| E marte, 20.05.2014, 07:53 PM |
LIRIKA DASHURORE NË FOLKLORIN ÇAM
Esse nga Prof.dr. Resmi Osmani
Në botimet nga mbledhësit e folklorit të krahinës së Çamërisë “Këngë popullore nga Çamëria”, “Rënkimet e Çamërisë” nga F.M.Rrapaj, “Gurra popullore çame” nga S.Kondi,dhe “Bilbila e thëllëza çame” nga I.Hoxha, etj. ka prurje të bollshme edhe të poezisë popullore lirike dashurore, e cvila është veçanërisht e larmishme në përmbajtje, tipologji dhe në shumëformësinë e shprehjes së ndjenjave. Ka në to lirizëm , magjepsje, fisnikëri, brishtësi tejpamësi dhe fluiditet, që shprehin gjendjet ideoemocionale, drithërimin e shpirtit, të mallit dhe vuajtjes, që kanë për shkak nismëtar ndjenjën e dashurisë. Ka në to gjetje artistike, bukuri të mahnitshme të figurave, metaforave e krahasimeve. Janë krijime të mirëfillta, nganjëherë të paarritshme të poetëve anonimë, njëra më e bukur se tjetra, të cilat përveç kënaqësisë dhe ndjesisë artistike, ngjallin një përfytyrim dhe imazh si një mirazh virtual të ngjarjeve, të vajzave dhe djemve që u kushtohen.
Ndonëse çamët u shpërngulën me dhunë nga trojet e veta, ata morën të gjalla në kujtesë trashëgiminë gojore, e cila është pjesë e historisë dhe kulturës së tyre. Vijnë si një kronikë gjeografikisht mbarëkrahinore, e fshatrave dhe qyteteve të Çamërisë, por nuk mungojnë edhe Përmeti,Vlora, Berati, Delvina etj. Ato janë një enciklopedi e ndodhive dashurore, ku janë derdhur me art dhe jetësuar ndjesitë dhe dridhjet shpirtërore të shpirtit çam, kushtuar ndjenjës fisnike e më të bukur, atë të dashurisë. Janë një botë e mbushur me bukuri dhe dashuri.
Gjykuar nga përmbajtja e ndodhive që trajtojnë, dhe leksikut e frazeologjisë, të shumtat janë krijime të shekujve XVIII-XIX. Për studjuesin janë një pasuri e tërë, ku ka lëndë të mjaftueshme për jetën shpirtërore e zakonore. Mbi të gjitha ato janë një dëshmi e talentit të rapsodëve dhe bardëve gjenialë të asaj krahine, e asaj ” popullate heroike,të talentuar, jashtëzakonisht vitale, të zgjuar, aktive, plot kolorit.[1]”
Në Çamëri, kur në familje lindej vajzë ”Nuk nxiheshin trarët e shtëpisë”. Vajza rritej me kujdes, e pse jo edhe me pekule: Leno e rritur hajdhjare/e rritur stane më stane/e rritur me djathë nape/ushqier me bukëvale. Vajza kishte të drejtë trashëgimi. Ajo rritej dhe edukohej me kujdes, që krushqia të bëhej me miq të mirë dhe atje ku të shkonte (se ishte derë e botës) të nderonte prindërit dhe fisin.
