| E shtune, 03.05.2014, 06:23 PM |
Një zë i ëmbël lirik
" Vjen një zog i bardhë nositi" i Irini Nanushit ( Angjele)
Nga Përparim Hysi
Më duket se liqeni i Pogradecit apo Liqeri siç e quan Poradeci i madh alias LASGUSHI ka ndonjë veti që e bën të veçantë. Mjafton, qoft dhe të lagësh këmbët në ujtë e tij, dhe bëhesh krejt tjetër. Natyrisht, çka shkruaj për vetitë e veçanta të Liqerit, as mund të jetë e vërtetë, por mua, ama, kështu më duket. Aq qorraz nuk shkruaj, domosdo. Nisem, veç tjerash, dhe me një rit myzeqar i vjetër sa nuk ka matje në kohë. E, pra, në Myzeqe ekziston një rit: çdo 15 gusht myzeqarët që e kanë larg detin, nisen me qerre apo në formë pelegrinazhi dhe shkojnë drejt detit. Në det futen dhe presin,ashtu këmba-doras, që të paktën tri herë t'i lagë dallga. Sipas ritit, tani pasi janë lagur tri herë, largojnë ethet. Kjo ditë, 15 gushti, është Dita e Shën Marisë (Mërisë). Duke bërë këtë analogji, unë zë e tjerrë shtëllungën e asacioneve mbi furkën time. Them, duhet ketë diçka mitike ky liqen dhe gjithë ç'tjerrë unë, nuk është fare kot. Se them unë a nuk është Lasgushi Mbreti i Lirikës Shqiptare? Po Mitrushi alias Dhimitër Pasko a nuk është Prozatori më i bukur i mbarë letërsisë sonë?
"Tjerrja" , mandej, vazhdon në krijues të tjerë që nderojnë jo vetëm Pogradecin, por gjithë Letërsinë Shqiptare,si: Kopi Kyçyku dhe i biri i tij, Ardian Kyçyku; Meri Lalaj e Liri Seitllari; Dhimitër Pojanaku e Dr. Misto Marku; Istref Haxhillari dhe... As mos prisni që t'i rreshtoj të gjithë. Së pari, që nuk është ky objekt i shkrimit tim dhe,së dyti, nuk e kam të plotë njohjen për shkrimtarët e poetët nga Pogradeci. Në ka të tjerë që unë nuk i përmënd në këtë shkrim, kjo vjen jo nga mospërfillja për ta, po nga mosnjohja nga ana ime. Për lexuesit, një gjë duhet të fiksoj: askush prej atyre që nuk lakohen nga ana ime, nuk e humbet vlerën. Notën për çdo krijues e vë lexuesi.
* * *
Çehovi kur vjen puna për ata që shkruajnë, thotë: " Secili duhet të flasë me zërin e tij."
Unë në këtë esse do flas për një poete që flet me zërin e saj. E kam fjalën për poeten nga Pogradeci, Irini Nanushi (Angjele). Me Irinin unë nuk kam qenë njohur. "Kumbara" e njohjes me të, u bë mikja ime (dhe kjo nga Pogradeci) Meri Lalaj. U takuam tek " Taivani" dhe, sado që qëndruam pak, u befasova kur ajo më dhuroi librin e saj me poezi "Vjen një zog i bardhë nositi". Më dhuroi librin dhe iku.
Sa u ktheva në
shtëpi, fillova ta lexoja. Impresioni im qe i madh. U befasova. NJë zë
lirik i ëmbël...
* * *
E gjej me vënd që, para se të flas për lirikat e saj aq të ngrohta, ta bëj shkurtimisht të njohur për lexuesin. Irini është pogradecare (nga Angjelët) dhe në vitin 1975 është diplomuar në fakultetin e filologjisë e historisë. Ka punuar si mësuese në shkollat "Gjokë Shqiptari" dhe "Muharrem Çollaku". Mandej si libretiste tek Asambli Artistik"Driloni" dhe përgjegjse e Galerisë së Arteve në Pogradec. Është autore e librave me poezi: "Rrath mbi liqen", "Det dashurie", "Në zemër të çdo moshe" (i përkthyer në rumanisht) dhe " Vjen një zog i bardhë nositi".
Libri me
poezi " Vjen një zog i bardhë nositi" ka rreth 80 poezi ku njëra
është më e bukur se tjetra. Autorja ka
lirëshmëri në krijimin e vargjeve dhe
poezia është e tëra ndjenjë. Nuk ka stërzgjatje që ta bëjnë poezinë të lodhshme
për lexuesin. Përkundrazi. Ke kënaqësi tek e lexon dhe ndjen sikur një fllad të
ngop shpirtin. Kjo ndodh me të gjitha poezitë. Titullin libri e ka marrë nga
poezia e parë.
Amplituda e mallit për Atdhenë zë dhe i rrit përmasat kur je larg tij dhe ky mall arin në apogjenë e tij dhe për një arsye tjetër: poetja shkon në Ballkan apo në Greqi jo si turiste, por andej ka dhe fëmijtë e saj. Kështu që, tek hedh vështrimn mbi Malin e Thatë, i sëmbon zemra. Ndjen dhimbje. Se larg ka fëmijët dhe "shtërgu i ngratë" që rënkon nga malli është vet poetja.
