| E premte, 11.04.2014, 06:59 PM |
U MORA ME TY…
POEZI NGA QAZIM SHEHU
U mora me ty e shkrova këto vjersha,
E ti s` i lexove kurrë,
Kur rende drejt shtigjeve të lehta,
Me zemrën tënde akull, timen furrë
Kur njëra është akull e tjetra digjet,
Ndodh që zjarri akullin s`e shkrinë,
Veç në dashuri natyra s`i shtrin ligjet,
Edhe pse prej natyrës kemi dashurinë…
KOHERRËSIRË
Kohë e pagojë,
gisht në sy..
trumbeton e shfryn,
bori.
Kohë e dyndur
E zbrazët si një femër,
Kur u shet hiret,
burrave lypsarë,
në kërkim
të dashurisë së parë.
Dhe kur nuk e gjen,
Në shi e në llohë,
Vetiu verbohet,
Veten mos e shohë
SHPATINA
Tek ju, malësorja, kaloi shpinëngarkuar,
me barkun e zënë e furkën nëpër duar,
Tek ju kaloi miku dhe erdh në natën e zbrazët,
Prej tij tymuan më tepër oxhaqet.
Nga fshati ju ngriheni dhe merrni gjithë drejtimet,
Horizontet i shtyni në një qiell të rimët,
Në një qiell të errët, të kthjellët e trazovaç,
Nga ju zbresin përrenjtë dhe zërat i mblidhni lart,
I ndani nëpër pyje në kreshta e thepa,
E sërish i mblidhni, i sillni në shtëpitë e vjetra.
Ju mund mos ishit ,në vend tuaj të qe një fushë,
ËMBËLSI
Me dritë kjo botë është mbushur,
Konturet i ndriçon bujarisht,
Sa një errësirë do i bënte mirë,
Për ta parë më ëmbëlsiht….
NJOLLA
Në fund të rrugës të pashë,
Njollë e bardhë.
Në fund të rrugës renda,
Të kap e të shpie në fillim,
A kapet njolla,
Mike?
Sa herë kur më duhet të kthej,
Për tjetër drejtim,
Në këtë rrugë,
Në mes,
Gjer në fund shkoj dhe njollën,
Me ngjyrë tjetër e ndez.
Errësira të thithi,
Dhe kjo rrugë që i zbraz njerëzit,
Në një vrap apokalipsi.
Dhe kjo rrugë në fund të saj,
Me të njenjtën perspektivë të ngushtuar,
Unë rri përherë dhe njollën e mbroj,
Në instiktin tim të verbuar.
GRUSHTI
Si rrobë e shurdhit që ndjen erën dhe s`dëgjon,
Borxhi shfryn mllefin në xhepin tonë.
Në xhepin tonë të pafuqishëm,
Fusim grushtin e ligjshëm të Migjenit.
Pastaj si Migjeni e kërkojmë atë,
Dikush na shkëput prej tij dy gishta,
E lart na i ngre…