Bukuria. Bukuria femërore dhe hijeshia
mashkullore, në aspektin pamor, atë fizik, janë shkaqe të gjithmonëshme që
jetësojnë bujisjen e lastarëve të ndjenjës së dashurisë që gjendet e ndryrë dhe
e fjetur brenda shpirtit njerëzor, si një thesar i ndritur, si një pasuri e
mundëshme ndjenjësore, fisnike, që krijon gjendje emocionale dalldisëse e të
pazakonta, që shpesh i japin jetës tjetër rrjedhë. Sytë janë dritaret e
shpirtit. Janë ata të parët, që vërejnë
bukurinë, pastaj vjen habia, hutimi, dëshira e papërmbajtur për ta riparë
bukurinë, që i ka dhënë flakën ndjenjës së dashurisë. Heroinat e këngëve janë
vajzat që kanë jetuar, në fshatrat dhe qytetet e Çamërisë , ato kanë identitet,
emrat e tyre. Shpesh ato nuk janë individë të veçantë, por grupe vajzash të
Kastrisë apo të Filatit. Kjo i bën që tipologjikisht, ato të jenë këngë
përkushtimi: Katero, Maro, Medo, Lushe, Mine,Hasine, Vasijeko, Angjelinë, Fato,
Vasho etj. Ato nuk janë anonime, shpesh thuhet edhe të kujt janë; Vitore bilë e
Hasanit, Vashua e bila e Papa Jorgjit, Katerua e Koronit, e bila e Vasilit lart
në Pllotare, etj. Këto dhe dhjetra e dhjetra heroina të tjera që janë objekt
adhurimi dashuror, poeti popullor me filigranin e fjalës, ka qëndisur portrete
me bukuri të rrallë, të mëvetësishëm, të pangjashëm me njeri tjetrin. Çdo varg
ka një figurë apo krahasim cilësor për të vënë në pah bukurinë magjepsëse të
vajzës. Ato krahasohen me sorkadhen, kunadhen, thëllëzën, petriten, gjeraqinën,
shqiponjën, pëllumbeshën bejkën e bardhë, nepërkën pikalore, zogën, me diellin
e ndritur,me yjet rrëzëllitës,me hënën, me lulet,trëndafilin dhe trëndelinën. E
gjithë pamja dhe trupi i vajzës kanë dhe rrezatojnë bukuri: kurmi si selvi,
meskëputura, qafë e gushëbukura syri si inxhi, vetulla gjëlpërë, vetulla e
shkruar, gushëbardha, faqemolla, ballargjenda, leshverdha, buzburbuqe,
buzëlule, gjokset si dy mollë në gji, kocat(gërshetat) si ngjalë. Bukurinë e
nxjerin më në pah edhe paralelizmat figurative që përdoren mjeshtërisht dhe me
vend:
Në vitin 2004, mu dha rasti ti bija Greqisë nga jugu në veri. Çështë e vërteta nuk më zuri syri ndonjë “Helenë”. Kur mbërritëm në Janinë, ishte e diel pasdite, bulevardi ishte mbushur me vajza shtathedhura, fytyrëbardha, njëra më e bukur se tjetra. Pyeta për këtë dukuri shoqëruesin grek, Z.Krustalis. “Janë racë çame” mu përgjigj ai me seriozitet.
E si të mos dashuroheshin djemtë pas të tilla bukurive?
Në këngët lirike të dashurisë, nuk kishte si të mbetej mënjanë edhe hijeshija mashkullore e djemve të dashuruar, ngaqë një vajzë e bukur s’ka si të mos dojë një djalë të hijshëm(Për të mos thënë të bukur). Më së shumti djali quhet “trim”,”bujar” e mesa duket, me këtë janë thënë të tëra, por nuk mungojnë edhe epitete përcaktuese vlerash hijeshije. Djali krahasohet me fajkuan, me bilbilin, me yllin, me dritën, me shtatin si selvia: O djem si selvia/ ju do vashëria/ ata djeltë e mirë/ gurë xhevahirë/ ata djeltë e bukur / bijnë bota shuqur. Por sidoqoftë, epitetet, figurat dhe krahasimet për djemtë janë më të kursyera, ndoshta ngaqë ata janë personat veprues, por nuk përjashtohen edhe rastet kur nismëtare për shprehjen e ndjenjave është edhe vajza.
Dashuria. Kjo ndjenjë njerëzore e bukur, e magjishme, që ndodhet në shpirtin dhe zemrën e gjithkujt e që e shoqëron në aspekte të ndryshme gjithë jetën si një kërkesë që të duash e të të duan, ka si pjesë të vetën brenda unit të të dy gjinive edhe dashurinë erotike, që ndoshta është ndjesia më e bukur, si një dëshirë për të gëzuar jo vetëm shpirtërisht hiret e të dashurës apo të dashurit të zgjedhur. Dashurinë, në subjektin që po shqyrtojmë, duhet ta vendosim në kornizën e kohës kur u krijua dhe kushtet social ekonomike dhe zakonore e psikologjike, pasi ato janë edhe parakushte për lindjen dhe realizimin e dashurisë. Këta faktorë gjejnë pasqyrim të shpeshtë në këtë krijimtari.
