| E premte, 25.04.2014, 05:15 PM |
“Engjëjt e shuar” dhe një yllësi e prekshme, por e pakapshme…
Mendime mbi vëllimin poetik të Fatmir R. Gjatës, mikut tim, që më mëson si gjuhen dhe si shpërndahen perlat e poezisë.
Nga Agim Pipa
1.
Dua t’i le të gjitha punët dhe të zhytem në detin e poezisë së një poeti, që më le pa gjumë, sa herë shtrihem mbrëmjeve dhe mar pranë vehtes sime poezinë e tij. Kënaqësi, sigurisht. T’i afrohesh këtij deti dhe të mbledhësh guaskat e bardha, brenda të cilave gjenden perlat poetike. Kënaqësi sigurisht, sa herë prek me sytë e ndërgjegjes metaforën e poetit. Sa herë ndjen se frymëmarja e tij bëhet njëlloj si e ytja aty, në fund të detit; aty ku ndodhet shpirti i njeriut.
Fatmir R.
Gjata, miku im dhe i mijra poeteve dhe dashamirësve të poezisë, është në ditë
feste. Ai, sapo ka pagëzuar vëllimin e ri me poezi, me një titull-emër shumë
impresionues: “Engjëjt e shuar”. Një
gjetje origjinale poetike. Poezia, e sjellë me emrin e engjëjve. Poezia që fle,
që zgjohet, që jeton, që del nga fryma e poetit dhe bëhet si ai; që ecën
rrugëve të qytetit ku ai u lind; që punon dhe dashuron në kështjellat e bardha
të qyteteve të tjera larg shtëpizës së lindjes dhe prap rikthehet natën tek
strehëza e parë; që u rrit dhe u zbardh dhe tash ka ardhur koha të ndezë
qirinjtë dhe me një gotë verë të kuqe, të pagëzojë engjëjt e tij, që duhet edhe
ca të shuhen. Sepse autori i tyre është ende shumë i ri. Dhe, nëqoftëse ai ka
ndezur figurativisht dhe përmes metaforës qirinjtë e dhimbjes dhe të
përshpirtjes, ata kanë vetëm një emër: dashuritë e tij të humbura…Por, le të
mos ndalemi vetëm tek titulli. Sepse gjeografia fizike dhe shpirtërore e
poezisë së Gjatës është e shumëngjyrëshme. Ajo ze fill, përsëris, nga shpirti i
poetit. Dhe më pas shpërndahet dhe prek tokat e bukura e të ngrohta të qënies dhe
ekzistencës së tij. Me këtë dua të them se, fjala gjeografi poetike, ka
kuptimin e shtrirjes dhe tematikës në të gjitha pikat e ishullit poetik, që
mban emrin e autorit: F.Gjata. Fatmiri shkruan për nënën, shenjtoren e tij;
shkruan për gruan - simboldashurinë e tij të madhe; për vajzën dhe motrën; për
babain dhe për shokët e fëmijërisë; për lagjen dhe qytetin ku u lind dhe ku u
rrit; për atdheun e vrarë dhe të rilindur ndër shekuj; për kështjellat dhe
detin, për fushat dhe tokën e zjarrtë, ku ai le peng të gjitha ëndrrat e tij
prej burri. Fatmiri është emigrant, por ai ndjehet i njehsuar dhe ekuivalent i
çdo njeriu të lirë, në një botë të lirë, në vendin fqinj që quhet ndryshe
gadishulli i Apenineve dhe në strehëzën e tij familjare, pranë një kështjelle të
lashtë në qytetin e vogël
Por, më lini të vazhdoj dialogun tim me poezinë e Fatmirit…
2.
Ahh,nënë…
Ahh nënë,e shkreta nënë
më sheh nga lart, si një hënë
gjysëm e plotë,gjysëm e ngrënë
gjysëm e fshehur,gjysëm me dritë;
më sheh të qeshur e më rrit,
më sheh të qarë nga mërzitë
dhe unë të shoh,të shoh përherë
sikur më vjen,më vjen në derë
dhe dorën pak ma vë te balli
e thua ëmbël: ”...më mori malli”
ahhh nënë,e shkreta nënë
udhët u mbushën,shtigjet janë zënë
po ti me erdhe prapë njëlloj
si yll, që pak do të ndriçoj
"sa të shikoj një çikë djalin tim"
thua... - dhe ikën me rrëmbim
atje, në qiell e bëhesh hënë
herë e plotë e herë e ngrënë…
Më thoni miq! A mund të shkruhet më bukur? Më thoni ju lutem: a nuk ju përlot syri? A nuk ju mbush shpirti me drithërima? A nuk ju shfaq të gjithëve fytyra e nënës në sy? Kam një bust të bardhë para syve; bustin më të bukur në botë, që quhet nënë. Dhe është vargu brilant i poetit, që ma shfaqi kaq të bukur. Është tingulli i qelqtë dhe kumbues i gjuhës shqipe, që Fatmiri di ta sjellë përmes mjeshtërisë së pazakonshme në ndërthurjen mes gërmave, që nuk i mer nga alfabeti, por sikur i nxjer nga një minierë e padukshme shkronjash të arta. Ku, natyrisht, shkronjat ose gërmat që përbëjnë yllësinë e tingujve të kësaj poezie, që mer emrin Poezia për Nënën, gjënë më të shtrenjtë në botë, dallojnë mbi të gjithë malin e shkronjave të zjarrta, në minierën e poezisë së poetit. Nuk di çfarë të shtoj më shumë, për mrekullinë e kësaj poezie, që më bën të përulem dhe gjunjëzohem para tempullit dhe bustit të bardhë të nënës. Nuk di në çfarë pentagrami ta vendos muzikën e kësaj poezie. Nuk di cilit piktor t’ja fal ngjyrat e brendëshme të kësaj tabloje magjike, para së cilës çdo njeri do të bënte ashtu si unë: i përlotur, do përkulej dhe gjunjëzohej para duarve të bardha të nënës.
