Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Puntorie Ziba: Epilog

| E enjte, 17.04.2014, 07:22 PM |


Puntorie Muça-Ziba

 

Epilog

 

(Dhe, ku mbeten bijtë dhe bijat e shembëlltyrës...)

 

Ditët e lume nuk i shikuam,

përveç funeralit buzëmavijë

që shkiste rrugë më rrugë,

duke u shungulluar

si me dal prej zgafellës

nga del një predhë e vetme.

Thirrni një profet

se i vdekuri do mbetet pa varr,

dhe ne shqiptarët e gjorë

të pa shuguruar.

Asnjë trim, asnjë...

Të gjithë mbufaten para malit me minj,

e mali s’bëzan.

Asnjë nënë, asnjë lot

për të vdekurin që po vdiste

që kur ua vuri kujën,

e ua bëri gjëmën...

I vdekuri oshëtinte

ankthshëm

vërdallosej në tabut,

përpëlitej për t’u mugullar

dhe nuhaste epilogun

nën lëkurën e tij të çaraveshur

nga sqepthat e mijëra korbave,

nën kthetrat e mishngrënësve...

Eh, na rropën more,

na rropën të gjallë...

Mjerimi  mes kapixhikëve të ngjinjur

me aromë shkrumbi,

i futi në dert bijtë e shembëlltyrës

që ëndërrronin

t’i zhbëjnë tradhëtarët

e t’i nxjerrin nga zgafellat e bardha

prej nga del një predhë e zezë.

 

15 prill 2014