| E shtune, 21.06.2008, 04:47 PM |
Nga Shekulli
Matilda dhe Zana
Matilda Meçini nga Shkodra, 19 vjeç, 175 cm përfaqëson Shqipërinë në Miss Universe 2008 që po mbahet në Vietnam. Vajza që në këto foto të konkursit ndërkombëtar e shohim jo më me lookun angel por “sauvage”, është shprehur se ëndrra e saj është që të administrojë një biznes në fushën e modës. Meçini ka marrë pjesë në Miss International Tourism Queen 2006 por aty nuk ka fituar ndonjë titull.
Zana Krasniqi është shqiptarja e dytë, por nga Prishtina, që do të përfaqësojë Kosovën në “Miss Universe”. Zana është 19 vjeç, 170 cm, është bërë e njohur me përfaqësimin e Shqipërisë më 2006 në Top Model of the World. Dëshira e Zanës është që në të ardhmen t’i kushtohet modës si stiliste.
Nata finale e Miss Universe 2008 do të mbahet më 14 korrik në qytetin e Nha Trangut. Një klip nëntë minuta për Vietnamin që do të transmetohet live atë natë në kanalin NBC dhe që do të ndiqet nga 13 milionë teleshikues të SHBA-së dhe nga 1 bilion shikues të tjerë në gati 170 vende të botës, përfshi Vietnamin me popullsinë e tij mbi 80 milionë banorë.
Mbi 80 kandidate kanë ardhur prej 3 ditësh në Vietnam për të marrë pjesë paraprakisht në një sërë aktivitetesh kulturore dhe bamirësie në kryeqytetin e vendit Hanoi dhe në disa qytete të tjera.
Finalja organizohet në qendrën Crown Convention me 7500 vende që shumë shpejt është ndërtuar me një investim 7 milionë dollarë. Një kompani bizhush është angazhuar për të realizuar kurorën e Miss Universe 2008, në vlerën 200.000-250.000 dollarë.
Për këtë aktivitet Vietnami ka për të shpenzuar në total 15 milionë dollarë. Organizimi i Miss Universe ka për qëllim të shfrytëzojë shanset për zhvillimin e turizmit të këtij vendi me kulturë të pasur dhe mijëra vjet histori.
Miss Universe ka 50 vjet që mbahet dhe është sot një nga konkurset më prestigjoze në botë të bukurisë femërore dhe që organizohet nga Miss Universe Organization me pjesëmarrjen e 80 vendeve.