Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kimete Berisha: Amerikanët frikësohen nga terroristët shqiptarë

| E shtune, 19.04.2014, 02:59 PM |


Erdh' dita që amerikanët të frikësohen edhe nga terroristët shqiptarë

Nga Kimete Berisha

Për herë të parë në historinë tonë kombëtare, Ambasada Amerikane në Prishtinë, i fton qytetarët e saj amerikanë që të kenë kujdes gjatë festës së Pashkëve në Kosovë.

Amerikanët bazohen në informatat e tyre që i kanë lidhur me kërcënimet ndaj objekteve të krishtera në Kosovë.

Policia e Kosovës shumë mirë ua di vendet, çerdhet ku tubohen, konviktet ku jetojnë terroristët, i di zyrat e tyre, i njeh OJQ-të e tyre ilegale, por terroristëve shqiptarë nuk ka kush t'ua ndal hovin, anipse, në ato luftëra ku po marrin pjesë muxhahidët shqiptarë, në Siri e në Irak, myslimanët po lufojnë kundër njëri-tjetrit, po e vrasin njëri-tjetrin pjesëtarët e të së njejtës fe, xhihadi si me spontanitet dhe në kaos, u bë luftë e myslimanëve kundër myslimanëve.

Por, myslimanët e sekteve dhe ideologjive të ndryshme, që s'kanë rahmet dhe e vrasin njëri-tjetrin barbarisht, përfshirë fëmijë e gra myslimane, merre me mend çfarë janë në gjendje t'u bëjnë të tjerëve!

________

Kryeministri Hashim Thaçi i lakmon dhe i siguron për vete edhe votat e vehabistëve.

Prandaj, nuk ua ka prishur qejfin kurrë, me asnjë fjalë të vetme kundër tyre.

Nuk ka tjetër spjegim se si Kryeministri Hashim Thaçi, asnjëherë, madje as sot, pas shqetësimit të Washingtonit për shtimin e radikalizmit në Kosovë, nuk u deklarua për vehabistët shqiptarë që po armatosen, po rekrutojnë ushtarë të xhihadit për të vrarë e për t'u vetëvrarë në Irak e në Siri.

________

Aty ku rriten lulekuqet - terroristët "vdesin" në gjumë!

"Ka kaluar koha e dramave dhe e skeçeve patriotike", ka thënë pardje Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kush është kah e pyet se!

Patriotizmi nuk ndalohet me një vendim shtetëror, e as me një deklaratë të Kryeministrit të përkohshëm të një shteti.

Patriotizmi rritet nga deklaratat anti-patriotike të liderëve shtetëror.

Ose: Dashuria ndaj atdheut rritet nga deklaratat anti-kombëtare.

Patriotizmi është sentiment i nacionalizmit, për teoricientët marksist, por për mua patriotizmi është thjesht një fjalë që përdoret për të shprehur dashurinë ndaj atdheut tend.

Sikur që përdoret "të dua" për të shprehur dashurinë erotike për njeriun që dashuron.

Nëse e do të dashurin tënd të së shumti në botë, kjo nuk të bën racist, diskriminues, dhe fanatik ndaj dashurive të huaja.

Njejtë është: Nëse e do vendin tend (shtëpinë tënde) më shumë se vendet e huaja, kjo nuk do të thotë se i urren ata që i do më pak se veten dhe atdheun tend.

Të gjithë e duan vendin e vet, pra asnjë shtet nuk ka krizë të dashurisë (patriotizmit)

E kundërta e dashurisë nuk është urrejtja, por është indiferenca, prandaj nëse ti i do lulekuqet e Kosovës, për shkak se ato lulekuqe nuk i gjen në Dubai dhe në shtetet islamike sepse i konsiderojnë haram.

Lulekuqet simbolizojnë gjumin e përhershëm, paqen dhe vdekjen, për shkak të drogave që përmbajnë farat e lulekuqeve, nga morfina, opiumi e deri te codeine.

Populli shqiptar është si lulëkuqet, i fjetur, permanent i përgjumur, dhe në paqe me të gjitha të këqijat.

Kryeministri Edi Rama ka vendosur se ka kaluar koha e shprehjes së dashurisë për atdheun me fjalë.

Krejt kanë të drejtë të jenë patriot, nacionalistë e konservativë, veç shqiptarët, le që s'guxojnë të jenë përnjëmend patriotë, por ndjehen të obliguar që edhe të dalin publikisht e t'u tregojnë nacionalistëve (sllav), se janë anti-nacionalistë.

