| E shtune, 21.06.2008, 08:04 PM |
Franca e tij e dashur sapo është eliminuar nga kompeticioni më i rëndësishëm i futbollit evropian, ndërsa atij i duhej t‘i shihte ndeshjet përmes televizorit. Sigurisht, sepse gjërat nuk janë si dy vjet më parë, kur me të në fushë francezët do të ktheheshin në shtëpi si nënkampionë bote. Tani Zidane nuk është më mes tyre dhe numrin dhjetë të tij e mban Guvu, por mungesa e tij ndihet në çdo aksion, në çdo top që niset drejt portës kundërshtare. E kush më mirë se Zidane dinte t‘i bënte këto gjëra?! "Na mungon shumë Zidane, vizioni i lojës dhe fantazia e tij", u shpreh Frank Riberi një ditë para ndeshjes me Italinë. Të njëjtin mendim me të ndajnë thuajse të gjithë shokët e skuadrës. "Do të duhet kohë që të shuhen gjurmët e një kampioni të madh si ai", e vazhdoi më tej bisedën portieri Kupet, sepse ai ishte "shpirti", ishte "arkitekti" që projektonte dhe ndërtonte aq bukur çdo aksion të francezëve. Tani që ka dy vjet që ka varur këpucët në gozhdë, Zizu është në gjendje të japë leksione shumë të vlefshme futbolli. Ai e di mirë, madje është i sigurt se cilësia e nevojshme për të ndërtuar një skuadër është respekti reciprok. Për të, kjo është gjëja më e rëndësishme që futbollistët duhet të kenë brenda një skuadre. "Kur ke në dispozicion 23 futbollistë, çdokush ka personalitetin e tij: njëri është më i fortë, tjetri më i turpshëm, njëri më i rezervuar, tjetri më shumë arrogant. Por, gjëja më e rëndësishme është respekti midis tyre", tregon ai. Mjeshtri francez, i cili vari këpucët në gozhdë dy vjet më parë, sigurisht që gëzon respektin e gjithë shokëve të tij të skuadrës. Trajnerët, ish-futbollistët dhe të gjithë ata që kanë punuar me të, flasin me superlativa. Në pjesën më të madhe kjo u detyrohet atësive dhe talentit si një prej futbollistëve më të mirë të brezit të tij. Aime Zhake, ish-trajneri i Kombëtares franceze që Zidane udhëhoqi drejt fitores në vitin 1998, falë dy golave të tij në finalen kundër Brazilit, thotë se Zidane është një futbollist që ka një vizion të brendshëm. "Ai mund të bëjë me topin gjithçka që do. Topi i bindet atij gjithmonë. Ai është 100 për qind i lindur për futboll", thotë ai. Pikërisht dedikimi i tij për këtë sport e bëri djalin e lindur nga prindër algjerianë që t‘i shpëtonte edukimit të rreptë në lagjet e varfra në periferi të Marsejës, për t‘iu përkushtuar tërësisht futbollit, që më pas do të bëhej një nga dashuritë më të rëndësishme të jetës. Gjithçka e nisi në moshën 17-vjeçare te Cannes, për të kaluar më pas tek Bordo, Juventusi dhe për ta përfunduar karrierën te spanjollët e Realit të Madridit, me shumë yje botërorë në skuadër. Në atë kohë, falë këmbënguljes së presidentit Fiorentino Perez, galaktikët do të përfshinin në gjirin e tyre emra të mëdhenj si Luis Figo, brazilianin Ronaldo, Bekamin dhe Zidanin. Nga eksperienca e tij me futbollin, Zidane tregon se skuadrat e mëdha duhet të kenë në përbërje të tyre liderë që kanë shpirt gare, gjëja më e domosdoshme kjo për fitoret në grup. Ai shton më tej se këtë rol tek ish-skuadra e tij e kishte Raul Gonzales, kapiteni i saj aktualisht. Në kohën kur iu bashkua galaktikëve, Zidane u cilësua si lojtari më i shtrenjtë i të gjitha kohërave. Kurrë më parë nuk ishte shpenzuar kaq shumë për të blerë një futbollist. Në vitin 2004, revista "Forbes" e renditi si atletin e 42-të më të paguar në të gjithë botën, me një fitim vjetor prej 15.8 milionë dollarësh në vit. "Njerëzit më thonë se sot është e thjeshtë gjithçka për ty, pas famës dhe parave, ndërsa unë u them jo, sepse kur nisa të luaja futboll, askush nuk më njihte. Sigurisht që kisha aftësitë e duhura, por gjithsesi m‘u desh që të çaja i vetëm dhe mendoj se çdokush këtë duhet të bëjë në jetë". E në fakt, legjenda e futbollit e ka bërë këtë edhe për të minimizuar në maksimum provokimet raciste, duke u kthyer në një hero kombëtar për një shtet ku komuniteti i emigrantëve nuk ka pasur kurrë marrëdhënie të mira me shtetin. Zizu, ashtu siç e thërrasin me përkëdheli në Francë, është përpjekur të qëndrojë larg botës së "qelbur" të politikës, por gjithmonë ka dalë në mbrojtje për origjinën e tij algjeriane. "Jam krenar për origjinën time", shpjegon ai.
