| E hene, 28.04.2014, 07:39 PM |
PILO ZYBA
KROI I BALADËS SIME
-Poetit KOÇI PETRITI–
Pena ime
Sot direzhon koncertin e fundit.
Kolonat e baladave të tua
I vendosa nota
Nëpër telat e tendosur të dhimbjes,
Dhe i ktheva në tinguj mallëngjyes...
Vargjet janë të shumtë, poet.
Me kosheren tënde të mjaltëzimit,
Me krahë-fëshfërimat e dëshirave
I mblodhe pllajave të lulëzuara
Kopështijeve të artit popullor...
Pive ujë burimeve të tyre,
E pastaj në hojet e ngritura të kohës,
Vendose mjaltin dhe aromën e këngëzimit...
Kurrë nuk të mendoja të shtrirë,
Me duar të kryqëzuara,
Sepse kryqin ti e mbajte mbi shpinë,
Dhe rende marathonomak
Për në Jeruzalemin e tembull-poezisë.
Kurrë nuk të mendoja të heshtur,
Sepse brënda luginës së gojës,që hesht,
Unë dëgjoj shushurimën e lumënjve
Të kthyer në balada.
Ato mërmërijnë mirësinë e brezave,
Ninullat dhe valvitjen e flamurit,
Bëlbëzimin e parë të çdo fëmije
Me krahë-puthje fluturore...
Ti në atdhe,unë në Londër...
Mes nesh një lumë i gjerë,
I gjatë e i thellë malli...
Por mbi këtë lumë largësish,
Qëndron ngritur ura e Qabesë,
Ura e Bruklinit, Urë e Drashovicës,
Urat që lidhin Kontinentet,dashuritë,agimet...
Çfar ka dielli këtë mëngjes?
Pse është flokërrezelëshuar,
Fytyrë shprishur,pa krah?
Pse endet i çartur
Si Ofelia brigjeve të tragjedisë Shekspiriane?
Koha ka humbur orientimin,
Lindja drejtpeshimin e saj shekullor.
Poet!
Lëshojë edhe njëherë
Tufat e frymëzimeve të tua
Në qiellin e jetës time,jetës tonë,
Të më puthi nënokja Shqipëri
Me buzët e thara nga padrejtësitë shekullore.
Dua që,si atëhere,
Të rend pas krahërrahjeve të tyre
Në kaltërsinë e mendimit.
Më pas,me goditjet ritmike
Të daulles së kohës,
T’ja çaj verbërinë dhe daullen e veshit vdekjes.
Ta shurdhoj dhe qorroj
Mortjen plakë, që hap plagë
Në trupin e brishtë e të lulëzuar të ndjenjës,
Dhe bukurinë e vashë-lirikës poetike.
Nuk e di,por,kam dëshirë
Të tërheq një valle të madhe,
Të marr pas vetes gjithë dashuritë
E krijimeve të tua,
Që të veshura me kostume ngjyrash poetike,
Të mbushin me tinguj skenën e madhe qiellore.
Engjejt,të marrin në krahët e tyre të brishtë
Kaltërsinë dhe tingujt e harpës, vibrimet
E mendimit në fantazinë e krijimit të botës tënde.
Çfar ti them hapësirës?
Ti linde në një vënd të coptuar
Nga thika e padrejtësisë,
Përjetësisht pushtuar nga forca e me të madhit.
Por me forcën e shpirtit pushtove botën,
Dhe më shumë, hapësirat e pa prekura të saj...
Dëgjoj larg një violinë,
Harku i këtij fillim shekulli luan melodi të trishta.
Sovjani ku linde ka ftohtë,
Shkumbini u rrenqeth,
E zvogëloi rrjedhën nga dhimbja,
Si një nënë që shtërzon e mblidhet nga lindja.
Atje,mes malesh,
Në luginat e thella të Librazhdit,
Që ngjan me fole legjendash,
Dëgjoj rrahje flatrash në shpate,
Flatra që ngjiten lart.
Ngrihen mbi kreshta
Dhe hijëzojnë arat e mbjella më parë
Nga bujqit poetë të kohës.
Në cep të çdo are,
Në bregore të vogla dhe çuka,
Dëgjoj të qeshura manare,
Që lëshojnë një tufë thëllëza,çupa!
Kur u ndamë
Më premtove se do më prisje.
Më the:
“Koha
Ka nevojë për Hidrocentrale të tjerë drite,
Ka ardhur koha,
Që mbi pluhurin e shekujve poetikë,
Të shkruajmë dhe orkestrojmë këngën finale.
Plori i parmëndës duhet të kalitet,
Të punojë ugare,ara,më pas të vaditet,
Që nga thellesia e saj të mbijnë të tjerë fidanë.
Dhe fara e mbjellur në çdo anë,
Të pushtojë me harlisje në beteja,
Trupin e vashave të reja,
Që bien përsëri në skenë,
Dhe lindin për mëmëdhenë
Përsëri Teutën,Buzukun, Skëndërbenë,
Që në trupin e kombit presin,kurrë nuk flenë”!