Ja dhe një tjetër perlë. Ku gjithashtu, dashuria e pastër e poetit, kësaj radhe për të dashurën e tij, fill pas dashurisë për nënën ( populli këndon: “E para më është nëna, e dyta më je ti…”) ndizet para syve të mij, si një zjarr i bukur:
Ah ti
.....që ndeze zjarr,ku ishte shuar,ku ishte mekur,vetëm me sy
vetëm me sy,që shkëndijuan,në një natë dimri kur bënte ftohtë
kur bënte vapë,në borë të bardhë,në shi rrëmbyer,ishim të dy
ishim të dy,e ngjanim një,në përqafim edhe në lot
në lot të nxehtë ishim të dy,e qeshnim,qeshnim si të marrë
duke qënë dje,duke qënë sot,akoma nesër duke qënë
përherë bashkë,në hidhërim,në lumturi përherë të ndarë
përherë bashkë në një të puthur,e në gëzim përherë të lënë
të lënë vetëm,buzëplasur,si zogj harruar në udhëtim
harruar,mbetur e vetmuar,ç'më bëre, ahhh në shpirtin tim
Vini re vargun. Ndërtimin e tij dhe gjithashtu muzikën e tingujve të fjalës brenda strukturës së poezisë. Është i njejti autor. Por, i shfaqur në poezi, me një formë tjetër të paraqitjes së poezisë. Varg më i gjatë, më i shtrirë, me kadenca dhe elegance të plotë. Vargu nuk është më 6, 8 deri 10 rrokje, por 18 dhe 20 rrokësh. Stili brilant pasurohet. Emocionet shumëfishohen dhe antonimia, si shtyllë bartëse e dritëhijeve emocionale të pashoqe, që herë gëzojnë dhe herë trishtojnë, herë veçmas dhe herë të bashkuara, herë ditën dhe herë natën, të hutojnë dhe të japin një gjendje shoku të bukur. Kontrastet janë befasuese, metaforat rrëzëllitëse dhe që flasin me gjuhë zemre. Deri sa vjen ajo mjegulla e hollë, në vargjet e fundit:
“ përherë bashkë në një të puthur,e në gëzim përherë të lënë
të lënë vetëm,buzëplasur,si zogjharruar në udhëtim
harruar,mbetur e vetmuar,ç'më bëre, ahhh në shpirtin tim.”
Nuk kam
të drejtë,kur shprehem me emocion, ashtu si autori i vargjeve? Nuk kam të
drejtë të komentoj ndryshe nga ç’do mund të komentoja një poezi tjetër të një
autori jo aq tq pasur në shpirt sa miku im, Fatmiri, dhe që motiv të poezisë së
tij ka figurat e panjohura politike, psh…? Ah, po sigurisht që kam të drejtë
miq. Sepse, me plot gojën unë mund të them, se jo të gjithë e shkruajnë kaq
bukur poezinë. Jo të gjithë vuajnë, si Fatmiri, para fletës së bardhë. Që mer
urdhër të shkruaj jo me llogari dhe me arithmetikë, por me zemër dhe me shpirt.
3.
Gjeografia shpirtërore e poezisë së Gjatës është e pakufishme. Harta e saj është krijuar në përgjithsi prej ndjesish të shenjta, që vetëm poetët dijnë t’i përjetojnë. Por, ajo që kuptohet menjëherë, kur ti bie në kontakt me vargun e poetit, është dashuria. Ajo është pika e gravitetit të njeriut, rreth së cilës rrotullohen të gjitha ndjesitë, të gjitha pamjet, të gjitha punët dhe senset e jetës. Tematika e dashurisë është kudo. Bashkë me poetin. Dashuria të bën të ndjehesh princ dhe princeshë, skllav dhe i duruar, ëndërrimtar dhe ndërtues i ditës, i mbrëmjes, i punës, i takimit, i përqafimit, i pikës së lotit, i puthjes, i bashkimit, i ndarjes, i trazimit, i harrimit, i rikthimit, i buzëqeshjes, i trishtimit, i kujtesës, i këngës, i mallit, i dritës, i natës, i qirinjve, i hënës, i diellit, i reve, i pushtimit të trupit, i çlirimit të tij dhe plot e plot ndjesi të tjera. Të cilat, nuk po rrekem t’ua ofroj unë me shënimet e mia, sa kohë ju do t’i gjeni dhe do t’i takoni vetë në mbi 200 poezitë e poetit Gjata.