Kjo ndodhi edhe pas fitores së Kupës së Botës ndaj Brazilit, kur një anëtar i Partisë Fronti Kombëtar tha se babai i Zidanit ishte një "harki", fjalë arabe për algjerianët myslimanë që luftuan përkrah Francës në betejën e përgjakshme për pavarësinë e Algjerisë. "Babai im nuk ka qenë një harki", tha ai publikisht. Shumë shpesh Zidane ka dalë në mbrojtje të algjerianëve dhe komuniteteve të tjera me ngjyrë në Francë. Akoma sot duket se është ai zëdhënës për komunitetin afrikano-verior që jeton në Francë. Por, ish-numri dhjetë i Kombëtares franceze preferon më tepër të jetë një shembull për fëmijët e emigrantëve, se sa një hero. Kështu që origjina e tij ngelet diçka me të cilën ai është lidhur shumë ngushtë. Për të, familja dhe nderi i saj janë të shenjta. Kur u largua nga fusha e lojës në finalen e Kupës së Botës në vitin 2006 në Berlin - për shkak të goditjes së famshme ndaj mbrojtësit italian, Marko Materazi - ndodhi si pasojë e një fyerjeje që iu bë familjes së tij. "Për mua, familja është e shenjtë. Askush të mos guxojë ta prekë", vazhdon ish-ylli i Realit të Madridit. E në fakt impulsiviteti ka qenë një nga gjërat që Zidane nuk e ka kontrolluar dot gjatë kohës që ka luajtur futboll. Gjatë këtyre viteve ai është ndëshkuar me karton të kuq plot 14 herë. Jo pak për një futbollist si ai. Në fakt, goditja ndaj Materazit, që bëri bujë para dy vitesh, pasi fantazisti francez nuk pranoi t‘i kërkonte falje mbrojtësit italian, shkaktoi furi në shtypin botëror. Për një kohë të gjatë ai nuk tha asnjë fjalë për këtë fakt. "Kur njerëzit më thonë se nuk duhet ta kisha mbyllur karrierën time në atë mënyrë, u përgjigjem se nuk mendoj ashtu. Karriera ime në futboll është shumë herë më shumë se ai moment", përfundon ai.
Karriera
Zinedine Yazid Zidane u lind më 23 qershor të ‘72-shit në Marsejë. Mesfushor me talent të jashtëzakonshëm. Jo më kot është cilësuar si një ndër më të mëdhenjtë e epokës së futbollit. Gjatë gjithë karrierës së tij ka veshur fanellat e skuadrave prestigjioze, si Juventus dhe Real Madrid, dhe ka milituar në Kombëtaren franceze të futbollit. Ka fituar thuajse çdo titull gjatë gjithë karrierës së tij, si Kupën e Kampioneve në 2002-shin, Kupën Ndërkontinentale në të njëjtin vit, Kupën e Botës 1998 dhe Kampionatin Evropian të futbollit në vitin 2000. Edhe si futbollist ka fituar tri herë "Fifa World Player", rekord që e ndan me brazilianin Ronaldo, duke arritur edhe dy herë të tjera në tri vendet e para të klasifikimit të këtij çmimi prestigjioz. Në vitin 1998 arriti të fitonte edhe Topin e Artë. Në 2004-ën u përfshi në listën "FIFA 100", listë me 125 lojtarët më të mirë në botë, të zgjedhur nga Pele me rastin e përvjetorit të 100-të të FIFA-s. U tërhoq nga futbolli në përfundim të sezonit 2005-2006.