Stadiumet e leximit kanë mbetur bosh,
Koha qorre vrapon pas bukës,
Ka harruar sakrificat e njeriut të pushkës.
Drita e diturisë është lënë pas dore,
Njerzit vrapojnë pas ushqimit e krimit.
Mulliri i mendimit punon bosh,
Njerzit
Ushqehen me miellin krunde të propogandës,
Më shumë ka vlerë thurja e rrjetës së merimangës.
Helikat e krahëve të mullirit punojnë bosh,
Mokra e tij dhimbjen e bluan dhe e hedh në shoshë.
Më pas,më pas silazhi i gatuar
Bëhet ushqim për dhimbjen e krijuar.
Qielli zhurmon nga mijra bindje dhe ide,
E vërteta qëndron lakuriq,dridhet,
Por asnjë bashkëkohës nuk e sheh.
Kohë të vështira,
Re të dëndura enden hapësirës,
Dhe me rropamë përmbytin vreshtat,
Rrëzojnë kokërrzat e qelibarta
Dhe mushtin që qëndron nën fletë.
Bota dridhet nën pëllëmbët e blerta që gjetheve,
Prej dhimbjes dhe padrejtësitë e etheve...
Ti hesht,poet!
Krishtërimi do ti thyej ligjet e tij të vendosura.
Në rrugën e fundit nuk do të ti kryqëzojë duart,
Mjafton koha kur dekadat dhe diktatorët,
Të kryqëzuan mendimet dhe fluturimet.
Dora e poetit është një sqep,
Që çukit vezën e artë të agimeve,
Për t’u sjellë në jetë brezave,
Lindjen e cicërimeve...
Ti i shtrirë në shtratin e përjetësisë,
Unë shtrirë në shilarsen e poemave të tua,
Koha dorë e butë nëne,më përkund.
Flladi ardhur nga furra e mendimit shekullor,
Situr nëpër erashkën e talentit tënd
Më përkëdhel në fytyrë e flokë,
Dhimbja e paska peshën e saj me okë...
Shilarsja jote
Një djep,
Që nga lashtësia mërr dhe jep,
Dashurinë thurur nga një lis,pishë apo plep...
Vargu dhe harkimi i shilarses ka gojë,
Ai mund të bjerë dhe çojë
Karvanin e këngëve deri në Trojë...
Të shikoja,
Gjithmonë i buzëqeshur,
Rrobaqepës, që gjithë jetën
Botës i ke veshur
Kostumin e artit,të prerë e qepur me shije,
Koshere me balada trimërie...
Një fustanellë me “Vallen Gorare”
Në sofrën e madhe të Skëndërbeut,
Që tundet nga heroizmat dalë prej dheut.
Me tupin e Gjergj Elez Alisë,
Kthyer me shtatë plagë në një lis,
Në degën e madhe, atje te maja,
Hedh valle dhe kërcen Sefë kosharja...
Ti,koleksionisti i Karl Gegës,Babjenit,
Që shpon një Semering,
Dhe pse një sy e ke pa jetë,
Brënda qiellit të vështrimit të tij,
Zogjtë dhe endërrat marrin retë,
Firmat e poemave vrasin një helmetë,
Kur kërcellin e brishtë të barit e vendosin në fletë...
Ti,
Që mërr Drinin,Shkumbinin dhe Valbonën,
Në vargje u kthen valët dhe jehonën...
I lëshon në katarakte flokëlëshuar,
Që e ardhmja me krehrat duar,
Nuse e veshur dhe duke nusuruar,
I bën prikë për ditët që priten të vinë,
Me krisma pushkësh që lindin fëminë...
I pagëzon me emrin e Eneas së lashtë,
Atje ku historia dhe gjuha bashkë,
Ngrejnë për botën kalatë e themelit,
Nga vjen kultura,ngjyrat dhe boja,
Për firmën dhe legjendën që krijojë Troja.
Omeri nuk ishte qorr,
Por vëllavrasja dhe pabesitë,
E bënë të shkruante tragjeditë,
Në fund,kur lexojë vargjet, i mbetën në fyt,
Dhe përjetësisht ju qorruan sytë...
Që nga ajo kohë,
Kurrë nuk pushojë uragani i pabesisë,
Që piu qumësht në të tradhëtisë sisë,
Dhe duke shtuar etjen,dhunoi tokën e Ilirisë.
Ti i shtrirë në shtrat
Në dhomën e vogël,
Dritaret sy mbyllura
Nuk duan të lënë të dali lajmi hidhërimit,
Eshtë e rëndë, e dhimbshme e vërteta e flijimit.
Por, a mund të qëndrojë një koshere e mbyllur?
Bletët e tua poetike gumëzhijnë,
Ato kërkojnë fluturime me flatra,
Në kërkim të polenit, udhëtimeve të gjata...
Dritaret kërcasin eshtrat,
Heshtjen e dhimbjen e vrasin,
Shpirti që endet nëpër dhomë,
Kërkon Jeruzalemin me jehonë...