Edi Rama flet si partizane e vogël me yll në kapuç, në kohën kur është i rrethuar në të gjitha anët me nacionalizmin sllav.

Fansi dhe bashkëmendimtari i kriminelit serb Sheshel, Aleksandër Vuçiç, Kryetar i Partisë Progresive serbe e mori në dorë Serbinë, në emër të partisë Progresive, ideologji e së cilës është "nacionalizmi dhe konservatizmi".

VMRO-DPMNE e mban në dorë Maqedoninë, anipse për ideologji të partisë e ka "nacionalizmin maqedon, konservatizmin, demokracinë kristiane, konservatizmin nacional".

Sipas "Gallup-it", çdo i treti amerikan më 2010 në Amerikë ishte "patriot ekstrem".

Patriotizëm është vetëm një emër që shpreh dashurinë për vendlindjen tënde.

Dashuria është ndjenjë, ndjenja nuk fotografohet, nuk përkthehet, dhe nuk bartet nga njeriu në njeri.

Dashuria ndaj atdheut është si IDIOMË, nuk përkthehet në gjuhë të huaj.

_________

Zotat mes nesh!

Ata që i kanë ndihmuar Dick Martyt që në emër të KE-së ta përpilojë raportin e tij kundër disa ish-pjesëtarëve të UÇK-së, tani po deklarohen kundër themelimit të Tribunalit “Dick Marty”, dhe këta janë kryesisht përfaqësues të shoqërisë civile, me kombësi shqiptarë.

Të akuzuarit për krime lufte, po i identifikojnë me krejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, demek, nëse gjykohen këta, gjykohet krejt ish-Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Sipas tyre, nëse për shembull brenda Ushtrisë Amerikane ndodh një skandal i kryer nga 3-4 ushtarë, fajin e ka krejt Ushtria Amerikane, dhe kur gjykohen këta 3-4 veta për naj dhunë a krim të kryer për shembull në Afganistan, apo Guantanamo, gjykohet krej Ushtria Amerikane!

Plotësisht e pasaktë.

Se, faji është individual.

Ndërsa, personazhet që luajnë rolet kryesore, por edhe dytësore në raport po deklarohen pro krijimit të Tribunalit “Dick Marty”.

Personazhet e raportit të KE-së, “Dick Marty”, ose ndjehen të pafajshën e nuk i tremben të vërtetës, ose e dinë mirë se s’është gjë puna e këtij Tribunali, m'sa puna e Tribunalit "Hotel Haga", që nuk solli drejtësi për viktimat boshnjake, shqiptare dhe kroate të gjenocidit serb, por që shërbeu dhe shërben si strehimore për meditim dhe rehabilitim shpirtëror e fizik të kriminelëve të luftës.

Pas luftës në Kosovë, ndërsy të policisë së OKB-së (UNMIK-ut), dhe Drejtësisë ndërkombëtare, u realizuan dhjetëra vrasje politike të shqiptarëve, ditë’m’ drekë, dhe vrasësit që "i dinë" nuk i gjetën kurrë.

Nëse nuk janë gjetur vrasësit e ditës, që kanë vrarë në paqe personalitete të urta të politikës, duke qenë në Kosovë të pranishme dhjetëra shërbime ndërkombëtare të inteligjencës, përfshirë UNMIK-un e organet e drejtësisë ndërkombëtare, atëherë në bazë të çkahit, të njejtit gjykatës, prokurorë e policë, duakan dhe mundkan të zbulojnë vrasësit e periudhës së luftës.

Drejtësia ndërkombëtare ka bërë tregti me viktimat shqiptare, vet fakti që nuk i ka zbuluar vrasësit e tyre.

Përndryshe, si u hesht vjedhja e dosjeve të krimeve nga stacioni policor dhe nuk u gjet fajtori, as nuk dha kush përgjegjësi, dhe shpejt e shpejt, pa asnjë raport u mbyll rasti.

Padrejtësi.

As nuk i besohet “Drejtësisë” vendore, kur dihet se të gjithë, pa përjashtim janë në shërbim të politikës, as “Drejtësisë” ndërkombëtare të BE-OKB-së, të njejtit që s’qenë të aftë të zbulojnë një vrasje, ama një vrasje të vetme të pas luftës në Kosovë!

facebook.com/kimete.berisha