| E enjte, 17.04.2014, 07:34 PM |
DINASTIA ZOGU
DHE
FEDERATA PANSHQIPTARE “VATRA”
Nga Guri DUROLLARI
Në historinë moderne të Shqipërisë Federata Panshqiptare “Vatra” me personalitetet e antarësinë e saj vatrane e gazetën “Dielli” ka pjesën e vetë të kontributeve e të atributeve si a) në Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare Shqiptare (1912); b) në mbrotjen e trojeve etnike shqiptare si me lobingun pranë Presidentit Amerikan Uillson e ish-Presidentit Amerikan Ruzvelt dhe me dërgimin e përfaqësuesve të saj në kancelaritë e konferencat ndërkombëtare në Londër (1913), Paris (1919) e pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1920); c) në konsolidimin e shtetit të pavarur shqiptar në vitet 1912-1939 dhe në përiudhat e tjera historike të pas Luftës së Dytë Botërore e të pas Luftës së Ftohtë; d) në fuqizimin e marrëdhanieve shqiptaro-amerikane nga presidenti Traft e Ëillson e deri te presidentët e mëvonshëm Klinton-Bush-Obama; e) në fitoren e Pavarësisë së Kosovës (veçmas më 1991,1999, 2007); f) në mbrojtjen e Çështjes Kombëtare Shqiptare në Maqedoni, (më së forti të Drejtat e Liritë Politike e Qytetare) në Malin e Zi, në Kosovën Lindore (Luginën e Preshevës), në Çamëri me rrethina të saj (Greqi).
Federata Pan-Shqiptare “Vatra” më 28 Prill 1912 dhe Shpallja e Pavarësisë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 sivjet janë shekullor dhe gjatë historisë kanë ecur bashkë. Veprimtaria e “Vatrës” e personaliteteve të saj ka gjurmë historike në themele të Pavarësisë Kombëtare Shqiptare, ku po i cek dy momente, që përbëjnë evenimente: E para, Flamuri Kombëtar Shqiptar: Fan Noli, kryevatrani më i parë, do ta vlerësonte pasardhësin e vetë vatran, Faik Konicën, si “Rizbulonjësin e Flamurit të Skënderbeut” pasi ky atdhetar na i publikon të dhënat e para plotore në vitin 1889 e një dekadë më vonë (1899) do të jetë i pari që e stampon në pëlhurë Flamurin Kombëtar Shqiptar duke e shpërndarë në kolonitë shqiptare në botë e ilegalisht edhe në Atdhe. Në vitin 1907, në udhët e Bostonit, pranë Stars and Stripes, paradon për herë të parë në mënyrë legale në kohët moderne Flamuri i Skënderbeut. Kjo ndihmesë vatrane vijoj edhe në ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali me Dërgatën e Pavarësisë dhe mbajtjen e tij lart në përballjet e ecuritë e historisë. E dyta, mitingje për Pavarësinë. “Vatra” më 7 tetor 1912, një ditë para fillimit “de facto” të Luftës së Parë Ballkanike dhe veçanarisht më 17 nëntor 1912, rreth dy javë para Shpalljes së Pavarësisë në Vlorë, nga ky mitingu i fundit, iu dërgua një letër Presidentit Amerikan Taft me kërkesën për të ushtruar autoritetin e tij për shpëtimin e Shqipërisë, ndërkohë iu nisën telegrame edhe Perandorit të Austro-Hungarisë e atij të Gjermanisë (Prusisë), Mbretit të Italisë, ministrive të Punëve të Jashtme të Rusisë e të Francës dhe Papës së Romës.
Në historinë moderne shqiptare lidhjet bashkëpunuese e gjithëvepruese me interes kombëtar ndërmjet Federatës Pan-Shqiptare “Vatra” dhe Dinastisë Zogu e Legalitetit, kanë pasë një vertibralitet të qëndrueshëm në rrjedhat e kohës. Ato përbëjnë një model demokratik jo veç në diplomacinë e politikën shqiptare. Nëse flasim për disa amperime të një lufte politike të prushtë apo të ftohtë me afrime e largime të herëpashershme kryesisht ndërmjet disa personaliteteve të tyre këto janë shprehje e lirisë e demokracisë bashkëkohore që vetëshijonin e rrezatonin “Vatra” e figura të saj, janë përpjekje të përbashkëta shqiptare për krijimin e klasës së re politike pasosmane e konsolidimin e shtetit të së drejtës e të vërtetës. Politika shqiptare në këto njëqind vjet si te klasa politike në Shqipëri e në Kosovë po edhe te “Vatra” në Amerikë ka pasë problematikat e veta, po të dyja në lidhjet e tyre kanë pasë dhe kanë për bosht të vetëm dashurinë për forcimin e identitetit dhe rritjen e prosperitetit të Kombit Shqiptar në udhën e lartësitë euro-atlantike.