Është e çuditshme në vargëzimin e saj. E çuditshme dhe unike. Në pak fjalë, thotë shumë. Edhe kur bie telefoni, thotë mes tjerash, ndodh që zëri nga receptori tjetër s'flet, por, megjithatë, tregon se jetoj. E thotë me vargje dhe e thotë bukur,
* * *
Poetja, Irini Nanushi, edhe në poezinë e peizazhit është çlodhëse. Në poezinë "Vjeshtë në luginën e Vjosës". Ajo di ta japë me penelata tërë ngjyrë gjithë gjarpërimin tërë dredha të këtij lumi: "... luginës prrallore, kur Vjosa vraponte/ si të kishte një të fshehtë takim/ fshihej e dilte, përsëri gjarpëronte/gjithçka sikur kishte kuptim/
Sa e kursyer! Sa mesazhe me vlerë përciell dhe që të bindeni,lexoni këtë poezi me titull "Në jetë".
"Në jetë kam ditur të fal
Dhe di përsëri.
Por unë
Nuk jam Perëndi...
Them që është një fshat i bukur që, për ta gjetur, nuk do kallauz.
Për një gjë më vjen, me të vërtetë keq. Nuk jam në gjendje që t'i jap për lexuesin të gjitha poezitë një dhe nga një. Ja dhe një mesazh malli. Shikojeni vet dhe ju lutem të më thoni a ka se si përcilet një mesazh malli kaq shkurt, kaq domethnënës dhe kaq bukur:
" Sapo arrita në shtëpi
Mesazh në telefon:
Nuk mund të vij, o shpirt, tani
Kuptohet: është vonë.
Bukuria bëhet më e plotë, tek vazhdon,
"dhe nuk edi,se s'mund ta di
Se nuk e kuptoj dot
Më keq e pata unë a ti
Që s'mund të derdhja lot...
Kur themi Pogradeci,patjetër si pikë e madhe referimi vjen, i madhi: Lasgushi. Poetja në poezinë "Dashuria për ty" i rikthehet ( ka kënduar dhe në një poezi tjetër po tek ky libër),Lasgushit. Them që kjo e dyta është si më sinjifikative: me pak vargje ( lakonizimin e ka pjesë organike) ajo jep madhështinë dhe pavdekësinë e Poetit njëherësh. Vlerat e tij si poet, thotë poetja, janë të tilla që kanë pasuruar çdo pogradecar,ca më shumë çdo shqiptar.
"I dashur Lasgush
I madhi poet i vendit tim
Cili nga ne ndihet i varfër,jetim
Me thesarin e madh që na le trashëgim?!"
Shikoni dhe një poezi tjetër ku poetja, me fare pak vargje, evokon si nuk ka më bukur dashurinë për mikun e saj të zëmrës. "U mësova të duroj shumë/ u mësova me netët pa gjumë/ u mjeshtërova të mbërthej lotët në sy/ nuk u mësova të të harroj ty... Shkurt, pak,sakt. Por që pohon shumë.
* * *
Aq çlodhës dhe aq komod e ndjen veten çdo lexues që do ketë fatin ta lexojë këtë poete, sa unë vihem në siklet, kur dua të ndahem me këtë shkrim. Se e di mirëfilli që sinoret qoft dhe kur shkruan një esse, sikur janë të vendosura dhe, tek dua ta mbyll, nuk rri dot pa sjell dhe një poezi tjetër shumë sinjifikative si kjo:
Sa herë që shkoj larg
Sa herë shpirt unë jam larg teje
Më merr një mall që dot s'e them
Është malli im që vjen drejt meje
Si malli im,drejt teje vjen.
Kur udhën nis e shkoj larg teje
Ndodh një çudi me ne të dy
Çdo gjë e jotja vjen pas meje
Çdo gjë imja rri me ty.
Kaq. Po a ka më bukur? Dy fjalë, po që fshehin e mbajnë nën vete, një det malli. Mendoja... epo ja: më së fundi, sikur i thashë përshtypjet për këtë lirike kaq të ëmbël. Por sikur po ma bën me sy një poezi, edhe kjo e shkurtër. E shkurtër, por ç'bukuri ka! Sa mesazh mbresëlënës! Nuk mund që dhe këtë të mos e sjell të plotë. Ju lutem, më ndiqni! Poezia titullohet "Bie shi"
Bie shi
Fryn erë
Bie shi.
Mungon dielli
Mungon ti!
Daullet bien për ata që kanë veshë. A mund të flasësh dot më bukur se kaq për të dashurin? Të flasësh pak dhe të pohosh shumë,aq më tepër në poezi, tregon se ke të bësh me një poete që e njeh mjeshtërinë e vargut. E tillë është poetja nga Pogradeci, Irini Nanushi. Tek ndahem me këtë shkrim për poezinë e saj, bindem në ato që hamëndësoja në fillim. Mos vallë liqeri ka ndonjë veti mitkike? Por, për të qenë më afër realitetit ajo që them me siguri është fakti që kemi të bëjmë me një zë lirik të ëmbël: me poeten Irini Nanushi. Dhe, në se po ndahem me lexuesit me këtë shkrim modest për të, një gjë ju them të gjithëve: unë librin e saj e mbaj aty, mbi tavolinë, dhe sa herë që dua të çlodhem, e rilexoj dhe më duket si një aperativ që më bën mirë dhe ma ngre adrenalinën e gjakut. Ah, sikur ta kishti fatin ta lexonit, dhe kishit për të parë që do më jepnit të drejtë. Janë të bukura poezitë e shkurtëra që thonë shumë. Të tilla janë dhe poezitë e Irini Nanushit, të cilës i uroj krijimtari të mbarë!