Vajzat(vashazt) sapo arrinin moshën e pragrinisë, qëndronin të vluara, mbylleshin në shtëpi, kështu edhe nuset e gratë e reja. Daljet e tyre ishin të rralla, por edhe kur dilnin ishin të shoqëruara.
Mundësitë që djemtë të shihnin vajzat ishin të pakta dhe kur i shihnin, kjo ishte në një kohë të shkurtër, një fragment, një befasi e bukur. Më e mundshëm ishte takimi në krua: Më kishe vatur në krua/ të laje rrobat e tua. Ose: Ne ulliri në vorua/dil vajzo se diç të dua/ të vemi bashkë në krua; Piqemi pse s’piqemi/ te burimi mbi shtëpi. Vajza shfaqet në dritare dhe aty e sheh djali: Nën penxhere të shkova/ ngrita sitë e të vëzhdrova. Rrugicave, tinëzisht: Në sokak të ngushtë/ takove bandillë/ të puthi në gushë/ të mori shaminë; në shkallët e shtëpisë: Cila ishtë ajo në shkallë?/ as aman fustane bardhë. Shamikuqja zerdeli/ ke dalë në shkallë e rri… Vend takimi dhe shikimi ishte edhe kisha, te sofati i klishës: po të rrëmben djali/ ne sofati I klishës/ moj më e bardhë qafa/ se jak’ e këmishës… Mu ne klisha ne skoloi/ na vjen mikja ka kroi/ na dogji na përvëloi… por vend takimi e njohjeje ishte edhe gjat punës, apo në stane, sidomos për vajzat kristiane; Marua që kuarr grurë ose: Ngreu Maro ngana dhëntë/ nuk ngrihem dot ka ergjëntë/ ngreu moj Maro ngana dhitë/ nuk ngrihem dot ka florinjtë….Aq e madhe ishte dëshira për të parë vajzat,sa djali I drejtohet malit: O ti mal më hap mejdanë,/ të shoh bellat me çobanë…. Ulu mal të shoh Kastrinë, të shoh bellatë ku rrinë. Dhe lindte dashuria. Një dashuri dalldisëse e marramendëse, tepër romantike, që më pas nxiste përfytyrimin për jetën dhe gjendjen e vajzës.
Dashuria, në aspektin moral ishte ndjenjë e ndaluar. Shpesh,djemtë ishin të ndrojtur për t’i shprehur ndjenjat e tyre vashazve: Ti flasë mu muarr gola/ ta ngasë se ç’mu tha dora/ ta ndiqja se çmu tha këmba…. Për të dashuruarit një ndjenjë shpirtërore por fizikisht mungesore. Që mundësisht të mbahej e fshehur, e paditur nga të tjerët: Mos folë se na ndjen jot-ëmë/ mos folë se na ndjen im-atë/ dhe na bën hatanë… Por a mund të ndalohen ndjenjat?! Kurrsesi jo. Dëshira për të dashuruar dhe pamundësia për ta realizuar ishte një dramë më vete që sillte pasoja nganjëherë edhe tragjike. Në vargjet shprehen edhe gëzimet por edhe vuajtjet apo brengat që sjell dashuria, ato janë të shumta e të llojllojta, më së shpeshti vuajtje shpirtërore dhe psikologjioke: Në hije të mirgalesë(bajames)/ dridhet buza e Bidesë /si lule garufalesë . Aq e fortë është ndjenja e dashurisë saqë: Për të bilën e së vesë/ vura krietë të vdesë…./thaçë se më dolli shpirti/ as aman se më sëmure / në dhe të gjallë më vure… Më digjej xhani/ më digjej vuxhuti. Vajza zemër plasur shfren dufin dhe i drejtohet së ëmës: O moj nanë e zeza nanë/ pse s’më lë të marr çobanë? Ose: klaj natë e klaj ditë/ klaj një djalë si dritë. Kurse djali I dashuruar, por që nuk arrin t’ia shprehë vajzës, përjeton vuajtje: Bije të fle gjumi s’më zë…..As buka s’më hahet/ as uji s’më pihet/ gjumi s’më flihetë/ një merak që kam ai mua s’më hilqetë. Zjarmia e dashurisë shkakton edhe ethe: Vura dorënë në ballë/më lanë ethet a s’më lanë?/ më latë ethe a do më lini?/ thuamëni ç’do më bini? Të njëjta janë edhe vuajtjet e vajzës së dashuruar, forca e dashurisë së pa shprehur e të ndrydhur shkaktonte shkatrrim te shëndetit: Mbi shtëpi të shkova prëmë/ më thanë se je sëmurë. Djali I thotë: Edhe ethet po të zunë/ gjismatë do t’i marr unë/ se jam djalë e duroj shumë/ duroj plumbin dhe barutnë! Për të relizuar përmbushjen e dashurisë, djali është i gatshëm të bëjë çdo sakrificë duke paguar çdo çmim: Dizet kollonata rroba të kërsafta/të mirrte për grua atë qafëgjatë/di kocat e saja kthierë mënjanë/ të ma epte njerën sa të nxjerr meraknë.