Më 19 nëntor 1942, jo rastësisht në 30-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u thirrën në një takim zyrtar në Uashington dy nga drejtuesit e parë të “Vatrës”, Noli e Konica për të dhënë mendime lidhur me krijimin e një “guverne shqiptare në mërgim” dhe pas bisedimeve me interes dolën me një deklaratë të përbashkët, ku në pikën 2 të saj theksojnë: “Mbreti Zog është më i çquari personalitet shqiptar i gjallë, edhe përjashtimi i tij do t’i hiqte fuqinë kësaj lëvizjeje që proponohet të bëhet”(“Dielli”, 28 nëntor 1942; Hugh Grant, ambasador i SHBA në Shqipëri (1935-1939): “Mbreti Zog siç e kam njohur”, Tiranë, 2002, fq. 45-47 (faksimile në anglisht e në shqip).
Konica, ambasadori më jetëgjatë në SHBA (1926-1939) u njoh herët me Mbretin Zog I, në Vjenë, në vitin 1913 dhe në mbrëmjen e të enjtes të 17 janarit 1932 gjatë një bisede në “Radio Uashington Times” do të deklaronte se “Mbreti Zog është një njeri nobel i lindur. Flet pesë gjuhë të huaja…Shqipëria duke qënë, si i thonë, në një pozicion kyç, stabiliteti dhe rregulli qeveritar është një kontribut i paqes në botë dhe ky kontribut është tërësisht falë aftësive dhe talentit administrative të Mbretit të Shqipërisë të cilinkam nderin ta prezantoj në kryeqytetin tuaj të bukur” (Herman Bernshtain, ambassador i SHBA në Shqipëri (1930-1935): “Mbreti Zog kallxon historinë e Tij”, Tiranë, 2002, fq.59-63).
Kristo Dako, një nga kryetarët e “Vatrës” qysh në vitin e themelimit të saj më 1912 e një nga personalitetet me ndikim në politikën amerikane e shqiptare të kohës, do të perfundonte në dimrin e vitit 1936, në Kamëz – Tiranë, një biografi zyrtare “Shënime historike nga Jeta dhe Veprat e Nalt Madhërisë së Tij, Zogu i Parë, Mbreti i Shqiptarëve”, që u botua në fillim të vitit 1937 nga enti botues “Kristo Luarasi”, dhe e përmbyll me fjalët: “Fama e Tij në të ardhmen do të rritet edhe më tepër. Me kalimin e kohës emri i tij do të ndriçojë…si yll i çkqlqyeshëm…” (fq. 158).
