| E hene, 05.05.2014, 06:58 PM |
Neki Lulaj
ATA JANË
(Pampurëve me shpirtin e shtjerrur)
Ata, ata janë zvarranikë pa kurrizë në trupat skelektikë
Janë zagarë endacakë të rrugicave miniballkanike
Ushqehen me mbeturinat e ngordhësirave në rrugicë
Lehin e ju sulmojnë nga smira bajate skizofrenike
Ata janë “fatbardhët” e paharruar të atdheut tim të lashtë
I ka zënë egjra e tagjisë së mykur lojale mes govate
Janë bërë sot ca butakë pa shpirt pa zemër e pa gjak
Teka ëndërrojnë për karrierë me “vëllezërit” nga Karpatet
Ata janë për ne parazitët e ndyrë të rriqnave të zeza
Që jetojnë luginave e përrenjve nga mot të harlisura
Dremiten mbi myshqet plot gjarpërinj ndër këneta
Si të ishin hibridët e flamës me pleshta e hardhuca
Ata janë bërë vobektësia shpirtërore për kohën e perënduar
Janë barrikaduar në kalanë e djajve për gjak e fyerje frenetike
Ushqehen me adrenalinën maniake në trupat e majmëruar
Dergjen në shtratin e zhdukjes e krrokasin si sorrëzezat ballkanike
Nga smira kafshërore gërvishin plagën e kombit të pathyer
Vrasin pa gjak ndërgjegjen e ndritur të dëshmorëve të tokës
E vetë kundërmojnë erë ngordhësirash që shpërndahen ndër pyje
E për këtë “fatbardhët” mbeten pa varre gjer në fund të botës
KËNGË E PAKRYER
Ninullën e këngës së djepit e këputi me kukamë një krismë pushke
Qëlloi mbi kaptyll si të ishte fluturimi i një shqiponje krushke
U thye kaptylli nga kjo dhembje shpirti e kënga lëshoi piskamë
Një zë i thellë preku terrin e plasi dritë krismë pushke mbi xham
E unë dola jashtë t’i mbledh xhamat e shpirtit që ishin ngjyer me gjak
Krah shqipesh në fluturim mbeta tërë jetën duke gavruar mbi xham
Mbi stolin e gjyshit ligjërova kushtrimin këndova Himnin e ri
Për të gjithë ata që e mbollën lulet e kuqe për kronikë dhe lavdi
KODI I TOKËS
Grykat kurrë s’e ndalën këngën
E mbi to u ngjitëm deri në qiell
Damarëve të shkëmbit të egër
Udhëve në kohë errësire pa diell
Im Atë pat thënë një fjalë të mençur
Në vitet e tij të bardhë diku në Kullë
Se toka jonë e mirë ka Kodin e Qëndresës
Që për Paqë ka bërë brez pas brezi luftë
Lisat e gjatë u kalavitënmbi shpatullat e kodrës
U lëkundën plepat e drurët nga lotët në qiellin e kaltërt
Eshkën e bëmë barot e mbajtëm mundimin e kohës
E mykun e shekullit e shndërruam në mordin e natës
Për sot nesër e pasneser toka jonë do ketë Kodin e vet
Se në këtë vend kemi jetë e do të kemi varrin e shtenjtë
PËR BARIUN E NATËS
A është ende atje, si sot, si nesër, si dje
Se ti edhe gjumit të natës ia ndez qiririn
Këtë s’e di ti por e di perëndia atë e dimë ne
Se nata ësht’dhuratë frymëzimi e ti ende nuk fle
E dimë se s’ke frikë nga gjumi
Se koha ik si një re qielli e s’kthehet
Se n’ditët me diell të praruar e fsheh heshtjen
Se ia fale bibliotekës rafteve të mrekullive kohën e gjurmimit
Që ta zbulosh të shkuarën në faqet e shkrimit
E di se të dhimbset koha që ikë si kalë i pashaluar
Se në sirtarët e shpirtit mban enciklopedinë e bekuar
Kurrë në pluhurin e harresës historinë tonë s’e le
Me shtatin e rritur në arën e lavruar bari i fjalës je
Në konakun e e burrave të Bukureshtit
Gjurmëve të Asdrenit ti ecë si plaku me shkop
Edhe kur qielli është i mvrenjtur me bubullim’e re
Shiu i mërgimit ty s’të lagë kurrë e as reja s'të ze
O moj bubullimë që hesht duke vajtur në kishë
Kush ishte ai që deshi të të kafshojë si bishë
Duke të kërcnuar madje me hedhje në gjyq
Pse butakut antikosovar i the maskara e shpirtlig
Ashkla e gurbetit po na shpon po na zbardhon e zbeh
Lehin qenjtë rrugicave t’i lëpijnë eshtrat e zhveshur
Por ty as qenjtë as shiu as bora as murlani s’të kthejnë
Nga rruga e mbarë se ti ke bekimin e engjëve
Që luten për mbrojtjen e një shpirti të shenjtë