Ah, ka edhe një element, që e mban bukur ritmin e vëllimit, nga njera poezi tek tjetra: titujt e poezive. Që vijnë të lidhura si vargje trëndafilësh, në mjaft poezi, përmes lidhëses bashkërenduese në gjuhën shqipe, ose përmes tingullit “E”. Me të cilin nisin një pjesë shumë e madhe poezish, si fillime përjetimesh, si vazhdime dhe si transmetime të gjendjeve shpirtërore nga një poezi tek tjetra; nga një mikrobotë tek tjetra. Do ta ndeshni shpesh këtë të veçantë krijuese, gërmëzën, ose tingullin - zanoren “E”. E cila bashkon gjendjet e poetit me gjendjet tona. Por unë dua të shtoj këtu, se kjo mënyrë e re lidhjeje mes poezish, është sa origjinale, aq edhe për të krijuar një neologjizëm në stilin poetik të Fatmir Gjatës. Ja disa prej titujve, që nisin me zanoren, ose tingullin “E”, si një lidhëse baskërendore logjike, nga poezia në poezi:
Erdha
E fluturuam...
E ishte kaos
E klithmë e vetme
E kur s'kam qeshje...
E mbylla pusin e dëshirave
E ndeza
E rrjedh
E shkoi
E s'ka
Ka një lidhje harmonike dhe logjike pra mes poezisë, mes mendimit dhe idesë së figurshme në një cikël ose numur të madh poezish, që qëndrojnë sup më sup me njëra tjetrën, si enët komunikuese të Lavuazierit në fizikë, që të gjitha nën “pushtetin” e tingullit fillues “E”. Dhe pas tingullit “E” si fillim, si gërmë e parë e titullit, vjen lumi i fjalës, lumi i poezisë. Të cilin Gjata e lëshon në lëndinat e vëllimit poetik të rrjedhë lirshëm, pa barriera të tjera semantike dhe fonetike, morfologjike dhe sintaksore. Gjata shkruan bukur dhe pastër gjuhën shqipe, së cilës i falet, ashtu si edhe poezisë dhe shpirtit të tij.
Por, veç kësaj, veç fillimit pra të poezive me tingullin “E” si shkronjë e parë e titullit, ju do të ndeshni në leximin dhe takimin me poezinë e këtij uragani gjendjesh të papërsëritëshme poetike, edhe një përsëritje titujsh. Pra, dy ose tre poezi, me të njejtin titull, por sejcila krejt e veçantë nga tjetra. Që vijnë në harmoni të plotë me poezinë dhe që shfaqin njera pas tjetrës perlat e poetit.
Ah, por
unë nuk mund të harroj pa cituar këtu një prej mrekullive, që sjell ky poet i
hollë lirik dhe elegant: muzikën.
Hej, miq! Çfarë tjetër? Ah, më lini tani të shkoj sërish tek tryeza ime dhe t’i mar sërish me radhë poezitë e Fatmirit. T’i lexoj dhe rilexoj, të mbushem me frymë, të meditoj dhe pse jo, të inspirohem dhe frymëzohem prej ajrit dhe frymës së tyre. Prej dimensioneve dhe magjisë së tyre. Prej emocionit, filozofisë dhe mesazheve, që ato përcjellin.
E fundit, që dua të them: poezia e Fatmir Gjatës priret nga Liria! Është ajo, që dikton: Liria. Është ajo që e çon ndërgjegjen dhe shpirtin e autorit, materien dhe të padukshmen, koshin dhe subkoshin, drejt dashurisë njerëzore; drejt dashurisë intime dhe dashurive të mëdha. Sa më pranë lirisë, aq më pranë dritës. Aq më pranë tokës. Aq më pranë ëndrrës. Aq më pranë premtimit dhe idealit. Poeti Fatmir Gjata lirinë e ka të vizatuar në sy, në ballë, në krahë, në trupin e tij elektrik prej njeriu, siç thotë Ëitmani, poeti i madh amerikan.
Njerëz, miq. Besojeni dhe lexojeni poezinë e Gjatës! Fatmiri është ti; edhe ti; edhe ti. Edhe ai, edhe ajo. Edhe ne të gjithë bashkë. Me poezinë, njerëzit bëhen më të lumtur!
Faleminderit, që më bëre të flas ndryshe miku im! Poezia, si shenjtore, na bën të jemi gjithmonë pranë njeri tjetrit.
Nesër, unë pres një libër tjetër nga ty, miku im…Një tjetër det me perla, që presin sërish dorën tënde t’i shpërndajë kudo në atdheun tënd dhe nëpër botë. Një tjetër shpirt të hapur, që të takon ty dhe dashurisë tënde; të gjitha dashurive të mëdha dhe të pastra njerëzore!
Vetëm dashuria nuk mbaron, kurrë. Asaj, i falemi…