Fan Noli hyri në Parlamentin Shqiptar si përfaqësues i “Vatrës” në Amerikë, qysh në korrik të vitit 1920 dhe me Mbretin Zog fillimisht ishin të lidhur ngushtë, po gjithësesi pavarësisht nga përplasjet me fjalë në parlament e në media e deri më armë për pushtet politik, prapëseprapë patën lidhje të mira ndërveti. Kryevatrani e peshkopi atdhetar Noli me Mbretin Zog e me Mbretëreshën Geraldina kanë përcjellë njejtësisht falmeshëndete, mesazhe e letra e dhurata simbolike. Veçojmë një fakt: Noli në vitin 1960 ia dhuroi me autograf të bukur Mbretit Zog dy volumet e veprës për Skënderbeun (në anglisht e në shqip), të cilat ish-presidenti i “Vatrës”, Dr. Andrea Ilia, ia dorëzoi në mënyrë ceremoniale Madhërisë së Tij, Leka i Parë, në një darkë që “Vatra” shtroi për nder të Tij në Boston, më 5 korrik 1967, në lokalin e mrekullueshëm të Antonio Athanasit. Kësokohe Mbreti Leka I bëri homazhe edhe tek varret e burrave të shquar
kombëtar
si te ai i Fan Nolit (1882-13 mars 1965) e Faik Konica (1875–15 dhjetor 1942)
në
Në pranverën e vitit 1951 Mbreti Zog I mori rrugëtimin diplomatik nga Egjipti i largët për në Amerikë, ku veçohet edhe takimi me “Vatrën” e vatranët e saj për të bashkëvendos për fatet e Kombit Shqiptar. Duhet thënë se Mbreti Zog I në Mërgim e Federata Pan-Shqiptare “Vatra” në Amerikë, ndihmuan në pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve (1920) dhe në OKB (1955). Sipërmarrja e Mbretit ZOG me votën e vendeve arabe e myslimane ishte vendimtare dhe kur e pyetën se çfarë e shtyu të ndërmerrte këtë hap diplomatik, u përgjigj me një frazë: “Interesat e vendit tim, sepse nuk deshta që Shqipëria të përfundonte në një copëtim nga fqinjët e saj sllavë e grekë”. Në vitet e fundit të jetës Mbreti Zog I (1895-1961), ashtu sikurse Ismail Qemali (1844-1919) deshtën të kishin aleatin më strategjik të tyre Amerikën, aty ku e ka selinë njëqindvjeçare edhe “Vatra”, biles Mbreti Zog I eci edhe më tej me sigurimin e një vile për të ngrysë edhe jetën në Shtetet e Bashkuara.
Me ftesë të Mbreti Leka i Parë në Kuvendin e Madridit, më 2-3 korrik 1972 (në hotelin Cuzeo) mori pjesë në punimet e tij edhe “Vatra” me statusin e saj tradicional dhe është një nga palët nënshkruese të “Akt-Bashkimit”të grupimeve politiko-atdhetare të emigracionit shqiptar për të luftuar për një Shqipëri Etnike, përmbysjen e regjimit komunist etj. Ish-senatori amerikan më i vjetër në historinë politike të Amerikës, Strom Thurmond, nga Karolina e Jugut, mik i Mbretit Leka, do të deklaronte në Senatin Amerikan “Shqiptarët në mërgim për herë të parë kanë ra dakord që të bashkëpunojnë për t’ia kthyer lrinë një vendi, të cilit i është mohuar për një kohë të gjatë”. (Akt-Marrëveshja e diskutimi i senatorit Thurmond janë botuar edhe në “Congressional Record” të Kongresit Amerikan, më 11 gusht 1972). Në lidhjet kombëtare të të Mbretit Leka i Parë e të “Vatrës” ka ndikuar edhe fakti se disa herë në Senatin e Kongresin Amerikan, nga miqtë e Mbretit Leka, si senatori Jesse Helms (15 dhjetor 1982, 7 qershor 1983), kongresmeni Floyd Spence (29 korrik 1983) etj. u ngrit zëri për Shqipërinë Natyrale për ta mbrojt nga rreziku i rus “turqit e rinj të Ballkanit” pas deklaratave të Andropovit dhe për përmbysjen e regjimit komunist të Hoxhës etj. Mbreti Leka i Parë gjatë jetës së vet në shërbim të kombit ka ardhë disa herë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me misione kombëtare si kur Shqipëria e Kosova ishin të okupuara nga regjimi komunist, por edhe në fillimet e demokracisë në Shqipëri .
Gjatë gjithë historisë së vet Legaliteti, si një organizatë nacionaliste, monarkiste e demokrate, veçanarisht Organizata Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL në SHBA), ka pasë lidhje kombëtare me Federatën Pan-Shqiptare “Vatra”, ku veçohet kontributi bashkëpunues i figurave të shquara monarkiste në Amerikë si Abaz Kupi, Selim Damani, Fuat Myftia, Abedin Mulosmanaj, Hysen Mulosmanaj…. e të tjerë, që mbeten emra të nderuar në memorien kombëtare të brezave.
Më i riu pasardhës i Dinastisë Zogu, Princi i Kurorës, Leka II e çmon “Vatrën” si “institucion historik i shenjtë i vlerave kombëtare, i kontributeve misionare shqiptare e i figurave atdhetare dhe i miqësisë shqiptaro-amerikane”.
Dr. Guri DUROLLARI - Kryetar i Partisë Lëvizja Monarkiste Kombëtare Demokrate