| E shtune, 03.05.2014, 07:54 PM |
Ndikimi i artit tek fëmijët
Nga Dr. Ilir Muharremi
“Çdo fëmijë është artist. Problemi është si të mbesim të tillë pasi të rritemi.” thotë Picasso. Unë do ta rrokja atë të mbesim sepse në fillim ne dimë, e them dimë në kërkimin foshnjarakë të harresës së mëvonshme. Çdo gjë dikur ishte ashtu si donim, thirrjet e kënaqësisë tani janë pa ndonjë jehonë. Tensioni i vazhduar që na mbanë në kontakt me botën duke harruar veten , e më parë ishim nën kujtimet vetës, na detyron të mbledhim gjithçka për t’ia lënë vendin një gjëje tjetër. Në këtë jetë , vepra është i vetmi shans për ta ruajtur ndërgjegjen, dhe kultivuar aventurat. “Të krijosh do të thotë të jetosh dy herë” pohon Kamy. Këtë jetë do ta dëshironte secili, por të gjallë mbesin vetëm ata që spastrohen nga hiri i shpirtit. Të tjerët shfrytëzojnë ajrin, ujin, ushqimin kot. Ata jetojnë vetëm për arsye se janë, jo për të kërkuar më shumë. Këta pasurojnë ishullin pa të ardhme.
Fëmijët përmes artit mësojnë si të ushqehen, të luajnë, të sillen dhe të duanë. Këtu haptas duket se arti është shumë i rëndësishëm për njeriun. Kur them i rëndësishëm gjithmonë preket e bukura, sepse po të mënjanojmë të bukurën pikturës, muzikës, dramës, baletit, ndërtesave, çfarë jete do shijonim? Njëmend e bukura dhe e shëmtuara janë të kushtëzuara me vlerat tona dhe të duash ta përcaktosh një vepër të bukur arti dhe një të shëmtuar, përfundimet janë absurde. E bukura është mungesës e së shëmtuarës, derisa e shëmtuara mungesë e së bukurës. Këtu kemi të bëjmë me gjykime instiktive fëmijërore të cilat kanë zinxhirin e shkurtër për rrjedhojat, këshillën e bëjnë vetëm për atë çfarë duhet bërë në radhë të parë. Intelekti kur sapo rritemi është aparat ngadalësues që gjykon instinktin e drejt artistik të fëmijës. Ky intelekt shikon më gjatë zinxhirin e gjërave, por arti nuk përballon këtë.
Në shumë ente parashkollore, por edhe në ato fillore, pak flitet për artin, kur them pak, nuk veprohet me të. Nëse veprohet shërbimi është për ta kaluar kohën me diçka si të padobishme, komike, e pavlefshme, irituese. Ruhet ajo tradita se në art figurativ duhet vizatuar stinët e vitit, ndonjë peizazh që ka ikur nga kujtesa, një kuadrim të pikturës duke eliminuar aq sa zgjedhim, vërtitjen e dritës, perspektivën e pafund, qiellin blu, horizontin, diellin, kodrat, të gjitha i procedojmë në fiksion. Ky nuk qe fiksion subjektiv, por ai me çfarë jemi mësuar t’i këshillojmë të vegjlit, duke sprapsur shabllonet e natyrave të vdekura dhe të qeta. “Është gjë e kotë piktura e cila na pëlqen për ngjashmërinë me objektet të cilat nuk do të na pëlqenin”. Shënon Delacroix-ja i cili citon fjalën e famshme të Pascal-it. Këto objekte i pëlqejnë edukatoreve, mësuesve për arsye të ngjashmërive dhe këto janë të varrosura në një evolucion të përhershëm. Ato nuk duhet të trashëgohen, imponohen tek të vegjlit. Liria e shpirtit, imagjinatës duhet të reflektojnë nëpërmjet dorës, mirëpo dora shpesh zbehë atë magmën shpirtërore. Ata objektivizojnë shpirtin ndërmjet figurës artistike dhe vetëm këtu është liria absolute e fëmiut.
Një pjesë
e pedagogëve dhe psikologëve këshillojnë prindërit të kushtojnë më shumë
vëmendje në vizatimet e fëmijëve të tyre. Gjërat nuk mund të gjeneralizohen
ngaqë çdo fëmijë është i veçantë. Arti realizon pajtimin e të veçantës me
universalen të cilën gjithnjë e ëndërronte Hegeli. Gjithnjë epokat do t’i
kthehen arteve primitive të cilat nxjerrin stilizimin si më të fuqishmin dhe
unitetin më provokuesin. Po i kthehemi pjesës praktike tek fëmijët konkretisht
te ngjyrat: Ngjyrën e verdhë, portokalli, gri dhe blu, fëmijët e krijojnë me qëllim të
prezantimit të momenteve të lumtura,
ndërsa ngjyrën kafe, të kuqe, dhe të zezë për momente pikëlluese. Por, ata
fëmijë që i referohen ngjyrave të ngrohta janë impulsiv, energjik dhe të
pranueshëm në rrethin shoqëror. Kurse, ngjyrat e ftohta shprehin qetësinë e
fëmijëve dhe ndjeshmërinë, këta janë të mbyllur në vete dhe zotërojnë lojën
vet.
Fëmijët do të mësojnë nga arti, do të shkundin veten me të gjitha forcat, ajo çfarë ata krijojnë momentalisht pa plan, është më e thellë, më dobiprurëse, rrjedh nga një instinkt i lashtë, kur të rriten do të harrojnë të vërtetën. Objektivja më vonë do planëzohet si orientim themelor për të vazhduar. Vetëm të veçantët, ata që besojnë në instinktin fëmijëror do të bëhen artistë të mëdhenj. Do ta dëgjojnë frymëmarrjen, gjallërinë dhe ndriçimin vibrues. Duhet të mbushemi me frymëzim, t’i flakim tej dyshimet, mosbesimin në forcat tona. E dijë, kjo arrihet vetëm duke ruajtur qetësinë shpirtërore edhe në momente me vetmitare. Ndjesia instiktive do të na përcjell si emblemë e kënaqësisë me qëllim për të krijuar, ky krijim vjen nga mosdija për dijen, dija pengon të vërtetën fëmijërore - artistike.