| E merkure, 30.04.2014, 07:23 PM |
Kuvendi drejt shpërbërjes
Nga Alma Lama
Kjo legjislaturë e Kuvendit të Kosovës duket se tashmë e ka konsumuar vetveten. Problematike prej fillimit, me vota të arnuara për koalicionin qeverisës, tani nuk i ka mbetur asnjë arsye të vazhdojë edhe me tutje. I dalë nga një proces elektoral shumë i dyshimtë, me karrige ku u ulen disa nga ata që tempullin e demokracisë e konsideruan si strehimore për t’iu shmangur ndëshkimit të drejtësisë, kjo legjislaturë nuk mund të ishte tjetër veçse një deformim i demokracisë.
Shkeljet filluan që në ditën e parë, dhe ky Kuvend qe shumë afër futjes në “recorded Guinness” pasi rrezikoi të shpërbëhet vetëm pas një dite pune. E gjitha kjo për shkak të ambicieve të ulëta të protagonistëve të cilët interesin personal si gjithmonë e vunë mbi interesin e përgjithshëm. Kam parë ditën e parë të këtij Kuvendi gjithë paburrërinë e një grupi burrash që po kurthonin të tashmen dhe të ardhmen.
Qeveria me paterica u krijua dhe sot e kësaj dite më e madhe është qeveria se numri i deputeteve që e mbështesin. Shumica e atyre që votuan mbeti në opozitë. Në të vërtetë, për nga përmbajtja e kutive të votimit, në Kosovë qeverisi pakica këtë kohë , pasi 25 vendet e garantuara dhe të rezervuara që ju bashkuan koalicionit qeverisës janë pakicë për sa i përket numrit të votave.
Në vendin më të varfër në Evropë, zëvendëskryeministra, ministra e ministra shpenzuan miliona. Shtatë zëvendëskryeministra, dy nga të cilët nga e njëjta parti, ku gratë gjithashtu dhanë shembullin e ambicies së sëmurë siç ishte rasti i zonjës Kusari, një zëvendëskryeministër si ngushëllim meqë humbi postin e presidentit si z. Pacolli, një zëvendëskryeminstër pa përshkrim pune, siç ishte rasti i zotit Bukoshi, një zëvendëskryeministre gati paralele siç ishte rasti i zonjës Edita, një zëvendëskryeministër më shumë në rolin e këshilltarit të kryeministrit siç ishte z. Kuçi, dhe një zëvendëskryeministër serb, për inerci të shqiptarëve siç ishte z. Petroviq.
A harrova ndonjërin? Nuk do ishte çudi sepse janë shumë. Të gjithë këta me këshilltarë e vetura, me udhëtime jashtë shtetit e darka e dreka brenda shtetit, futën dorën në xhepin e qytetarëve të varfër të Kosovës. Nga ana tjetër 42 zëvendësministrat janë për t’u futur në librin e rekordeve Guinness për dy arsye. Së pari sepse numri i tyre tejkalon imagjinatën për madhësinë e një kabineti qeveritar dhe së dyti sepse ata nuk bëjnë asnjë punë, pra janë të panevojshëm.
E sa për
19 ministrat, të mos flasim. Kanë rrotulluar tender e me siguri janë bërë
milionerë.
E çfarë bëri Kuvendi i Kosovës përballë gjithë kësaj situate ku pushteti ekzekutiv mbërriti kulmin e arrogancës jo vetëm ndaj qytetarëve, por edhe ndaj vetë deputetëve?
Mendimi
im është se dështoi, jo pse opozita heshti, por sepse pozita nuk u shqetësua
aspak se çfarë mendojnë qytetarët e lirë të këtij vendi. Ajo u soll si një
Duke qenë se përveç miratimit të ligjeve, mbikëqyrja e qeverisë është puna tjetër që ka për detyrë të bëjë Kuvendi, raportin me qeverinë e vendosa në plan të parë.
