| E shtune, 03.05.2014, 07:08 PM |
VDEKJA E PUSHTETARIT
Skicë nga Vjollca Tiku Pasku
Ai ishte
shndërruar si një enë balte plasaritur pa vlerë, për tu hedhur në fundin e
destinuar. Sot ai bënte udhëtimin final, me kostum e kollare të shtrenjtë, dhe
qivurin luksoz të punuar enkas për një rast të tillë. Gjithmonë kishte fjetur
në komoditetin më luksoz të kohës, tani ishte shtrirë brenda kontureve të
ngushtë të arkivolit me dorezë floriri. Pigmenti i vdekjes i kishte përpirë të
gjithë trupin me grerëzat e padukshme të dekompozimit. Nofullat e tij lidhur me
fasho, qëndronin paska hapur, si një hon i mistershëm. Gjithë jetën e kishte
shpenzuar duke qenë një nga idhujtarët e parasë. Për të ishte sakrilegj të
ndihmonte apo të dhuronte. Vodhi , mashtroi, bëri qejf sa deshi. Ndihma,
bamirësia, dhurimi ishin mëkat. Fitimi, ishte Zoti më i dashur i tij. Tani që
dergjej i shtrirë nuk mund t’i bënte asnjë ofertë vdekjes. Ishte tërësisht nën
pushtetin misterioz e të frikshëm. Impulset e frymëve që e kishin mallkuar,
ishin ngritur deri në qiell. Ishte një pushtetar që kishte goditur me kamxhikun
e padrejtësisë shumë jetë. Vet jetonte në një kullë të fildishtë përrallash,
rrethuar me lule enigmatike, me shikim drejtë diellit. Këpucët kurrë nuk iu
baltosën. Kishte përherë njerëz që ia pastronin. Tani ai përfundoi në botën e
baltës. Dukej si një parazit, nga prania e të cilit, edhe toka, sikur kishte
kruarje alergjike. Dëshpërimi fals i miqve të tij, përsëriste alfabetin e
djallit. Në sytë e tyre rrëshqiste pyetja rrufe: “kush do i zinte vendin “.
Hipokrizia e tyre ishte si lulet e rreme, që imitojnë ato natyrale në dukje,
por veç prezencës me bojëra false, nuk kanë asgjë të përbashkët me to. Vendosur
në një sallë të madhe dhe të ndriçuar mirë, grimcat e dritës së bardhë e
anashkalonin, duke i lënë një mjegull errësire. Panteoni i lavdisë, u shkëmbye
me panteonin e vdekjes. Era e kalbur përzihej me erën e livandos dhe gjurmëve
të pluhurit, në kortezhin që filloi të lëvizte ngadalë drejtë varrezave.
Ekzistenca e tij dhe emri u fshinë më shpejt se fundosja e trupit brenda dheut.
Sikur të fliste, ai do të mblidhte kryqëzatën e errësirës nën tokë, të
protestonte pretendimin, ashtu, i ngrirë me eshtra dhe gravatë se “se emri i
duhej gdhendur në ar”. Kur në të vërtetë ishte një vjedhës i licensuar, një
përdhunues i ligjit, zengjin i mashtrimit, pra thjesht një vampir i virtytshëm.
Tani një kontakt me tokën dhe ata krimba të vegjël , që kurrë nuk i kishte
vlerësuar në gjallje, do të bëheshin përbindëshat e kësaj mbretërie. Asgjësimi
ishte i dhimbshëm.