Në pritje të triumfit të dashurisë së tyre, të rinjtë shpresojnë dhe durojnë dhe ja si shprehet kjo në njërën nga këngët: Zemrat ton si durojnë?/ si duron mali me borë./ Sa do durojmë u e ti?/Sa të treten borë e shi dhe të çelë bari I ri/ në male dhe në vërri/ do durojmë o siri I zi! Por edhe pas këtij durimi të heshtur, vinte zhgënjimi: prindërit i martonin fëmijët e tyre sipas zakoneve të krahinës. Është e njohur kënga “Kalesh e Xhixhosë” ku I këndohet me dhimbje, mall e plot ndjenja ndarjes nga martesa e vajzës në një fshat të largët : Kalesh e xhixhosë moj/ malli do na marrë/ pa vatur një javë/ dashurinë që keshëm/ mbaje mënd te mbajmë… Që vajza ta ketë të mundur ta shohë ish të dashurin, u lutet prindërve: O baba, ashtu më rruash/ mërguar të mos më gjuash./Nanë edhe baba mejtoni/ mërguar mos më martoni/ po te një shtëpi gjitoni…por edhe kur kjo ndodhte, takimet ishin thuajse të pamundura dhe ja si thuhet në vargjet e një kënge: Shihemi me golë s’flasim/ si durojmë edhe s’pëlcasim.
Në
lirikën dashurore, nuk mbeten pa trajtuar edhe dallimet shoqërore dhe martesat
e pabarabarta. Shoqëria çame, megjithse në shumicën e saj me fshatarë të lirë,
kishte dallime të dukshme të gjendjes pasurore apo të dyerve të para dhe
fisnikërisë së fisit. Por është e njohur që dashuria, nuk i njeh pengesa të
tilla, ndërsa përgjigja është tejet refuzuese. Ja si thuhet në njerën prej
këngëve: Palo fukara më thnë/ për ne nuk
e ke takanë?
Në mbyllje të kësaj trajtese modeste, duhet vënë në dukje se në aspektin stilistikor dhe të thurjes, në këngët lirike dashurore, vihet re ekonomia e fjalës,me pak fjalë , me disa vargje të kursyer thuhet shumë, ndërsa figuracioni, krahasimet dhe mjetet e tjera stilistike,të pranishme pothuajse në çdo varg u japin atyre bukuri dhe ndjesi shpirtërore emocionuese. Gjuha, leksiku edhe pse dialektor, është i zgjedhur, askund nuk vrehen banalitete apo vulgarizime. Sipas natyrës së sbjektit është përshtatur edhe vargëzimi më së shumti tetërrokshi, dymbëdhjetë rrokshi dhe pesë rrokshi, ndërsa rimat janë kryesisht të puthura dhe të kryqëzuara, nuk mungojnë edhe asonancat, rrallë gjenden vargje të parimuar. Ka një ritëm dhe dinamikë të brendshme, një lëvizje në kohë e hapësirë që krijon përfytyrim të qartë e të plotë të subjektit.
Këngët
lirike dashurore të Çamërisë, janë shprehje e shpirtit poetik të kësaj krahine,
që kanë vendin e tyre, si pjesë e pasurisë gojore mbarë kombëtare. Nderim i
veçantë u takon mbledhësve të tyre.
[1] Kadare, parathënia e librit”këngë popullore nga Çamëria”,1983