Nuk mjaftojnë vizitorët
Që hyjnë dhe dalin në këmbë.
Koha ha dhimbjen e saj me dhëmbë,
Bluan vetveten,
E gjatë rruga deri në hënë...
***
Më the,poet,që do më prisje!
Vreshtat e tua do të vadisje,
Dhe do mbillje fidanë të tjerë.
Koha, brezat dhe unë,
Kanë nevojë për verë...
Për vlerë,për mëngjese – ylbere në eterë...
Koha dhe kombi ka nevojë për lisa,
Për krahë të fortë dhe fletë,
Shqiponjat nuk i ngrejnë foletë në driza,
Por lart,atje ku përshëndeten me retë.
Është e besushme,unë e dija,
Kur fillon dhe vjen stuhia,
Zogjtë mblidhen nën pemë të trembur,
Ndërsa vdekja duke u endur,
Pret degë dhe të brishtat fletë,
Pa pyetur për lulëzimin aromë-çapa-lehtë.
Unë e dija se, ikja jote do ishte e rrallë,
Pa pyetur për vitet dhe për radhë.
Kosa e korrtarit vdekje në livadh,
Ka dhe dhimbjen e diktatorit të madh...
Kur retë shtrydhin urrejtjen mbi male,
Lumenjtë fryhen me ujë dhe tubullohen,
Nuk kanë kohë që të mendohen,
Marrin dhe përmbytin me dhimbje ara,
Dhe prodhimet e mbjella dhe të mbara...
Ti kësaj kose nuk ju trmbe,i qëndrove përpara.
Por nuk kishte si të ndodhte ndryshe,
Dëshira për fluturim një dallëndyshe,
E bën të kërkojë me sytë përpjetë,
Të preki me sqep dhe me krahë retë.
Për ty që këndove me zërin e brishtë të Trishtit,
Erdhi dhe të mori vetë ringjallja e Krishtit...
Për të marrë poetin lart te retë,
Zbriti në artin e tij vetë,
Bashkë me dritën e agimit,
Në datën e ringjalljes së Krishtërimit...
Dhe mori me vete këtë vit,
Shënjtorin poet për rit...
Lumi i rrëmbyer i jetës
Do rrjedhi në mote e brigje,
Nëpër lugina e nëpër shtigje,
Me oshëtimë,shkumë dhe jehonë,
Do dirizhojë për jetë kohën tonë,
Që Ju, poet,me frymëzim dhe penë,
Në pemën e përjetësisë ia ngritët folenë.
Çdo vit në përvjetorin Pashkë,
Me Krishtin tim,tonin,të dy bashkë,
Do plugoni e dizifektoni në botën e egër pabesitë,
Dhe do mbillni artin e bukur të dashurisë,poezitë!
Dhe brezat në vite duke pritur,
Ndjenjën e mirësisë duke vaditur,
Do presin ardhjen tuaj me fytyrën lart.
Atje ku koha mbi supet e saj mbart
Vlerat e të shkruarit në hejbetë e kohës,
Dhe mes dimrave,erës ngricës dhe llohës,
I çon drejt pavdekësisë...
Atje ku poeti, si Rozafa la një sisë,
Që buzët e lexuesve që shkojnë e vinë,
Këngën dhe historinë të pinë...
Një pemë të vogël miqësie,që të dy
E mbollëm bashkë nëpër këto vite,
E ujita me dhimbjen e kësaj dite.
Që nga mbjellja e një vreshti, fruti,
Nga rritja dhe deri te Buti,
Te vera e ëmbël e gradës së lartë,
Që Buti im mbushur me art,
Mban të mbyllur shijen dhe vlerën,
Dhe tani,po ja hap rrubinetin dhe derën...
Aroma dhe arti i ngjizur,
Mes miqësisë-urë të pa zgjidhur,
Bashkimi i esencave me vetëdije,
Për një të rrallë dhe të bukur shije,
Lë të rrjedhë nëpër porta miqësie...
“Koha e dehur nga liritë”,
Lë të dhunojë botën si hordhitë,
Por do jetë e humbur pa dashuritë,
Dhe pa lulëzimin që dhuron kopshti me poezitë...
Udhë të mbarë,mik!
Babai dhe perandori i më të madhit çiflik,
Që në shekuj si e vjetra verë
Rritet në gradë,cilësi dhe vlerë.
Dhe kënga juaj në të Kombit sy,
Do mbetet një burim mes gjethesh,pa dry,
Pemët do direzhojnë me degë e me fletë,
Zogjtë me cicërima lart nga retë,
Me buzët e sqepat ngjyer me verë e vargje,
Do këndojnë nëpër çati e nëpër pragje,
Cicërimën e rrallë gatuar në tënden magje...
Me valvitjen dhe lahurinë e një reje
Që atdheu e bie sot drejt teje,
Që pikat rubinë të tëndes poezisë,
Mbi pëllëmbë gjethet shekullore të njerëzisë,
Të bëjnë vaditjen e frut-dashuri-miqësisë,
Atje,te Rozafa juaj,të ulen dhe të pinë sisë !