dhe shëndetësore, me synim rehabilitimin, dhe ri-integrimin e tyre në shoqëri."
Përveç
kësaj, shteti i Kosovës në bashkpunim me vendet mike dhe me organizatat
ndërkombëtare duhet të marri hapa të menjëherëshëm, edhe në nivel ndërkombëtar,
që dhuna seksuale të trajtohet si një krim lufte dhe si përfundim, të kërkohet
drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës. Këtë angazhim të institucioneve të Kosovës
për të kërkuar drejtësi ndërkombëtare për gratë e dhunuara, në të vërtetë, e
vuri në dukje edhe Zëvendës
Kryeministrja në detyrë Edita Tahiri, gjatë një bisede shoqërore që pata me të
në New York para dy javësh, e cila siç duket, për këtë nismë ka siguruar edhe
mbështetjen e disa ish-deputeteve të Kosovës, përfshirë edhe Ministren e
Integrimit në detyrë, Vlora Çitaku.
Gjatë takimit të parë të kësaj nisme të grave përfaqsuese të politikës
së Kosovës, javën që kaloi (shih foton më poshtë), Edita Tahiri tha se nisma ka për qëllim të
bind Organizatën e Kombeve të Bashkuara që të përgatisin një raport zyrtar,
i cili sipas saj, do të "vendosë drejtësinë për femërat e dhunuara gjatë
luftës në Kosovë, si dhe për këtë tragjedi lufte, për krimet dhe gjenocidin që
Serbia dhe forcat serbe kanë bërë gjatë luftës në Kosovë." As Kombet e Bashkuara, as vetë Kosova dhe as
organizata të tjera nuk kanë botuar ndonjë raport mbi numërin përfundimtar në
lidhje me viktimat e dhunës seksuale kundër grave dhe vajzave gjatë luftës së
Kosovë, as për përgjegjësit e këtyre krimeve.
Me përjashtim të në një raporti të organizatës Human Rights Watch me qëndër në
Ndërkaq, shkurtin që kaloi, Sekretari britanik i punëve të jashtëme, William Hague ka njoftuar mbajtjen e një konference të nivelit të lartë kundër dhunës seksuale si instrument lufte -- konferencë kjo që do mbahet më 10-13 Qershor në Londër dhe në të cilën do të marrin pjesë përfaqsues nga 140-vende. Gjatë një fjalimi në Washington, shkurtin që kaloi duke njoftuar mbajtjen e kësaj mbledhjeje, Z. Hague ka thënë se nuk është një gjë e zakonshme që një burrë politikan të flasë mbi çështje të dhunës seksuale, por ai theksoi se, "dhuna dhe krimet seksuale janë kryesisht akte dhe krime të meshkujve kundër femrave dhe fakti se ato kanë ndodhur kur bota nuk bëri asgjë për t'i ndaluar ato krime, duhet të turpërojë, në radhë të parë, të gjithë burrat"kudo. Në të vërtetë -- nënvijoi Sekretari britanik i punëve të jashtëme -- injorimi i këtyre krimeve sikurë ato kinse nuk kanë ndodhur, është në vetvete diçka që nuk është burrërore. Nëqoftëse femrat gjithnjë trajtohen me këtë urrejtje të tmershme dhe barbare në kohë lufte, ato nuk do të trajtohen si të barabarta as në kohë paqeje, ka thënë mes tjerash dhe me të drejtë zyrtari i lartë britanik.
Presidentja Jahjaga njoftoi të martën në takimin e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë luftës së Kosovës se Republika e Kosovës do të marrë pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë në Londër mbi dhunën seksuale në kohë lufte, konferencë e cila do të bashk-kryesohet nga Sekretari britanik i punëve të jashtëme dhe aktorja amerikane Angelina Jolie. Presdientja e Kosovës tha gjithashtu se si pjesëmarrëse në këtë tubim, në emër të grave të dhunuara, Republika e Kosovës do të japë kontributin e vet në përpilimin e marrveshjeve ndërkombëtare për të evidentuar dokumentacionin mbi krimet e dhunës seksuale kundër femrave gjatë luftës në Kosovë dhe njëkohësisht do të ofrojë prëvojën e vet në këtë fushë, në mbështetje të përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellur para drejtësisë të gjithë ata që kanë kryer këto krime kundër njerëzimit.
Mirëpo, për realizimin e këtij objektivi, është i nevojshëm angazhimi kombëtar, i jo vetëm grave politikane të Kosovës, por edhe i të gjithë burrave, me qëllim "për të thyer heshtjen që ka mbizotëruar mbrenda dhe jashtë vendit'', mbi këtë çështje. Këto janë krime të cilat përbëjnë shkelje flagrante të konventave të Gjenevës mbi torturat dhe të ligjeve të luftës dhe si të tilla përbëjnë gjenocid dhe janë krime kundër njerëzimit. Njohja e këtyre krimeve çnjerëzore si krime lufte si dhe angazhimi i shtetit të Kosovës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të njohur me ligj statusin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, rritë sadopak shpresat se kriminelët serbë të këtyre akteve barbare do të sillen eventualisht para gjyqit. As më pak as më shumë -- kjo është drejtësia që më të drejtë kërkojnë viktimat e dhunës seksuale të luftës së Kosovës, drejtësi kjo që u është mohuar atyre për 15-vjetë dhe të cilën ua ka borxh jo vetëm shteti dhe shoqëria, por edhe bota, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara dhe orgnaizata të tjera ndërkombëtare.