Probleme pati edhe me legjislacionin. Ligje të cilat miratohen e rikthehen, ligje të cilat përgatiten pa ekspertizë, ligje në të cilat dikush tentoi të kontrabandojë amendamente për të rrënuar fondamentin e këtij shteti të mbështetur mbi liritë dhe të drejta e njeriut, shtetin sekular dhe demokratik. Ky Kuvend me deputetët e tij servilë dështoi të ngrejë zë ndaj atyre që e shanë Skënderbeun, heroin tonë kombëtar dhe evropian, mu në mes të këtij institucioni.
Kjo legjislaturë vendosi edhe precedente të rrezikshme siç ishte ajo e diskutimit të vendimeve të gjykatave, apo precedentët e rikthimit të votimit atëherë kur nuk iu pëlqente minoriteteve. Arsye banale u gjetën për të rikthyer votime edhe pse rregullorja, dokumenti bazë mbi të cilin mbështetet puna e kuvendit shkelej me të dyja këmbët.
Ju kujtohet braktisja e seancave nga pozita? Edhe ky është një rekord tjetër. Deputetët e shumicës pra, të cilët mbetën pakicë prej disa kohësh, në pamundësi për të votuar sipas interesit të tyre, prishnin kuorumin, një praktikë e paparë kjo në vendet demokratike. Opozita ndonjëherë e përdor këtë mjet, në pamundësi për të sfiduar votën e shumicës, mirëpo pozita ndodhi ta përdorë këtë truk vetëm në Kosovë.
Kuvendi i Kosovës gjatë kësaj legjislature disa herë u shndërrua edhe në teatër. Dikush tentoi madje të bllokojë me forcë punën e tij, apo për t’iu imponuar deputetëve vullnetin e një grupi të vogël. Epo kush e di ABC-në e demokracisë e di se kjo gjë është tërësisht e papranueshme. Për me tepër Kuvendi nuk është teatri ku mund të vësh në skenë lojëra që kanë një qëllim, manipulimin e publikut dhe jo interesin e qytetarëve apo të shtetit.
Sikur të mos mjaftonin të gjitha anomalitë e një legjislature që doli në një përqindje të lartë nga vota e vjedhur, shantazhi u përvijua këtë legjislaturë, këtë herë nga pakicat. U bënë nja dy vjet që nuk lënë takim e diplomat pa kapur në mënyrë që të ndikojnë te shumica shqiptare që t’iu zgjaten edhe dy mandate vendet e rezervuara. Duke harruar se janë minoritetet më të privilegjuar në botë, i kanë 20 vende të garantuara, iu është shtuar oreksi për më shumë.
Së fundi shantazhi i tyre mbërriti në votimet e Kuvendit, ku ata po keqpërdorin të drejtën e “vetos” që fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës ua jep. Unë mendoj se kjo e drejtë duhet rishikuar sepse vetoja e tyre mund ta bllokojë punën e institucionit.
Seanca e fundit do të jetë e tillë, veto për të bllokuar krijimin e ushtrisë së Kosovës, në emër të kërkesës për vende të rezervuara, kur e dinë fare mirë se kjo gjë nuk mund të realizohet.
Kuvendi pra, në mënyrë të natyrshme ka ardhur drejt fundit, drejt një fundi që unë kam besuar se do të jetë më i shpejtë, jo vetëm për shkak të fillimit që pati, por për shkak të dështimit të qeverisë për të adresuar interesat e qytetarëve. Dhe në fakt është kjo që duhet të rrëzohet përpara shpërndarjes.
Unë shpresoj shumë që qytetarët e Kosovës gjatë këtyre tre viteve të kenë ndjekur me vëmendje punën e Kuvendit dhe të qeverisë, shpresoj që t’i japin përgjigjen e merituar me votën e tyre të gjithë atyre që shkelën mbi interesat e shtetit e të tyre dhe të vlerësojnë të gjithë ata që u angazhuan për një Kosovë më demokratike.
(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)