Eksperienca bardhezi
Në vitin 1996 erdhi në Itali te Juventusi, që atëherë drejtohej nga Marçelo Lipi. Fitoi dy kampionate radhazi në 1997-ën dhe 1998-ën, një Superkupë italiane, një Kupë Intertoto (1999). Humbi edhe dy finale të Kupës së Kampioneve në vitin 1997 me Borusian e Dortmundit dhe në 1998-ën kundër Real Madridit. Me bardhezinjtë luajti gjithsej 191 ndeshje, duke shënuar 28 gola, nga të cilët 24 në Serinë A. Aventura juventine e Zidanit, në të vërtetë nuk nisi ashtu siç duhej. Disa nga prezantimet zhgënjyese të tij bënë që tifozët të mos harronin largimin e Paulo Sozës, një nga futbollistët më të dashur për tifozët bardhezi. Por shkëlqimi erdhi pak nga pak, duke bërë që francezi të bëhej beniamini i mbështetësve bardhezi dhe një shtyllë e pazëvendësueshme në lojën e skuadrës së Lipit. Pasimet e tij ishin të rëndësishme për Christian Vierin, Filippo Inzaghin, Darko Kovavevicin, për shkak të vizionit të tij të jashtëzakonshëm për lojën.
Real Madridi
Në vitin 2001 u transferua nga Juventusi te klubi spanjoll, Reali i Madridit, që për ta pasur mes radhëve të tij, përveç një kontrate trevjeçare, shpenzoi rreth 135 miliardë lireta, duke e bërë lojtarin më të shtrenjtë në historinë e futbollit. "Yjet" e Realit me të në krye do të bënin që në 2002-shin madrilenët të çonin në Spanjë Kupën e Kampioneve, në finalen kundër Bajern Liverkusenit. Aventura e tij te spanjollët do të përfundonte në sezonin 2005-2006.
Tërheqja
Në prill të 2006-ës deklaroi se do të tërhiqej nga futbolli pas Botërorit të Gjermanisë. Në 7 maj të këtij viti, Zizu luajti ndeshjen e fundit në nivel klubesh kundër Vilarealit, në stadiumin "Santiago Bernabeu". Tifozët e Realit i kishin rezervuar një surprizë të këndshme, duke mbajtur në duar pankarta me emrin dhe numrin e tij, ndërsa shokët e tij të skuadrës kishin veshur bluza me mbishkrimin "ZIDANE 2001-2006", nën logon e klubit. Në fund, Zidane bëri një falënderim të veçantë, duke mos e fshehur përlotjen. Por legjenda franceze "do t‘i varte këpucët në gozhdë" vetëm pas finales së Berlinit, më 9 korrik, kundër Italisë për Kupën e Botës. Megjithatë, vetëm një ditë më pas, më dhjetë korrik të 2005-ës, Zidane u zgjodh futbollisti më i mirë i Botërorit.
Jeta private
I martuar me Veronikën, një ish-modele dhe kërcimtare franceze me origjinë spanjolle, tani çifti jeton në Madrid dhe ka 2 djem, të cilët aderojnë me të rinjtë e Realit të Madridit.
Nostalgjia për futbollin
"Në fillim, kur largohesh nga futbolli të pëlqen, ndërsa pas një farë kohe e ndjen se të mungon diçka. Të rikthehesha do më pëlqente, por nuk e di se në çfarë mënyre", kanë qenë fjalët e tij për gazetën franceze "Equipe", rreth dy vjet pasi "vari këpucët në gozhdë".
Projektet e reja
Në pritje të një vendimi për të ardhmen, ku nuk përjashtohet një rikthim te Reali i Madridit si trajner i të rinjve, Zidane ka menduar të investojë në qytetin e tij të lindjes: Marsejën. "Kam në projekt të ndërtoj një qendër të vogël sportive për futbollin urban, me fusha të vogla, ku mund të luash me 5 lojtarë dhe një hapësirë për të parë ndeshjet. Po punoj me vëllezërit, miqtë dhe kam marrë mbështetjen edhe të autoriteteve lokale".
Edhe pse ka kaluar rreth 24 muaj në dispozicion, Zizu nuk e ka harruar ende largimin e trishtuar nga futbolli në 2006-ën. "Tashmë ka kaluar dhe shpresoj që ta mbyll diskutimin njëherë e përgjithmonë. Por këtë histori do ta kujtoj për gjithë jetën". Në fund, kampioni francez flet edhe për vizitat e tij të shpeshta në një klinikë në Merano, e njohur për pastrimin e gjakut, por përjashton çdo hije dopingu: "Shkoj prej 12 vjetësh, por jo për të pastruar gjakun. Shkoj për të dezintoksikuar trupin nga helmet, duke iu nënshtruar një diete të veçantë dhe masazheve".