| E marte, 15.04.2014, 06:31 PM |
PRANVERË 2014
Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ
pranverës
iu qepa
me ngulm
si kërkuese ari
që kalon në sitë
gjithë guriçkat
e zallin
e lumenjve
të orëve
me shpresë
se do të fitojë
llotarinë
e artë
të fatit
pranverës
iu përgjërova
me zërin e heshtjes
që murmërin
si bletët
nga shumëngjyrshmëria
e luleve-kurora
në procesionet e
thithjes
së nektarit
pranverës
i renda
si vagonët
e mbushur
përplot
me qymyrin
e mallit
pas çufçufeve
të lokomotivës
së marsit
kambanat
e mimozave
bien
kotnasikoti
derisa marsi
ia beh me
bylezikë
ylberi
prej psherëtimave
diellore
të luledeleve
sepse
pranvera vjen
pa u ndjerë
nga portikët
e padukshëm
të ajrit
me hapin
e heshtur
të thëngjijve
të shuar
prej epshit
të natës
i pari
dhe shpeshton
frymëmarrjen
e i ngjitet pas trupit
si fëmija
pas fustanit
të nënës
sepse
e di më mirë
se kushdo
se pranvera vjen
e ikën ngutshëm
si në garat
e maratonës
ku koha
me fytyrat
tona
vrapon
më shpejt
se
blicet
e vetëtimave
....
Pranverë,2014